Prishtinë, 28 Prill 2020
Shtimi i numrit të mediave online e ka rritur edhe numrin e shkeljeve të etikës gazetareske në Kosovë. Sipas njohësve të fushës së mediave, këto shkelje bëhen për arsye të shumta, por ndër më kryesoret janë tendenca për ta sulmuar apo favorizuar dike gjatë raportimit, shpejtësia e publikimit të lajmit dhe mos profesionalizmi i gazetarëve që punojnë sidomos në mediat online.
Lidhur me shkeljet që po bëhen nga mediat online, organizata Çohu! ka angazhuar disa studentë për t’i monitoruar disa nga mediat online të Kosovës.
Arton Demhasaj, drejtor i organizatës Çohu! thotë se këta studentë kanë bërë monitorim ditor të portaleve të përzgjedhura duke evidentuar shkelje të Kodit dhe duke përpiluar ankesa të cilat i kanë dërguar në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës.
“Studentët janë konsideruar si kategori më e përshtatshme për t’u angazhuar për këtë aktivitet. Ata janë në radhë të parë qytetarë dhe ankesat e tyre kanë qenë ankesa individuale (të qytetarëve) për një shkelje e cila në mënyrë të tërthortë i ka prekur edhe ata. Kësisoj është synuar të instalohet edhe fryma e angazhimit qytetar për ta ngritur zërin për shqetësimet e njëri-tjetrit dhe të komunitetit në përgjithësi”, thotë Demhasaj.
Ai thotë se faza e parë e këtij monitorimi përfshinë periudhën nga 1 maji 2018 deri me 30 prill 2019. Ndërkaq monitorimi po vazhdon ende dhe se brenda muajit maj do të përgatitet një raport final i këtij monitorimi.
Të gjitha shkeljet e supozuara dërgohen në Këshillin e Mediave të Shkruar të Kosovës (KMSHK). Ky institucion është vetërregullues dhe mban takime me anëtarët e vet, ku shqyrtohen ankesat e dërguara nga palë të ndryshme dhe jepet një mendim profesional për ato ankesa.
Pas shqyrtimit të shkrimit, bordi i KMShK-së merr vendim ta miratojë ankesën, ta miratojë pjesërisht, ose të mos e miratojë, duke konkluduar se shkrimi përkatës i ka plotësuar kriteret e përcaktuara nga Kodi i Mediave të Shkruara të Kosovës. Por ka edhe disa raste që zgjidhen me ndërmjetësim.
Organizata Çohu! ka monitoruar tetë media online për të parë se sa po e respektojnë Kodin e Mediave të Shkruar të Kosovës.
Në bazë të të dhënave që janë nxjerrë nga monitorimi i shkrimeve për periudhën maj 2018 deri në prill të vitit 2019, rezulton se në KMShK janë dërguar 92 shkrime, përkatësisht ankesa. Këto shkrime janë dërguar duke ngritur dyshime se mediat të cilët i kanë publikuar ato, kanë bërë shkelje të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës. Nga totali prej 92 ankesave janë miratuar 41 prej tyre.
Duhet theksuar se prej kur ka filluar dërgimi i shkrimeve nga monitoruesit e organizatës Çohu! për shkak të dyshimit se kanë shkelur kodin e etikës, pas disa muajve tek mediat që kanë qenë duke u monitoruar është vërejtur kujdes më i shtuar gjatë raportimit. Kjo edhe për faktin se kur dërgohet një ankesë në KMShK, ky institucion kërkon përgjigje apo versionin e mediumit lidhur me shkrimin ndaj të cilit është bërë ankesë.
Shkeljet me të mëdha tek “raportimi i së vërtetës”
Kodi i Mediave të Shkruara të Kosovës i ka dhjetë kapituj. Secili kapitull i ka disa pika ku flitet në mënyrë të detajuar për etikën që gazetarët, përkatësisht mediumet duhet t’i përmbahen. Gjatë monitorimit nga organizata Çohu dhe krijimit të databazës, shkeljet e evidentuara janë ndarë edhe sipas kapitujve, në mënyrë që të shihet se cilët kapituj, përkatësisht pika të kapitujve, po shkelën më së shumti nga mediumet që kanë qenë duke u monitoruar.
Rezultatet e monitorimit tregojnë se më së shumti shkrime, gjithsej 47, që janë evidentuar dhe pastaj janë dërguar në KMShK, kanë të bëjnë me Kapitullin II të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës. KMShK-ja ka miratuar 19 prej tyre.
Ky kapitull përbëhet nga shtatë pika dhe ka të bëjë me trajtimin e së vërtetës.
Imer Mushkolaj thotë se një nga shkaqet që ka shkelje të shpeshta të kodit të etikës, sidomos tek raportimi i së vërtetës, është fakti se shumica e mediave e kanë zgjedhur shpejtësinë para saktësisë dhe se kjo është një problem shumë i madh.
Ai thotë se shumica e mediave online janë më të prira për të publikuar diçka që nuk i plotëson të gjitha kriteret e të qenit një lajm ose një raportim profesional dhe korrekt, por i publikojnë si të tilla.
“Natyrisht, jo të gjitha mediat, por po flasim për mediat që mund të kenë shkrime tendencioze që dihet dhe vërehet që janë tendencioze, por poashtu edhe në raste të caktuara kur përmes shkrimeve e përmbajtjeve mediale vihet në shënjestër një person, një organizatë, biznes e kështu me radhë”, thotë Mushkolaj.