English
Scroll top

Odat e punësimit familjarë

Djali i Sami Lushtakut dhe gruaja e tij kontratat e para që i kanë nënshkruar me Qeverinë e Kosovës për punësim, menjëherë pasi i përfunduan studimet, janë për pozita të larta. Mërgim Lushtaku është emëruar drejtor departamenti në Ministrinë e Administratës Publike, kurse gruaja e tij Shehide Qerimaj-Lushtaku, zyrtare e lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Në këto dy dikastere qeveritare thonë se të dy janë pranuar me konkurs publik, por nuk kanë pranuar të publikojnë as...

Prishtinë, 21 Janar 2012

Mërgim Lushtaku dhe gruaja e tij, Shehide Qerimaj-Lushtaku, nuk patën “fatin”  e një pjese bukur të madhe të qytetarëve të Kosovës që të regjistrohen në Entin për Punësim posa i përfunduan studimet. Për tu gjetur punë në institucione publike posa i përfunduan studimet u kujdes Qeveria e Kosovës duke i sistemuar nëpozita të larta hierarkike. Të dy diplomuan më 2009 dhe tash janë duke vazhduar studimet e masterit, por në të njëjtën kohë janë duke punuar si zyrtarë të lartë, ani pse më herët nuk patën përvojë në institucione.

I pari, djali i  Sami Lushtakut, kryetarit aktual të Skenderajt dhe njërit ndër njerëzit më të fuqishëm të Partisë  Demokratike të Kosovës (PDK) që tash udhëheq me Qeverinë, mban pozitën e  drejtorit të Departamentit për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave (DIEKP) në Ministrinë e Administratës Publike (MAP). Përderisa gruaja e tij, Shehide Qerimaj-Lushtaku është punësuar si Zyrtare e Lartë për Politika të Brendshme dhe të Jashtme, në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), që aktualisht udhëhiqet nga nënkryetari i PDK-së, Bajram Rexhepi.

MAP dhe MPB nuk pranojnë të bëjnë publike emrat e konkurrentëve të tjerë që ishin në garë e as përbërjen e komisioneve që konstatuan që djali i e reja e Sami Lushtakut ishin ata që i përmbushën më së miri kriteret për punësim.

Megjithëse në të dyja këto dikastere qeveritare, MAP e MPB deklarojnë se punësimi i familjarëve të Sami Lustakut, njërit nga ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe aktualisht Kryetar i Skenderajt, ka qenë krejt ligjor, këto dy ministri nuk pranojnë të bëjnë publike emrat e konkurrentëve të tjerë që ishin në garë e as përbërjen e komisioneve që konstatuan se djali e reja e Sami Lushtakut ishin ata që i përmbushën më së miri kriteret për punësim.

“Preportr” ka pritur për më shumë se dy javë që MPB-ja dhe MAP të bëjnë publike këto të dhëna, pasi që në këto institucione deklarojnë se familjarët e Lushtakut u punësuan me konkurs publik, por të njëjtat nuk kanë pranuar ti bëjnë publike.

Konkurrentë e komisione anonime

Sipas të informatave të MAP, por pa pranuar që të lejojnë qasje në dokumente, djali i Sami Lushtakut ka qenë koordinator për integrime evropiane në kuadër të MAP-it, dhe me vendim të Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj Ministrie, më 20.4.2011 është emëruar ushtrues i detyrës së drejtorit të DIEKP-it në MAP.

Afro tre muaj më vonë, më 1 Korrik 2011 është shpall konkursi publik, ku në MAP nuk tregojë se sa persona konkurruan aty dhe kush ishin ata, por thonë sigurt që Mërgim Lushtaku konkurroi për këtë vend të punës. Sipas Birsen Shufta, këshilltare e Ministrit Mahir Yagcilar dhe zëdhënëse e MAP-it, është caktuar një komision i pavarur, i përbërë prej tre sekretarëve të përgjithshëm të ministrive, një krye-shefi ekzekutiv dhe një drejtor departamenti, por që emrat be tyre mbesin anonim.

“Sipas vlerësimit të këtij komisioni, i përmenduri ka pasur pikët e mjaftueshme për t’u zgjedhur në këtë pozitë. Pas vlerësimit të komisionit, Mërgimi është emëruar drejtor i DIEKP-it, më 6.10.2011” ka thënë për “Preportr” Shufta, duke shtuar se intervistën e kandidatëve e kanë përcjellë anëtarët e Komisionit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës.

Sipas vlerësimit të këtij komisioni, i përmenduri ka pasur pikët e mjaftueshme për t’u zgjedhur në këtë pozitë. Pas vlerësimit të komisionit, Mërgimi është emëruar drejtor i DIEKP-it, më 6.10.2011.

Birsen Shufta, këshilltare e ministrit Mahir Yagcilar dhe zëdhënëse e MAP-it

Edhe për gruan e djalit të Sami Lushtakut, gjithçka në lidhje me emrat e konkurrentëve dhe të komisionit mbetet anonime. Zyra për Informim e MPB-së ka kthyer përgjigje për “Preportr” ku bënë me dije se ky dikaster qeveritar ka shpallur konkurs publik me datën 26.01.2011 për pozitën Zyrtar/e i Lartë i Politikave të Brendshme dhe të Jashtme në Departamentin për Hartimin Zbatimin dhe Monitorimin e Politikave.

Sipas kësaj zyre, për këtë pozite kanë aplikuar 24 kandidatë, kurse kriteret e konkursit i kanë plotësuar pesë prej tyre dhe të pestit janë intervistuar më datën 22 shkurt 2011, nga një komision, të cilit nuk i dihet përbërja, dhe i njëjti ka poentuar në bazë të meritës me piket më të larta kandidaten Shehide Qerimaj-Lushtaku.

Derisa në Ministrinë e Administratës Publike i ikin përgjigjes nëse në punësimin e Mërgim Lushtakut si drejtor departamenti ka ndikuar edhe fakti që ky është djali i Sami Lushtakut, në Ministrinë që udhëheq nënkryetari i PDK-së, Bajram Rexhepi mohojnë që të ketë ndikuar emri i Sami  Lushtakut në punësimin e  Shehide Qerimaj-Lushtakut.

“Ju njoftojmë se Ministria e Punëve të Brendshme, pranimin e kandidateve e mbështet në parimin e meritës, me shpallje publike me pozita të lira, me transparencë të procesit, me objektivitet dhe paanësinë e komisionit,  mos diskriminimin e kandidatëve dhe të drejtën për tu ankuar në fund të procedurës ku këtë e vërteton fakti se asnjë kandidat i intervistuar nuk ka ushtruar ankesë për këtë pozitë”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Informim të MPB-së për “Preportr”.

Mërgim Lushtaku menaxher te babai

Ndonëse nuk ka përvojë në institucionet qeveritare, djalit të Sami Lushtakut, Mërgimit që tash drejton departament qeveritar, për ta fituar këtë pozitë i është marrë si referencë puna në kompanitë e babait të tij.

Në faqen zyrtare të Ministrisë së Administratës Publike jepen të dhëna se  Mërgim Lushtaku ka punuar për tri vite si menaxher i personelit në NTP “Shqiponja”, ku pronarë aksionesh është Sami Lushtaku. Këtë punë ai e kishte kryer prej vitit 2004, kur kishte mbushur 18 vjeç, e deri në vitin 2007. Pas kësaj periudhe, për dy vite të tjera Mërgim Lushtaku deklaron se ka qenë edhe menaxher i personelit në kompaninë “Mobile Arts & Media”, ku qëndroi deri në vitin 2009.

Në këtë kohë, ai ishte edhe njëri prej udhëheqësve studentorë në Universitetin e Prishtinës. “Në Universitetin e Prishtinës ka ushtruar këto funksione:  Senator i Senatit të Universitetit të Prishtinës, 2006-2007;  anëtar i Komisionit të Ankesave dhe Parashtesave të Universitetit të Prishtinës, 2006-2008; nënkryetar për çështjet organizative dhe politike në Parlamentin e Studentëve, 2008;  kryetar i Parlamentit të Studentëve në Universitetin e Prishtinës, 2008-2009;  senator i Senatit të Universitetit të Prishtinës, 2008 – 2009;  anëtar i Bordit të Universitetit të Prishtinës, 2008 – 2009 dhe  anëtar i Komisionit për lirim nga pagesa e semestrit në Universitetin e Prishtinës, 2008 – 2009 – 2010”, shkruan në profilin e Mërgim Lushtakut në faqen zyrtare të MAP.

Lushtaku blen banesë si 19 vjeçar

Njëjtë si babai i tij, edhe Mergimi Lushtaku e ka bërë deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion në Kosovë. Ai ka një veturë të tipit “BMW  X5” që vlen rreth 18 mijë euro që e ka blerë në vitin 2010, si dhe ka një banesë prej 54 metrave katrorë që kushton mbi 45 mijë euro, e që e ka blerë në vitin 2005 kur kishte veç 19 vjet.  Nga puna e tij si ushtrues detyre i drejtorit të departamentit në MAP merr  5 mijë e 580 euro në vit, ndërsa gruaja e tij nga Qeveria e Kosovës, si Zyrtare e Lartë në MPB merr 4 mijë e 380 euro.

Mërgim Lushtaku, sikurse babai i tij, Sami Lushtaku nisi edhe rrugën e biznesit, por që për momentin e ka ndërprerë dhe shkak për këtë është punësimi në Qeverinë e Kosovës.

Sipas formularit mbi deklarimin e pasurisë, Mërgim Lushtaku ka në pronësi një kompani që merret me shitjen e patundshmërive, emri i së cilës në këtë dokument është shkruar“Agjencioni për Patundshmëri Virtuale” me adresë në Veternik-Prishtinë dhe që ka filluar punën më 01.01.1900”.

Në këtë formular të publikuar në faqen zyrtare të Agjencionit Kundër Korrupsion (AKK), bëhet me dije se pronarë i vetëm aty është Mërgim Lushtaku, me 100 % të aksioneve, që bie ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konflikti të Interesit.

Por, Mërgim Lushtaku thotë se Anti-korrupsioni ia pështjelli të dhënat. “Unë habitem kur e shoh se emri i Agjencisë për Patundshmëri quhet Virtuale, në deklaratë të pasurisë dhe ai vit nuk është nga ana ime, por emri i vërtet i Agjencisë është “Virtyti”, thotë Mërgim Lushtaku për “Preportr” ku bënë me dije se ka ri-deklaruar pasurinë në AKK me rastin e zgjedhjes si drejtor i DIEKP-it në MAP.

E rrëfimi i biznesit të tij  Agjencionit për Patundshmëri “Virtyti”, që sipas Lushtakut nuk ka rritur ende të kryej asnjë punë, fillon pikërisht në kohën kur ai  nisë angazhimet ne Qeverinë e Kosovës.

“Unë kam aplikuar në fillim të vitit 2011 për Agjencinë e Patundshmërisë, por në muajin  qershor më është dhënë licenca, dhe më ka kushtuar 26 euro hapja e saj. Kështu që nuk është dashur ndonjë kapital i madh për të hapur”, thotë Lushtaku.

Aktualisht ky agjencion nuk është aktivë, dhe këtë e kam bërë  me rastin që kam kuptuar që paraqet konflikt interesi nëse unë jam pronar me aksione 100%. Por, shpejti do të autorizoj ndonjë person për të menaxhuar ketë agjenci dhe sigurisht do të marr vetëm 20% të aksioneve siç më lejohet me dispozitat në fuqi.

Mërgim Lushtaku

Ai thotë se i ka ikur konfliktit të interesit. “Aktualisht ky agjencion nuk është aktivë, dhe këtë e kam bërë  me rastin që kam kuptua që paraqet konflikt interesi nëse unë jam pronar me aksione 100%. Por, shpejti do të autorizoj ndonjë person për të menaxhuar ketë agjenci dhe sigurisht do të marr vetëm 20% të aksioneve siç më lejohet me dispozitat në fuqi”, thotë Lushtaku për “Preportr”, ani pse Ligji i ri mbi Parandalimin e Konfliktit të Interesit, parasheh që zyrtarët e lartë gjatë ushtrimit të funksionit nuk mund të mbajnë më shumë se 5 % të aksioneve në ndonjë kompani private.