English
Scroll top

M'rrojte, t'rrojta - brisku i Hasanit

Agjencia kundër Korrupsionit ka për obligim ta bëjë kontrollin e plotë të pasurisë të zyrtarëve të lartë publik, por ky verifikim është i pjesshëm. Agjencia nuk mund të kontrollojë pasuritë që zyrtarët i kanë jashtë vendit, nuk e verifikon dot origjinën e pasurisë si dhe nuk ka qasje në xhirollogaritë bankare të zyrtarëve. Për mosdeklarim ose deklarim të rrejshëm të pasurisë në bazë të të dhënave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës është...

Prishtinë, 17 Prill 2015

Pasuritë e zyrtarëve të lartë publik vazhdojnë të jenë të pakontrollueshme, edhe pse një gjë e tillë kërkohet me ligjet në fuqi. Ata vazhdojnë ta deklarojnë pjesshëm pasurinë edhe përkundër faktit se një akt i tillë përbën vepër penale sipas nenin 437 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Agjencia kundër Korrupsionit (AKK), ka disa kufizime ligjore, por edhe mangësi të kapaciteteve profesionale që e vështirësojnë ose pamundësojnë  kontrollin e plotë së pasurisë së zyrtarëve të lartë publik. Ky institucion nuk ka asnjë kompetencë në verifikimin e origjinës pasurisë së deklaruar. Po ashtu, AKK-ja nuk mund të ushtrojë asnjë verifikim të pasurisë që zyrtarët publik mund të kenë jashtë vendit edhe pse të tillë ka shumë. Agjencia poashtu nuk ka qasje të drejtpërdrejtë në xhirollogaritë bankare të këtyre zyrtarëve edhe pse ligji për deklarim të pasurisë ia lejon  atë.

Preportr ka hulumtuar 199 zyrtarë të lartë publik dhe ka krahasuar të dhënat mbi pasuritë që këta zyrtarë i kanë deklaruar tek AKK-ja me të dhënat nga Agjencioni për Regjistrimin e Bizneseve dhe me të dhëna të marra nga disa drejtori kadastrale në disa komuna. Kemi dërguar kërkesa për qasje në dokumente publike në drejtoritë e kadastrave në disa komuna  për 199 zyrtarë publik nga gjithsej 585 sa u janë nënshtruar për herë të parë kontrollit të 'plotë' të pasurisë nga AKK, ndërsa ka marrë përgjigje vetëm për 44 zyrtarë.

Nga numri prej 199 zyrtarëve që Preportr ka krahasuar të dhënat e deklaruara, 8 zyrtarë kanë rezultuar se kanë mospërputhje të pasurisë së paluajtshme që e kanë deklaruar në AKK krahasuar me të dhënat e siguruara nga drejtoritë kadastrale. Ndërsa, nga të dhënat e ARBK-së, kemi vërejtur se 3 nga 199  zyrtarë të krahasuar nuk kanë deklaruar bizneset e tyre. Në kuadër të hulumtimit kemi vërejtur se 4 zyrtarë nuk i kishin deklaruar bizneset e tyre brenda afatit që parashihet deri më 31 mars 2014, edhe pse këto biznese kanë qenë aktive. Po ashtu, 4 zyrtarë nuk kanë deklaruar pronësinë në biznese të ndryshme, por kanë deklaruar vetëm të hyrat nga këto subjekte.

Preportr ka kontrolluar regjistrat e deklarimit të pasurisë të 558 zyrtarëve publik të zgjedhur nga AKK përmes shortit që u janë nënshtruar kontrollit të plotë të pasurisë për vitin 2014. Nga këta 558 zyrtarë, regjistrat e pasurisë për 29 prej tyre nuk gjenden fare në deklarimet e vitit 2014, kurse 19 prej tyre gjenden në deklarimet e vitit 2013,  e pesë në deklarimet e vitit 2012 dhe pesë të tjerë nuk gjenden fare në asnjërin vit.

Edhe pse mosdeklarimi apo deklarimi i rrejshëm janë bërë vepra penale me Kodin e ri Penal ku krahas dënimeve me gjobë parashihet edhe dënimi me burg, sipas të dhënave të KGJK-së, vetëm 1 zyrtar është dënuar me burgim, ndërsa të gjitha dënimet tjera janë shqiptuar me kusht dhe me gjoba. Sipas të dhënave të KGJK-së, shtatë raste kanë përfunduar në parashkrim absolut.

Në raportin vjetor të AKK-së, shkruan se nuk ka asnjë dënim më burgim, por të gjitha janë me kusht dhe me gjoba, përderisa nuk evidentohet asnjë rast me parashkrim absolut.Paradoksalisht, gjobat e shqiptuara për veprat penale mosdeklarim apo deklarim i rrejshëm i pasurisë për vitet 2013 dhe 2014, rezultojnë të jenë  më të vogla se sa ato të shqiptuara më 2012 kur mosdeklarimi apo deklarimi i rrejshëm i pasurisë ishte kundërvajtje, e jo vepër penale.

Edhe pse mosdeklarimi apo deklarimi i rrejshëm janë bërë vepra penale me Kodin e ri Penal ku krahas dënimeve me gjobë parashihet edhe dënimi me burg, sipas të dhënave të KGJK-së, vetëm 1 zyrtar është dënuar me burgim, ndërsa të gjitha dënimet tjera janë shqiptuar me kusht dhe me gjoba

Agjencia Kundër Korrupsionit me 18 qershor të vitit 2014 ka hedhur shortin për kontrollin e plotë të 20 për qind të zyrtarëve të lartë publik. Me këtë rast nga lista totale prej 2928 zyrtarëve të lartë, kontrollit të plotë i janë nënshtruar 585 zyrtarë.

Sipas raportit vjetor të AKK-së, nga numri i përgjithshëm i zyrtarëve të lartë publik që kanë për obligim deklarimin e pasurisë janë kontrolluar 584 formular, ku në 187 raste janë vërejtur ndryshime dhe janë kërkuar sqarime shtesë, ndërsa 77 janë përcjellë për trajtim si raste të dyshuara të konfliktit të interesit, si dhe 11 raste janë dërguar për paraqitjen e kallëzimeve penale.

Mospërputhje në deklarimin e patundshmërive

Nga totali prej 44 zyrtarëve që Preportr ka pasur qasje në patundshmëritë e tyre, tek tetë zyrtarë janë gjetur mospërputhje ndërmjet asaj që kanë deklaruar në AKK krahasuar me të dhënave që i kemi siguruar nga drejtoritë kadastrale.

Halit Krasniqi, ish-deputet në Kuvendin e Kosovës, ka mospërputhje më të mëdha ndërmjet të dhënave që ka deklaruar në AKK dhe atyre që i ka në kadastër. Krasniqi ka deklaruar shtëpi me 440 metra katrorë dhe 10 ari truall. Por në kadastër në emër të tij figurojnë 25 parcela tokë si dhe figuron si bashkëpronar në 17429 metra katrorë mal në dy zona kadastrale. Përkundër kësaj mospërputhje, ai ka thënë se të gjitha pronat i ka deklaruar në AKK.

Mospërputhje të deklarimit në AKK dhe të dhënave kadastrale ka edhe ish-deputeti Eqrem Kryeziu. Preportr ka kontaktuar Kryeziun për këtë çështje, por ai ka thënë se i ka deklaruar të gjitha paluajtshmeritë që i posedon. Por në regjistrin e deklarimit të Kryeziut nuk figuron parcela prej 315 metra katrorë në zonën kadastrale Maçishte si dhe 166 metra katrorë parcelë në zonën kadastrale Ortakoll. Ai ka deklaruar shtëpi familjare 0.17 hektarë, vilë 0.30 hektarë dhe arë 1.70 hektarë.

Ndërsa Flamur Keqa, ish-drejtor i Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ka mospërputhje të të dhënave që ka deklaruar dhe gjendjes poseduese në kadastër. Në regjistrin e tij të deklarimit nuk figuron parcela  prej 666 metra katrorë të vendi i quajtur “Kroi  i Zllatarit”, të cilën sipas dokumenteve të kadastrës Keqa e ka blerë në vitin 2011.  Mirëpo ai e kundërshtuar këtë duke thënë se kjo pronë është e trashëguar dhe se e ka deklaruar si pronë të përbashkët.  Por në regjistrin e deklarimit të tij nuk figuron kjo pronë. Ai në AKK ka të deklaruar dy banesa me nga 56 metra katrorë si dhe truall 8 ari.

Shkëlzen Berila, drejtor në Inspektoratin Policor të Kosovës, ka mospërputhje ndërmjet asaj që ka deklaruar në AKK dhe të dhënave të kadastrës. Ai në regjistrin e deklarimit të pasurisë nuk i ka tri parcela tokë, në total prej 4236 metra katrorë, të cilat gjenden në zonën kadastrale Zabel i Ulët. Berila në regjistrin e deklarimit të pasurisë ka të deklaruara shtëpi me 220  metra katrorë, shtëpi ndihmëse me lokal afarist 100 metra katrorë dhe truall 0.06 hektarë. Ai ka thënë për Preportr se ka dy ose tre muaj që e kanë bërë ndarjen e pronës, e cila ka qenë në emër të prindit të tij. “Unë në vitin 2014 e kam deklaruar si të përgjithshme pronën se vetëm tani jam pronar i njërës pjesë”, ka thënë Berila.

Edhe Agron Dida, ish- shef i auditimit të brendshëm në Bankën Qendrore të Kosovës, ka mospërputhje ndërmjet pasurisë së paluajtshme që e ka deklaruar në AKK dhe kadastrës. Në regjistrin e deklarimit të tij nuk është e deklaruar një parcelë ku është bashkëpronar i ¼ të 20000 metrave katrorë. Përkatësisht në pronësi të tij janë 5000 metra katrorë. Dida ka thënë për Preportr se nuk e ka ditur që ajo parcelë është në emrin e tij.

“Ka qenë pronë e gjyshërve e prindërve para luftës, por nuk e kam ditur që unë figuroj si bashkëpronar, sepse ajo tokë në atë kohë ka qenë e konfiskuar”, ka thënë Dida.

Ai tek pasuria e paluajtshme ka deklaruar shtëpi 370 metra katrorë, shtëpi të prindërve 120 metra katrorë, banesë 67.00 metra katrorë si dhe banesë të prindërve të bashkëshortes 81 metra katrorë.

Ndërsa Shpëtim Rudi, ish- zv. ministër i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e ka të deklaruar një shtëpi me 1400 metra katrorë, por në kadastër ai del se është pronar edhe i 225 metrave katrorë në qytetin e Gjakovës, e të cilat nuk figurojnë në regjistrin e AKK-së.

Zahir Bajrami, drejtor në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës ka mospërputhje të pasurisë së paluajtshme ndërmjet asaj që ka deklaruar në AKK dhe gjendjes në kadastër. Ai e ka të deklaruar një shtëpi me 80 metra katrorë, dyqan 75 metra katrorë si dhe tokë 1.60 hektarë. Ndërsa në emër të tij në kadastër janë të regjistruara 22751 metra katrorë, ose 2 hektar e 7 ari.

As Agim Kurmehajt që është prokuror në Pejë nuk i përputhet pasuria e deklaruar dhe ajo poseduese. Në regjistrin e deklarimit të pasurisë që e ka deklaruar nuk figuron parcela prej 470 metrave katrorë në zonën kadastrale Karragaç. Ai tek pasuria e paluajtshme ka të deklaruar shtëpi 1.40 metra katrorë si dhe dyqane me nga 15.00 metra katrorë.

I kontaktuar nga Preportr, Kurmehaj ka thënë se mund të jetë bërë ndonjë lëshim teknik dhe se ai i ka deklaruar të gjitha pronat e paluajtshme.

“Në Karragaç e kam shtëpinë edhe dy dyqane. Unë i kam dërguar komplet dokumentet prej kadastrës, ndoshta është ndonjë lëshim teknik. Kjo është pjesë e trashëguar. Pesë ari tokë i kam dhe i kam dërguar edhe dokumentet e tatimit mbi pronë në AKK”, ka thënë Kurmehaj.

Disa nga komunat që nuk kanë lejuar qasje në të dhënat e kadastrave, kanë kërkuar interpretim nga Agjencia Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në lidhje me lejimin ose moslejimin e qasjes në këto dokumente. Por edhe pse janë bërë më shumë se dy muaj prej se është bërë kjo kërkesë, agjencia e në fjalë ende nuk ka marrë ndonjë vendim për këtë çështje.

Ndërsa Avokati i Popullit  i ka bërë interpretim një kërkese të tillë dhe ka ardhur në përfundim se lejohet qasja në dokumente të kadastrave të zyrtarëve të lartë publik. Mbi bazën e këtij interpretimi disa nga komunat kanë lejuar qasje në dokumentet e kadastrave të zyrtarëve publik. Komunat tjera kanë refuzuar që të na lejojnë qasje në këto dokumente, me arsyetimin se janë të dhëna personale.

Nuk e deklarojnë pronësinë e bizneseve

Nga totali prej 585 zyrtarëve publik, të cilëve u ka rënë shorti që t’iu bëhet kontrolli i plotë i pasurisë, Preportr ka arritur që të verifikojë për deklarim të bizneseve 199 zyrtarëve të lartë publik. Prej tyre tre zyrtarë publik nuk deklaruar bizneset në të cilët janë pronarë.

Flamur Keqa, drejtor i Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë nuk e ka deklaruar biznesin "IBF Consulting Training", biznes i cili në ARBK figuron se është në pronësi të tij. Keqa i kontaktuar nga Preportr ka refuzuar të përgjigjet lidhur me mosdeklarimin  e biznesit me arsyetimin që nuk kemi të drejtë të kërkojmë të dhëna personale nga ai.

Gjithashtu Kero Bardhaj, zv. drejtor  në Zyrën e Rregullatorit për Ujë dhe Mbeturina, nuk e ka deklaruar biznesin “Kosova – Projekt”. Pavarësisht që emri i tij figuron në ARBK si pronar i kësaj kompanie, Bardhaj ka thënë se kjo nuk është e vërtetë.

"Jo nuk jam pronar, qe pesë vite kam kërkuar me  heqë emrin tim nga ai biznes, prej vitit 2010", ka thënë ai për Preportr.

As Hajdin Abazi zv.ministër në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nuk ka deklaruar biznesin e tij "Prisna" në të cilin është bashkëpronar. Edhe përkundër insistimeve disa ditore të Preportr për të kontaktuar Abazin dhe për të marrë një prononcim për këtë çështje, kjo ka qenë e pamundur.

Probleme me disa aspekte të deklarimit të pasurisë

Gjithashtu, gjatë këtij hulumtimi kemi gjetur se katër zyrtarë të lartë publik nuk i kanë deklaruar bizneset e tyre te pjesa e formularit të pasurisë "Posedimi i aksioneve në shoqëri komerciale",  por vetëm tek të hyrat vjetore dhe te funksione dhe aktivitete. Ata thonë të mos kenë ditur se si t’i deklarojnë bizneset dhe se kështu gjithmonë i kanë deklaruar dhe nuk janë kontaktuar nga AKK për të bërë përmirësime.

Në Ligjin për Deklarim të Pasurisë, përkatësisht në nenin 13 thuhet se zyrtari publik ka për obligim t’i deklarojë aksionet në shoqëritë tregtare apo në ndonjë institucion tjetër

Ndërsa në Ligjin për Deklarim të Pasurisë, përkatësisht në nenin 13 thuhet se zyrtari publik ka për obligim t’i deklarojë aksionet në shoqëritë tregtare apo në ndonjë institucion tjetër.

Gëzim Kelmendi, deputet i Kuvendit të Kosovës është pronar i biznesit "Dentina”. Kelmendi këtë biznes e ka deklaruar vetëm te funksione dhe aktivitete e jo te posedimi i aksioneve komerciale. Ai për Preportr ka thënë se e ka bërë deklarimin e pasurisë në përputhje me ligjin.

"Konform ligjit unë e kam ndërruar tash pozitën, nuk jam më drejtor, sepse kështu ka kërkuar agjencia prej meje, që unë me heqë dorë nga pozita menaxhuese. E kam deklaruar biznesin që katër vite në përputhje me ligjin, pasuri e imja nuk është sepse objekti nuk është i imi. Të ardhurat vjetore që i marr prej “Dentinës” si pronar të gjitha i kam deklaruar", ka thënë Kelmendi.

Edhe Arsim Gërxhaliu, drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, nuk e ka deklaruar biznesin e tij te posedimi i aksioneve komerciale. Ekspertiza Mjeko-Ligjore "Gërxhaliu" e cila është në pronësi të tij figuron vetëm të të hyrat vjetore në regjistrin e deklarimit të tij.

"E kam deklaruar tek të hyrat, nuk e kam ditë që duhet të pasuria me e deklaru. Kështu çdo vit e kam deklaruar, i kam paraqitur si të hyra nga “Ekspertiza”. AKK-ja më ka detyruar të heqë dorë nga menaxhimi i “Ekspertizës", ka deklaruar ai.

Edhe zv. ministri për Zhvillim Ekonomik, Ramadan Hasani, i cili është pronar i biznesit "Nerakond" e ka deklaruar këtë biznes vetëm tek të hyrat vjetore.

Ndërsa Ferid Agani, ish ministër i Shëndetësisë, i cili është pronar i biznesit "Studio Agani", e ka deklaruar atë vetëm të funksione dhe aktivitetet, por jo që është edhe pronar.

Preportr ka gjetur se edhe katër zyrtarë të tjerë nuk kanë deklaruar bizneset e tyre deri në afatin përfundimtar të deklarimit të rregullt të pasurisë (31 mars i çdo viti kalendarik) edhe përkundër që ata në atë kohë kishin biznese aktive dhe ishin pronarë të po atyre bizneseve. Bizneset e tyre ata i kishin shuar disa muaj pasi kishte përfunduar afati i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë i paraparë me ligj.

Imer Llabjani, drejtor në Ministrinë e Shëndetësisë edhe pse ka qenë pronar i biznesit "Labi Kompani" deri më datën 17. 12. 2014, nuk e ka deklaruar atë. Llabjani ka thënë se nuk është pronar i kësaj kompanie, por nuk ka bërë të ditur datën kur është mbyllur ky biznes.

"Ajo kompani është regjistruar në vitin 2002 dhe ka mbetur ashtu pa zhvilluar asnjë aktivitet. E kam mbyllë atë biznes nuk e di në cilin muaj", ka thënë ai.

Njëjtë ka vepruar edhe kryeshefi i Agjencisë së Kadastrave, Murat Meha. Ai nuk e ka deklaruar biznesin "M&M" në të cilin ka qenë pronar deri me datën 20. 11.2014, kur edhe është shuar ai biznes.

"Nuk jam pronar, ai biznes nuk ka zhvilluar asnjëherë aktivitet kështu që ai vetë është shuar, pastaj është bërë kërkesa për t’u shuar sipas procedurës. Kjo kërkesë është bërë diku vitin e kaluar", ka thënë Meha.

Edhe Milazim Shatri i cili është kryeshef në Kompaninë e Ujitjes “Drini i Bardhë”, nuk e ka deklaruar biznesin e tij "Agro XXI", i cili është shuar me datën 30.09.2014.

Po ashtu Bashkim Thaçi, këshilltari Politik në Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, nuk e ka deklaruar biznesin e tij "Te galani", i cili është shuar me datën 16.10.2014.

Sipas ligjit për deklarim të pasurisë, zyrtari ka për obligim të deklarojë çdo gjë që ka nën pronësi në kohën kur bëhet deklarimi i rregullt vjetor edhe nëse biznesi është në proces të shuarjes.

Shkelësit e ligjit dënohen kryesisht me gjobë dhe me kusht

Sipas të dhënave që organizata ÇOHU! i ka marrë në Prokurorinë e Shtetit, Agjencia Kosovare e Kundër Korrupsionit gjatë vitit 2013-2014 ka dërguar 163 lëndë në lidhje me mosdeklarimin e pasurisë dhe deklarimin e rrejshëm, sipas nenit 437 të Kodit Penal të Kosovës.

Ndërsa, bazuar në të dhënat e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në 13 gjykatat e Kosovës gjatë vitit 2014, për veprën penale mos deklarim apo deklarim i rrejshëm i pasurisë bazuar në nenin 437 të Kodit Penal, kanë qenë 181 lëndë në punë. Nga ky numër janë shqyrtuar dhe janë marrë vendime për 28 lëndë: 1 dënim me burgim, 6 dënime me gjobë, 4 dënime me kusht, 2 aktgjykime liruese, 4 aktgjykime refuzuese, 4 raste janë zgjidhur në mënyrë tjetër, përderisa  7 lëndë janë me parashkrim absolut. Ndërsa 153 lëndë tjera kanë mbetur të pashqyrtuara. Në raportin vjetor të AKK-së për vitin 2014, nuk ceket fare se ka pasur parashkrim absolut të lëndëve apo që ka pasur të dënuar me burg.

Dënimet me gjobë janë shqiptuar në shumë prej 150 euro deri në 1000 euro, ndërsa dënimet me burg në kohëzgjatje prej 2 muajve deri në 6 muaj, por sipas raportit vjetor të AKK-së, dënimet me burgim, gjykatat i kanë shqiptuar si dënime me kusht

Dënimet me gjobë janë shqiptuar në shumë prej 150 euro deri në 1000 euro, ndërsa dënimet me burg në kohëzgjatje prej 2 muajve deri në 6 muaj, por sipas raportit vjetor të AKK-së, dënimet me burgim, gjykatat i kanë shqiptuar si dënime me kusht  duke urdhëruar që ato mos të ekzekutohen nëse të dënuarit nuk kryejnë vepër tjetër penale për kohën e verifikimit kryesisht në afat prej 1 viti, apo i kanë shndërruar në dënime me gjoba.

Përderisa në vitin 2014 dënimet me gjoba ishin me shuma minimale, në vitin 2012 kur mosdeklarimi dhe deklarimi i rrejshëm konsiderohej kundërvajtje, dënimet me gjoba ishin në shuma dukshëm më të larta nga 50 deri në 2300 euro. Kurse gjobat aktuale që janë dhënë deri më sot janë nga 200 deri në 1000 euro. Pra për mosdeklarim apo deklarim të rrejshëm të pasurisë më shumë janë dënuar zyrtarët kur kjo vepër është konsideruar si kundërvajtje se sa sot që është vepër penale.

Krahasimi i dënimeve me gjoba

Viti 2012

Një dënim 2300  euro

Shtatë dënime 2000 euro

24 dënime 1000 euro

Tetë dënime 1500 euro

Shumë dënime nën vlerën 1000 euro


Viti 2014

Tre dënime 1000 euro

Dy dënime 500 euro

Një dënim 400 euro

Një dënim 300 euro

Tre dënime 200  euro

Në përgjithësi, vërehet se trendi i shqyrtimit të lëndëve që i përkasin nenin 437 të Kodit Penal nga gjykatat është shumë i ultë dhe dënimet janë shumë të buta, gjë që mund të shpie në rritje të numrit të zyrtarëve që nuk e deklarojnë saktë pasurinë e tyre në vitet e ardhshme.

Drejtori i AKK-së Hasan Preteni, gjatë prezantimit të raportit njëvjeçar të punës së kësaj agjencie ka thënë se përcaktimi si vepër penale e deklarimit apo mosdeklarimit të pasurisë, nuk ka rezultuar në rritjen e sanksioneve.

“Zyrtarët e agjencisë në baza ditore janë edhe në prokurori edhe në gjykata për t'i mbrojtur provat të cilat janë siguruar, por prapë në mesin e më shumë se 90 rasteve për deklarim të rrejshëm dhe mosdeklarim të pasurisë kemi vetëm 12 aktgjykime. Edhe pse ligji parasheh për mosdeklarim të pasurisë, dënimin me gjobë dhe dënimi më burg deri në tri vjet, për deklarim të rrejshëm dënim me gjobë dhe dënim me burg deri në pesë vjet, gjykatat tona ende shqiptojnë dënime të cilat kanë qenë më të fuqishme me ligjin e mëparshëm për deklarimin e pasurisë, kur sanksionet ishin 500 deri në 2500 euro. Është iluziore të kërkohet që për mosdeklarim ose deklarim të rrejshëm dikush të shkojë në burg, sepse gjyqtarët dhe prokurorët tonë nuk dërgojnë në burg askënd as për veprime korruptive e jo për vepra të tilla”, ka thënë Preteni.

Por Kodi Penal i Kosovës e përcakton qartë se nëse zyrtari i lartë publik nuk e deklaron apo e deklaron rrejshëm pasurinë dënohet me burgim dhe gjobë. Neni 437, paragrafi 1, thotë se “çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, dhe i cili nuk bën një gjë të tillë, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet. Ndërsa paragrafi 2 i këtij neni thotë se “çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, i cili falsifikon ose nuk paraqet të dhënat e kërkuara në deklaratë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”.  Por deri më tani të gjitha dënimet që janë dhënë bazuar në këtë nen janë burgim me kusht, pra asnjë dënim nuk është dhënë që i pandehuri të shkojë në burgim.

Haki Demolli, i cili ka qenë njëri nga anëtarët e grupit punues kur është hartuar Kodi Penal i Kosovës, ka thënë për Preportr se neni 437 i Kodit Penal për mosdeklarim të pasurisë apo deklarim të rrejshëm dënohet me burgim dhe me gjobë.

Nëse është DHE, atëherë dihet se nënkupton të dyjat,edhe burgim edhe gjobë, ndërsa nëse është OSE është alternative, pra dënim me burgim ose gjobë

Haki Demolli

“Nëse është DHE, atëherë dihet se nënkupton të dyjat,edhe burgim edhe gjobë, ndërsa nëse është OSE është alternative, pra dënim me burgim ose gjobë.  Por kjo është e kuptueshme që nënkupton të dyja. Por mirë është që të pyesni gjykatësit për këtë çështje”, ka thënë Demolli.

Arton Demhasaj, këshilltar ligjor në organizatën ÇOHU! thotë se Kodi Penal parasheh që për shkeljet e nenit 437 të shqiptohen vetëm dënimet me burgim dhe me gjobë, duke përjashtuar kështu shqiptimin e dënimeve alternative ose shqiptimin e dënimit vetëm me gjobë.

“Po të analizojmë vendimet e gjykatave, shohim se aty kemi vendime me gjobë, gjithsej 6, pastaj dënime me kusht gjithsejtë 4. Kjo nënkupton se shqiptimi i dënimeve me kusht dhe vetëm me gjobë është në kundërshtim me nenin 437 të kodit penal, i cili nuk lejon shqiptimin e këtyre dënimeve. Si pasojë e kësaj, gjyqtarët që i kanë shqiptuar këto dënime potencialisht mund të kenë kryer veprën penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore ”, thotë Demhasaj.

Pasuria e zyrtarëve të lartë e pakontrollueshme

Agjencia Kundër Korrupsionit megjithëse për herë të parë ka bërë përzgjedhjen përmes shortit të 585 zyrtarëve për t’ua bërë kontrollin e plotë të pasurisë, ky mekanizëm nuk mund të ushtrojë këtë të drejtë për ata zyrtarë që posedojnë aksione apo pasuri tjera jashtë vendit. P.sh ish-zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, në regjistrin e deklarimit  ka paraqitur aksione në kompani anonime në vitin 2013 me vlerë prej në 125 milionë euro, por pa i listuar emrat e atyre kompanive. Në kësi raste, pra kur zyrtarët kanë asete apo pasuri jashtë vendit AKK nuk mund të bëjë asgjë në këtë drejtim.

Në lidhje me këtë çështje, drejtori i AKK-së Hasan Preteni gjatë konferencës të mbajtur me 1 prill të këtij viti, ku ka prezantuar raportin njëvjeçar të punës për vitin 2014, e ka pranuar se kontrollimi i pasurisë jashtë vendit është i pamundur pasi që nuk ka bashkëpunim të shteteve tjera, ku zyrtarët publik të Kosovës deklarojnë se kanë pasuri.

“Është një problem të bashkëpunimi ndërkombëtarë, ne kemi problem edhe me Shqipërinë, sepse ka pretendime, ka dyshime së paku pesë kanë qenë të fuqishme, ku një zyrtar i lartë luan me ligjet e Kosovës , duke mos na treguar neve çfarë pasurie ka, kurse për të fituar nënshtetësinë në Shqipëri thotë se ka pasuri në Shqipëri. Pra tek ne se deklaron e atje për me e marrë nënshtetësinë thotë po. Edhe pse kemi memorandum bashkëpunimi edhe me Shqipërinë edhe me Malin e Zi e me vendet tjera të rajonit por ka qenë problem në realizim, mirëpo kërkesat nuk kanë munguar”, ka thënë Preteni.

Por AKK ka bërë lëshime tek Pacolli, të cilit ia ka mundësuar fshehjen e pasurisë. Albulena Haxhiu kryetare e Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, thotë se sipas Ligjit për Prejardhjen, Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë, zyrtarët publik e kanë për obligim që të deklarojë pasurinë kudo që ndodhet ajo, qoftë në Republikën e Kosovës, qoftë në ndonjë shtet tjetër.

“Konsideroj që kjo nuk është në përputhje me Ligjin për Deklarimin e Pasurisë, sepse ky ligj ka për qëllim që të deklarohet pasuria kudo që është e zyrtarëve të lartë, brenda apo jashtë territorit të Kosovës”, thotë Haxhiu.

Agjencia Kundër Korrupsionit kur e bën kontrollin e plotë të pasurisë së zyrtarëve publik nuk i pyet se nga e kanë fituar pasurinë e deklaruar. Hasan Preteni thotë se AKK nuk ka dispozitë ligjore që të merret me prejardhjen e pasurisë.

Prejardhja e pasurisë përveç nocionit në ligj në asnjë nen në brendi të ligjit nuk e rregullon prejardhjen dhe nuk kemi të drejtë as ne të pyesim një zyrtar nga e ka marrë pasurinë

Hasan Preteni, drejtor i AKK-së

“Prejardhja e pasurisë përveç nocionit në ligj në asnjë nen në brendi të ligjit nuk e rregullon prejardhjen dhe nuk kemi të drejtë as ne të pyesim një zyrtar nga e ka marrë pasurinë.  Ai e deklaron prejardhjen, por është puna se si të vërtetohet kjo prejardhje. Kjo është mungesë ligjore. Pse institucionet e shtetit të dëshmojnë se një zyrtar është i korruptuar ose ka krijuar një pasuri të madhe, duhet të jetë e kundërta që zyrtari para institucioneve të deklarojë se si e ka krijuar atë pasuri. Të gjitha pasuritë që nuk mund të justifikohen duhet të konfiskohen”, ka thënë Preteni.

Po ashtu AKK nuk mund të këtë qasje as në xhirollogaritë e zyrtarëve të lartë publik, për të bërë verifikimin e parave të deklaruara.

Edhe pse neni 16 i Ligjit për Deklarimin e Pasurisë, i detyron të gjitha institucionet publike, personat juridik publik dhe privat si dhe; Bankat dhe subjektet tjera që ushtrojnë veprimtari bankare dhe financiare që t’i ofrojnë të dhëna Agjencisë, si dhe përcakton afatin se kur këto autoritete duhet t’i përgjigjen kërkesave të Agjencisë prapë se prapë ky nen në pjesën dërmuese të tij është në kundërshtim direkt me Kodin e Procedurës Penale (KPP).

Neni 86,  i KPP-së në paragrafin 2 thotë se “pas fillimit te procedurës penale, ose në të njëjtën kohë me aktvendimin e prokurorit të shtetit për të filluar procedurën paraprake, prokurori i shtetit mund të kërkojë nga gjyqtari i procedurës paraprake që të autorizojë masat e fshehta dhe teknikë të hetimit në pajtim me nenet 86-100 të këtij Kodi.

Ndërsa neni 87, i KPP-së nënparagrafin 1, në pikën 12 e përcakton se masa e fshehtë nënkupton edhe zbulimin e të dhënave financiare. Kurse paragrafi 12 i këtij neni specifikon se “Shprehja ‘zbulim i të dhënave financiare’ do të thotë sigurim i informacionit nga banka apo ndonjë institucion tjetër financiar mbi depozitat, llogaritë ose transaksionet financiare”.

Pra qasja në llogari bankare mund të bëhet vetëm përmes zyrtarit të autorizuar gjyqësor, që do të thotë “gjyqtar i procedurës paraprake ose prokuror i shtetit me autorizimin e të cilit është lëshuar urdhri sipas këtij kapitulli”.

Gjithashtu edhe neni 91 i KPK-së në paragrafin 2, në pikën 14 përcakton se “gjyqtari i procedurës paraprake, me kërkesë të prokurorit të shtetit mund të urdhërojë zbulim i të dhënave financiare”.

Nëse AKK nuk mund të ketë qasje në xhirollogari të zyrtarëve të lartë publik në Kosovë për shkak të dispozitave ligjore, si mund të ketë qasje në xhirollogaritë që disa zyrtarë i kanë jashtë vendit. Për shembull si mundet AKK që t’ia bëjë kontrollimin e plotë të pasurisë deputetit Faton Topalli, i cili ka deklaruar se ka tri xhirollogari me para të gatshme në një bankë në Zvicër?

Duke marrë parasysh se AKK nuk ka qasje në pasurinë e zyrtarëve që e kanë jashtë vendit, pamundësinë që vërtetojë prejardhjen e pasurisë si dhe kufizimet për të pasur qasje në xhirollogaritë bankare të zyrtarëve, verifikimi dhe kontrollimi i plotë i pasurive së zyrtarëve të lartë publik  është jo i plotë dhe kësisoj mund të rezultojë joreal.

Regjistrat e deklarimit të pasurisë me mangësi të mëdha

Edhe pse Agjencia kundër Korrupsionit e bën kontrollin paraprak të formularëve të deklarimit të pasurisë para se t’i bëjë publike, kur ato publikohen  vërehen  gabime të shumta të mënyrës së deklarimit dhe mungesë të të dhënave kryesore.

Në disa raste, ka zyrtarë me kompani jashtë vendit që i specifikojnë emrat e kompanive që ata i posedojnë, përderisa ka zyrtarë të tjerë që nuk i specifikojnë emrat e kompanive që i posedojnë jashtë vendit. Si shembull mund të merret deklarimi i pasurisë nga ana e ish-zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli. Ai te pasuria e paluajtshme ka deklaruar se ka “kompani me aksione anonime, sipas ligjeve të shteteve ku ato veprojnë”, ndërsa nuk ka cekur se për cilat shtete bëhet fjalë dhe as për cilat kompani bëhet fjalë. Por ka zyrtarë tjerë të cilët i kanë deklaruar aksionet dhe pozitat udhëheqëse edhe në kompanitë jashtë vendit, si p.sh ish-deputeti Florin Krasniqi.

Por Ligji për Deklarimin e Pasurisë nuk bën ndonjë amnisti për zyrtarët që kanë asete jashtë Kosovës. Neni 13, pika 1 e këtij ligji specifikon në mënyrë të qartë se zyrtari i lartë publik, e ka obligim që ta deklarojë pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme, e cila është në emër të tij.

Gjithashtu edhe në udhëzuesin praktik  se si të plotësohet formulari i deklarimit të pasurisë që e ka publikuar që e  ka publikuar AKK para disa javëve, qartësohet se zyrtari duhet që të deklarojë të gjitha aksionet që i posedon pavarësisht se në cilin vend i ka zyrtari.

Rasti i ish-zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli dëshmon edhe për një element shtesë atë se AKK ka pranuar nënshtrimin e legjislacionit vendor kundrejt legjislacioneve të vendeve të ndryshme me faktin se ka lejuar mos publikimin e emrave të kompanive që janë në pronësi të tij duke iu referuar ligjeve të vendeve ku këto biznese veprojnë.

Tjetër mangësi që gjendet në regjistrat e AKK-së ka të bëjë me mënyrën e deklarimit të pasurisë së paluajtshme. Disa zyrtarë pasurinë e paluajtshme e deklarojnë si tërësi e jo veç e veç . P.sh një zyrtar i ka 10 parcela në vende të ndryshme, por ia deklaron si një tërësi dhe në këto raste është e pamundur të dihet edhe prejardhja e pasurisë.

Por ka raste edhe kur zyrtarët deklarojnë se nuk kanë ndryshime prej viteve paraprake, por që AKK nuk ua bartë në vitin pasues. Pra në këto raste del se zyrtarët e fshehin pasurinë, por që në fakt nuk është faji i tyre. Një shembull i tillë është Daut Qela, gjykatës në Drenas. Ai ka mospërputhje të deklarimit të pasurisë së paluajtshme që e ka deklaruar në AKK në vitin 2014 dhe të dhënave në kadastër. Tek regjistri i tij i deklarimit të pasurisë për vitin 2014 nuk ka asnjë pronë të paluajtshme, ndërsa në kadastër ka 12 parcela të tokës. Por këto prona ai i ka të deklaruara në vitet paraprake të deklarimit. Ai ka thënë për Preportr se kur e ka deklaruar pasurinë për vitin 2014 e shkruar në formular se nuk ka ndryshim të paluajtshmërive nga vitet paraprake, por që AKK-ja nuk ia ka futur në regjistrin e deklarimit të vitit 2014.

“Për vitin 2014 në formular te pasuria e paluajtshme  e kam shkruar "gjendja e pandryshueshme nga viti i kaluar". Të gjitha të dhënat i kam në agjencion, ata e kanë pasur për obligim t'i publikojnë’, thotë ai.

Preportr ka kontrolluar mbi 2 mijë e 500 regjistra të deklarimit të pasurisë dhe ka hasur në dhjetëra zyrtarë që nuk e kanë fare datën e as vitin kur e kanë marrë postin, por në vend të kësaj të dhënë shkruan vetëm shifra 1900

Mangësi në regjistrat e deklarimit të pasurisë është fakti se mungojnë datat e marrjes së detyrës zë zyrtarëve të lartë publik. Preportr ka kontrolluar mbi 2 mijë e 500 regjistra të deklarimit të pasurisë dhe ka hasur në dhjetëra zyrtarë që nuk e kanë fare datën e as vitin kur e kanë marrë postin, por në vend të kësaj të dhënë shkruan vetëm shifra 1900.  Karakteristikë e këtyre rasteve është që zyrtarëve iu mungojnë datat e marrjes së postit për 4-5 vite rresht. Pra këtyre zyrtarëve prej vitit 2010 deri në regjistrat e vitit 2014 data e marrjes së postit i shkruan 1900.

Nuk deklarohen detyrimet kreditore ndër vite

Zyrtarëve të lartë publik nuk iu ndryshohen detyrimet kreditore ndaj bankave as pas katër  apo më shumë viteve. Preportr ka shikuar regjistrat e pasurisë së disa zyrtarëve të lartë publik dhe në regjistrat e deklarimit të pasurisë ata deklarojnë vetëm kohën e marrjes së kredisë, në disa raste periudhën kohore për sa e kanë marrë kredinë, por shuma e kredisë ndër vite nuk ndryshon kurrë. Pra nuk kemi pasqyrim real se janë detyrimet kreditore financiare të zyrtarëve të lartë nga viti në vit. P.sh ish-kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi  i ka marrë në bankën NLB 100 mijë euro. Këtë detyrim financiarë ndaj bankës në fjalë, Thaçi e ka të deklaruar që nga viti 2010. Ndërsa në regjistër nuk përshkruhet viti kur e ka marrë kredinë, por vetëm se ajo duhet të kthehet brenda 120 muajve. Edhe në regjistrin e deklarimit të vitit 2014 Thaçit nuk i ka ndryshuar shuma prej 100 mijë eurove që i ka detyrim ndaj bankës.

Preportr ka shikuar edhe disa regjistra tjerë të zyrtarëve të lartë publik që kanë kredi në banka, dhe në të gjitha rastet nuk është e pasqyruar gjendja reale e kredisë ndër vite. Edhe zyrtarët tjerë si Arsim Bajrami, Memli Krasniqi, Teuta Sahatçija etj., i kanë deklaruar detyrimet kreditore në këtë mënyre, pa ndryshime ndër vite. Por në këtë mënyrë e ka deklaruar pasurinë edhe Drejtori i AKK-së Hasan Preteni. Ai vetëm për njërën kredi ka paraqitur borxhin ndër vite, kurse për kreditë e tjera nuk ka paraqitur ndryshime nga viti në vit, por vetëm periudhën kohore për sa vite ka për t’i shlyer detyrimet kreditore.

Preteni gjatë prezantimit të raportit vjetor ka thënë se kjo mënyrë e deklarimit është në rregull dhe se zyrtarët publik nuk e kanë obligim që të deklarojnë çdo vit ndryshimet që  i kanë tek detyrimet kreditore.

Por ka edhe raste të shumta kur zyrtarët publik deklarojnë detyrime kreditore në banka për disa vite, ndërsa njëkohësisht deklarojnë kursime me shuma të mëdha të parave.

Drejtori i AKK-së Hasan Preteni, ka thënë përmes telefonit se nuk ka kohë as që të na takojë e as që të na kthejë përgjigje pasi që thotë se nuk e sheh si obligim që të takojë ose t’iu kthen përgjigje mediave apo shoqërisë civile

Për të gjitha këto çështje Preportr i ka dërguar pyetje Agjencisë Kundër Korrupsionit, por kjo agjenci nuk ka kthyer asnjë përgjigje. Ndërsa drejtori i AKK-së Hasan Preteni, ka thënë përmes telefonit se nuk ka kohë as që të na takojë e as që të na kthejë përgjigje pasi që thotë se nuk e sheh si obligim që të takojë ose t’iu kthen përgjigje mediave apo shoqërisë civile.

Ndërsa në raportin e punës të AKK-së, thuhet se zyrtarët e AKK-së kanë qenë gjithmonë të gatshëm që çdo të interesuari t’i ofrohet ndihma profesionale si edhe bashkëpunimi në rastet kur ka pasur dyshime të bazuara për raste korruptive. Por ka pothuaj tri vite që drejtori i AKK-së nuk bashkëpunon fare me Preportr e as me organizatën ÇOHU! Ai gjatë gjithë kësaj periudhe kohore as nuk ka kthyer përgjigje me shkrim e as nuk ka pranuar që të takohet.

Obligohen të deklarojnë prejardhjen e pasurisë

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion Albulena Haxhiu, ka thënë për Preportr se mosdeklarimi i pronësisë së biznesit, por vetëm të hyrat nga biznesin në disa raste mund të kuptohet që është mangësi e formularit për deklarimin e pasurisë, por në disa raste mund të kuptohet edhe si e qëllimshme.

“Për këtë arsye konsideroj se AKK-ja duhet t'i hetojë të gjitha këto raste dhe kur gjen dyshime të bazuara t'i adresojë të njëjtat në prokurori. Ne si komision nuk kemi informacion se ndonjë nga këto raste që po i potenconi janë adresuar në Prokurorinë e Shtetit. Por ne kemi pasur shumë raste ku zyrtarë të lartë i janë adresuar këtij institucioni në mënyrë që të marrin përgjigje se si të plotësohet ky formular mirëpo nuk kanë marrë informatat e duhura nga zyrtarët që punojnë në AKK”, thotë Haxhiu.

Tjetër problem në regjistrat e deklarimit të pasurisë është edhe mosdeklarimi prejardhjes së pasurisë dhe viti të përfitimit. Preportr ka shikuar regjistrat e deklarimit të disa zyrtarëve të lartë dhe ka vërejtur se një pjesë e madhe e tyre nuk e kanë të deklaruar prejardhjen e pasurisë si dhe vitin e përfitimit.

Ndërsa sa i përket mosdeklarimit të prejardhjes së pasurisë, vitit të përfitimit të pasurisë dhe mungesës së të dhënave se kur është punësuar zyrtari në atë pozitë, Haxhiu thotë se këto të dhëna duhet të precizohet patjetër, sepse kjo kërkohet me Ligjin për Deklarimin dhe Prejardhjen e Pasurisë. Ajo thotë se në këto raste kur kemi një deklarim të pasurisë i cili nuk e ka të evidentuar datën e saktë të emërimit apo të dhënat e cekura më lartë AKK duhet ta kontaktojë atë person dhe t'i kërkojë që patjetër të precizohet edhe data.

“Ne kemi në Ligjin për Deklarimin e Pasurisë të cekur edhe prejardhjen e pasurisë, mirëpo ai ka mbetur vetëm si emërtim për faktin se pothuajse shumë pak zyrtarë të lartë e respektojnë këtë, sepse nuk e paraqesin prejardhjen e pasurisë me dokumente përcjellëse që kërkohet me ligjin për prejardhjen e pasurisë”, theksoi Haxhiu.

Ajo thotë se formularët e deklarimit të pasurisë kanë shumë mangësi dhe paqartësi. P.sh nuk është e sqaruar nëse një zyrtar e ka deklaruar pasurinë e paluajtshme vitin e kaluar a është i obliguar që atë pasuri ta deklarojë përsëri.

“Ka shumë paqartësi sa i përket këtij formulari dhe për të adresuar këtë çështje Komisioni për Legjislacion është e rëndësishme të thërras një dëgjim publik ku përveç deputetëve të jenë edhe përfaqësues të shoqërisë civile si dhe institucionet që janë të thirrura që ta zbatojnë këtë ligj pra AKK-ja. Varësisht nga diskutimi në këtë dëgjim publik do të dilnim me rekomandime sa më të drejta në mënyrë që formulari për deklarim të pasurisë të jetë sa më saktë”, u shpreh Haxhiu.

Fidan Kalaja nga “Lëvizja Fol”, ka thënë për Preportr se secili zyrtarë është i obliguar që sipas Ligjit për Deklarimin dhe Prejardhjen e Pasurisë të deklarojë pasurinë që e disponon për periudhën e deklarimit.

Pra edhe pse kompania ose biznesi është në proces të shuarjes, zyrtari duhet që patjetër ta deklarojë si pasuri të tij

Fidan Kalaja, Lëvizja FOL

“Pra edhe pse kompania ose biznesi është në proces të shuarjes, zyrtari duhet që patjetër ta deklarojë si pasuri të tij. Kjo fatkeqësisht nuk ka ndodhur edhe pse AKK ka qenë e informuar për këtë dhe në këtë kontekst AKK ka bërë kompromise në dëm të ligjit ”, thotë Kalaja.

Ndërsa sa i përket mosdeklarimit të prejardhjes së pasurisë dhe vitit të përftimit, ai thotë se të gjitha këto të dhëna duhet që të deklarohen në mënyrë specifike në regjistrin e deklarimit të pasurisë.

“Secili zyrtar duhet që ta deklarojë pasurinë e tij në mënyrë të detajuar për disa arsye. Në rastin konkret parcelat e tokës dallojnë për nga çmimi varësisht se ne cilën pjesë të Kosovës janë, pra vlera e tyre mund të dallojë shembull se a është parcela në fshatë apo qytet, në qytete disa zona janë më të shtrenjta në treg sesa në zona tjera etj. Për këtë secili zyrtar duhet të deklarojë secilën pasuri veç e veç, e jo si total”, theksoi Kalaja.

Ai thotë se AKK është mësuar që të ta konsiderojë si “sukses” përqindjen e atyre zyrtarëve që deklarojnë pasurinë. Sipas tij, ky nuk duhet të konsiderohet sukses në procesin e deklarimit të pasurisë, por sukses duhet të konsiderohet momenti kur AKK të fokusohet në hetimin e prejardhjes së pasurisë së zyrtarëve të lartë.

Sipas raportit të AKK-së për vitin 2013, për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare janë bërë gjithsejtë 74 kallëzime penale.

Ndërsa sipas raportit të AKK-së për vitin 2014, për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose të detyrimeve financiare janë bërë 101 kallëzime penale.