English
Scroll top

Të fundit e romëve në Prishtinë

Rrugët “Edmond Hoxha”, “Selman Riza” dhe “Xhemajl Gostivari” në lagjen “Dodona”, në pjesën e njohur si “Kacallarët” në kryeqytetin kosovar populloheshin kryesisht nga komuniteti rom. Kjo së shpejti mund të jetë vetëm pjesë e historisë së këtij qyteti. Aty kanë mbetur edhe të fundit e romëve, pasi që pronat e tyre po shiten. Më në zë me këto tregti shquhet biznesmeni Latif Lushtaku. Preportr ka zbuluar se në këtë tregti ka pasur edhe presion, për...

Prishtinë, 12 Tetor 2012

Tashmë mund të jetë vetëm pjesë e një historie të re të kryeqytetit kosovar, por pak vite më parë së paku tri rrugë të lagjes “Dodona” njiheshin edhe si rrugët e romëve.

Shumica e shtëpive të këtij komuniteti në lagjen “Dodona”, te pjesa që njihet si “Kacallarët” janë shitur e një pjesë tjetër që ka mbetur janë nën presion për t’i shitur shpejt dhe më çmim të lirë.   Të paktën kështu pohojnë edhe banorët fundit romë  që kanë mbetur në rrugët “Edmond Hoxha”, “Selman Riza” dhe “Xhemajl Gostivari”.

Këto tri rrugë tash janë mbushur me shtëpi luksoze e të shtrenjta, nganjëherë edhe ngjitur me to ndonjë gërmadhe a gjurmë të një shtëpie të rrënuar që ngjajnë me të rrënuarat nga lufta.

E romët e fundit në këtë lagje të Prishtinës jetojnë në shtëpi të vjetër ose të papërfunduar. Po presin për biznesmenë që do të paguanin deri në 25 mijë euro për një ari truall. Ky është edhe çmimi që paraqisnin banorët e fundit romë të këtyre rrugëve derisa gazetarët e Preportr pyesnin se ku po shiten pronat.

Ata jetojnë me presionin që t’i shesin pronat e tyre dhe ta lirojnë këtë hapësirë. Ky presion, së paku njërin nga ta e bëri që t’i drejtohet gjykatave. I pakënaqur me trajtimin e gjykatave, një qytetar rom i është drejtuar edhe  zyrtarëve ndërkombëtarë me një letër.

Presioni për ta shitur shtëpinë e tij por edhe të fqinjëve e shokëve  e ka bërë një qytetar me nacionalitet rom t’i drejtohet ambasadorit të Gjermanisë dhe atij të Francës në Kosovë si dhe Koordinatorit të EULEX-it për pronat, Declan O’Mahony me një letër.

Ai po ankohej se Gjykata Komunale e Prishtinës nuk po e trajtonte drejt, por nga Misioni Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX-i, mori veç një konstatim, që sipas tyre, faktet që ai ofron  nuk po ua mbushin mendjen që gjykata në fjalë nuk po vepron drejt.

Lushtaku “N’pikë” ku shiten trojet

Ky qytetar kosovar në këtë letër, të cilën e posedon Preportr, shkruan se shumica e shtëpive po blihen prej të njëjtit person, Latif Lushtakut.

Sipas qytetarit S.O. (identitetin e plotë të cilin Preportr do ta ruajë për shkaqe sigurie) presioni ndaj anëtarëve të komunitetit romë për t’i shitur shtëpitë e tyre në këtë lagje është i asaj forme sa ata janë të shtyrë t’i shesin shtëpitë për çmim shumë të ultë.

Ky qytetar u shkruan zyrtarëve ndërkombëtarë se “romët dhe ashkalinjtë në këtë lagje janë nën presion të madh nga matrapazët e ndryshëm për t’i shitur pronat e tyre për një çmim simbolik”

Ndërkaq, Latif Lushtaku në këtë letër përshkruhet në mënyrë të detajuar, dhe romi pretendon se ky lushtak ka lidhje familjare  edhe me kryetarin e Skenderajt dhe njërin nga ish-komandantët më të fuqishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtakun.

Aty përshkruhet që Latif Lushtaku i lindur në nëntor të 1965-ës është biznesmen që nget një xhip Mercedes, ku i janë përmendur edhe targat e makinës, mënyra e tij e të bërit biznes, bashkëpunëtorët e tij romë dhe gjëra të tjera.

Lushtaku me tri kompani

Preportr ka gjetur se latif Lushtaku, i përmendur në letrën e qytetarit S.O ka dy biznese në pronësi të plotë të vetën dhe është aksionar në një biznes tjetër. Ai ka në pronësi 100 % të aksioneve në kompanitë  “L&L” dhe “N'Pikë” si dhe ka aksione në “Prague Metal”   që ka marrë licencë nga komuna e Hanit të Elezit për të bërë hulumtime për xeherore të hekurit dhe nikelit.

Preportr ka gjetur se Lushtaku në fjalë është aksionar në së paku tri biznese. Ai ka në regjistrat e biznesit të Ministrisë së Tregtisë të regjistruar kompaninë  “L&L”, biznes ky i krijuar në tetor të 2010-ës, në pronësi të plotë, për krejt kohen sa funksionon, të Latif Lushtakut. Ky biznes ndër të tjera ka aktivitet edhe dhënien me qira të patundshmërive, por nuk mungojnë as aktivitetet e regjistruar për tregti me produkte të ndryshme duke mos harruar as tregtinë me naftë por edhe ndërtimet e larta.

Lushtaku në fjalë është pronar edhe i kompanisë “N'Pikë”. Ndryshimet e fundit në historikun e kësaj kompanie janë bërë në gusht të këtij vit, ku tash del që Latif Lushtaku të jetë aksionari kryesor dhe i vetmi i saj. Aktivitet kryesor kjo kompani ka “blerjen dhe shitjen pasurive të patundshme vetjake”.

Romi u shkruan ndërkombëtarëve: Na injoroi gjykata

S.O., kosovari me kombësi rome në një letër të gjatë që u ka shkruar disa zyrave të huaja dhe EULEX-it, thotë se i është drejtuar zyrtarëve ndërkombëtarë meqë qytetarët romë dhe ashkalinj nuk ndihmohen nga Gjykata Komunale e Prishtinës dhe injorohen në përgjithësi nga institucionet vendore.

Ai ka kërkuar nga zyrtarët ndërkombëtarë që ta shfrytëzojnë autoritetin e tyre që zyrtarët e EULEX-it ta monitorojnë dhe të përshpejtojnë proceset e lëndëve të pronave të romëve dhe ashkalinjve që janë proceduar në gjykata.

Rastet e lajmëruara, sipas S.O., në prokurorinë në Prishtinë trajtohen me neglizhencë.

Ai e vazhdon letrën duke thënë se qytetarët e këtyre nacionaliteteve nga lagja “Dodona”, pjesa e njohur si “Kacallarët” dhe “Velania” ndjehen të diskriminuar, janë të pambrojtur dhe po përndiqen nga njerëzit e dhunshëm.

“Janë shumë refugjatë romë e ashkalinj që janë në Gjermani, Itali, Francë, Suedi dhe në shtete e tjera të Bashkimit Evropian, që po presin se si do te veprojë EULEX-i me pronat e romëve dhe ashkalinjve në Prishtinë dhe të gjithë këta romë e ashkalinj janë të brengosur për pronat e tyre” thuhet më tej në letër.

I bindur se zyrtarët ndërkombëtarë do të ndërmarrin hapa për shqetësimin e shprehur të tij, prej EULEX-it kishte marrë një letër ku nuk i premtohej asnjë angazhim konkret lidhur me rastet.

Dokumenti të cilin ju e keni paraqitur në EULEX nuk argumenton se gjyqtari i procedurës paraprake ose trupi gjykues nuk po e trajton rastin në mënyrë të drejtë.

Declan O'Mahony

Letrës së S.O. në emër të EULEX-it i ishte përgjigjur koordinatori për të drejtën e pronës Declan, O’Mahony.  “Dokumenti të cilin ju e keni paraqitur në EULEX nuk argumenton se gjyqtari i procedurës paraprake ose trupi gjykues nuk po e trajton rastin në mënyrë të drejtë” thuhet në këtë letër pasi ky koordinator ia përmend të gjitha çfarë qytetari S.O. kishte shkruar.

Ai vijon se EULEX-i nuk ka bazë ligjore për të marrë ndonjë aksion lidhur me këtë rast. Krejt çka letra i garanton është se informacioni i nevojshëm i ka kaluar personave kompetentë brenda EULEX-it.

Letrës së qytetarit S.O. i ishte përgjigjur edhe Ambasada Gjermane . As ata nuk e kanë marrë përsipër që t’i ndihmojnë vetë në ndonjë mënyrë. Ata e kanë drejtuar në një vend tjetër. Topin e ka gjuajtur tek zyra e Avokatit të Popullit në Kosovë. Ajo që kanë bërë Ambasada Gjermane është se ia kanë shkruar adresën e saktë të zyrave të Avokatit të Popullit.

Preportr ka kontaktuar me S.O i cili ka konfirmuar se ai është kontaktuar nga zyrtarët e EULEX-it, nëpërmjet letrave, por nga Gjykata Komunale në Prishtinë nuk ka ndonjë lajm se çka ka ndodhur me ankesën e  tij kundër Latif Lushtakut të deponuar në këtë gjykatë.

As vetë Latif Lushtaku nuk  e di çka ka ndodhur. Ai madje thotë të mos ketë marr kurrë ndonjë njoftim që dikush e ka denoncuar ku do qoftë në organet e drejtësisë.

Derisa nuk ka pranuar të takohet, Lushtaku në fjalë, nëpërmjet telefonit, ka thënë për Preportr se biznesin e tij është duke zhvilluar në mënyrë të ligjshme dhe se tregtia me patundshmëri është punë që e bënë me vite. Ai nuk ka mohuar që ka blerë prona në lagjen “Dodona”, në rrugët që dikur njiheshin si rrugë të banorëve romë.

Derisa Lushtaku pranoi të flas për Preportr vetëm përmes telefonit, po përmes telefonit qytetari rom , S.O. ka thënë që ende ndihet i kërcënuar për denoncimin që ka bërë. Megjithëse nuk pranon të jap emra të personave që po i kërkojnë që ta tërheq ankesën e vetë në gjykatë, por thotë se ka telefonata të tilla edhe nga njerëz të komunitetit të vetë.

Lushtaku ka një ndërmjetës rom

“Lata? Po, ka ble shumë shtëpi. Ato më poshtë janë të gjitha të tij” tregon një banor rom i kësaj lagjeje nga rruga “Xhemajl Gostivari”. “Plot shtëpi. dhjetëra…” shpjegon qytetari rom.

Lata? Po, ka ble shumë shtëpi. Ato më poshtë janë të gjitha të tij, tregon një banor rom i kësaj lagjeje nga rruga “Xhemajl Gostivari”. “Plot shtëpi, dhjetëra…” .

Qytetar rom

Por ai këtë biznes nuk e zhvillon i vetëm në këto rrugë. “Ortak” biznesi ka edhe një rom.

Madje ky person, si ndërmjetës përmendet edhe në letrën e qytetarit S.O. Aty thuhet se Latif Lushtaku e ka një ndërmjetësues nga nacionaliteti rom me banim të përhershëm në Krushevc të Serbisë  i cili bën pazaret për të shpesh dhe komunikimet e nevojshme për t’i blerë shtëpitë dhe pronat nga këta banorë.

Preportr ka gjetur se e thëna në letrën e qytetarit O.S. për ndërmjetësin është e  vërtetë. Ndërmjetësuesin Safet Sokolin e njohin të gjithë në lagje. E pranojnë se ai është ‘dora e djathtë’ e Latif Lushtakut për këto punë.

Preportr ka kontaktuar edhe me Sokolin. Ai ka shpjeguar se shumica e romëve të kësaj lagjeje janë refugjatë në shtetet perëndimore tash. Por ai në asnjë moment nuk e pranon partneritetin me Latif Lushtakun.

“Unë kam një agjenci që merret më çështjet e patundshmërive dhe shumë njerëz drejtohen te unë meqë romët e kanë harruar tash gjuhën disa dhe me mua e kanë më lehtë të komunikojnë meqë di edhe shqip por mund t’iu them se Latif Lushtaku ka blerë vetëm tokën dhe shtëpinë time. Asnjë tjetër” thotë Sokoli.

Ai këtë prononcim e kishte bërë pas dy ditë pritjesh të Preportr për të folur me të, ku gjatë bisedës pranon të jap edhe kontaktet e Latif Lushtakut, gjë që nuk e kishte bërë në kontaktin e parë me të.

Ai më pas shton se blerësit janë prej vendeve të ndryshme dhe blejnë prej agjensionit të tij “Velania”, biznes i ndryshuar së fundi në regjistrat e biznesit në dhjetor të viti 2011.

Komuna e Prishtinës nuk ka përgjigje

Për ndërrimin e pronarëve të tokave në rrugët “Edmond Hoxha”, “Selman Riza” dhe “Xhemajl Gostivari Preportr ka kërkuar qasje në dokumentet publike, sipas ligjit, në Komunën e Prishtinës, por pas më shumë se një javë pritjeje ka marr një përgjigje negative.

Në këtë komunë, që tradicionalisht udhëhiqte nga njerëzit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), tash opozitë e qeverisë qendrore, në pyetjet e Preportr , janë përgjigjur se nuk kanë të drejtë të flasin për palën tjetër.

Për kërkesat e Preportr ky institucion, në të shumtën e rasteve, ose nuk ka fare përgjigje, ose përgjigje negative.

Ndryshe,  në këtë lagje që ka një interesim të theksuar për të blerë edhe pronat e romëve të fundit që kanë mbetur aty, tash për tash nuk ka plan rregullativ. Në këtë rast, çdo ndërtim kolektiv në këtë lagje konsiderohet i kundërligjshëm, por që i njëjti mund të përligjet në procesin e legalizimit.

Ndërtimet e larta individuale, me mbi 4 kate në këto rrugë të lagjes ‘Dodona”, që dikur populloheshin nga komuniteti rom, tashmë janë modë.

Marrin licencë për hulumtime në Han të Elezit

Preportr ka gjetur se biznesmeni Latif Lushtaku ka aksione edhe në biznesin “Prague Metal”   ku aksione kanë edhe Zdenek Pudil, Bashkim Binaku e Islam Fejza .

Kjo kompani është e regjistruar si kompani që merret me hulumtime të xeheve. Derisa është krijuar në vitin 2011, këtë vit ajo veç më ka marrë një leje nga komuna e Hanit të Elezit   për të bërë hulumtime për xeherore të hekurit dhe nikelit.

Këshilltarëve komunal të Hanit të Elezit përfaqësuesit e kësaj kompanie, ku aksione ka edhe Latif Lushtaku, u janë paraqitur si kompani çeke  me përvojë  dhe si kompani që kanë pasur punë të suksesshme edhe nëpër pjesë të tjera të Kosovës. Preportr nuk ka gjetur që kjo kompani e krijuar vetëm vitin e kaluar të ketë pasur licenca të tjera për hulumtime.