English
Scroll top

Preteni falsifikon formularët e deklarimit të pasurisë

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, ka mbrojtur shtatë deputetët të cilët kanë shkelur Ligjin për Deklarimin e Pasurisë, duke mos-deklaruar bizneset. Pasi që Preportr ka publikuar emrat e deputetëve që kanë fshehur biznese tyre apo funksionet që kanë nëpër këto biznese. Preteni i mllefosur ka dalë publikisht në mbrojtje të tyre dhe në mënyrë të pabazuar ka thënë se: “në...

Prishtinë, 16 Shkurt 2012

Pas raportimit nga Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese “Preportr” se shtatë deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë shkelur Ligjin për Deklarimin e Pasurisë, duke mos-deklaruar një pjesë të pasurisë në Agjencionin Kundër Korrupsionit, ka pasur reagime të shumta në opinion se si vetë deputetët të cilët e miratuan këtë ligj para disa muajve, po e shkelin vetë atë. Por më i zëshmi u tregua drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit Hasan Preteni, i cili pa asnjë fakt doli publikisht në mbrojtje të këtyre deputetëve, duke thënë se këta të fundit nuk e kanë shkelur ligjin në fjalë, pasi që sipas tij, bizneset që këta deputet i posedojnë e që nuk i kanë deklaruar në AKK, nuk kanë pasur aktivitete biznesore.

Siç duket Hasan Preteni e ka ngatërruar detyrën  e tij, ai në vend se të fillojë hetimet dhe të nisë procedurat ligjore ndaj këtyre deputetëve, ai ka bërë shkelje ligjore duke ndryshuar formularët e deklarimit të pasurisë, duke ua shtuar atyre bizneset që nuk ishin në formularët paraprakë dhe duke ua ndryshuar edhe datat . Preportr i ka formularët e vjetër, në të cilët deputetët në fjalë nuk i kanë të deklaruara këto bizneset apo funksionet në këto biznese.

Edhe pse Preportr ka kërkuar për më shumë se dy muaj përgjigje nga AKK për rastet të cilat i ka denoncuar në AKK, kjo e fundit pas tre muajve ka bërë verifikimin e këtyre rasteve, ndërsa përgjigjja e drejtorit të AKK-së ishte e çuditshme, sepse ka shfaqur tendenca direkte për t’i mbrojtur dhe për t’i arsyetuar këta zyrtarë të lartë që kanë shkelur Ligjin për Deklarimin e Pasurisë.

4 nga 7 Biznese të deputetëve kanë qarkullime financiare

“Preportr” ka gjetur të dhëna se shumica e deputetëve të përmendur i kanë bizneset aktive dhe kanë qarkullime financiare dhe se disa nga deputetët e pranojnë këtë. Por pavarësisht këtij fakti, se a kanë qarkullime financiare apo jo, çdo zyrtar i lartë është i obliguar që ta deklarojë në AKK çdo biznes apo funksion në atë biznes po që se është i regjistruar në Agjencionin Kosovarë për Regjistrimin e Bizneseve. Ky obligim ligjor vlen për të gjithë  deri sa ta çregjistrojë biznesin apo të shuaj funksionin në këtë biznes.

Preteni i ndërron fjalët

Edhe pse Preteni për “Preportr” pati thënë se “zyrtarët e lartë publik në pajtim me nenin 3 të Ligjit nr. 04/L-050 kanë për obligim të deklarojnë në formularin për deklarim të pasurisë të gjitha funksionet ose aktivitetet tjera krahas funksionit të lartë publik”, ai në disa medie të tjera ka dhënë deklarata tjera, duke mbrojtur drejtpërdrejt shkelësit e ligjit.

Preteni pati deklaruar për RTK-në se agjencioni që ai drejton ka bërë verifikimin e aktiviteteve të bizneseve në fjalë dhe ka ardhur në përfundim se këto biznese nuk kanë pasur aktivitete.

"Janë të regjistruara dhe nuk kanë asnjë aktivitet. Ne shumicën i kemi verifikuar edhe në Administratën Tatimore të Kosovës se a kanë qarkullime, a kanë pas të hyra të dala dhe elemente tjera dhe 99 për qind e rasteve del me të vërtetë se ka qenë një aktivitet pasiv i regjistruar, por kurrë i aktivizuar", pati deklaruar Preteni.

Preteni nuk tregoi pse i kishte mbetur hatri dhe pse është irrituar aq shumë nga ky hulumtim, por ai është shprehur edhe më i revoltuar gjatë një prononcimi për televizionin “Klan Kosova”, ditën kur është publikuar raporti i parë për deputetët që nuk e kanë deklaruar një pjesë të pasurisë. Përveç që ka mbrojtur në mënyrë të pabazuar këta deputetë, ai shkoi edhe më tej duke thënë se po luhet me ndjenja të tyre!

“Skajshmërisht jam i indinjuar me këtë raport. Këta zyrtarë të gjithë e kanë deklaruar pasurinë në fazën e parë. Ne kemi gjetur disa mangësi në formularët e tyre dhe 65 zyrtarëve të tjerë dhe të gjithë janë shprehur të gatshëm të bëjnë përmirësime. Në masë të madhe i kanë përmirësuar ose janë duke i përmirësuar. Ky raport nuk është qëllimmirë dhe se po luhet me ndjenjat e zyrtarëve të përmendur”, ka deklaruar Preteni.

Duhet cekur se në listën të cilën e përmend Preteni, nuk gjenden deputetët e lartcekur, të cilët nuk e kanë deklaruar një pjesë të pasurisë.

Përgjigjet e AKK-së për shtatë deputetët

Preteni ka thënë se Shaip Muja e ka deklaruar biznesin “Kosova Green Energy” në formularin për deklarim të pasurisë me datën 31.03.2011. Por në fakt Shaip Muja nuk e ka deklaruar fare këtë kompani në afatin e paraparë ligjorë. Në formularin e deklarimit të tij që e ka bërë me datën e lartcekur, kjo kompani nuk ka qenë e deklaruar. Por AKK këtë kompani ia ka shtuar këtij deputeti me datën 21.11.2011, dhjetë ditë pasi që Preportr ka bërë denoncimet në AKK për këta deputetë që nuk e kanë deklaruar një pjesë të pasurisë. Me këtë rast drejtori i AKK-së Hasan Preteni ka bërë vepër penale duke falsifikuar dokumentin zyrtar.

Për Agim Kuletën, Preteni thotë se ka deklaruar në formularin për deklarim të pasurisë objektin dhe pllacin në të cilin gjendet kompania, “mirëpo sa i përket biznesit “X Print” që nuk e ka deklaruar Kuleta thotë se ka qenë një lëshim i rastit dhe me datën 06.12.2011 ka deklaruar këtë biznes”, thotë Preteni. AKK ka ndërhyrë në formularin e këtij deputeti me datën 12.12.2011 dhe ia ka shtuar këtë biznes në formularin e deklarimit të pasurisë.

Ndërsa për deputetin  Hashim Deshishku ka sqaruar se “në shkresën e pranuar me datën 23.11.2011, ka deklaruar se biznesi “HIB Construcion” nuk ka funksionuar asnjëherë dhe se ka filluar procedurën e shuarjes së këtij biznesit”. Preteni nuk ka ndërhyrë në formularin e Deshishkut, për t’ia shtuar edhe këtij bizneset në formularin e pasurisë. Por në këtë përgjigje Preteni ka fshehur edhe një gjë. Ai nuk ka dhënë asnjë informacion për kompaninë “New Co Dardania” dhe “Deshishku Cunstruction”, të këtij deputeti, ndërsa kjo e fundit ka pasur 242 mijë e 305 euro qarkullim financiar vetëm në vitin 2011. Por Hashim Deshishku vet e ka pranuar se ka “harruar” që ta deklarojë këtë kompani në AKK. Ai këtë kompani e ka deklaruar me datën 3 shkurt të këtij viti (Dokumentin e deklarimit e ka siguruar edhe Preportr), dhe AKK-ja ia ka pranuar pa asnjë problem! Gjithashtu, ky deputet ka filluar edhe procesin e shuarjes së biznesit “Hib Construction” dhe këtë e ka bërë publike edhe në një nga gazetat ditore. E gjithë kjo është bërë pas raportit të parë që e ka publikuar Preportr në fillim të muajit dhjetor për bizneset dhe funksionet e deputetëve që nuk i kanë deklaruar shtatë deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Sa i përket Nazane Brecës, Preteni thotë se ajo “në shkresën e datës 05.12.2011, ka deklaruar se biznesi“Qend.  Diag. Terap. Kujdesi Familjar” nga muaji shkurt 2010 ka ndërprerë veprimtarinë dhe ka kërkuar shuarjen e biznesit”. AKK ka ndërhyrë edhe në formularin e deklarimit të kësaj deputeteje dhe ia ka shtuar këtë biznes, të cilin ajo nuk e pati deklaruar në afatin ligjor. Këtë ndërhyrje AKK e ka bërë me datën 12.12.2011.

Ndërsa për deputeten Sala Berisha-Shala ka thënë se “në shkresën e datës 05.12.2011, ka deklaruar se biznesi“Fer Consulting” nuk ka qenë dhe nuk është aktivë”. AKK ka ndërhyrë edhe në formularin e kësaj deputeteje dhe me datën 05.12.2011 ia ka shtuar këtë kompani në formularin e deklarimit të pasurisë.

Të njëjtin sqarim Preteni e ka bërë edhe për deputeten  Teuta Sahatqija. Ai ka thënë se “në shkresën e datës 01.12.2011, ka deklaruar se biznesi “Ir Grup” asnjëherë nuk ka funksionuar. Gjithashtu edhe në këtë formularë është ndërhyrë me datën 01.12.2011 dhe i është shtuar jashtë afatit ligjor edhe kjo kompani në formularin e deklarimit të pasurisë.

Ndërsa tek formulari i deputetit Vesimir Savic, AKK nuk ka ndërhyrë për t’ia ndryshuar formularin dhe për t’ia shtuar kompaninë që nuk e ka deklaruar. Preteni për Savicin ka thënë se “në shkresën e datës 13.12.2011 ka deklaruar se pronari i biznesit “Bezi 2” nuk më ka njoftuar për regjistrimin e këtij biznesit dhe nuk ka pasur pëlqimin tim të më emëroj si përfaqësues, andaj kam kërkuar shlyerjen e emrit tim nga ky biznes”.

Preteni përmes kësaj përgjigje tregon edhe një shkelje tjetër ligjore të AKK-së, kur thotë se disa nga deputetët e lartcekur e kanë bërë deklarimin e pasurisë në muajin dhjetor të vitit 2011, d.m.th, nëntë muaj pasi që ka përfunduar afati ligjor për deklarimin e pasurisë. Por cila është rëndësia apo efekti i Ligjit për Deklarimin e Pasurisë nëse zyrtari i lartë publik e bënë deklarimin e pasurisë kur të dëshirojë, apo në rastet kur i zbulohen bizneset e padeklaruara, siç është ky rast! Pra pranimi i këtyre formularëve jashtë afatit ligjor është një tjetër shkelje ligjore që e ka bërë AKK-ja në krye me Hasan Pretenin.

Në anën tjetër me vetë faktin se një biznes është i regjistruar në Agjencionin për Regjistrimin e Bizneseve, çdo zyrtar i lartë publik është i obliguar me Ligjin për Deklarimin e Pasurisë që ta deklarojë atë biznes edhe nëse vlera e qarkullimit të tij është zero, apo edhe nëse nuk ka asnjë aktivitet biznesor. Gjithashtu, sipas ligjeve në fuqi, çdo biznes është aktiv deri kur pronari i biznesit aplikon në Agjencionin për Regjistrimin e Bizneseve dhe plotëson kushtet e parapara për ta çregjistruar.

Preteni i dha këto deklarata pa i verifikuar rastet

“Preportr” duke u bazuar në nenin 18, pika 12, të Ligjit për Agjencinë Kundër Korrupsionit, gjatë tre muajve vazhdimisht ka kërkuar nga AKK-ja që të marrë informacione se deri ku kanë shkuar verifikimet për rastin në fjalë, por çuditërisht Agron Behrami, shef i Divizionit për Mbikëqyrjen e Pasurisë dhe Dhuratave në AKK, ka thënë me datën 27 dhjetor se ky agjencion është në proces të verifikimit të këtij rasti dhe se nuk mund të jep ndonjë informacion pasi që ende nuk është kryer verifikimi.

“Rasti i paraqitur ndaj 10 deputetëve të Kuvendit të Kosovës është në procedurë, ndërsa  vendimet përfundimtare i publikojmë në faqen e internetit”, ka thënë Behrami.

Kjo deklaratë e tij tregon qartë se Agjencioni Kundër Korrupsionit nuk e pati bërë ende verifikimin e bizneseve të këtyre deputetëve, kur Hasan Preteni ka deklaruar se janë verifikuar. Realisht këto verifikime janë përmbyllur me datën 13 shkurt  të këtij viti.

Gjithashtu, detyrimi për ta deklaruar pasurinë dhe çdo funksion nga zyrtari publik, përcaktohet me Ligjin për Deklarimin e Pasurisë, konkretisht në Kreun e IV - neni 13, në të cilin mes të tjerave thuhet se personi publik duhet të deklarojë edhe“...Funksionet apo aktivitetet tjera që i ushtron zyrtari krahas funksionit publik”.