Turpi mbi trupin

E drejta për abort në Kosovë është e garantuar me ligj. Pavarësisht këtij rregullimi ligjor, ndërprerja e shtatzënisë në shoqërinë kosovare ende lidhet me moralin dhe nderin e gruas. Duke pasur parasysh perceptimin e shoqërisë mbi abortin, gratë hezitojnë të shkojnë në institucione publike. Nga frika prej përjashtimit shoqëror ato zgjedhin mënyra të tjera për të abortuar të cilat nuk janë aspak të sigurta. Numri më i madh i aborteve realizohet në klinika private të palicencuara. Ministria e Shëndetësisë nuk ka...

Prishtinë, 11 Maj 2016

"Cila është në radhë me e hekë fëmijën? Hajde!", urdhëroi infermierja e cila tërhoqi vëmendjen e të gjithëve në korridorin e Klinikës Gjinekologjike - Obstetrike. Gruaja që po priste në radhë për të ndërprerë shtatzëninë u ngritë kokulur pa bërë zë, sikur donte të bëhej e padukshme në mesin e njerëzve që e shikonin me plotë vëmendje.

Ata pak minuta sa zgjati intervenimi nuk u ndalen bisedat në korridor. Heshtja zuri prapë, e shikimet u përqendruan, kur ajo doli nga salla dhe bashkë me burrin u larguan.

Salla numër 18 e Klinikës Gjinekologjike - Obstetrike është një dhomë shumë e vogël që i ngjanë zyrës së zakonshme. Në skaj të saj gjendet një shtrat ku kryhen abortet. Dhomën në dysh e ndanë perdja në të cilën janë të vendosura fotografi të mëdha me mbishkrimet "Aborti është krim i bërë me vet duart e nënës" dhe "Vendi më i mirë për rritjen e foshnjës tuaj është brenda jush".

Sadije Preniqi-Breznica, kryeinfermiere e repartit për Planifikim Familjar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë për Preportr se kur gratë kërkojnë të kryejnë abort, ajo mundohet me çdo kusht t'i bindë ato që ta mbajnë fëmijën. "Si me e mbytë një fëmijë që e ke në shtëpi, si me abortu, njëjtë është", ka thënë ajo.

Fotografitë me mesazhe gjykuese, ligjëratat mbi moralin dhe virtytet e amësisë, nuk ka dashur t'i komentojë drejtoresha e kësaj klinike, Myrvete Paçarada. Sipas saj mjekët vetëm i njoftojnë pacientët mbi peshën e intervenimit dhe komplikimet potenciale anësore.

Kjo fotografi është e vendosur në sallën e aborteve në QKUK

Sipas punonjësve të kësaj klinike mosha e grave që kryejnë aborte në QKUK është 20 deri në 35 vjeçare dhe shumica e tyre janë të martuara. Raste shumë të rralla janë ato kur vajzat e reja  kërkojnë abort në klinikë publike.

"Është e natyrshme që femrat nuk dojnë të ekspozohen në vendet ku dikush mundet me i njoftë dhe më lehtë i drejtohen institucioneve private për shumë shërbime mjekësore", ka thënë Paçarada.

Pavarësisht që raportet flasin për shifra alarmante të abortit, në institucionin publik realizohet një numër i vogël i tyre. Sipas të dhënave që ka siguruar Preportr, në QKUK realizohen mesatarisht  100 aborte në vit.

Jakup Ismaili, shef i zyrës së pranimit për planifikim familjar thotë se në këtë klinikë realizohen aborte vetëm në përputhje me ligjin. Kjo bëhet në rastet kur komisioni shëndetësor vërteton se duhet të ndërprehet një shtatzëni për arsye shëndetësore të nënës ose fetusit dhe kur gruaja vendos vet për ndërprerjen e shtatzënisë gjë e cila parashihet me ligj.

Edhe pse është institucion publik, gratë për të abortuar duhet të paguajnë një shifër të caktuar të hollash. Nëse aborti realizohet me anestezion lokal çmimi që paguhet është 40 euro, ndërsa 50 euro me anestezion total. Nga pagesa lirohen vetëm ato gra që kanë asistencë sociale.

"Roli i shtetit është që të mbikëqyrë dhe të monitorojë klinikat publike e private për të siguruar shëndetin e gruas. Në Kosovë e kemi ligjin që e lejon abortin por prapë se prapë ekziston perceptimi për atë se çka është e moralshme e çka jo. Unë mendoj që institucionet duhet me gjetë mënyra ku emri i gruas që kryen abort nuk përmendet publikisht sepse ajo mund të stigmatizohet", ka thënë Eli Gashi, feministe.

Vendimi për të ndërprerë shtatzëninë në QKUK, për shumicën e grave del të jetë shumë i vështirë. Duke qenë në dijeni që aborti në shoqërinë tonë ende shihet si intervenim i turpshëm, gratë hezitojnë të shkojnë në një institucion ku salla e abortit ndodhet në mes të korridorit më të frekuentuar të Klinikës, të dhënat personale të grave nuk janë të sigurta, mjekët kanë qasje moraliste mbi abortin dhe atmosfera ku bëhet intervenimi përmban mesazhe gjykuese deri në atë masë sa aborti konsiderohet si krim.

Çmimet në klinikat e ligjshme u hapin rrugë ambulancave ilegale

Konfidencialiteti është prioritet sidomos për vajzat e reja që kryejnë abort. Sipas gjinekologëve që morën pjesë në një studim të UNFPA-së mbi planifikimin familjar, konfidencialiteti nuk mund të sigurohet në klinikat publike.

"Gjasat që pacientët të njihen me njëri tjetrin janë shumë të mëdha sepse të gjitha qytetet e Kosovës janë relativisht të vogla. Si rezultat, femrat e pamartuara preferojnë të kenë abort në klinika private ose edhe më e preferueshme është ta bëjnë atë në qytet tjetër ose jashtë Kosovës", thuhet në raport.

Për t’iu shmangur paragjykimeve e përjashtimeve shoqërore, gratë në Kosovë detyrohen të rrezikojnë shëndetin e tyre duke kryer aborte ne klinika private të palicencuara dhe në ambiente pa kushte adekuate. Sipas raportit mbi Shëndetin dhe Kujdesin Shëndetësor në Kosovë (Ministria e Shëndetësisë, 2004) ka raportime të pa dokumentuara që klinikat private të palicencuara bëjnë aborte madje edhe pas kohës që e përcakton ligji.

Sipas njohësve të fushës së gjinekologjisë aborti në klinika të vogla e që nuk i plotësojnë kushtet minimale është shumë i rrezikshëm për shëndetin e gruas.

Preportr ka identifikuar të gjitha klinikat shëndetësore që janë të licencuara për të kryer shërbime gjinekologjike. Nga 122 klinika gjinekologjike private që gjenden në Kosovë, vetëm pesë prej tyre kanë licencë për të ushtruar veprimtarinë e ndërprerjes së shtatzënisë.

Shiko Gazetën #17

Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë, ka thënë se të drejtë për të kryer abort kanë vetëm institucionet terciare dhe sekondare që i bie vetëm spitalet e mëdha gjinekologjike.

"Ligji nuk e  përcakton që nuk kanë të drejtë ambulancat të kryejnë këtë veprimtari por Ministria kur ua jep licencat për veprimtari gjinekologjike këtyre ambulancave, ua bën të qartë se nuk i plotësojnë kushtet për të kryer abort", ka thënë Hoti.

Për të marrë këtë licencë klinikat duhet të përmbushin disa kritere teknike dhe profesionale të parapara me udhëzimet administrative në fuqi. Si kushte kryesore përmenden personeli i licencuar, hapësira, inventari dhe pajisjet e veçanta mjekësore të parapara me udhëzimin administrativ UA 06/2015.

Preportr ka vizituar dy nga pesë spitalet që plotësojnë kushtet e përcaktuara me ligj për ndërprerjen e shtatzënisë. Aty thonë se numri i grave që kërkojnë aborte artificiale është simbolik.

Në spitalin e licencuar "Bahçeci" aborte të qëllimshme kryejnë rreth katër gra në muaj.

Në Klinikën Amerikane numri i aborteve është shumë i vogël. Sipas gjinekologut të kësaj klinike Behar Kursani, aty kryhen rreth dy aborte në vit.

Unë personalisht nuk merrem me vajzat që kërkojnë abort por që nuk janë bashkë me partnerin pavarësisht se i kanë 18 vjet. Ua kërkoj pëlqimin e prindërve sepse mua më duhet një dëshmi që ajo është në familje të rregullt

Edibe Hoda Borovci

Në të dy spitalet çmimi për këtë intervenim është i lartë sidomos nëse e krahasojmë me gjendjen e rëndë ekonomike të grave në Kosovë. Mjekët që punojnë aty thonë që ky është një ndër faktorët më të rëndësishëm që gratë nuk i zgjedhin këto spitale për të ndërprerë shtatzëninë. Shumica e pacienteve janë gra që kanë sigurim shëndetësor dhe gjendje të mirë ekonomike. Andaj, shëndeti i grave të varfra e të papuna mbetet i rrezikuar.

Spitalet e licencuara e kanë për obligim të ruajnë historikun e identiteteve të grave që trajtohen aty, të gjitha këto të dhëna mund të jenë të qasshme për Ministrinë e Shëndetësisë. Kjo është arsyeja tjetër që i shtynë gratë të mos abortojnë në këto spitale.

Përveç çmimeve të papërballueshme në këto klinika po ashtu ka një qasje moraliste ndaj abortit i cili për ta ka kuptim vetëm përbrenda familjes tradicionale “të rregullt”.

"Unë personalisht nuk merrem me vajzat që kërkojnë abort por që nuk janë bashkë me partnerin pavarësisht se i kanë 18 vjet. Ua kërkoj pëlqimin e prindërve sepse mua më duhet një dëshmi që ajo është në familje të rregullt", ka thënë Edibe Hoda - Borovci.

Ndërsa gjinekologu Behar Kursani thotë se në klinikën ku punon ai ekziston njëfarë indikacioni moral kur është fjala për ndërprerjen e shtatzënisë dhe për këtë arsye i pranojnë vetëm çiftet e martuara.

Institucionet përgjegjëse pa të dhëna

Ndonëse flitet për numër të madh abortesh ilegale, Inspektorati i Ministrisë së Shëndetësisë i cili është i thirrur që të bëjë monitorimin e klinikave private nuk ka bërë asnjëherë ndonjë raport që tregon për numrin e aborteve dhe kushteve në të cilat bëhen këto aborte.

Madje institucionet shëndetësore nuk mbledhin as të dhënat nga këto klinika duke pamundësuar kështu çfarëdo lloj analize apo qasje reale mbi numrin e grave që kryejnë abort në Kosovë.

"Inspektoriati Shëndetësor nuk ka kryer ndonjë monitorim tematik të veçantë lidhur me abortet. Inspektoriati ndër të tjera kryen inspektimin kur pranon ndonjë ankesë nga pacientë apo familjarë të tyre, por deri më sot gjatë inspektimeve nuk është vërejt një rast i tillë", ka thënë Shaban Osmani, inspektor shëndetësor.

Inspektoriati Shëndetësor nuk ka kryer ndonjë monitorim tematik të veçantë lidhur me abortet”

Shaban Osmani, inspektor shëndetësor

Ani pse Osmani e ka pranuar se kanë informacione jo zyrtare që kryhen aborte nga klinika të palicencuara, kjo nuk e ka shtyrë këtë institucion përgjegjës të kryej inspektime në këtë drejtim.

Madje Inspektoriati Shëndetësor nuk posedon asnjë shifër sa aborte janë realizuar në këto klinika. "Në bazë të informacioneve që kam unë nuk ka shifra sepse sigurisht që ju ikin atyre gjërave sepse është temë e ndjeshme", ka thënë Osmani.

Sipas një raporti të UNFPA-së në vitin 2009, Kosova ka pasur një shkallë abortesh prej 480 aborte për 1000 lindje të gjalla që është shifër më e madhe se shumica e vendeve në rajon.

Edhe në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës thuhet se "8% të femrave të moshës 15-49 vjeçare kanë pasur së paku një abort të qëllimshëm dhe pothuajse një e pesta (17%) e atyre të moshës 45-49 vjeçare. Në mesin e femrave që kanë pasur aborte, 71% e tyre kanë pasur një abort derisa 25%  kanë pasur dy apo tri aborte, dhe 4%  kanë pasur katër e më shumë aborte".

Tabletat për abort shiten pa recetë

Gjykimi i abortit si intervenim i pamoralshëm nuk ka ndikuar që gratë të mos e aplikojnë atë, vetëm se ato kanë zgjedhur forma më të fshehta të abortimit. Klinikat private, qofshin ato me licencë apo jo, nuk janë zgjidhje për të gjitha gratë. Disa e kanë problem çmimin e disa të tjera nuk duan të shkojnë te mjeku për arsye të ndryshme. Shumë gra, e sidomos vajza të reja, po zgjedhin metoda të ndryshme për të kryer abort në ambiente shtëpie dhe pa ndihmën e mjekëve.

Abortet në kushte shtëpie që kryesisht janë shkaktuar nga përdorimi i të ashtuquajturave ilaçe popullore, si pirja e çajrave me përbërje të veçanta, kërcimi nga shkallët, vrapimi, mbajtja e peshave të rënda, të shqelmuarit e abdomenit etj., jo rrallë herë kanë sjellë fund fatal për gratë.

Sot këto lloj aborte janë në rënie duke pasur parasysh që në treg gjenden tableta që kanë efekt shumë më të shpejtë dhe kushtojnë fare lirë.

Tabletat Misopostrol që shkaktojnë abort, shiten jashtëligjshëm dhe mund të blihen fare lehtë pa recetë të mjekut në barnatoret që gjenden në qendër të Prishtinës. Kjo tabletë shkakton kontraksionet e mitrës dhe si pasojë vjen deri te eliminimi i frytit. Me vetëm 0.50-0.80 euro gratë mund të blejnë këtë tabletë pa pasur asnjë rekomandim mjekësor dhe mund të realizojnë abort në ambiente shtëpie. Kjo u dokumentua nga ekipi i Preportr gjatë hulumtimit në terren. Në barnatoren e parë, farmacistja e dha me lehtësi këtë tabletë pa pyetur fare për recetë mjekësore. Ajo tregoi se tableta shkakton abort dhe për këtë funksion e kërkojnë njerëzit.

I njëjti medikament pa recetë mjekësore është blerë edhe në barnatoren e dytë.

Në barnatoren e tretë, farmacistja  refuzoi ta shesë tabletën pa recetë mjekësore duke thënë se është e rrezikshme. "Nuk e japim pa raport të mjekut, se Zoti na ruajt me ju lëshu gjakderdhje na nuk japim përgjegjësi", u shpreh ajo.

play

Tabletat Misopostrol që shkaktojnë abort, shiten jashtëligjshëm dhe mund të blihen fare lehtë pa recetë të mjekut në barnatoret që gjenden në qendër të Prishtinës. Kjo tabletë shkakton kontraksionet e mitrës dhe si pasojë vjen deri te eliminimi i frytit. Me vetëm 0.50-0.80 euro gratë mund të blejnë këtë tabletë pa pasur asnjë rekomandim mjekësor dhe mund të realizojnë abort në ambiente shtëpie. Kjo u dokumentua nga ekipi i Preportr gjatë hulumtimit në terren.

Përgjithësisht, mënyra e kryerjes së abortit me Misopostrol mund të bëhet deri në javën e nëntë të shtatzënisë, mirëpo ajo lejohet të përdoret vetëm pas rekomandimit të gjinekologut dhe përdorimi duhet të kryhet nën përcjelljen mjekësore. Në rreth 50% të rasteve, efekti fillon 4-5 orë pasi që të përdoret medikamenti. Në rastet tjera do të duhet të kalojë pak më shumë kohë. Pasi që të merret bari pritet që ajo grua të ketë shtrëngim (dhimbje) në fund të barkut, mund të ketë ethe, barkqitje dhe vjellje. Pas marrjes së këtij bari duhet patjetër që të bëhet ekzaminim gjinekologjik dhe nëse ky bar nuk ka pasur efekt, aborti duhet të kryhet në mënyrën tjetër. Te disa gra ka gjakderdhje por nuk realizohet abort, prandaj është e rëndësishme që gruaja të jetë nën mbikëqyrjen mjekësore.

Gjinekologët thonë se shitja e këtij medikamenti pa përshkrim dhe përcjellje mjekësore mund të shkaktojë efekte të rënda anësore për trupin e gruas.

Drejtoresha e Klinikës Gjinekologjike- Obstetrike, Myrvete Paçarada, ka thënë se në asnjë mënyrë këto tableta nuk guxojnë të përdoren pa udhëzim të mjekut dhe mbikëqyrje të tij.

"Indikacionin për përdorimin e tabletave duhet ta caktojë mjeku gjinekolog dhe gjatë përdorimit të terapisë pacientja duhet të jetë nën mbikëqyrjen e personelit mjekësorë sepse komplikimet  që mund të ndodhin janë shumë të rënda siç është  gjakderdhja profuze si dhe ruptura e mitrës e cila mund të jetë fatale për pacienten", thotë Paçarada..

Edibe Hoda - Borovci, gjinekologe, thotë se gjakderdhja e pakontrolluar që mund të shkaktohet nga ky medikament mund të sjellë pasoja të rënda për gruan që e përdorë.

"Pa recetë dhe pa përkujdesjen e mjekut ky medikament nuk lejohet të përdoret. Ai mund të ketë efekte shumë të rënda anësore saqë gruaja që e përdorë mund të fitojë hemoragji cerebrale, hipotension, gjakderdhje të pakontrolluar e cila mund të qojë deri në vdekje", shton  ajo.

Është i rëndësishëm sidomos kontrolli paraprak mjekësor që të mund të përshkruhet një tabletë e tillë. Sipas gjinekologut Behar Kursani, "Duhet të dihet se çfarë forme ka mitra sa javësh është embrioni, sepse ka raste që ekziston një ngushtim shumë i theksuar i grykës së mitrës ku është e pamundur të eliminohen të gjitha mbetjet vetëm me tabletë dhe kjo shkakton rrezik".

Kontracepsioni si zgjidhje

Praktikat e grave në Kosovë për të vizituar gjinekologun, janë mjaft të rralla. Ato zakonisht kërkojnë kujdes profesional kur u paraqiten probleme të veçanta, ose kur dëgjojnë nga mikeshat për karakteristikat dhe simptomat e sëmundjeve.

Vizitat gjinekologjike janë më të shpeshta kur kemi të bëjmë më shtatzëni ose ndonjë infeksion të përmasave të mëdha, e shumë të rralla për ndonjë konsultim mbi mjetet mbrojtëse. Gjinekologët thonë se ka shumë pak raste kur gratë kërkojnë ndihmë për këshilla lidhur me përdorimin e kontraceptivëve.

"Është e rëndësishme të edukohen vajzat dhe gratë për përdorimin e kontraceptivëve të cilët edhe e ruajnë shëndetin e tyre edhe parandalojnë shtatzënitë e padëshiruara. Shumë rrallë ato vinë të konsultohen për mjete mbrojtëse", ka thënë Edibe Hoda - Borovci.

Sipas sociologes, Linda Gusia, “është paradoksale që në shekullin XXI me pas numër kaq të madh të aborteve. Mendoj që gratë dhe vajzat e reja dinë shumë pak për kontracepsion ose edhe ato që dinë kanë shumë paragjykime".

Në bazë të një raporti monitorues mbi shëndetin e grave dhe fëmijëve të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, përdorimi aktual i kontraceptivëve është raportuar të jetë tek 66% e grave aktualisht të martuara apo në bashkëjetesë. Mirëpo vetëm 13% e këtyre grave përdorin metoda moderne.

"Metoda më e shpeshtë e kontracepsionit është tërheqja e cila është përdorur nga më shumë se gjysma e femrave të martuara në Kosovë (51%). Metoda tjetër më e shpeshtë është kondomi mashkullor dhe DIU (spiralja) e cila përbën 5% të femrave të martuara. 5% të femrave të martuara kanë raportuar përdorimin e kondomit mashkullor dhe DIU (spiralen) dhe 3% me pilula derisa të gjitha metodat e tjera janë nën 1%", thuhet në raport.

Gjinekologët deklarojnë se edhe pse tërheqja është metoda më e popullarizuar, ajo  është metoda më e rrezikshme sepse ofron vetëm 30% siguri.

Vlora Basha, hulumtuese në studimin mbi Planifikimin Familjar të UNFPA-së thotë se megjithatë viteve të fundit është përmirësuar vetëdija mbi kontraceptivët.

"Në 2006 vetëdija ka qenë ekstremisht e ultë sa i përket njohurisë për kontraceptivë së paku nga rezultati i hulumtimit kualitativ që është nxjerrë në atë kohë. Tash njerëzit dinë pak më shumë për kontraceptivë por kjo nuk domethënë që i përdorin. Më së shumti kanë deklaruar që përdorin mënyra natyrale të mbrojtjes", ka thënë Basha.

Rezultatet e studimit tregojnë se mjetet kontraceptive iu ofrohen falas nga klinikat publike vetëm grave që kanë pasur abort, që domethënë se ato u ofrohen pacienteve pas abortit e jo për të parandaluar shtatzënitë.

Linda Gusia thotë se mjekët në Kosovë aspak nuk i preferojnë mjetet kontraceptive. "Ti për mjekun tonë je 'pse s'po bon fëmijë se ty për atë punë të ka falë Zoti'. Çdo tentim me fol për kontracepsionin është tentim me ikë nga roli biologjik i gruas. Kjo qasje lindë nevojën e grave për të shkuar në klinika që nuk janë të sigurta". Sipas saj ideja me e rritë natalitetin me çdo kusht është jashtëzakonisht qesharake, e dëmshme dhe patriarkale.

Institucionet shëndetësore nuk kanë bërë shumë në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve mbi edukimin seksual. Ende nuk flitet hapur për këtë temë, sidomos në publik.

Broshurat, pllakatet dhe informatat në media për mjetet kontraceptive janë mjaft të rralla. Burimi kryesor i informatave mbi mbrojtjen gjatë marrëdhënieve seksuale është nga miqtë e familjarët.

Diskutimi për ta shtuar si lëndë mësimore edukimin seksual ka qenë mjaft i ashpër në shoqërinë kosovare. Duke ju asociuar vetëm me "mësime mbi seksin" e jo si edukatë për shëndetin e trupit, nuk ka gjetur ende pranueshmëri kjo lëndë.

Sipas Eli Gashit, është shumë e rëndësishme futja e kësaj lënde mësimore por duke inkorupuruar një qasje feministe në literaturën shkollore për të pasur rezultat në këtë drejtim.

"Është e rëndësishme kush e punon kurrikulën për edukim seksual sepse shumë prej teksteve shkollore janë shkruar nga burrat apo edhe gratë me paragjykime, të cilët vendosin se deri në cilën pikë diçka është e moralshme apo e turpshme", ka thënë ajo.

Burrat vendosin

Përveç  mungesës së njohurive mbi mjetet mbrojtëse dhe barrierës morale për të konsultuar gjinekologun, ekziston edhe vështirësia që kanë shumë nga gratë për të pasur qasje në to.  Në shoqëritë patriarkale si kjo e jona, gruaja jo rrallë herë është e përjashtuar nga vendimet mbi planifikimin familjar.

një raport të Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës mbi ndikimin e dhunës në shëndetin riprodhues të grave, thuhet se shumica e grave e dinë që kanë të drejtë të vendosin nëse dëshirojnë të përdorin kontraceptivë apo jo (78%), mirëpo ato nuk mund ta realizojnë këtë të drejtë përderisa jetojnë në marrëdhënie abuzive.

"46% thanë se partnerët e tyre “shpesh” i detyrojnë ato në seks pa kontraceptivë dhe 43% detyrohen të bëjnë më shumë fëmijë se sa kishin dëshiruar. Disa gra gjithashtu tregojnë se si familja e burrit u ka shkelur të drejtën për të vendosur kur dhe sa shpesh të riprodhojnë, duke bërë vazhdimisht trysni në to që të kenë më shumë fëmijë sidomos fëmijë të gjinisë mashkullore", thuhet në raportin e RrGGK-së.

Edhe po të kishin kontraceptivë, shumica e grave thanë se burrat e tyre nuk do t’i linin që t’i përdorin. Një grua rrëfen “Unë provoj të flas me burrin tim për kontraceptivët, por ai do të më rrihte çdo natë”.

Ariana Qosaj-Mustafa nga RrGGK thotë se viktimat e dhunës shpesh kane shtatzëni të padëshiruara, si dhe aborte spontane në rastet e lëndimeve të rënda fizike.

Një ndër format e mbrojtjes seksuale për përdorimin e së cilës mund të vendosin vetë gratë janë tabletat. Duke pasur parasysh që këto tableta kërkojnë përdorim të përditshëm, Preportr ka hulumtuar tregun dhe ka gjetur se çmimet e tyre nuk janë edhe aq të favorshme, sidomos kur flasim për gratë që nuk kanë asnjë të ardhur financiare e të cilat nuk guxojnë të kërkojnë para nga burrat për mbrojtje.

Vetëm një pako me tableta kushton nga 2 deri në 17 euro, çmim i cili nëse llogaritet me sasinë e tabletave dhe ditët e vitit, del të jetë jo fort lehtë i pranueshëm për gratë e papuna.

"Çmimet e kontraceptivëve vendosen prej kërkesës së tregut e nuk shihen asnjëherë si  nevojë e secilës familje. Kam përshtypjen që për përdorimin e kontraceptivëve vendos shumicën e rasteve burri se kur duhet me u përdorë ose jo", ka thënë Eli Gashi.

Feja kundër ligjit

A fillojnë shpirti, jeta dhe të drejtat individuale në fekondim?  Kjo është dilema që ballafaqon qëndrimet e institucioneve fetare dhe aktivistëve për të drejtat e grave edhe sot.

Pavarësisht të drejtës së gruas për abort të garantuar me ligj, institucionet fetare e kundërshtojnë ashpër këtë akt duke e cilësuar si vrasje.

Zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, ka thënë se aborti i një fetusi të gjallë është i ndaluar sipas Islamit.

"Derisa vërehet se fetusi është i gjallë dhe është njeri, asnjë jurist islam nuk mund të jap leje për eli¬minimin e tij, sepse Islami rreptësisht e ka ndaluar mbyt¬jen e një shpirti", ka thënë Sadriu.

Sipas tij, Islami e lejon abortin vetëm nëse "fetusi nuk është i gjallë, nëse vërtetohet se vazhdimi i  shtatzënisë do ta dëmtojë nënën deri në masë të vdekjes para se të krijohet embrioni dhe nëse pas katër muaj nga formimi i embrionit vërtetohet nga mjekët specialist se jeta e nënës rrezikohet deri në vdekje ".

Kisha Katolike është shprehur edhe më fuqishëm kundër këtij intervenimi. Ajo ka pasur një qëndrim të qartë në lidhje me abortin, nga shekulli i parë i saj, që nuk ka ndryshuar deri në ditët e sotme. Ky qëndrim i pandryshueshëm mbështetet në përqasjen e saj që karakterizohet gjithnjë në favor të mbrojtjes së jetës, nga ngjizja deri në vdekjen natyrore.

Don Fatmir Koliqi, zëdhënës i Ipeshkvisë së Kosovës ka thënë për Preportr se aborti konsiderohet akt kundër jetës së njeriut në stadin e saj fillestar dhe si i tillë vlerësohet si akt moralisht i rëndë duke e mbartur atributin e vrasjes së qenies së pafajshme dhe të pambrojtur.

"Askush nuk e ka të drejtën për të ndërprerë një jetë. Do të ishte një kundërshtim fundamental i të drejtave të njeriut, nëse do të pohonim që një njeri ka të drejtën të ndërpres jetën e tjetrit për të mbrojtur të drejtën dhe lirinë e vet të vendosjes", ka thënë Koliqi.

Për dallim nga institucionet fetare që abortin e shohin si vepër kriminale e të pamoralshme, aktivistet për të drejtat e grave në Kosovë mendojnë që aborti është e drejtë e pa negociueshme e gruas.

"Kisha katolike por edhe Islami kanë qëndrime të prera lidhur me abortin. Të dyja fetë mundohen t'i tregojnë gruas çfarë të vendosë për trupin e vet, e drejtë e cila i takon ne fakt vetëm asaj", ka thënë Linda Gusia.

Eli Gashi thotë se gruaja si subjekt brenda fesë është fushëbetejë. "Feja nuk duhet me qenë as pjesë e diskursit rreth të drejtës së gruas për abort", ka thënë ajo.

E drejta e gruas për të çuar deri në fund apo jo ngjizjen si kauzë feministe, sipas Fatmir Koliqit vjen si një trysni ideologjike e shekullit të kaluar, e inspiruar nga eugjenetika selektive e kamufluar nën petkun e të drejtës së gruas për të mbarështuar trupin e vet.

Për Koliqin aborti nuk arsyetohet as kur kemi të bëjmë me shtatzëni si pasojë e dhunimit seksual.

"Në rastet kur shtatëzania vjen si pasojë e dhunës, mendoj se një krim, siç është dhuna fizike dhe seksuale, nuk mund të ndreqet duke ja marr jetën një të pafajshmi, pra me një krim tjetër. Nëse një vajzë, grua, nënë nuk është në gjendje të mbajë e të rritë fëmijën, Kisha është përkujdesur që ai fëmijë të ketë një jetë të dinjitetshme, duke ia gjetur një familje të bashkësisë katolike që e rritë apo shtëpi të veçantë për këtë kategori, qoftë ajo kishtare apo shtetërore", ka thënë ai.

Morali mvesh ligjin

Në vitin 2009, Kuvendi i Kosovës ka nxjerrë një ligj të ri që rregullon ndërprerjen e shtatzënisë i cili i jep të drejtë gruas të vendosë për abort deri në fund të javës së dhjetë (10) të shtatzënisë, duke llogaritur nga dita e parë e ciklit të fundit menstrual. Aborti pas këtij afati kohor është i ndaluar dhe realizohet vetëm në raste ku nëna ose fëmija kanë probleme shëndetësore.

Pavarësisht që ligji e njeh të drejtën e gruas për të vendosur vet mbi kohën e riprodhimit, ende ndërprerja e shtatzënisë në Kosovë lidhet me moralin e nderin. Aborti është i justifikueshëm vetëm kur shtatzënia kërcënon shëndetin e gruas ose fëmijës. Arsyeja e thjeshtë "sepse nuk dua të bëhem nënë" është e pa mjaftueshme.

Në shoqërinë tonë vlerësohen lartë virtytet e amësisë dhe gruaja rrallë definohet si qytetare e zakonisht si qenie seksuale dhe riprodhuese. Duke e parë gruan vetëm brenda rolit të paracaktuar të nënës, çdo lloj refuzimi i amësisë cilësohet si një devijim nga roli i vërtetë i saj.

"Unë mendoj që është absolutisht e drejtë e grave me vendosë mbi trupin e tyre. Përgjegjësia për me qenë nënë është shumë e madhe dhe nëse dikush nuk është e gatshme me e marrë atë përgjegjësi që ia ndryshon jetën, ka të drejtë me vendosë vet. Unë jam pro abortit dhe nuk kam kurrfarë dileme që është e drejtë elementare e grave", ka thënë Linda Gusia.

Ndërsa Eli Gashi ka thënë se trupi perceptohet si diçka që nuk i takon gruas dhe vendimet për trupin e saj ose për planifikim familjar i takojnë të  tjerëve, në këtë rast mund të jetë partneri, familja apo perceptimi i shoqërisë.

"Secila feministe e sheh gruan si pronare të trupit të vetë. Aborti si vepër duhet me qenë e drejtë e gruas pa involvim të palës së tretë ose palës së dytë në këtë rast. Secila grua duhet me pasë mundësi me lindë ose me realizu abort", ka thënë Gashi.

Shoqëria jonë ende vendos kufizime në atë që një grua mund ose nuk mund të bëjë me trupin e saj. Poashtu seksualiteti i grave dhe riprodhimi janë të kontrolluara nga feja dhe shoqëria.  Vendimi i grave "kur, nëse dhe si do të kenë fëmijë" është ende një kërcënim për status quo-në.

Autorja feministe Laurie Penny, në një ndër artikujt e saj thotë se sa herë që aborti është diskutuar publikisht, gjithmonë ka qenë në aspektin moral ose shëndetësor.

"Rrallë është folur për riprodhimin në aspektin e pabarazisë strukturore ekonomike. Pabarazia riprodhuese mbetet baza materiale për statusin e  ulët të grave në shoqëri", ka thënë Penny.

Ajo shpjegon fenomenin "surrogacies sociale" ku gratë zgjedhin për të mos mbajtur në mitër foshnjat e tyre nga frika që iu dëmtohet karriera dhe shëndeti. Zgjidhja e këtyre grave të pasura është që të paguajnë gratë e varfra për të kaluar nëpër shtatzëni dhe lindje në emër të tyre.

"Edhe burrat bëjnë të njejtën gjë: gratë mbajnë fëmijët, lindin dhe i rritin ata në emër të burrave  në mënyrë që ata mund të merren me karrierën e tyre pandërprerë. Kjo është baza materiale e pabarazisë gjinore dhe duhet të diskutohet me ndershmëri, si një çështje e padrejtësisë strukturore, jo e moralit individual. Çdo diskutim i barazisë apo fuqizimit të grave përderisa ato përkufizohen vetëm brenda biologjisë së tyre nuk duket i sinqertë", ka thënë Penny.

Në Kosovë aborti është legal qysh para luftës në vitin 1999 kur ligjet e Serbisë ishin në funksion. Perceptimi për abortin në atë kohë duket se ka qenë krejtësisht ndryshe. Aborti është parë si pjesë e planifikimit familjar dhe pothuajse asnjëherë nuk është lidhur me moralin e gruas. Fjala është për gratë që tashmë ishin në lidhje martesore.

Ndryshimi i këtij perceptimi sipas sociologes Gusia, ka të bëjë në radhë të parë me ndërrimin e sistemit politik si dhe me rritjen e ndikimit të religjionit.

"Përderisa në sistemin socialist, të paktën në retorikë, ka pasur njëfarë emancipimi të gruas, retorikat në nacionalizëm nuk janë aspak emancipuese për gratë. Pra, ka pasur ndikim ndryshimi i ideologjisë, në kuptimin që ideologjia më herët ka qenë emancipuese", ka thënë ajo.

Eli Gashi mendon që aborti duhet të  përcaktohet nga shteti si pjesë e planifikimit familjar. "Një shtet socialist i cili e ka pjesë të politikës shtetërore planifikimin familjar ia ka mundësuar gruas me marrë vetë vendimin për trupin e saj", ka thënë Gashi.