Prishtinë, 27 Janar 2020
Mësimdhënësi i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Emin Pajaziti sipas planprogramit për klasën e VII-të filloi ta shpjegonte njësinë mësimore “zgjedhimi i foljeve”. Po sa filloi ta shpjegojë këtë temë, i paraqitet pengesa e parë. Ai për shkak të sëmundjes nuk mund të ngrihet në këmbë për ta shkruar titullin e mësimit në tabelë dhe ta shpjegojë me ndonjë shembull. Për këtë arsye, njëri nga nxënësit e klasës u ngrit dhe e shkroi në vend të tij.
Për arsimtarin Emin i cili jep mësim në shkollën fillore “Vëllezërit Frashëri” në fshatin Çubrel të Skenderajt, kjo është bërë e zakonshme për çdo ditë të punës. Ai vuan nga një sëmundje e sistemit nervor e cila ia ka paralizuar këmbën e majtë. Pajaziti që tashmë i ka mbushur të 60’tat thotë se punon si arsimtar që 27 vite.
Por vitet e fundit thotë se janë bërë një makth për të. Ai në vitin 2014 kishte filluar të ketë pengesa në të ecur, ndërsa në fillim të vitit 2016 këmba i ishte paralizuar krejtësisht. Edhe pse i mbante patericat e mbështetura në tavolinën e tij, ai nuk mund të lëvizë vetë, i duhet një shoqërues për çdo lëvizje. Pajaziti thotë se gjendja e tij shëndetësore po ndikon shumë në përformancën e tij si mësimdhënës.
Thotë se për shkak të kushteve të rënda sociale detyrohet ta mbajë punën në këtë gjendje. Me legjislacion aktual, ai ose duhet të vazhdojë punën ose duhet ta ndërpresë dhe ta përfitojë një pension invaliditeti prej 90 euro në muaj, me kushtin që Komisioni Mjekësor i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale vlerëson se tek ai është shfaqur paaftësia e plotë 100 për qind për punë.
Në Kosovë nuk ka infrastrukturë ligjore që e rregullon pensionimin e parakohshëm për mësimdhënësit për shkak të sëmundjeve të rënda. Situata e tyre vështirësohet edhe më shumë për shkak se nuk zbatohet Ligji për Sigurimet Shëndetësore.
Në gjendje pothuajse të ngjashme si Pajaziti , që me shumë vështirësi po e kryejnë punën, janë edhe 216 mësimdhënës të nivelit parauniversitar në gjithë Kosovën. Ky numër është në mesin e mbi 23 mijë mësimdhënësve, sa llogariten të jenë bazuar në raportin mbi statistikat e arsimit në Kosovë të publikuar nga MAShT për vitin 2018/2019.
Të dhëna për numrin e mësimdhënësve me probleme të rënda shëndetësore, nuk kanë as Ministria e Arsimit, as SBASHK-u, e nuk i kanë patur deri më tani as Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA).
Prandaj në kuadër të këtij hulumtimi, BIRN ka bërë kërkesë në të gjitha komunat për t’i siguruar këto të dhëna.
Sipas të dhënave të grumbulluara, komuna që ka më së shumti mësimdhënës me sëmundje të rënda është Prishtina me 58 raste, e ndjekur nga Ferizaj me 16, Prizreni me 15, Gjilani me 14, e kështu me radhë. Kohëzgjatja që këta mësimdhënës punojnë në këtë gjendje varion nga 1 deri në 7 vite.
Në mesin e tyre është edhe Emin Pajaziti. Ai na tregon se bashkëshortja e ndihmon për ta veshur, djali e dërgon në mëngjes në shkollë, ndërsa gjatë orëve të mësimit, nga klasa në klasë e dërgojnë punëtorët teknik të shkollës, drejtori apo kolegët. Pas përfundimit të punës, njëri nga të lartcekurit e dërgon në shtëpinë e tij në Çubrel.
“Po të mos ishte kolektivi aq i mirë, unë nuk kisha mundur të vazhdoj punën në këtë gjendje. Nëse do të kisha qenë në tjetër shkollë, unë me ndihmë sociale do të isha”, thotë Pajaziti.
Ai thotë se është lodhur nga kjo rutinë dhe se është maltretim të vazhdojë punën në këtë gjendje shëndetësore.
Emin Pajaziti, mësues i Gjuhës Shqipe. Foto: Besnik Boletini
“Besoni që nuk kisha punu, por gjendjen ekonomike e kam të rëndë. Po më vjen keq prej kolektivit, prej drejtorit, prej nxënësve për shkak të gjendjes në cilën jam”, thotë Pajaziti.
Ai thotë se për shkak të gjendjes shëndetësore nuk po mund të jetë efikas sa duhet në mësimdhënie siç ka qenë në vitet kur nuk e kishte këtë sëmundje.
“Tash një fjali nuk po mundem ta kryej si duhet. Pra po mbetet mangu. Më vështirë nuk e di çka. Nuk e vlerësoj këtë punë. Nuk e vlerësoj [këtë] mësim”, u shpreh mësimdhënësi Emin.
“Për shembull kur jemi tek fjalitë e mëdha që i kemi në gjuhën shqipe, nxënësi një fjali e shkruan me shumë gabime, çka mundesh për së uluri t’i tregosh, se keq e ke, ose bëjë kështu ose ashtu. Kjo punë nuk është, por më ka detyruar gjendja e rëndë sociale ta vazhdoj punën edhe në këtë gjendje”.
Florim Rrustemi, drejtor i kësaj shkolle thotë se ky rast po e vë në gjendje të vështirë se si të veprojë. Për gjendjen e këtij mësimdhënësi thotë se e ka njoftuar DKA-në në Skenderaj dhe përmes tyre Ministrinë e Arsimit, por i kanë thënë se nuk ka asnjë ligj që do t’i mundësonte pensionim të parakohshëm për shkak të gjendjes shëndetësore.
Rrustemi thotë se mësimdhënësi po e vazhdon punën ashtu siç po mundet më shumë vështirësi, ndërsa shpreh shqetësimin lidhur me cilësinë e mësimdhënies.
“Mësimdhënia nuk është e duhur, as nuk mundet të jep mësimin siç duhet, por as nxënësi nuk mundet të marrë [mësim] prej tij”, thotë Rrustemi.
Infrastruktura aktuale ligjore
Sipas Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, e drejta në pension invalidor të punës iu njihet edhe të gjithë të punësuarve aktual, tek të cilët është shfaqur paaftësia e plotë për punë, si pasojë e lëndimit në punë apo e sëmundjes profesionale. Shuma e pensionit invalidor të punës është e njëjtë me pensionin bazik të moshës, i cili aktualisht është 90 euro.
Por për të përfituar pension invalidor, i punësuari duhet të vlerësohet se ka 100 për qind paaftësi për punë.
Ky ligj nuk parasheh pension invalidor për të punësuarit që vlerësohen se kanë më pak se 100 për qind aftësi për punë. Për shembull, dikush që vlerësohet se ka 60, 70, 80 për qind paaftësi për punë, i mbetet ose të vazhdojë si mundet, ose ta lë punën.
Bahri Xhaferi, udhëheqës i Departamentit të Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale thotë se aktualisht nuk ka kategorizim të invaliditetit dhe se për këtë arsye “kategorizimi i invaliditetit është duke u punuar në një projektligj për këtë kategori të personave”.
Sipas nenit 31 të Ligjit për Arsimin Parauniversitar, mësimdhënësit janë shërbyes profesional publik që kryejnë detyra në institucionet arsimore dhe aftësuese sipas legjislacionit në fuqi dhe të cilët përmbushin kushtet e nevojshme të parapara me këtë ligj për kualifikim dhe licencim.
Ndërkaq, Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë përcakton kontrollimin periodik të mësimdhënësve, për të parë parametrat e tyre shëndetësorë dhe eventualisht për të zbuluar ndonjë sëmundje në fazë të hershme.
Në nenin 22, pika 1, të këtij ligji thuhet se punëdhënësi është i detyruar t’u sigurojë të gjithë të punësuarve kontrollime mjekësore në institucionet shëndetësore të licencuara. Ndërsa në pikën 2 thuhet se punëdhënësi është i detyruar t’i dërgojë në kontrollim mjekësor të gjithë të punësuarit së paku një herë në tri vite.
Por deri më tani mësimdhënësit nuk janë dërguar asnjëherë në kontrolle të tilla. Të gjithë të punësuarit në Kosovë këto kontrolle duhet t’i bëjnë në Institutin e Mjekësisë së Punës.
Luan Nagavci drejtor i këtij Instituti ka thënë për BIRN se deri më tani “nuk është evidentuar asnjë punëtor i arsimit që ka shkuar në këtë Institut për të bërë vlerësim të gjendjes shëndetësore apo vlerësimin e aftësisë punuese”.
Të drejtat për pushim mjekësor rregullohen me Ligjin e Punës. Sipas nenit 59 të këtij ligji, i punësuari në rast të sëmundjes ka të drejtë në pushim mjekësor të rregullt mbi bazën, deri në 20 ditë pune brenda një viti me kompensim prej 100 % të pagës. Gjithashtu i punësuari ka të drejtë në kompensim të pushimit mjekësor prej 70 % të pagës së tij prej 10 deri në 90 ditë.
Pas kësaj periudhe mësimdhënësit me probleme të rënda shëndetësore i kanë dy mundësi: Të vazhdojnë punën ashtu siç munden, ose ta lënë atë dhe mund të përfitojnë një pension invalidor, nëse vlerësohet se kanë 100 për qind paaftësi për punë. Mirvete Gashi që është mësimdhënëse në Gjimnazit “Gjin Gazulli” të Prishtinës nuk e pranon këtë pension.
Mirvete Gashi, mësimdhënëse e Ekonomisë dhe Ndërmarrësisë. Foto: Besnik Boletini
Gashi ka 20 vite që ligjëron lëndët Ekonomi e Ndërmarrësi dhe Menaxhim të Projekteve. Ajo përballet me sëmundjen e sklerozës multiple, e cila ia ka sulmuar këmbët dhe për këtë arsye e përdorë karrocën. Problemet shëndetësore i filluan qysh në vitin 2010, ndërsa në dy vitet e fundit thotë se gjendja i është përkeqësuar edhe më tej.Mësimdhënësja thotë se vazhdimisht i nevojitet ndihma e një personi edhe në shtëpi edhe në shkollë.
“Udhëtoj çdo ditë, rreth 5-6 kilometra e kam larg shkollën. Bashkëshorti më shoqëron deri në klasë, më akomodon këtu para tavolinës së punës,” tregon Gashi.
“Pas përfundimit të mësimit vjen më merr”, rrëfen ajo.
Ajo thotë se kur është detyruar të përdorë karrocën e ka pasur shumë të vështirë dhe ka menduar ta ndërpresë punën, sepse nuk e ka paramenduar t’u jap mësim nxënësve në atë gjendje. Por me kalimin e kohës thotë se është pajtuar me gjendjen e saj dhe se nxënësit kanë mirëkuptim dhe e kanë pritur në mënyrë normale, pavarësisht se është me karrocë.
Mësimdhënësja Gashi thotë se lëndët e saj janë kryesisht teorike dhe nuk ka nevojë të shkruajë në tabelë apo të përdorë pajisje.
Ajo na tregon se mban mësimin vetëm në një klasë dhe nxënësit ndërrohen kur i kanë orët mësimore me të. Këtë sistem thotë se e aplikon ky gjimnaz, ku nxënësit e ndërrojnë klasën varësisht nga ora mësimore që kanë.
“Kjo për mua ka qenë shumë e mirëseardhur, përndryshe nuk kisha mund nëpër secilën klasë të lëviz. Drejtoresha ma ka mundësuar kabinetin në katin e parë, ka pasur konsideratë, ashtu siç kanë i gjithë kolektivi. Por ato problemet e mia nuk mund të mi kompensojë askush”, thotë ajo.
Profesoresha Mirvete thotë se punën e bën me vullnet pavarësisht se është në karrocë, por përmend edhe sfidat me të cilat përballet.
“Burri punon në sektorin privat me klientë dhe nganjëherë e ndërpren punën për të më sjellë në shkollë ose për të më marrë”, thotë ajo.
Puna është e rëndësishme për të në mënyrë që të jetë sa më aktive, por thotë se është edhe e domosdoshme pasi që i ka tre fëmijë, dy prej tyre studentë dhe një nxënëse në shkollën e mesme. 49 vjeçarja shpreh brengën se me kalimin e kohës sëmundja mund të bëjë progres dhe mund t’ia vështirësojë gjendjen shëndetësore, duke ia pamundësuar shkuarjen në punë. Për këtë arsye thotë se një mundësi për pensionim të parakohshëm do të ishte shumë e mirëseardhur për të.
“Do të ishte shumë mirë që kjo çështje të rregullohet me ligj. Përndryshe me pensionin që është aktualisht, pranoj ta vazhdoj punën”,shprehet ajo.
Ndër mësimdhënësit që janë me sëmundje të rënda dhe që kanë vështirësi në kryerjen e punës janë edhe të prekurit nga kanceri. Ata duhet të marrin terapitë përkatëse mjekësore dhe njëkohësisht të vazhdojnë punën.
Pensionim i parakohshëm me 75 për qind të pagës bazë
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) Rrahman Jashari, thotë se prej kur MAShT-i udhëhiqej nga Arsim Bajrami, por edhe nga Shyqyri Bytyqi, kanë kërkuar të mblidhen të dhënat për numrin e mësimdhënësve që janë në gjendje të keqe shëndetësore dhe të bëhet një zgjidhje ligjore për këto raste.
“Ata e kanë pranuar me kënaqësi këtë ide, madje thonë se si ide e kanë pasur edhe ata se çfarë të bëhet me mësimdhënësit e sëmurë, por deri në këtë moment kur po flasim nuk është bërë asgjë”, thotë Jashari.
Ai thotë se është e mundur që këta mësimdhënës të pushohen nga puna, t’u garantohet pensioni 75 për qind i pagës bazë, ndërsa pjesa e mbetur prej 25 për qind të dedikohej për mësimdhënësit praktikantë, që ai mendon se do të duhej të angazhoheshin në vend të tyre.
“Nuk është humane të lihen këta njerëz që janë goditur me sëmundje të rënda, të cilët për ta ruajtur kafshatën e gojës për vete dhe fëmijët, shkojnë në shkollë në atë gjendje”, thotë Jashari.
Kryesindikalisti Jashari tregon se këta mësimdhënës nganjëherë shkojnë në sindikatë dhe e shpjegojnë historikun e sëmundjes dhe luftën që e bëjnë me këtë sëmundje dhe shprehen të zhgënjyer me shtetin, sepse kanë pritur që të bëhet diçka për ta. Ai thotë se ata do të duhej ta kishin më të lehtë luftën me sëmundjen pa patur obligim të shkojnë në shkollë.
“E vetmja mënyrë është që kjo çështje të rregullohet me ligj dhe ata të mos jenë më në procesin mësimor”, thotë Jashari.
Rregullim ligjor të kësaj çështje kërkon edhe Avokati i Popullit. Përmes një përgjigje me shkrim dërguar BIRN, zyra e Avokatit të Popullit thotë se kjo çështje mund të rregullohet me plotësim dhe ndryshim të Ligjit të Punës me dispozitën për lejimin e pensionim të parakohshëm, e cila dispozitë ligjore do të mund të reflektonte në plotësim ndryshimin të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, Kontratës Kolektive dhe në Kontratën e Punës të mësimdhënësit. Sipas ligjit të ri për pagat, mësimdhënësi i shkollës fillore (klasa 6-9) e ka pagën bazë 585 euro.
Nëse do të rregullohej ligjërisht që mësimdhënësit që kanë probleme të rënda shëndetësore të pensionohen me 70 për qind të pagës bazë, i bie që pensioni i tyre i invaliditetit të jetë 409 euro në muaj. Nëse e kalkulojmë këtë shumë me numrin aktual të mësimdhënësve që kanë probleme të rënda shëndetësore (216), rezulton se pensionimi i parakohshëm invalidor i tyre do t’i kushtonte shtetit 88 mijë e 344 euro në muaj.
Ndërkaq, vetëm për vitin 2019 Qeveria e Kosovës ka ndarë për fushën e arsimit 345 milionë e 200 mijë euro.
Në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) thonë se janë angazhuar për të bërë zgjidhje për këto raste. Zyra për informim e kësaj ministrie ka thënë se ish-ministri Bytyqi ka kërkuar nga ministritë relevante të rregullohet ligjërisht kjo çështje.
“MAShT edhe në Grantin Specifik të Arsimit për vitin 2020/21, ka paraparë buxhetin për këtë çështje, por kjo nuk ka kaluar në pamundësi të sigurimit të buxhetit”, thuhet ndër të tjera në përgjigje.
BIRN ka kërkuar të dijë se a kanë qenë këto kërkesa me shkrim dhe nëse po, cilave ministri u janë drejtuar, cilat kanë qenë përgjigjet e tyre si dhe ka kërkuar qasje në ndonjërën prej tyre. Por deri më tani nuk ka marrë përgjigje. Edhe për përgjigjen e lartcekur është dashur të presim për më shumë se një muaj, duke insistuar vazhdimisht për të marrë përgjigje nga kjo ministri.
Problem rajonal?
As në vendet e rajonit nuk ka ndonjë rregullim ligjor të veçantë vetëm për mësimdhënësit, por në rastet e sëmundjeve të rënda, merret vendim për pensionim të parakohshëm invalidor për mësimdhënësit. Për dallim nga Kosova, pensioni invalidor është më i madh. Për më tepër qytetarët e vendeve të rajonit kanë sigurime shëndetësore që u ndihmon financiarisht trajtimin e sëmundjeve.
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri në një përgjigje për BIRN thotë se në Shqipëri nuk ka ndonjë pension të veçantë për mësimdhënësit me sëmundje të rënda. Por në raste të sëmundjes, pushimi mjekësor i tyre paguhet deri në kohëzgjatje prej gjashtë muajve.
Kur mësimdhënësi vazhdon të ketë pengesa për kryerjen e punës për shkak të gjendjes shëndetësore edhe pas kësaj periudhe, ai dërgohet në pension të parakohshëm invalidor.
Xhoana Koxhaj nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore të Shqipërisë, thotë se shuma e pensionit të invaliditetit varion nga rasti në rast, varësisht se sa vite ka punuar punëtori/ja dhe sa ka kontribuar në skemat pensionale. Sipas saj, mesatarisht një mësimdhënës/e në total merr rreth 123 euro në muaj pension invaliditeti.
Rrok Gjolaj, këshilltar në Ministrinë e Arsimit në Mal të Zi ka thënë për BIRN se në rastet kur mësimdhënësit kanë sëmundje të rënda dhe kjo dëshmohet nga komisionet mjekësore, ata shkojnë në pension të parakohshëm të invaliditetit. Ai thotë se në këto raste, pensioni i invaliditetit është rreth 130 euro në muaj apo 35 për qind e pagës bazë.
Safet Neziri këshilltar për politika arsimore në Ministrinë e Arsimit të Maqedonisë së Veriut, thotë se varësisht nga vlerësimet mjekësore, merret vendimi për pensionim të parakohshëm të mësimdhënëseve.
“Kemi pasur raste kur na është rekomanduar që mësimdhënësi të mos ketë më shumë se dhjetë orë në javë, nga gjithsej 20 orë. Për raste më të rënda shëndetësore ka pasur rekomandime (vendim) për pensionim të parakohshëm invalidor”, thotë Neziri.
Sipas Fondit të sigurimit pensional dhe invalidor në Maqedoninë e Veriut , pensioni mesatar invalidor është rreth 213 euro. Që i bie se pensioni invalidor i një mësimdhënësi të shkollës fillore është 60 për qind e pagës së tij bazë, e cila është 352 euro.
Amet Dauti, këshilltar në Fondin e Sigurimit Pensional dhe Invalidor në Maqedoninë e Veriut ka thënë për BIRN se përllogaritja e pensionit të invaliditetit bëhet duke marrë për bazë stazhin e punës dhe shumën e rrogës së të punësuarit. Ai thotë invaliditeti deri në 50 për qind, vlerësohet si paaftësi profesionale, ndërsa mbi 51 për qind, si paaftësi e përgjithshme.
“Në bazë të përqindjes së invaliditetit, gjatësisë së stazhit, vlerës së pensionit (gjate përllogaritjes së pensionit), parashtruesi i kërkesës për pension invalidor ka të drejtë në shtesë prej 10-20 për qind”, thotë Dauti.
Pasojat e dyfishta
Halim Hyseni njohës i fushës së arsimit thotë se për shkak të mungesës së infrastrukturës ligjore, mësimdhënësit janë në një pozitë të vështirë, pasi që për shkak të ekzistencës së tyre duhet të shkojnë dhe ta zhvillojnë mësimin me nxënësit.
Ai thotë se mësimdhënësit që janë në këtë gjendje, nuk i kanë kompetencat, aftësitë dhe mundësitë t’i përgjigjen objektivave të cilat i kërkojnë kurrikulat bashkëkohore.
Hyseni thotë se në këtë situatë viktimat me pasoja të mëdha janë nxënësit, pasi që kemi të bëjmë me një periudhë kur zhvillimi fëmijëve është shumë dinamik dhe i ndjeshëm.
“Ndalet procesi i përgjithshëm i zhvillimit të këtyre fëmijëve dhe këtë po e mendoj në zhvillimin fizik, mendor, emocional, social, moral. Komplet atakohet personaliteti i tyre. Pasojat janë të pariparueshme”, shprehet Hyseni.
Ai thotë se fakti se një mësimdhënësi i takojnë mesatarisht 25 nxënës për një klasë dhe në rastet kur mësimdhënësi ka probleme të rënda shëndetësore për një kohë të gjatë, kjo ndikon që mijëra nxënës të pengohen në zhvillimin e tyre.
Se përformanca e tij nuk është e mirë dhe se kjo ndikon tek nxënësit e pohon edhe mësimdhënësi Fadil Curri. Ai është arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën “Ilaz Thaçi” në Komunën e Hanit të Elezit. Ai tregon se shpesh duhet ta ndërpresë orën mësimore për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.
Ditën kur ekipi i BIRN e vizitoi, ai po u shpjegonte nxënësve të klasës së gjashtë njësinë mësimore për Eseun, ndërsa paraprakisht ua kontrolloi detyrat e shtëpisë lidhur me njësinë mësimore se si shkruhet biografia dhe autobiografia.
“Është interesante hyjë në klasë me shumë vullnet, por aty për aty ndryshon gjendja shëndetësore”, thotë ai.
Mësimdhënësi Curri është 60 vjeçar dhe vuan nga sëmundja e diabetit, ndërsa kohët e fundit thotë se ka probleme edhe me këmbët dhe sytë.Tregon se i është nënshtruar edhe një operacioni kirurgjik në sy.
Ai tash e 20 vjet e kryen punën e mësimdhënësit dhe thotë se me shumë vullnet e ka bërë këtë profesion, të cilin e konsideron edhe mision, por tash e dy vite thotë se ky vullnet i ka rënë.
Fadil Curri, mësimdhënës i Gjuhës Shqipe. Foto: Besnik Boletini
“Kohë pas kohe gjendja më përkeqësohet shumë, kjo mund të ndodh në klasë, shkallëve apo diku tjetër në ambientet e shkollës. Kjo po më brengosë më së shumti, sepse po më duket vetja i paaftë për mësimdhënie. Po më duket vetja i pa vyeshëm”, thotë Curri.
Ai thotë se gjendja shëndetësore në të cilën është ai dhe kolegët e tij në Kosovë, po i vë në pozitë të vështirë, pasi që kanë ardhur në një situatë se nuk dinë se si të veprojnë, a ta braktisin arsimin apo ta vazhdojnë.
Fadil Curri thotë se ka raste kur ndjehet mirë, por shpejt i komplikohet gjendja shëndetësore dhe i duhet ta braktisë orën mësimore, të dalë të freskohet në banjë dhe të kthehet në klasë.
“Ka shumë raste që nuk jam vetvetja, e humb vetveten. Ka ndodhur njëherë që pas kësaj gjendje kam shkuar në klasë tjetër, në vend që të kthehem në klasën time. Kjo është më e lehta, ka edhe më të këqija. Ka raste kur nuk mund të çohem nga banka, ose bëhem shumë nevrik më nxënësit”, u shpreh Curri.
Ai thotë se duke qenë në gjendje të keqe shëndetësore është edhe i papërqendruar, por mendon ta bëjë të kundërtën e asaj që e ka dashur shumë, ta lë punën si mësimdhënës.
Drejtori i kësaj shkolle Nazim Laçi thotë se është e vështirë të menaxhohet me rastet kur ka mësimdhënës me sëmundje dhe se kjo po ndikon tek nxënësit.
“Mësuesi Fadil edhe mungon për shkak të gjendjes shëndetësore. Nëse i shohim mungesat brenda vitit, dalin goxha shumë. Në këto raste më duhet ta dërgoj një mësimdhënës tjetër i cili është i lirë, ta zëvendësojë.
“Përshembull arsimtari para nxënësve dëshiron të shpjegojë, por i përkeqësohet gjendja, ai ndalet 10-15 minuta. Veç ai që e ka pa, e dinë se si reagojnë dhe e përjetojnë nxënësit këtë situatë”, u shpreh Laçi.
Në rastet kur ka mësimdhënës me probleme të rënda shëndetësore, në telashe të njëjta janë të gjithë drejtorët e shkollave, por edhe ata të DKA-ve. Ata thonë ata, se është e domosdoshme të bëhet një zgjidhje ligjore për këta mësimdhënës.
Duke e marrë parasysh se nuk ka rregullim ligjor për këtë çështje dhe se në shkollat e Prishtinës ka raste të shumta të mësimdhënësve të sëmurë rëndë, DKA e Prishtinës tashmë ka iniciuar ndryshimin e rregullores në nivel komunal që këto raste t’i mbështet me pensionim të parakohshëm. Përfitues do të jenë mësimdhënësit e moshës mbi 60 vjeç. Ata do të marrin 70 për qind të pagës deri në moshën 65 vjeçare.
Shpresa Shala drejtoreshë e DKA-së në Prishtinë thotë se kanë kërkesa të shpeshta nga mësimdhënësit që kanë probleme të rënda shëndetësore që të bëhet një zgjidhje, pasi që kanë vështirësi të shumta në kryerjen e punës. Ajo thotë se në këto raste, nuk mund të punësojnë një mësimdhënës tjetër për t’i bërë dy vende të punës.
Shala thotë se e kanë një memorandum bashkëpunimi me Fakultetin e Edukimit të UP-së dhe në raste të tilla ata i mbështesin me studentë të vitit të fundit, të cilët vijnë dhe e mbështetin mësimdhënësin që është i sëmurë.
“Ka mësimdhënës që me dëshirë do ta kishin lëshuar punën, por dihet se sëmundjet e tyre, sidomos ato malinje kanë shpenzime të shumta dhe ata nuk mund t’i mbulojnë shpenzimet që iu duhen për terapi”, thotë Shala.
Në situatën aktuale, mësimdhënësit si Mirvetja, Fadili dhe Emini duhet ta vazhdojnë punën me dhimbje, vështirësi dhe pengesa të shumta, ose duhet ta lënë atë.Ata kërkojnë nga Ministria e Arsimit t’u mundësojë atyre dhe mësimdhënësve tjerë që janë në gjendje të rëndë shëndetësore një pensionim të parakohshëm, të dinjitetshëm në mënyrë që të heqin dorë nga mësimdhënia.“Çdo zgjidhje që do të ishte bërë unë do ta pranoja dhe le të vijë ai që i kryen detyrat. Unë nuk po mundem. Nuk po kam mundësi [më]”, përfundon Emin Pajaziti.
Ky botim është mundësuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Besnik Boletinit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK- së.