English
Scroll top

Në emër të zotit kundër ligjit

Shkolla e mesme Medreseja “Alauddin” në Prishtinë, që është i vetmi institucion në Kosovë që zyrtarisht edukon gjeneratat e reja për të vazhduar rrugën e mëtutjeshme në studime islame, ka nisur zgjerimin e objektit të saj aktual pa leje paraprake nga Komuna e Prishtinës.

Prishtinë, 10 Korrik 2012

Si duket, ligjet e vendimet që i nxjerrin njerëzit përmes organeve të tyre legjitime e që për qëllim kanë rregullimin e jetës së tyre shoqërore, nuk përbëjnë ndonjë obligim edhe për ata që qëllim vetes ia kanë dhënë përhapjen e mësimeve të zotit.

Shkolla e mesme Medreseja “Alauddin” në Prishtinë, që është i vetmi institucion në Kosovë që zyrtarisht edukon gjeneratat e reja për të vazhduar rrugën e mëtutjeshme në studime islame, ka nisur zgjerimin e objektit të saj aktual pa leje paraprake nga Komuna e Prishtinës.

Një aneks tashmë i përfunduar dhe një mbindërtim në njërin prej objekteve ekzistuese të Medresesë “Alauddin”, ndërtime këto pa leje, tashmë mund të shihen edhe nga cepi i rrugës Bajram Bahtiri në Prishtinë.

Preportr, qysh para dy jave u ka dërguar Komunës së Prishtinës pyetje rreth pëlqimit të Medresesë “Alauddin” për këtë mbindërtim dhe shtim të aneksit.

Nga Drejtoria për Urbanizëm, fillimisht është thënë se nuk dinë asgjë për këto zgjerime të Medresesë “Alauddin”. Por, inspektimet e punimeve nga inspektorati i komunës, pas denoncimeve të Preportr, kanë konstatuar që  Medreseja “Alauddin” nuk posedon leje dhe kështu, Komuna ka ndërmarrë aksion për rrënimin e këtij objekti. “Mbindërtimi në objektin e Medresesë “Aluaddin” ka filluar gjatë javës së kaluar pa leje nga organi kompetent i komunës. Pas përfundimit të procedurave nga inspektori i ndërtimit është bërë demolomi-rrënimi i katit” shprehet Muhamet Gashi, drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës.

Zyrtarë nga  Medreseja “Alauddin”, por edhe nga Bashkësia Islame në Kosovë, si bartëse e gjithë procedurave të tenderimit, nuk kanë pranuar që të flasin shumë për këto ndërtime pa leje. Ata, përveç që pranojnë se për këto ndërtime nuk kanë leje, kanë refuzuar tu përgjigjen edhe pyetjeve tjera të Preportr. Drejtori i Medresesë “Alauddin”, Bahri Simnica, e pranon se për këto ndërtime nuk kanë marrë leje nga organet komunale. “ Jo nuk kemi apliku për leje në Komunë”, thotë Simnica. Drejtori i Medresesë, por edhe Ahmet Sadriu, referent për publikime në BIK, nuk dëshirojnë të flasin për arsyet se pse kanë ndërmarrë këtë veprim joligjor, me gjithë faktin e një vendimi të Komunës për mos lejim të ndërtimeve pa leje pas gushtit të viti 2010.

Komuna e Prishtinës, me datë 19 gusht 2010, patë ndërmarrë një nismë për të bërë incizimi (imazhi) satelitor të gjendjes faktike të objekteve ndërtimore. Sipas shpalljes publike të lëshuar nga Komuna e Prishtinës, “çdo ndërtesë apo pjesë e saj e ndërtuar pas datës 19 gusht 2010 dhe që nuk figuron në imazhin satelitor të kësaj dite nuk do të mund t’i nënshtrohet procedurës se legalizimit”. Sipas kësaj shpallje, secili ndërtim pa leje pas kësaj date, do të trajtohet konform me dispozitat e Ligjit për Ndërtim nr. 2004/37 dhe akteve tjera nënligjore të nxjerra në bazë të këtij Ligji përkatësisht, ato ndërtime do të rrënohen.

Femërorja eklipson mashkulloren


Objekti, në të cilin përhapen mësimet e zotit, ngjason në një ylber të shfaqur pas një shiut të beftë përmes së cilit një laramani ngjyrash e fasadash dëshmojnë për kohët e ndryshme të ndërtimit të pjesëve përbërëse të tij. Një aneks, në të cilin tash e tutje mësimet e zotit do t’i ndjekë gjinia femërore,  i ndërtuar këtë verë, shihet se si ia ka zënë tërësisht frymën e rrezeve të diellit pjesës së vjetër të objektit të Medresesë, aty ku mësojnë gjinia mashkullore. Të dy këto objekte, nuk janë larg njëra tjetrës më shumë se një metër e gjysmë.

Përfundimi i mbindërtimi, i cili i dedikohet ekskluzivisht gjinisë femërore, për zyrtarët nga BIK-u dhe Medreseja “Alauddin”, duket të jetë një ajet kuranorë që assesi nuk bënë të thyhet pasi që ata nuk e kanë ndërmend t’i pushojnë ndërtimet.

Sipas zyrtarëve nga BIK-u dhe Medreseja “Alauddin”projekti, i financuar nga një organizatë e Emirateve Arabe, do të përfundoj pas marrjes së lejes nga Komuna e Prishtinës. “Përfundimi i ndërtimi do të bëhet pas kryerjes së procedurave në Komunë”, thonë këta zyrtarë.

Por, Muhamet Gashi, nga Komuna e Prishtinës, tregon se në këto raste aplikohen kushte shumë rigoroze të legalizimit. “Vetëm në raste shumë specifike dhe me ofrimin e dëshmive se mbindërtimi është i domosdoshëm, në raste të pikjes nga shiu për shembull, atëherë legalizohet objekti, por në raste tjera kjo nuk ndodhë”.