English
Scroll top

VALA nuk është e Kosovës

Privatizimi i 75 % të aksioneve të PTK-së u shoqërua me shpërfillje të Kuvendit të Kosovës nga ana e Qeverisë Thaçi II, shkelje të kritereve të paracaktuara nga vetë Qeveria dhe shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik. Derisa Qeveria ende po e mban sekret kapitalin e kompanisë që doli fituese në këtë proces të kontestuar, “VALA më nuk është e Kosovës”

29 Tetor 2012

VALA më nuk është e Kosovës. Ajo është në pronësi të “Axos Group”, nga Gjermania në konzorcium me “Najafi Companies”.  I nisur që në mars të viti 2011, procesi i privatizimit të 75 % të aksioneve të Postë Telekomit të Kosovës (PTK), u shoqërua me shpërfillje të Kuvendit të Kosovës nga ana e Qeverisë Thaçi II,  shkelje të kritereve të paracaktuara nga vetë Qeveria dhe shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik.

Kjo pasi që, edhe pse Ligji për Ndërmarrjet Publike, në bazë të të cilit është udhëhequr procesi  në fjalë,  e kërkon tekstualisht që proceset e tilla të kalojnë me një vendim të Kuvendit të Kosovës.  Deri më tash dihet që i vetmi akt ligjor për këtë proces i kaluar nëpërmjet këtij institucioni ka qenë neni 4 i Ligjit të Buxhetit të viti 2011 i cili ka 2 probleme: është kontrabanduar ( sipas deputetëve të opozitës)dhe nuk vlen për vitet 2012 dhe 2013 (pasi që Ligji i buxhetit vlen vetëm për vitin fiskal për të cilin është miratuar).

Për më shumë, kriteret për kompaninë lidere të konzorciumit që do të privatizonte 75% të aksioneve ishin shumë të lidhura me investimet dhe përvojën paraprake të kompanisë  në fushën e telekomunikacionit. “Axos Group”, që është lider i konzorciumit fitues në këtë rast është vetëm një fond investiv dhe jo kompani  me përvojë në telekomunikacion.

Dhe mbi të gjitha, sipas Ligjit  për Ndërmarrjet Publike, Ligji i Prokurimit Publik (LPP)  është kryesori mbi të cilin ka vazhduar procesi i privatizimit të 75%të aksioneve të PTK-së.  Ky ligj ndalon modifikimin e konzorciumeve pas dorëzimit të tenderit, por megjithëkëtë ndalesë,  gjatë këtij procesi ka pasur tërheqje të kompanive në garë, ri-futje te disave në të dhe ri-grupime.

Historiku i një neni për të cilin kapet një Qeveri

Ishte fundi i shtatorit të vitit 2010 dhe presidenti Fatmir Sejdiu dha dorëheqjen pas një vendimi paraprak të Gjykatës Kushtetuese që e vuloste atë si shkelës të Kushtetutës . Faji i tij ishte që mbajti në të njëjtën kohë edhe pozitën e kreut të shtetit dhe atë të kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ani pse këtë të fundit e kishte mbajtur të ngrirë. Kjo qe e mjaftueshme që vendi të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi që LDK-ja kishte tërhequr ministrat e saj nga Qeveria Thaçi I e krijuar në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës. Lideri i PDK-së, kryeministri Hashim Thaçi do ta quante këtë veprim si dezertim nga institucionet.

Zgjedhjet, pos nga braktisja e ministrive nga njerëzit e LDK-së u mundësua edhe nga votëbesimi i Qeverisë Thaçi I, i nisur nga Aleanca Kosova e Re (AKR) e Behgjet Pacollit që do të bëhej partneri i ardhshme qeveritar i PDK-së dhe i votuar me shumicë  nga vetë partia e Thaçit.

Shpërndarja e Kuvendit dhe  zgjedhjet e jashtëzakonshme  të mbajtura në dimër do të linin vendin pa Ligjin e Buxhetit për vitin fiskal 2011 deri në prill të atij viti.

Ligji i Buxhetit i vitit 2011 do të miratohej më 31 mars 2011, pas shumë akuzash të Qeverisë Thaçi II se opozita po i linte pa paga nëpunësit publik. Kjo do të bënte që  Ligji i Buxhetit, që normalisht do të duhej të miratohej në fund të vitit 2010, të miratohej në fund të muajit të tretë të vitit 2011 më për ngutë.

Në këtë ligji, siç e thonë edhe tash partitë opozitare, u kontrabandua një nen, për privatizimin e PTK-së.

“Neni 4: Vendimi për Privatizim me Ndikim Fiskal:

Vendimi i Qeverisë nr.02/03 i dt. 9 mars 2011, për privatizimin e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës, Sh.A., i cili i është bashkangjitur këtij Ligji si Aneks, konsiderohet i miratuar nga Kuvendi nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Ky miratim e plotëson kërkesën për miratim nga Kuvendi të përcaktuar me nenin 9.1 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike.”, neni 4 i Ligjit për Buxhetin e vitit 2011.

Vlefshmëria e këtij ligji të hyrë në fuqi në fund të marsit të vitit 2011 skadoi më 31 dhjetor të atij viti. Në dy ligjet e mëvonshme të buxhetit, në atë të vitit 2012 dhe atë të vitit 2013 më nuk do të futej ky nen.

Deri më tani e vetmja bazë ligjore e quar nëpërmjet Kuvendit të Kosovës në lidhje me këtë proces është neni i lartëpërmendur, i cili vazhdon të konsiderohet si i kontrabanduar, megjithëse Ligji për Ndërmarrjet Publike, mbi bazën e të cilit është proceduar privatizimi i PTK-së kërkon tekstualisht një vendim  të Kuvendit.

“9.1 Aksionet në një NP Qendrore mund të shiten lirisht nëse Qeveria miraton një vendim me shkrim me të cilin autorizohet një Komision Qeveritar për Privatizim për të vazhduar me tenderimin dhe shitjen e aksioneve, me kusht që ky vendim të miratohet me shumicë të thjeshtë votash nga Kuvendi i Kosovës. Pas miratimit të këtij vendimi nga Qeveria dhe Kuvendi, Komisioni Qeveritar për Privatizim është i autorizuar të kryejë një tender dhe t’i shesë aksionet në fjalë”, neni 9 i Ligjit për Ndërmarrjet Publike.

Megjithëkëtë, ministri  i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, dikasteri i të cilit bart barrën për këtë proces, deklaroi  në seancën e fundit të rregullt të Kuvendit të Kosovës (18 prill 2013) se ky institucion e ka miratuar këtë proces të privatizimit, duke përmendur ligjet e buxhetit nëpër vite dhe diskutimet e ndryshme të organizuara me temë ekonominë. Por, Beqaj nuk ishte i gatshëm t’i përgjigjej konkretisht pyetjes së kryeparlamentarit të Kosovës, Jakup Krasniqi në pyetjen e tij: “Na tregoni saktë cili vendim i Kuvendit të Kosovës miraton procesin e privatizimit të PTK-së? Na e thuani saktë me datë kur është marr ai?”

Diskutimi në mes të Beqajt  dhe Krasniqit dhe Beqajt dhe të tjerëve vazhdoi edhe për një kohë, por çuditërisht ministri në fjalë nuk arriti të përmend saktë se cili ka qenë vendimi i Kuvendit të Kosovës që lejoi këtë proces të shkonte tutje, ashtu siç e kërkon Ligji për Ndërmarrjet Publike mbi bazën e të cilit është zhvilluar krejt procedura.

Qeveria nuk ka pasur përgjigje as për Qendrën Kosovare për Gazetari Hulumtuese, në pyetjet që i kemi drejtuar për këtë çështje.

A i përmbush kriteret “Axos Group”?

Bartësja e procesit të privatizimit të PTK-së, MZHE-ja ka publikuar në ueb-faqen  e saj kriteret e parakualifikimit për kompanitë e interesuara për këtë garë. Aty kërkohen një sërë kriteresh obligative për liderin e konzorciumit që do të privatizojë PTK-në.

Më i lehti nga këto kritere kërkon që kompania lider i konzorciumit në shtatë vitet e fundit të ketë ngritur në fushën  e saj së paku 250 milionë euro fonde.

Aty kërkohet që kompania lider e konzorciumit, si në këtë rast “Axos Group”, të dëshmojë se ka teknikë dhe financa që dëshmojnë se ajo ka qenë ofrues i shërbimeve të telekomunikacionit, në veçanti atyre të telefonisë mobile;  që në tri vitet e fundit, në auditimet financiare rezultati t’i dalë që ka pasur të ardhura mesatare vjetore, por kanë burim ofrimin e shërbimeve të telekomunikacionit në vlerë prej 300 milionë eurosh;  ose që në vitin 2012 të ketë pasur nën menaxhim asete në vlerë  prej 750 milionë eurosh.

Për liderin e kompanisë që do të privatizonte PTK-në, MZHE-ja kishte kërkuar, që ajo kompani , e që në këtë rast është “Axos Group”, të jetë aksionare e më së paku 20 % të aksioneve në një kompani telekomunkiakcioni diku në botë, kompani kjo që duhet  të ketë mesatarisht 300 milionë euro qarkullim.

Kjo kërkesë mund të pranohej edhe ndryshe, në disa raste edhe me 10 % të aksioneve, por që ato aksione kompania lider, t’i kishte në ndonjë kompani të telekomunikacionit që kanë qarkullim mesatar financiar prej 500 milionë eurosh në vit.

Preportr, ka bërë pyetje dhe kërkesë në MZHE që të shoh faktet që ka ofruar lideri i konzorciumit fitues , “Axos Group”, të cilat dëshmojnë se kjo kompani  tashmë e shpallur fituese edhe me vendim të Qeverisë Thaçi II, i përmbush ato, por nuk kemi marrë përgjigje.

Dyshime nëse ato janë përmbushur ose jo ka ngritur partia opozitare, Vetëvendosje!, e cila i ka publikuar edhe dokumente të nxjerra në regjistrat shtetëror gjerman të bizneseve.

Sipas kësaj partie, mbi “Axos Group”,  bien një serë dyshimesh nëse ajo përmbush kriteret e parakualifikimit;

1. Nuk është e listuar në "Bloomberg", aty ku dhe janë të listuara të gjitha kompanitë e njohura në fushën e telekomunikacioneve;

2.  Ka vetëm një pronar, asnjë të nënkontraktuar;

3. Drejtori ekzekutiv Jan Georg Budden ka qenë në sektorin e telekomunikacionit që nga 1995;

4. Selia e kësaj kompanie e publikuar në ueb-faqen zyrtare është një shtëpi banimi, aspak e ngjashme me selinë e një kompanie serioze telekomunikacioni apo të ngjashme;

5. Përshkrimi i kompanisë është shumë i mjegullt, duke qenë se përmenden miliarda si qarkullim por, asnjë klientë apo projekt konkret. Po ashtu ky qarkullim i shifrave miliardëshe nuk korrespondon me deklaratat financiare zyrtare në të cilat thuhet se kompania ka qarkulluar vetëm disa mijëra euro;

6. Ndërkohë dokumentet e gjetura në Gjykatë, në Gjermani në lidhje me këtë kompani tregojnë një fakt tjetër, regjistrimin e saj në korrik të vitit 2012 me kapital fillestar 25 mijë euro;

7. Kompania është shumë e re dhe  është krejtësisht e palogjikshme që të ketë menaxhuar 4 miliardë dollarë siç pretendohet në faqen e tyre te internetit. Kjo dëshmon se sa joseriozë janë përfaqësuesit e kompanisë. Indikativ është po ashtu fakti që një kompani që pretendon se menaxhon fonde prej 4 miliardë euro është regjistruar vetëm me kapital fillestar prej 25.000 Euro;

8. Në bazë të të dhënave të bilancit del se fitimi neto i kompanisë në vitin 2011 ka qenë vetëm 2 mijë e 5 qind euro;

9. Në vitin 2008, “Axos Group” është përjashtuar nga blerja e Kirgiztelekom dhe po atë vit është tërhequr nga investimi në Telekom Slovenije;

10. Në 2009-tën ka dështuar që të blejë aksione në AMC, Shqipëri;

11. Edhe “Najafi Companies” LLC, pra kompania tjetër edhe pse duket të jetë të paktën më serioze se drejtuesja e konsorciumit Axos Capital Partners, gjithsesi mbart të njëjtin problem, pra është fond investiv. Kompani të tilla blejnë aksione dhe gjithë fitimin e tyre e kanë të bazuar në rishitjen e këtyre aksioneve pjesë - pjesë.

Shkelja e Ligjit të Prokurimit në privatizimin e PTK-së

Qeveria e Kosovës më 2 mars të vitit 2011 mori vendim për nisjen edhe të një procesi të dytë, pas dështimit të atij të parit, për privatizimin e 75 % të aksioneve të PTK-së.

Vendimi është marrë në bazë të nenit 9.2 të Ligjit për Ndërmarrje Publike. Te pika 9.4 thuhet se “Kushtet e kësaj procedure do të përgatiten nga komisioni përkatës për privatizim, i cili duhet – së paku – të sigurojë që tenderimi dhe shitja e këtyre aksioneve të jetë në përputhje me kushtet procedurale të parapara në Ligjin për Procedurën e Dhënies së Koncesioneve”.

Ligji për Procedurën e Dhënies së Koncesioneve parasheh që procedurat të kryhen nëpërmjet procedurave që rregullon Ligji i Prokurimit Publik (LPP), dhe kjo thuhet qartë që në nenin e dytë:

“Neni 2 : Fushëveprimi - 2.1. Procedurat për dhënien e kontratës së koncesionit, përmbajtja e kontratës së  koncesionit si dhe çështjet e ndërlidhura rregullohen me këtë ligj. Për çështjet që nuk  përfshihen nga ky ligj zbatohen dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik mbi Kontratën Punë me Koncesion”

Pastaj, neni  5: “5.2. Ftesa për pjesëmarrje në procedurën e para-seleksionimit publikohet në pajtim me dispozitat përkatëse të ligjit për prokurim publik”.

Edhe shpallja publike thuhet se duhet të bëhet në bazë të LPP-së:

“Neni 25  Shpallja publike e dhënies së kontratës . Me përjashtim të kontratave të koncesionit të dhëna sipas nenit 18 (c), Autoriteti  Kontraktues shpall publikisht dhënien e kontratës në pajtim me dispozitat përkatëse të  ligjit për prokurimin publik. Shpallja duhet ta identifikojë koncesionarin dhe ta japë një  përmbledhje të elementeve kryesore të kontratës së koncesionit”.

Njëjtë, edhe procedurat e seleksionimit rregullohen me LPP-në:

“Neni 26  Dokumentimi i procedurës së seleksionimit dhe të dhënies së kontratës . Autoriteti Kontraktues ka për detyrë të mbajë të dokumentuara informatat që kanë të  bëjnë me procedurat e seleksionimit dhe të dhënies së kontratës në pajtim me dispozitat  përkatëse të ligjit për prokurimin publik”.

Gjatë këtij procesi ka pasur tërheqje të kompanive në garë, ri-futje te disave në të dhe ri-grupime. Kështu, nga gara kemi parë të tërhiqen korporata të fuqishme si: Telekom Austria, Hrvatski Telekom (Deutche Telekom), Çalik Group, Turkcell, Albright Capital Management, Columbia Capital etj.

Çuditërisht, Columbia Capital deri më 4 mars 2013 ka qenë lider në konzorcium me “Axos Capital Gmbh”, që tashmë edhe me vendim të Qeverisë së Kosovës është aksionare e 75 % të aksioneve të PTK-së.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik njoftonte se Komiteti Privatizues më 24 janar kishte marrë mendimin e këshilltarit të transaksionit dhe atij strategjik se Axos plotësonte kushtet për të qenë lider konzorciumi dhe se Najafi Companies mund të bashkohej në konzorcium në vend të Columbia Capitals e cila ishte tërhequr. Komiteti kishte pranuar këto ndryshime më 4 mars.

Preportr i është drejtuar me kërkesë/pyetje për interpretim të përgjithshëm, Komisionit Rregullativ të Prokurimti Publik (KRPP).

Përgjigja e këtij institucioni, të thirrur për interpretim të LPP-së, bënë me dije se ky ligj ndalon modifikimin e konzorciumeve pas dorëzimit të tenderit.