English
Scroll top

Aksham pazari me banesat e Komunës së Klinës

Ish-kryetari i Klinës Sokol Bashota është dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë me gjashtë muaj burgim dhe 1000 euro gjobë. Por dënimi me burgim ndaj tij nuk do të ekzekutohet, nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti. Prokuroria e ka akuzuar Bashotën dhe disa zyrtarë tjerë të Komunës së Klinës se në bashkëkryerje kanë ndërmarrë veprime për t’ia ndarë vetës disa banesa, kundrejt një qiraje 20 euro në muaj. Por...

Prishtinë, 30 Korrik 2019

Sokol Bashota ka lindur në mars të vitit 1966 në fshatin në Caravik të Klinës. Ka diplomuar në drejtimin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ai ka një karrierë të gjatë politike, duke qenë pjesë e strukturave të PDK-së që nga themelimi i kësaj partie. Gjithashtu ka qenë edhe anëtar i Drejtorisë Politike të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së si dhe zëvendëskomandant i Shtabit të Përgjithshëm.

Kjo si duket i ka hapur rrugë për të marrë poste udhëheqëse menjëherë pas luftës. Në periudhën shtator 1999 - tetor 2002 ka qenë Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, asokohe në Qeverinë e Përkohshme. Gjithashtu ka qenë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës (2003-2007). Siç duket gara zgjedhore i ka shkuar mirë Bashotës. Ai ka qenë për dy mandate të plota kryetar i Komunës së Klinës. Në maj të këtij viti është zgjedhur sërish kryetar i degës së PDK-së në këtë komunë.

Shiko Gazetën #27

Por derisa ka mbajtur postin e kryetarit të komunës, ai ndër të tjera u akuzua se ka keqpërdorur pozitën zyrtare për të përfituar një banesë që ishte në pronësi të Komunës së Klinës, kundrejt një qiraje prej vetëm 20 euro në muaj.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e ngritur me 4 gusht 2016, e përfaqësuar tutje nga Prokuroria Themelore e Pejës, Sokol Bashota akuzohej për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, vepër për të cilën sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, parashihet dënim me burgim prej gjashtë muajve deri në pesë vjet në bashkëkryerje.

Në katër pika të aktakuzës ai akuzohej për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare për secilin vit nga 2012 deri 2015. Për këtë vepër parashihet dënim me gjobë dhe burgim prej gjashtë muajve deri në pesë vjet.

Gjithashtu akuzohej edhe për mashtrim në detyrë, vepër për të cilën parashihet dënim me gjobë dhe burgim deri në tetë vjet. Por këtë pikë të aktakuzës kryetari i trupit gjykues Sylë Lokaj e ka hedhur poshtë në fazën e konfirmimt të aktakuzës, ngase nuk ka pasur dyshim të bazuar mirë dhe prova të mjaftueshme se të akuzuarit e kanë kryer këtë vepër penale.

Prokurorja e rastit Sahide Gashi ka thënë për Preportr se rastin në fjalë e ka pranuar në kompetencë nga prokurorët e Prokurorisë Speciale të EULEX-it në prill të vitit 2018 pas ngritjes së aktakuzës nga ajo prokurori, si dhe pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar në Gjykatën Themelore në Pejë.

Ajo thotë se së bashku me lëndën, ka pranuar edhe aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë për hedhje të pjesshme të aktakuzës, konkretisht të aktakuzës së ndryshuar dhe plotësuar, ku janë përfshirë edhe veprat penale të mashtrimit në detyrë nga neni 426, paragrafi 1 dhe 2, të Kodit Penal për të gjithë të akuzuarit.

“Kundër këtij aktvendimi kam ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, me datë 19.04.2018, e cila është refuzuar me aktvendim të datës 17.05.2018 dhe është vërtetuar aktvendimi i shkallës së parë”, thotë ndër të tjera Gashi.

Sidoqoftë pas një maratone në proceset gjyqësore, ish-Kryetari i Komunës së Klinës u ndëshkua vetëm për një vepër.

Sokol Bashota u shpall fajtor vetëm për mosdeklarim apo deklarim të rremë të pasurisë. Në seancën e mbajtur me 29 maj të këtij viti, Bashota u dënua me gjashtë muaj burgim dhe 1000 euro gjobë. Mirëpo, dënimi me burgim ndaj tij nuk do të ekzekutohet, nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti, kurse dënimin me gjobë, detyrohet ta paguajë brenda 15 ditësh.

Prokurorja Sahide Gashi thotë se nuk është aspak e kënaqur me dënimin e shqiptuar dhe se posa ta pranojë aktgjykimin me shkrim, do të ushtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit. Por ajo shprehet e kënaqur me faktin se për dy zyrtarë të lartë është vërtetuar aktakuza, janë shpallur fajtor dhe janë dënuar.

Por gjatë shpalljes së aktgjykimit kryetarit të trupit gjykues Sylë Lokal i erdhi keq për dënimin (i cili ishte minimal), që ia shqiptoi të akuzuarave. Siç duket ai kishte konsideratë për të akuzuarit për shkak të pozicioneve të tyre politike.

“Janë të gjitha provat… edhe për ju z. Enver, kështu që më vjen shumë keq, ajo çka është vepru është vepru. Ju keni të drejtë të bëni ankesë”, ka thënë gjykatësi Lokaj.

Lidhur me këtë deklaratë, Preportr me datë 26.06.2019 ka dërguar pyetje në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) se a është nisur ndonjë procedurë hetimore ndaj gjykatësit Sylë Lokaj.

KGJK ka konfirmuar se me datë 01.07.2019 e ka pranuar një kërkesë nga Gjykata Themelore e Pejës për fillimin e hetimeve disiplinore ndaj gjyqtarit Lokaj. Megjithatë, Preportr merr vesh se Gjykata Themelore e Pejës e ka përgatitur kërkesën për këtë rast në ditën që ne kemi bërë pyetje në KGJK për këtë rast dhe me 27.06.2019 e ka dërguar në KGJK.

Sipas përgjigjes nga KGJK, kur pranohet një kërkesë për fillimin e hetimeve disiplinore, KGJK brenda 15 ditëve themelon Panelin Hetimor, i cili duhet të përfundojë hetimin për tre muaj.

Raportin me shkrim Paneli Hetimor e dorëzon në KGJK dhe kjo e fundit brenda 30 ditëve pas pranimit të raportit me shkrim cakton seancën dëgjimore.

“Lidhur me rastin konkret, KGJK merr vendim brenda dy muajve nga pranimi i raportit të Panelit Hetimor”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së.

Lidhur me këtë çështje Florent Spahija, këshilltar ligjor në KDI thotë se gjykata duhet të kujdeset çdo herë për të mos qenë apo mos treguar anësi në mes palëve dhe se të pandehurit janë të barabartë para trupit gjykues dhe gjykatës.

“Nuk duhet asnjë gjyqtar që të paraqes preferencat e tij hapur dhe në kundërshtim me rregullat e procedurës për paanësi”, thotë Spahija.

Ai thotë se veprimi i gjyqtarit Lokaj është veprim që nuk duhet të përsëritet dhe se Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të fillojë një hetim nëse ka ndikim politik tek gjykatësi që deklaron kështu hapur para publikut.

“Kryetari i gjykatës në anën tjetër do të duhej të merrte masa të kontrollimit të dhe monitorimit të punës së gjyqtarit në fjalë për raste më të ndjeshme dhe politike si ky i fundit”, thotë Spahija.

Historiku i aktakuzës

Sipas aktakuzës, Sokol Bashota në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës, E.B në cilësinë e deputetit të Kuvendit Komunal dhe zëvendëskryetarit të Komunës së Klinës, E. R në cilësinë e drejtorit të shërbimeve publike dhe emergjencave, F.G në cilësinë e deputetit të Kuvendit Komunal, duke vepruar në bashkëkryerje, kanë rënë dakord që së paku gjashtë nga dhjetë banesat në pronësi të Komunës së Klinës duhej t’u caktohej një çmim për qira për vetvete dhe për eksponentët e partive të tyre, pavarësisht nëse plotësohej ndonjë kriter objektiv.

Ata akuzoheshin se kanë përfituar nga pozitat dhe autorizimet zyrtare të tyre duke i tejkaluar kufijtë e autorizimeve të tyre dhe nuk i kanë kryer detyrat zyrtare, duke e përcaktuar dhe realizuar procedurën administrative për ndarjen e dhjetë banesave të Komunës së Klinës ashtu që të mbizotëronte ndaj çdo aplikuesi tjetër, pavarësisht se a e kanë përmbushur ndonjë kriter objektiv apo jo, në kundërshtim me ligjin e aplikueshëm.

Ndarjes së banesave të komunës për vetvete u ka paraprirë një sërë veprimesh nga të akuzuarit. Sipas aktakuzës, me 27.02.2009 Sokol Bashota e ka marrë vendimin për emërimin e pesë anëtarëve të komisionit për banesat me qira, përgjegjës për saktësimin e kritereve për ndarjen e banesave dhe vlerësimin e kërkesave, duke shkelur kështu ligjin me vetëdije dhe me dashje. Pra ka marrë pjesë në vendimmarrje gjatë procedurës administrative, duke pasur interes personal dhe financiar si aplikues, sipas Prokurorisë ishte në kundërshtim me nenin 29 të Ligjit për Procedurën Administrative dhe nenit 59.2 të Ligjit për Qeverisje Lokale.

Sipas prokurorisë, Bashota e ka udhëzuar kryetarin e komisionit P.P që në mbledhjen e Kuvendit Komunal të datës 27.05.2009 të prezantonte një listë prej dhjetë përfituesish si të paaprovuar nga bashkëkryerësit, pavarësisht nga të drejtat objektive të tyre, duke e shkelur kështu me vetëdije dhe qëllimisht rregulloren dhe Ligjin për Procedurën Administrative dhe nenet nga 7 deri 11, e në veçanti nenin 11 – paragrafi V dhe IX të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

“Me datën 19.09.2009 Sokol Bashota i ka marrë nëntë vendime përfundimtare në procedurë administrative për ndarjen e banesave me qira, duke e miratuar vendimin e kuvendit komunal të Klinës të datës 27.05.2009 në të cilin ishin identifikuar dhjetë aplikues të suksesshëm (duke përfshirë vetën), të cilët gjoja kanë pasur të drejtë që t’u ndaheshin banesa”, thuhet ndër të tjera në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, me datën 17.09.2009 E.R e ka marrë njërin nga vendimet përfundimtare në procedurën administrative për ndarjen e banesave me qira, duke e miratuar vendimin e Kuvendit Komunal të Klinës të datës 27.05.2009 në të cilin ishin identifikuar dhjetë aplikues të suksesshëm, duke e përfshirë edhe veten të cilët gjoja kanë pasur të drejtë që t’u ndaheshin banesa dhe “në veçanti e ka marrë vendimin me të cilin një banesë i është ndarë Sokol Bashotës, duke e shkelur ligjin me vetëdije dhe me dashje”.

Sokol Bashota në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës me secilin përfitues ka nënshkruar kontratat për qiramarrje. Por sipas prokurorisë, për banesën e tij, kontrata ishte nënshkruar nga Sokol Bashota në cilësinë e përfituesit, kurse nga një person i paidentifikuar në emër të kryetarit të Komunës.

Për më tepër aplikuesit tjerë nuk janë njoftuar fare mbi rezultatin e konkursit se nuk janë përfitues, ashtu siç parashihet me Ligjin për Procedurën Administrative dhe rregulloren për ndarjen e banesave. Në këtë mënyrë “Sokol Bashota dhe E.R kanë penguar personat e interesuar në parashtrimin e ndonjë ankese të suksesshme, duke ndjekur kështu interesin e tyre personal (si dhe interesin e bashkekryersve) që të i ndajnë vetvetes banesat shpejtë dhe lehtë”, thuhet në aktakuzë.

Përmes këtyre veprimeve, Sokol Bashota akuzohej se ka përfituar dobi pasurore të paligjshme që ka konsistuar në shfrytëzimin e vazhdueshëm nga data 12.01.2010 deri me 24.06.2014 të një banese prej 110 metra katror që i ishte ndarë në mënyrë të paligjshme.

Por prokurorja e rastit Sahide Gashi në seancën e mbajtur me 27 maj të këtij viti, ku është dhënë fjala përfundimtare, ka hequr dorë nga ndjekja penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas Artan Sufaj, monitorues i organizatës ÇOHU!, prokurorja ka deklaruar se përderisa nuk ka prova për manipulimet me asamblistë për të votuar, për t’i pajisur këtu të akuzuarit me banesat në fjalë, rrjedhimisht nuk mund të përgjigjen të akuzuarit për vendimin e tyre.

E pyetur nga Preportr nëse e ka ditur qysh në fillim se vendimin kryesor e ka marrë asambleja dhe se a do të duhej ky fakt të merrej parasysh para ngritjes së kësaj pike të aktakuzës, prokurorja Gashi ka thënë se kur përfundimisht i është ndarë kjo çështje, (e cila fillimisht i është ndarë prokurorit Agron Galani në punë me short, për të kaluar pastaj tek ajo), rast i cili sipas saj, ka numëruar gati dyzet regjistratorë me prova dhe për më tepër menjëherë është caktuar shqyrtimi kryesor, ku është dashur ajo ta përfaqësojë aktakuzën.

Ajo thotë se ka qenë periudhë shumë e shkurtër dhe nuk ka pasur mundësi objektive dhe subjektive t’i mbajë në mend të gjitha provat, të cilat janë siguruar gjatë një hetimi të gjatë. Gashi thotë se megjithatë gjatë kësaj kohe, pasi ka analizuar të gjitha provat një për një, ka ardhur në njohuri të provës kryesore, procesverbalit nga mbledhja e asamblistëve të Kuvendit Komunal të Klinës, ku ishte marrë vendim për ndarjen e këtyre banesave të akuzuarve, gjersa në anën tjetër nuk ishte bërë asnjë hetim në drejtim të ushtrimit të ndikimit të të akuzuarve te asamblistët për marrjen e një vendimi të tillë.

“Rrjedhimisht kam ardhur në përfundim se të akuzuarit nuk mund të përgjigjen penalisht për shpërdorim të detyrës zyrtare për një vendim që e ka marrë një organ legjitim dhe atë organi më i lartë i pushtetit lokal, që i bie asambleja komunale”, thotë prokurorja Gashi.

Ajo thotë se në veprimet e të njëjtëve përmbusheshin të gjitha elementet e konfliktit të interesit, mirëpo edhe këtu ishte një problem pasi që konflikti i interesit si vepër penale ka hyrë në Kodin Penal vetëm pas vitit 2013, përderisa vepra është kryer në vitin 2009.

“Andaj duke i pasur të gjitha këto rrethana parasysh, konform nenit 7 të KPP-së, por edhe dispozitave tjera të cilat e obligojnë prokurorin që në çdo fazë të procedurës, nëse vije në dijeni të ekzistimit të ndonjë prove shfajësuese, e cila e vë në pikëpyetje bazueshmërinë e aktakuzës, të heqë dorë nga ndjekja penale, siç edhe kam vepruar”, ka thënë Gashi.

Deklarimi i rrejshëm i Bashotës

Qëllimi ndarjes së këtyre banesave ka qenë të ndihmohen ata qytetarë që janë në gjendje të rëndë socio-ekonomike, pra që nuk kanë kulm mbi kokë. Por siç duket të tillët nuk kanë qenë prioritet.

Sipas nenit 10 të rregullores për ndarjen e këtyre banesave, disa nga kriteret kryesore për të qenë përfitues kanë qenë: Qytetarët që nuk kanë në pronësi ndonjë banesë apo shtëpi; Që nuk janë në gjendje ta zgjidhin çështjen e banimit të tyre; Përvoja e punës; Kontributi në punë. Gjithashtu kritere tjera kanë qenë edhe numri i anëtarëve të familjes, gjendja shëndetësore, sociale dhe ekonomike e familjes.

Duke marrë parasysh që vetëm aplikuesit që kanë nevojë të madhe për banim do të përfitojnë nga shfrytëzimi i banesave të komunës, Bashota akuzohej se ka deklaruar të dhëna të rrejshme duke e paraqitur një gjendje të rëndë sociale.

Sipas aktakuzës, ai në cilësinë e kryetarit të komunës, ka deklaruar rrejshëm në kërkesën e dorëzuar me datën 21.04.2009 se po jetonte me bashkëshorten dhe tre djemtë e tij në një shtëpi me vëllezërit, e cila është pronë e babait të tij dhe se pjesa e banimit të tij ka vetëm një dhomë, e cila nuk i plotësonte kushtet e jetës. “Ai nuk ka deklaruar se jetonte në Prishtinë me familjen e vet në një banesë me sipërfaqe prej 79 metrash katror dhe se ai ishte pronar”, thuhet në aktakuzë.

Për më tepër Bashota nuk ka deklaruar pronat e tjera të tij dhe anëtarëve të familjes së tij, “në veçanti banesën prej 100 metrash katrorë në Prishtinë, në vlerë prej afro 100.000 eurove, një tokë prej 2 hektarë në fshatin Cervanik, në vlerë prej afro 80.000 eurove dhe një tokë prej 0.7 hektarëve në Matiqan- Prishtinë në vlerë prej afro 50.000 eurove”, thuhet në aktakuzë.

Në këtë mënyrë ai akuzohej se ka vepruar me dashje për të përfituar dobi pasurore që ka konsistuar në ndarjen dhe përdorimin e paligjshëm të një banese që ka qenë pronë e Komunës së Klinës për një çmim simbolik të qirasë prej 20 eurove në muaj.

Duke deklaruar të dhëna të rreme, Sokol Bashota akuzohej se ka shkaktuar edhe një vepër tjetër penale, atë të deklarimit të rrejshëm të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), vepër kjo për të cilën parashihet dënim me gjobë dhe burgim prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet.

Sipas prokurorisë, Bashota me dashje nuk i ka deklaruar për vitin 2012 të dhënat dhe informatat në vijim: Pronësinë mbi banesën me sipërfaqe prej 79 metrash katrorë në Prishtinë. Pronësinë mbi automjetet Jeep dhe BMW X5 të blera me datën 5 tetor 2010 për 65 mijë euro. Përveç tyre, ai për vitin 2013 nuk kishte deklaruar të ardhurat vjetore të përfituara nga qiraja prej 3000 euro, për çmimin prej së paku 250 eurove në muaj, sipas përgjigjes së qiraxhinjve që kanë banuar në banesën prej 79 metrash katrorë në Prishtinë. Të njëjtat nuk i ka deklaruar as për vitin 2014. Gjithashtu edhe 2015 nuk e ka deklaruar pronësinë mbi banesën dhe dy veturat e lartcekura.

Sokol Bashota në kërkesën për të përfituar banesën që ishte në pronësi të komunës kishte deklaruar se jeton bashkë me vëllezërit në kushte që nuk i plotësonin kushtet e jetës. Por ky deklarim duket i çuditshëm edhe për faktin se i njëjti prej vitit 2010 kur ka filluar publikimi i regjistrave të pasurisë e deri në vitin 2018, ka deklaruar se vëllezërit i japin nga 20-30 mijë euro për çdo vit, varësisht nga nevojat që i ka.

Seancat - Mospërgatitja e prokurorisë

Deri në shpalljen e aktgjykimit janë mbajtur pesë seanca gjyqësore. Të gjitha këto seanca janë monitoruar nga monitoruesit e organizatës ÇOHU!

Në të gjitha seancat Bashota është mbrojtur në heshtje. Në seancën e mbajtur me 18 tetor 2018 dëshmitari Agron Bacaj që ka qenë asamblist në Kuvendin Komunal, ka thënë se në atë kohë asambleja komunale ka nxjerre një rregullore për ndarjen e banesave dhe se ato banesa nuk kanë qenë të predispozuara për rastet sociale, por për staf politik dhe administrative.

I pyetur se a ka pasur marrëveshje politike mes partive për ndarje të këtyre banesave, ai ka thënë se marrëveshje politike nuk ka pasur, por ka pasur marrëveshje për aplikim të subjekteve politike.

Prokurorja Gashi thotë se nga shkresat e lëndës, anëtarët e komisionit për ndarje të banesave, në cilësi të të pandehurve kanë dhënë deklarata krejtësisht të ndryshme nga ato më vonë në cilësi të dëshmitarëve në hetuesi, të cilat dëshmi i kanë ndryshuar edhe më tepër kur i kanë dhënë para prokurorit dhe në prezencën e mbrojtësve dhe të akuzuarve, sikurse në shqyrtim kryesor.

“Kjo ka ndodhur edhe me dëshmitarë të tjerë, e që ka pasur të bëjë me rrethanën e ekzistimit të marrëveshjes paraprake mes krerëve të subjekteve politike të Komunës së Klinës, që gjashtë banesa, nga 10 sa ishin, t’i merrnin për vete”, thotë prokurorja Gashi.

Sipas monitoruesit të organizatës Çohu Drilon Dobruna, në seancën e 19 tetorit 2018, pas mbarimit të administrimit të provave dhe meqë nuk kishte me propozime, prokurorja propozoi që seanca të shtyhet për një ditë tjetër në mënyrë që palët të përgatiten për fjalën përfundimtare dhe ky propozim u aprovua. Prokurorja Gashi nuk ishte e përgatitur për shqyrtimin tutje, për shkak të të cilit fakt, seanca u shty për më shumë se një muaj, përkatësisht për 3 dhjetor.

Në seancën e radhës që u mbajt me 3 dhjetor 2018 u vendos të bëhet një ekspertizë financiare për të përcaktuar lartësinë e çmimit të banesave. Tutje me 4 mars të vitit 2019 në seancë u dëgjua eksperti financiar Naim Uka.

Sipas monitoruesit Artan Sufaj, eksperti Uka, ka deklaruar se nuk e kishte pasur të arsyeshme të caktojë vlerën reale të qerasë së banesave komunale, për të cilat të pandehurit akuzohen se i kishin marrë pas marrëveshjes mes tyre. “Jo nuk kam bërë vlerësimin e lartësisë së qerasë së banesave, sepse nuk e kam parë të arsyeshme me dhanë për këtë”, ka deklaruar Uka.

Ndërsa prokurorja Sahide Gashi, ka deklaruar se ka vërejtje në shumë drejtime lidhur më ekspertizën e përpiluar nga ana e ekspertit financiar Uka. Sipas monitoruesit Sufaj, prokurorja ka thënë se ekspertiza nuk ishte bërë në harmoni me kërkesat e prokurorisë dhe se ajo nuk i ishte dorëzuar me kohë asaj, sipas procedurave ligjore.

“Prokurorja Gashi, gjithashtu ka pasur vërejtje edhe lidhur me ushtrimin e funksioneve të përfaqësuesit të Komunës së Klinës, Ali Shala. Sipas saj, ai po e luan rolin e mbrojtësve të të pandehurve dhe jo mbrojtjen e Komunës së Klinës. Në kundërshtim me autorizimet e tij”, thotë Sufaj.

Në lidhje me këtë rast, avokati i Sokol Bashotës Haxhi Millaku ka thënë për Preportr se akuza ndaj klientit të tij janë politike dhe të pabaza.

“Është luftë kundër anëtarëve të PDK-së dhe njerëzve të kësaj partie. Kjo ndjekje që po u bëhet këtyre njerëzve, e në rastin specifik pa kurrfarë baze, vetëm të kalojë nëpër analët e drejtësisë, është rasti i Sokol Bashotës. Klienti im nuk ka të bëjë me ato inkriminime që i kanë bërë padronët e EULEX-it dhe i kanë vazhduar servilët shqiptarë”, ka thënë Millaku.

Prokurorja Sahide Gashi nuk ka dashur ta komentojë këtë deklaratë të avokatit Millaku, por ka thënë se edhe ky i fundit e dinë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

“I njëjti ka pasur shumë raste tjera ku unë kam udhëhequr procedura e përfaqësuar aktakuza të zyrtarëve lartë të të gjitha subjekteve dhe është i njoftuar afër me principet e punën time”, ka thënë prokurorja Gashi.

Shënim: Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Organizatës Çohu dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së.