English
Scroll top

AKK e zbaton ligjin sipas qejfit

Agjencia Kundër Korrupsionit ka marrë vendime të ndryshme për rastet e konfliktit të interesit të ish-rektorit të Universitetit të Prishtinës Mujë Rugova dhe për drejtorin e PTK-së Ejup Qerimi. Të dy këta zyrtarë kanë mbajtur dy poste në institucione publike në të njëjtën kohë, duke marrë të hyra financiare nga të dy institucionet. AKK për Mujë Rugovën ka marrë vendim se nuk ka konflikt të interesit, ndërsa për Ejup Qerimin ka marrë vendim se është në konflikt...

Prishtinë, 12 Tetor 2012

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), ka marrë disa vendime të ndryshme për raste të njëjta në lidhje me trajtimin e konfliktit të interesit për zyrtarët e lartë. Kjo agjenci më 6 korrik të këtij viti ka nxjerrë një vendim mbi ekzistimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik rreth rastit të Ejup Qerimit, drejtor ekzekutiv në PTK dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës. AKK-ja ka konstatuar se në rastin e Ejup Qerimit ekziston konflikti i interesit  në ushtrimin e funksionit publik, duke qenë se personi i përmendur ushtron dy funksione në të njëjtën kohë, që sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit Nr.04/L-051, është e ndaluar.

Ndërsa në gusht të vitit 2011, AKK ka nxjerrë një vendim rreth konfliktit të interesit të Rektorit të Universitetit të Prishtinës (UP) dhe ka konstatuar që në rastin e Mujë Rugovës, nuk ekziston gjendja e konfliktit të interesit . Rugova, krahas funksionit që e kishte si rektor i Universitetit të Prishtinës ka ushtruar dhe vazhdon ta ushtrojë edhe funksionin e anëtarit të Bordit të Drejtorëve në KEK.

Të dy vendimet e AKK-së, janë me përfundime të ndryshme me gjithë faktin  që kemi të bëjmë me raste tërësisht të njëjta. Drejtori i PTK-së, Ejup Qerimi është drejtor në PTK, dhe njëherazi edhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, përderisa Mujë Rugova ka qenë Rektor i UP-së dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve në KEK.

Të dy vendimet e AKK-së, janë me përfundime të ndryshme me gjithë faktin  që kemi të bëjmë me raste tërësisht të njëjta. Drejtori i PTK-së, Ejup Qerimi është drejtor në PTK, dhe njëherazi edhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, përderisa Mujë Rugova ka qenë Rektor i UP-së dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve në KEK.

Madje, AKK-ja në rastin e Mujë Rugovës ka bërë interpretim të ndryshëm të Ligjit të Konfliktit të Interesit, pasi që në vendimin e marrë mbi mosekzistimin e konfliktit të interesit, AKK-ja citon një nen i cili pikërisht dëshmon që Mujë Rugova është në konflikt të interesit.

AKK-ja, në vendim mbi Rugovën, me numër të protokollit 01-338/11/a, citon nenin 17.A.2 të Ligjit Nr.03/l-155, i cili thotë: “Përjashtimisht zyrtari mund të jetë anëtar i organit drejtues të ndërmarrjes në pronësi publike apo shoqërisë aksionare me pronë publike, mirëpo pa të drejt kompensimi apo pranimi të dhuratës përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve tjera të nevojshme”.

Bazuar në deklarimet e pasurisë të vitit 2010 ,   2011 , por edhe të vitit 2012 , Mujë Rugova, krahas pagës si rektor i UP-së, merr pagë edhe si anëtar i Bordit të KEK-ut, në vlerë vjetore prej 9200 euro, gjë që paraqet konflikt të pastër interesi sipas ligjit.

Megjithëse Ligji për Konflikt të Interesit Nr.03/l-155 është shumë i qartë dhe sanksionon që zyrtari publik nuk mund të mbajë dy pozita menaxhuese prej të cilave merr kompensim, prapë se prapë, AKK-ja  mori vendim për mosekzistim të konfliktit të interesit në rastin e Rugovës.

AKK nuk përgjigjet për këtë çështje

Organizata ÇOHU! Dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese – Preportr, ka kërkuar nga AKK-ja që të shpjegojë përse ka marrë vendime të ndryshme për raste të njëjta të konfliktit të interesit, por megjithëse kemi pritur më shumë se një muaj nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Por, AKK-ja ka reaguar me një komunikatë  përmes të cilës sërish jep shpjegime jo të plota, por edhe kontradiktore se përse ka vendosur ndryshe për raste të njëjta të trajtuara për konflikt interesi.

Arsyeja që ka ofruar Agjencia në reagimin e saj kundër Organizatës ÇOHU! mbi pretendimet e saja për vendime kontradiktore të konfliktit të interesit për raste të ngjashme ka qenë baza e ndryshme ligjore mbi të cilat janë trajtuar rastet Rugova dhe Qerimi për konflikt të interesit.

Por, Agjencia nuk ka sqaruar se përse në vendimin mbi ish-rektorin e UP-së Rugova, citon një nen, në të cilin lejohet angazhimi në pozitat tjera publike krahas asaj primare që një zyrtarë i lartë publik e ka, por pa të drejtë kompensimi. Përderisa, Muja merr kompensim si anëtar i Bordit të KEK-ut.

Për më shumë, AKK-ja në vendimin mbi rastin e Mujë Rugovës rreth mosekzistimit të konfliktit të interesit, i referohet nenit 17 A.2, të Ligjit Nr.03/L-155, përderisa në sqarimin drejtuar medieve dhe Organizatës ÇOHU! i referohet të njëjtit ligj, por cekë një nen tjetër, Nenin 5 të Ligjit që ka ndryshuar Nenin 10.2 të Ligjit Nr.02/L-133. Pra këtu, Agjencia citon nene të ndryshme për rastin e njëjtë mbi të cilin ka marrë vendimin për mos-ekzistimin e konfliktit të interesit në rastin e Mujë Rugova.

Në vendimin mbi rastin e Mujë Rugovës rreth mosekzistimit të konfliktit të interesit, i referohet nenit 17 A.2, të Ligjit Nr.03/L-155, përderisa në sqarimin drejtuar medieve dhe Organizatës ÇOHU! i referohet të njëjtit ligj, por cekë një nen tjetër, Nenin 5 të Ligjit që ka ndryshuar Nenin 10.2 të Ligjit Nr.02/L-133. Pra këtu, Agjencia citon nene të ndryshme për rastin e njëjtë mbi të cilin ka marrë vendimin për mos-ekzistimin e konfliktit të interesit në rastin e Mujë Rugova.

Por, kontradikta më e rëndë në qasjen e Agjencisë në trajtimin konfliktit të interesit për raste të njëjta ka të bëjë me faktin që AKK-ja kur ka konstatuar ekzistimin e konflikti të interesit në rastin e drejtorit të PTK-së, Ejup Qerimin, nuk e ka trajtuar edhe rastin e Mujë Rugova, me gjithë faktin që baza ligjore mbi konfliktin e interesit ka qenë e njëjtë me atë me të cilën është trajtuar rasti Qerimi. Në kohën kur është marrë vendimi për ekzistimin e konfliktit të interesit për rastin e Ejup Qerimit, (06.07.2012), Mujë Rugova ka qenë rektor i plotfuqishëm, si dhe në të njëjtën kohë anëtar i Bordit të KEK-ut.

Por edhe përkundër pyetjeje që i ka dërguar ÇOHU dhe QKGH në lidhje me këtë rast, AKK-ja nuk e ka trajtuar edhe rastin e Rugovës.

Kjo kontradiktë e trajtimin të rasteve të ngjashme për konflikt interesi, por me përfundime të ndryshme, forcohet edhe më shumë duke iu referuar komunikatës së AKK-së për shtyp ( të datës 01.08.2012) në të cilën vendimet e ndryshme të Agjencisë për këto dy raste janë të ndryshme pikërisht për shkak të dy bazave të ndryshme ligjore. (a. LIGJI Nr. 04/L-051; dhe  b. LIGJI NR. 02/L-133; LIGJI Nr. 03/L-155).

Korniza ligjore nuk ka ndryshuar

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se korniza e re ligjore në fuqi e cila e rregullon fushën e parandalimit dhe luftimit të konfliktit të interesit, ka përcaktuar qartë se zyrtarët e lartë mund të jenë në cilësi të anëtarëve të organeve drejtuese të ndërmarrjeve publike apo shoqërive aksionare me pronësi publike, por atyre ua ndalon që të marrin pagë të rregullt, pra assesi nuk lejon që të kompensohen, përveç për shpenzimet e udhëtimit apo të tjera shpenzime të nevojshme.

Zyrtarët e lartë, të cilat marrin më shumë se një pagë të rregullt nga Buxheti i Përgjithshëm i Kosovës, bëjnë shkelje të pastër të ligjit për parandalimin e konflikti të interesit në ushtrimin e funksionit publik dhe rrjedhimisht ata të cilët veprojnë në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, keqpërdorin pozitën duke bërë interpretime të mbrapshta ligjore dhe duke zhvatur buxhetin publik.

Betim Musliu, Instituti i Kosovës për Drejtësi

“Zyrtarët e lartë, të cilat marrin më shumë se një pagë të rregullt nga Buxheti i Përgjithshëm i Kosovës, bëjnë shkelje të pastër të ligjit për parandalimin e konflikti të interesit në ushtrimin e funksionit publik dhe rrjedhimisht ata të cilët veprojnë në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, keqpërdorin pozitën duke bërë interpretime të mbrapshta ligjore dhe duke zhvatur buxhetin publik”, thotë Musliu.

Ai thotë se korniza ligjore që aktualisht është në fuqi, njëjtë e ka rregulluar këtë çështje edhe me ligjin e mëparshëm për parandalimin e konfliktit të interesit, e po ashtu edhe në ndryshimet të cilat janë bërë më pas.

“Rregullimi bazik i kësaj çështje nuk ka ndryshuar asnjëherë qysh nga ligji i parë, që rezulton se zyrtarët e lartë përjashtimisht kanë mundur që të jetë anëtar të organeve drejtuese të ndërmarrjeve publike, por pa të drejt kompensimi, përveç atyre shpenzimeve të udhëtimit dhe të tjera të nevojshme”, theksoi Musliu.

Në lidhje me këtë çështje, Preportr i ka shkruar edhe Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës për të shqyrtuar veprimet selektive të Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Selektiv edhe me deputetët

Kur ÇOHU! dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese – Preportr, kanë raportuar se shtatë deputetë të Kuvendit të Kosovës i kanë fshehur bizneset e tyre, AKK-ja vetëm i ka kontaktuar këta deputetë dhe i ka pyetur për arsyet e mosdeklarimit dhe ua ka shtuar bizneset në regjistrat e deklarimit të pasurisë. AKK-ja i ka mbrojtur këta deputetë që kanë fshehur bizneset, duke thënë se nuk kanë qarkullime financiare. Ndërsa, kur ÇOHU!  dhe QKGH kanë prezantuar faktet se shumica e kompanive kanë qarkullime financiare, madje dy prej tyre me nga mbi 100 mijë euro, AKK-ja ua ka shtuar disa deputetëve në regjistra të deklarimit të pasurisë këto biznese, duke e konsideruar këtë si deklarim me kërkesë të Agjencisë. Ndërsa më vonë AKK-ja ka marrë vendime për shmangie të konfliktit të interesit për deputetët Agim Kuleta , Vesimir Saviç  dhe Nazane Breca , pasi që këta të fundit i kanë shuar bizneset apo aktivitetet si persona të autorizuar në biznese e tyre.

Por AKK-ja nuk ka vepruar njëjtë për të gjithë deputetët. Deputetes nga radhët e PDK-së Sala Berisha- Shala, ia ka shtuar biznesin në regjistrin e deklarimit të pasurisë , por nuk ka marrë vendim për shmangie të konfliktit të interesit, sikur në rastet e deputetëve të tjerë e as nuk e ka dërguar në kundërvajtje, pasi që biznesi i deputetes Sala Berisha-Shala “Fer Consulting”  nuk është shuar, por është ende i regjistruar në ARBK.

AKK-ja njëjtë ka vepruar edhe me deputeten nga radhët e LDK-së Teuta Sahatqija. Asaj ia ka shtuar biznesin “IR Group”  në regjistrin e deklarimit të pasurisë , por nuk ka marrë vendim për shmangie të konfliktit të interesit. Biznesi i saj është ende i regjistruar në ARBK, por AKK-ja nuk e ka dërguar në kundërvajtje, pasi që në raportin e punës të AKK-së për vitin 2011, nuk janë cekur këto raste.

Ndërsa deputetit nga radhët e LDK-së Hashim Deshishku, AKK-ja nuk ia ka shtuar fare bizneset (“HIB Construction”, “Deshishku Construction” dhe “Newco Dardania”) në regjistrin e deklarimit të pasurisë , siç ka vepruar me rastet e deputetëve tjerë. Deshishku pas kontaktimit nga Preportr, ka thënë se ka “harruar” që ta deklarojë kompaninë “Deshishku Construction”, pasi që me këtë kompani ka qarkullim financiar, (ndërsa bizneset tjera ka menduar se nuk duhet të deklarohen pasi që nuk kanë qarkullim financiar).  Deputeti Deshishku këtë kompani e deklaruar “vullnetarisht” pas afatit të rregullt ligjor. AKK-ja as nuk ia ka shtuar këtë biznes që ka qarkullim dhe dy bizneset tjera në regjistrin e tij, e as deri më tani nuk e ka dërguar në Gjykatën për Kundërvajtje.