English
Scroll top

Zi e ma Zi

Tregu i lirë me kokë teposhtë - Kush e solli Dardafonin? Kontrata që hyri si pykë përçarjeje mes aksionerëve të Dardafonit, menaxhmentit dhe Bordit të PTK-së. Si po shihet Zmobile si mjet i PTK-së për ta luftuar konkurrencën e IPKO-s dhe D3-it

Prishtinë, 23 Nëntor 2011

Padia rreth kontratës mes PTK-së dhe Dardafone.net (ish-Dardafone) është në prag të konfirmimit për së paku katër persona. Derisa të implikuarit konsiderojnë se kjo kontratë nuk e ka dëmtuar PTK-në, ata njëkohësisht përpiqen t’i hedhin fajin njëri-tjetrit.

Fjala është për kontratën e operatorit virtual të telefonisë mobile, e ashtuquajtur MVNO, e cila në princip shfrytëzon infrastrukturën e operatorit publik “Vala900”. Por ky operatorë virtual ofron shërbime për konsumatorët në llogari të një kompanie private, Dardafone.net, që është në pronësi të familjes Devolli nga Peja, gjegjësisht Devolli Company. Kjo kontratë ka vendosur që kompania që tani funksionon me emrin komercial “Z-Mobile”, të marrë 73% të të hyrave, derisa 27% i ngelen PTK-së. Kontrata është kritikuar sidomos për raportin tepër të favorshëm për Dardafon.net.

Dokumentet më të hershme rreth idesë së MVNO-së, të siguruara nga Preportr, datojnë nga mesi i viti 2006, kohë kur menaxher i PTK-së ishte Etrur Rrustemaj. Në gusht të vitit 2008, një marrëveshje parimore me Dardafon LLC e ka nënshkruar pasuesi i Rrustemajt, Adnan Merovci. Marrëveshja u finalizua nga nënshkrimi i drejtorit aktual Shyqyri Haxha, por tani me një kompani që kishte ndërruar emrin duke u shndërruar nga Dardafone LLC në Dardafone.net.

Ky shndërrim i identitetit të kompanisë është aktualisht duke u konsideruar si joligjor nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila ka akuzuar Haxhën dhe kryetarin e Bordit të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj se kanë marrë pjesë në falsifikimin e emrit të kësaj kompanie. Kur i është ndërruar emri dhe numri i biznesit, aksionarët aktual të ZMobile, Blerim e Shkëlzen Devolli, kishin arritur një marrëveshje me aksionarin tjetër, Adrian Shatku, që t’i paguajnë atij aksionet. Në disa relacione të shkruara gjatë viteve 2009/2010, përfaqësuesit ligjor të Adrian Shatkut kanë kërcënuar Haxhajn e Gjonbalajn se do të ndërmarrin aksione

kundër të dyve në rast se injorojnë faktin se ish-bashkëpunëtorët e Shatkut, vëllezërit Devolli, nuk paguajnë aksionet ashtu siç ishin marrë vesh me Marrëveshjen e Shitjes së Aksioneve. Shatku ka kërcënuar me një kërkesë ligjore që do t’i kushtojë PTK-së dhjetë milionë euro (10,000,000). Sido që të jetë, më 3 shtator 2009, në evidencat që posedon “Preportr”, thuhet se “Devolli Group” i ka paguar UNIFI-it, gjegjësisht kompanisë amerikane të themeluar nga Adrian Shatku dhe disa të tjerë, 700 mijë euro.

UNIFI kishte vazhduar edhe pas kësaj pagese të kërkonte transfere shtesë nga Devolli dhe kjo shihet në komunikimet e përfaqësuesit të tyre ligjor dhe krerëve

të PTK-së, Gjonbalaj e Haxha. Shatku, madje kishte përdorur edhe Ambasadën Amerikane në Prishtinë për të ndikuar tek krerët e PTK-së në marrjen e masave ndaj Devolli Group, në mënyrë që transferet e dëshiruara të ndodhin. “Keni injoruar vërejtjet e Ambasadës Amerikane” thuhet në një letër dërguar nga përfaqësuesi i UNIFI dhe UNITEL në adresë të Rexhë Gjonbalajt, më datën 28 korrik 2008.

Fshehën të ardhurat

Shërbimi që ofrohet nga Dardafon.net, nën emrin “Z-Mobile”, me kontratë valide ka në dispozicion 200 mijë numra mobil. Ajo po ofron numra që fillojnë 377 45,

njëjtë sikur edhe Vala, me ndryshimin se numrat pasues të Z-mobile fillojnë me 5 apo 6. PTK-ja deri tash ia ka dorëzuar operatorit mobil virtual 150 mijë numra, nga të cilët mbi 120 mijë tashmë janë aktiv, ndërsa nga përqindja e të hyrave të parapara me kontratë, PTK-së gjatë vitit 2010, i kanë takuar afër 550 mijë euro. Me 150 mijë numra shtesë, fitimi i mundshëm i operatorit “Vala” do të ishte shumë më i madh.

Shiko Gazetën #4

Drejtori komercial në “Z Mobile”, Burim Krasniqi, thotë se në bazë të kontratës së nënshkruar, për një vit të operimit të “Z Mobile” në treg, PTK-ja vetëm nga përqindja e ndarjes së të hyrave i ka marrë 548 mijë euro, ndërsa mbi 1.4 milionë euro të tjera i ka fituar nga thirrjet e realizuara nga konsumatorët e Vala-s në “Z Mobile”. Sido që të jetë, ky pretendim bie kur kihet para sysh se ky 1.4 milionë euro do të realizohej me të njëjtin trafik edhe nëse thirrjet nga “Vala” do bëheshin në ndonjë operator tjetër.

Ndonëse nuk heziton t’i bëj publike fitimet e operatorit “Vala” nga “Z Mobile”, Krasniqi nuk i zbulon se sa kanë qenë të hyrat dhe fitimet e “Z Mobile” gjatë vitit të kaluar, me arsyetimin se ende “nuk janë audituar pasqyrat financiare”.

Mirëpo po u bë një kalkulim i thjeshtë del se nëse PTK i ka marrë rreth 548 mijë euro nga vetëm 27% e të hyrave që i takojnë në kontratë, atëherë fitimet e “Z Mobile” kanë qenë afër 1.5 milionë euro nga 73% për qind e të hyrave që i takojnë me kontratë. E nëse llogariten edhe thirrjet e realizuara nga “Z Mobile” në “Vala”, atëherë fitimet e operatorit mobil virtual janë edhe miliona euro të tjera. Kontrata me “Z-Mobile” po konsiderohet e dëmshme edhe nga Prokuroria Speciale, e cila ka ngritur aktakuzë kundër dy drejtuesve kryesorë të saj, sepse sipas prokurorëve, “Kjo kontratë e bën kompaninë ‘Dardafon’ të privilegjuar dhe konkurrente të PTK-së.”. Madje kjo kontratë ia lejon “Z-Mobile” që të konkurrojë në tenderë publik të njëjtë me PTK-në, në të cilat kryesisht del fituese e privilegjuara, pra “Z-Mobile”.

Mungesa e sistemit të faturimit arsyetim për kontratën me Z-Mobile

Në disa tenderë publik, Z-Mobile i ka marrë konsumatorë PTK-së. Një privilegj të tillë nuk e gëzon operatori tjetër virtual “D3 Mobile”. Kontrata e nënshkruar në mes të këtij operatori dhe “IPKO-s” ia ndalon që të ofertojë në tenderë. Kompania “Dardafone.net” që operon me emrin tregtar “Z-Mobile” i ka marrë “Valës” klientë nga institucionet shtetërore.

Doganat e Kosovës në tenderin e datës 26. 08. 2010 për ofrimin e shërbimeve mobile kanë shpallur fitues kompaninë “Z-Mobile” në tenderin publik ku në garë ishin edhe IPKO me PTK-në. Po ashtu edhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm fitues të tenderit e ka shpallur operatorin virtual të PTK-së “Z-Mobile”.

Drejtuesit e PTK-së vazhdojnë ta mbrojnë këtë kontratë të cilën e cilësojnë si të favorshme. Kryeshefi ekzekutiv i PTK-së e pranon se ka humbur në këto tenderë por thotë se “Vala” nuk ka sistem të faturimit dhe për këtë arsye nuk mund të fitojë në këso projektesh. Ai thotë se PTK-ja ka marrëveshje me “Z-Mobile” me anë të një aneks-kontrate që aty ku mund të hyjë kompania publike të fitojë kompania virtuale e jo operatori tjetër, IPKO.

Mungesa e platformës së faturimit nxirret si një arsyetim i vazhdueshëm, nga përfaqësuesit e PTK-së, kur ata pyeten për arsyen e humbjes së tregut. Ata thonë se mungesa e kësaj platforme, i kufizon, sepse PTK-ja, për shërbimin “post-paid” ka një kapacitet faturimi vetëm për 20 mijë klientë.

Një kontratë, për ndërtimin e sistemit të faturimit për PTK-në, e pat fituar kompania angleze “Amdocs”, por qe anuluar nga ish-ministri i Financave, Ahmet Shala,duke e ekspozuar kështu PTK-në ndaj një rasti gjyqësor në Gjykatën e Arbitrazhit në Londër. Drejtori i PTK-së, Shyqyri Haxha, thotë për “Preportr” se deri tani vetëm angazhimi i avokatëve për këtë rast ka arritur shumën prej 300 mijë eurosh.

Platforma në tërësi ka kushtuar 20 milionë euro, dhe është anuluar nga ish-ministri Shala, nën arsyetimin se PTK gjendet në procesin e privatizimit dhe duhet të ndërprejë nvestimet e tilla.

Sido që të jetë, Haxha thotë se në një konferencë të investitorëve në Prishtinë, kërkesa më e shprehur e Telekom Austria ka qenë pikërisht anulimi i disa projekteve, siç është platforma e faturimit.

Mungesa e kësaj platforme, sipas drejtorit të PTK-së Haxha, ka bërë që “Z-Mobile” të jetë “shpëtimi” ndaj konkurrencës. “Ne kemi marrëveshje me ta që vendet ku ne nuk mundemi më i marrë, t’i marrin ata. Kemi marrëveshje. Mbi 95 për qind të konsumatorëve tanë janë pre-pid. Vetëm 5 për qind janë post-paid. Ne nuk kemi kapacitet të bëjmë faturimin. Ai sistem që e kemi ne i mbulon vetëm 20 mijë konsumatorë”, ka thënë Haxha. “Ne e kemi çu në 40 mijë dhe në çdo moment mundemi të kolapsojmë, të bllokohemi”.

“Z-Mobile e ka sistemin e vet të faturimit dhe mund të fitojë tenderë të tillë. Por edhe në këtë rast Z-Mobile investon për PTKnë”, thotë Haxha, i cili duket i kënaqur me mundësinë që Vala të marrë 27% të asaj që deri vonë e merrte të tërën.

Haxha thotë se edhe në këtë mënyrë kontrata është e volitshme për PTK-në. Si shembull përmend kontratën në mes të “D3 Mobile” dhe “IPKO” të cilët pretendon se posedon një kopje të saj. “D3- shi” ka hapësirë për 300 mijë numra. Krejt produktet, çdo detaj ka me ia zhvillu ‘IPKO’. Ajo ka me ia zhvillu. Ne kemi marrëveshje me ‘Z-Mobile’ që konkurrencë të mos i bëjmë njëri-tjetrit. Hymë bashkë. Konsumatorët tanë nuk i merr”, thotë Haxha. Nga çdo minutë thirrjesh e shërbimesh tjera, PTK-ja sipas Haxhës merr 27 për qind. Bile edhe në thirrjet brenda “Z-Mobile”.

“Nuk shkruan në kontratë po na i marrim 27 për qind. Kjo ka arrit deri në 40 për qind. 27 për qindshin ne e marrim çdo herë. Sepse është trafiku jonë dhe regjistrohet trafiku”.

Tregu i lirë i ART-së

Mirëpo këtu nuk përfundojnë privilegjet për Z-mobile. Këtij operatori i mundësohet edhe nga ART të bëjë konkurrencë me uljen. Çmimi për një minutë kohë bisede në rrjetin “Vala” nga ky operator kushton 9 cent, ndërsa një minutë bisedë brenda rrjetit “Z Mobile” dhe drejtë “Vala-s” kushton vetëm 7 cent.       “Z Mobile” i shet më lirë impulset telefonike se PTK, ndonëse të njëjtat i blenë nga operatori virtual. Po ashtu, shumë minuta bonus për konsumatorë

“ Z Mobile” i jep edhe për mbushjet për 5,10 dhe 20 euro, mirëpo këtë mund ta bëjë kompania publike e cila nuk jep asnjë minutë bonus për konsumatorë.

Çdo konsumator i “Z Mobile” që i blenë 5 euro mbushje i fiton automatikisht edhe 8 euro tjera falas, për mbushjen në vlerë prej 10 euro i merr edhe 20 euro falas, ndërsa për mbushjen prej 20 euro i fiton edhe 48 euro bonus. Arsyetimi i zyrtarëve të PTKsë, edhe në këtë rast, është mungesa e sistemit të faturimit.

Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit ka fuqi përcaktuese të çmimeve të telekomunikacionit në treg. Si treg të lirë e konsideron këtë konkurrencë ndërmjet “Z-Mobile” dhe “Valës”. Kontrata ndërmjet “IPKO-s” dhe “D3 Mobile” ndalon konkurrencën nga ana e operatorit virtual. Në një përgjigje më shkrim nga ART-ja, nuk mohohet se në treg ka ofertë më të lirë të “Z-Mobile” sesa ato të “Valës”.

“Vala si një operator i integruar vertikalisht ofron shërbime në tregun me shumicë dhe atë me pakicë. Konkurrenca që Z-Mobile i bën Valës në tregun me pakicë është e drejtë edhe synim i politikave ligjore dhe rregullatore të sektorit”, thotë ART.

ART sikundër edhe shefi i PTK-së, pyetjes se si është e mundur që një operator që blen impulsa nga operatori publik të jetë më i lirë në treg, i përgjigjen me retorikën e “përfitimeve të qytetarit”. “Nga këtu gjenerohet vlera për qytetarin, kur një pjese e surplusit nga operatoret/ofruesit e shërbimit kalon te qytetari për shërbime te njëjta me kualitet te njëjtë”, ka thënë ART-ja. Ata natyrisht nuk besojnë në magji, por thonë se përparësia e përdorimit të teknologjisë së re e bën të mundshme një gjë të tillë. Mirëpo, teknologjia që përdor Z-Mobile, në të vërtet në aspektet kryesore është në pronësi të PTK-së, duke qenë se ajo është përdoruese e rrjetit të “Vala 900”.

“Efektet kryesisht maten nëpërmjet vlerësimit te dobisë që e ka qytetari/konsumatori”, thotë ART, duke iu mënjanuar diskutimit mbi atë se sa dëmtohet PTK me këtë kontratë.

Nga ana tjetër, Valon Basha, zyrtar ligjor në “Z-Mobile”, sikur edhe ART-ja dhe PTK-ja, mendon shumë për qytetarin. ”Përfituesi më i madh i kësaj kontrate është qytetari i Kosovës, i cili për shkak të rritjes së konkurrencës përfiton”. Pasi thotë se këtu përfiton qytetari, Basha shton se “Z-Mobile” po vazhdon të operojë me humbje dhe kjo pritet të shkojë deri në vitin 2015, kur pritet të ketë fitime.“Përfitimet e PTK prej ‘Dardafon. net’ janë te shumëfishta, e që për vitin 2010 janë numra 7 shifror”, ka thënë Basha.

Injorimi i alarmit për kontratën

Kontratën e lidhur në mes të PTK-së dhe “Dardafon.net” e kanë kundërshtuar punonjësit e PTK-së të ngarkuar për vlerësimin e saj. Por këto vlerësime, nuk u morën parasysh nga Bordi i Drejtorëve dhe menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje publike qysh në vitin 2008. Në bazë të kontratës së përpiluar, PTK-së i takojnë vetëm 27 për qind të hyrave nga shitja e shërbimeve nga “Z Mobile”, ndërsa kësaj të fundit i mbeten hiç më pak se 73 për qind.

“Grupi në mënyrë unike konstaton se oferta finale e ‘Dardafone.net’ me përqindje të ndarjes së të hyrave... nuk ka arsyeshmëri strategjike, e aq më pak komerciale për PTK”, thuhej në raportin që e kishin përgatitur ekspertët. Njëri nga ekspertët e PTK-së, i cili në atë kohë ishte kundër nënshkrimit të kontratës, jep arsyet pse nuk e ka përkrahur një kontratë të tillë.

“Kontrata është shumë e pafavorshme për ‘Valën’. Rentabiliteti për këtë të fundit ishte paraparë vetëm nëse përqindja do të ishte 73% në favor të ‘Valës’, ndërsa në bazë të kontratës së nënshkruar nuk mund të flitet për kurrfarë rentabiliteti”, thekson eksperti, i cili preferon të flas në kushte anonimiteti. Sipas këtij eksperti, përpjesëtimi i ndarjes së prezantuar në draft-marrëveshjen për MVNO, gjeneron zvogëlim të konsiderueshëm të të hyrave për ‘Vala’, ndërsa në disa kategori të produkteve gjeneron humbje si: Trafiku ndërkombëtar në shkuarje, kjo duke marrë parasysh çmimin e minutave për njësi.

PTK-së, sipas këtij raportit, kjo kontratë do t’i gjeneronte humbje të pashmangshme, pasi që modeli i përzgjedhur për MVNO nuk obligon operatorin virtual të llogaris të hyrat totale të muajit, por të hyrat e mbledhura, duke përjashtuar borxhet e këqija që do të vijnë si rezultat i mospagesës së faturave nga konsumatorët e MVNO.

Shqetësimi më i madh i ekspertëve është pikërisht për shkak se pagesat e shërbimeve të pranuara nga “Vala”, ku është paraparë që pagesa të ekzekutohet nga “Dardafone” çdo 4 muaj, nuk mund të justifikohet assesi, posaçërisht në rastin e pagesave për konsumatorët me parapagim.

Në asnjë prej neneve të kontratës, që është vetëm në gjuhën angleze e nënshkruar nga shqiptarë, në mes të PTK-së dhe operatorit virtual Dardafone.net, nuk është specifikuar pragu i cili do të ndalonte operatorin virtual të operonte me oferta më të lira sesa PTK-ja. Kjo për ekspertët është gabimi më i madh që po i kushton kompanisë publike.

PTK-ja po ashtu kishte bërë gabimin në hapa, kur bënte plane t’ia shiste kapacitetet një operatori tjetër, ndonëse ky operator që është në duar të privatëve synonte tregun e njëjtë. Për këtë kanë dhënë vërejtje edhe ekspertët ndërkombëtarë në lidhje me marrëveshjet për operator mobil virtual. Sipas ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët janë cituar në këtë raport, nuk paraqet zgjuarsi për një operator shitja e kapaciteteve një operatori tjetër, nëse ky i fundit ka për synim tregun e njëjtë, apo segmentimin e njëjtë të tregut. Ata rekomandonin që qasje strategjike më e mirë do të ishte sikur PTK-ja të shfrytëzonte operatorin virtual për të ofruar shërbime, të cilat operatori nuk i konsideron shërbime të dorës së parë.

E mbrojnë kontratën

Kryeshefi i PTK-së, kurrsesi nuk pajtohet që PTK-ja ka humbje. Përkundrazi ajo po shënon rritje. Sipas tij, nuk ka asnjë shenjë që ka humbje. Bile kjo rritje po ndodh edhe për shkak të operimit të MVNO-së. Haxha mbrohet në procesin gjyqësor duke thënë se kontrata ishte bërë nga Bordi para se ai të vijë në PTK, por bie në kontradiktë kur thotë se kontratën me “Dardafon.net” e kanë kundërshtuar njerëz që kanë pasur synim të hyjnë vetë në treg.

Për këtë akuzon ish-kryetarin e Bordit të PTK-së, Ilir Salihun, ish-shefin se sektorit të çështjeve ekonomike në ICO, Andrea Capusellën dhe ish-kryeshefin e PTKsë, Etrur Rrustemin se kanë punuar në mënyrë intensive që ta marrin vetë këtë treg. “Plani tjetër është që Tibor Kartik (këshilltari i qeverisë për privatizimin e PTK-së v.j.) ka konkurruar dhe ka dashtë me marrë po nuk kanë mundur. Ky është një aversion i kompanive të huaja, që ata të vijnë dhe ta marrin yndyrën dhe paranë e popullit tonë këtu”.

Sipas Haxhës, asnjë prej 150 mijë konsumatorëve që ka “Z-Mobile”, nuk janë konsumatorë të ikur nga “Vala”, por konsumatorë të rinj të një tregu që ka qenë i zbrazët.

Madje, zyrtarë në PTK, tregojnë për Preportr që në takimin e parë, në mes PTKsë dhe Këshilltarit të Transaksionit për privatizimin e PTK-së, Tibor Kartik nga Telco AG, nga ky është kërkuar të dihet se cilat janë kushtet dhe mundësitë e shkëputjes së kontratës në mes PTK-së dhe Dardafone.net, përkatësisht Z-mobile. “Në takimin e parë që kemi pasur me Këshilltarin e Transaksionit, nga ai është kërkuar të dihet se cilat janë mundësit e shkëputjes së kontratës me Zmobile”, thotë për Preportr ky zyrtar i PTK-së.

Por ish-kryeshefi i PTK-së, Etrur Rrustemi, nuk dëshiron të merret me Haxhën. Ai thotë se dëmshmëria e kontratës nuk do koment por është e dokumentuar sepse është dashur që 70 për qind të jetë në favor të “Valës”.

Pika më e keqe e kësaj kontrate sipas tij është raporti i ndarjes se fitimit, lejimi i paketave konkurruese në vetë PTK-në dhe mashtrimet që “paskan pas ndodhë me ndërrimin e firmave”.

Paraardhësi i Haxhës nuk e kishte nënshkruar kontratën

Sabahudin Ramaxhiku i cili ushtronte detyrën e Kryeshefit Ekzekutiv, ishte i ngarkuar nga Bordi i PTK-së që të nënshkruante kontratën për operator virtual. Ai kishte refuzuar ta bënte këtë në mënyrë që të mos prishë obligimet e mirëbesimit ndaj PTK-së. Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Devolli i kishte bërë një vizitë Ramaxhikut për t’u interesuar rreth arsyeve pse marrëveshja nuk ishte nënshkruar ende. Ramaxhiku i kishte thënë Blerim

Devollit se nuk ishte i kënaqur me marrëveshjen dhe se nuk do ta nënshkruante. Gjatë kësaj kohe PTK-ja kishte shpallur konkurs për pozitën e kryeshefit.

Nuk e pranojnë Z-mobile

Blerësit potencial të PTK-së, kanë thënë që ose të prishet kontrata e nënshkruar me Zmobile ose përndryshe me kushtet që i ka kjo kontratë nuk është pajtuar asnjëri prej tyre. Kështu ka bërë me dije burimi brenda Ministrisë së Zhvillimit Ekonomi. Ky burim ka sqaruar se është duke u shqyrtuar mundësia me këshilltarët ligjorë se çfarë të bëjnë me këtë Kontratë. “Kur po i shohin detajet e kontratës nuk ka gjasa që të pajtohen me të. Kanë kërkuar që nëse nuk lejohet prishja e kontratës, të paktën të ndryshohet aneksi ku flitet për ndarjen e fitimit”.

“Nuk ka asnjë mundësi që të pranohet kontrata e tillë me 70 % fitim Z-mobile e 30 % PTK-ja, ai që privatizon PTK-në, s’do ta pranojë këtë Kontratë, përderisa të kthehet përqindja e fitimit anasjelltas”, ka bërë me dije burimi brenda Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.