English
Scroll top

Tarifa që kushton 1500 euro

Korporata Energjetike e Kosovës u ka dërguar rreth 90 familjeve të një blloku banues në Fushë Kosovë fatura të "fryra"me borxh shumë të lartë, e që kapim shifrat prej 700 deri në 1500 euro. Në KEK thonë se këto fatura kanë ardhur për shkak se njehsorët që kanë qenë të montuar nuk kanë qenë adekuat për sistemin tarifor të Kosovës dhe nuk e kanë lexuar të gjithë energjinë e shpenzuar, ndërsa fajësojnë Institutin e Metrologjisë që i ka licencuar këta njehsorë. Drejtuesit e...

Prishtinë, 28 Dhjetor 2012

Banorët e një blloku në Fushë Kosovë janë befasuar kur u ka ardhur fatura e fundit e shpenzimit të energjisë elektrike. Ata të befasuar nga kjo vlerë e madhe e faturave janë ankuar në KEK për ndonjë gabim të mundshëm. Por atyre u është thënë se njehsorët kanë qenë të papërshtatshëm dhe se këtë energji elektrike ata e kanë shpenzuar, por që inkasantët e KEK-ut nuk kanë ditur që ta lexojnë.

Vlera e madhe e këtyre faturave ka ardhur pasi që KEK-u i ka ndërruar njehsorët në fund të muajit nëntor dhe këtë "gabim" në matje ata e kanë vërejtur pas dy viteve që kur ata janë montuar. Por KEK-ut nuk i janë dashtë më shumë se 15 ditë për të përgatitur faturat e papërballueshme për këta banorë.

Zëdhënësi i KEK-ut Viktor Buzhala, thotë se vlera e këtyre faturave ka ardhur pasi që njehsorët paraprak kanë qenë katër tarifor dhe nuk e kanë matur shpenzimin e energjisë siç duhet. Sipas tij kur KEK-u e ka vërejtur këtë i ka kalkuluar këta kilovatë që sipas tyre janë të pa llogaritur dhe u ka dërguar fatura me vlerë të madhe.

Ndërsa drejtues të Institutit të Metrologjisë të cilët bëjnë licencimin e njehsorëve, por edhe ekspertë të energjisë thonë se fajin për këtë rast e ka KEK-u, pasi që nuk është dashtë që t'i lëshojë funksion këta njehsorë. Për më shumë, sipas Institutit të Metrologjisë, KEK-u e ka softuerin përmes të cilit edhe nëse njehsori është katër tarifor e bënë të funksionojë vetëm në sistemin dy tarifor.

Ka banesë që nuk është shitur ende dhe i ka ardhur fatura 80 euro, që nuk ka asnjë logjikë, sepse s'ka banuar askush aty. Në hyrjen tjetër janë njehsorët me katër tarifa . Tarifa e parë dhe e dytë lexohen dhe e kanë matur rrymën e harxhuar, ndërsa e treta ka qenë zero, d.m.th nuk ekziston tarifa e tretë.

Betim Nimani, banor

Betim Nimani banor në këtë bllok të banesave është befasuar kur i ka ardhur fatura e KEK-ut për muajin nëntor hiq më pak se 751 euro. Ai thotë se kjo ka ndodhur pasi që KEK-u i ka ndërruar njehsorët, të cilët kishin qenë të montuar që nga viti 2010 në këtë bllok dhe deri më tani të gjitha faturat kanë qenë në përputhje me shpenzimet mujore.

"Në fund të nëntorit janë ndërruar njehsorët, të cilët kanë qenë të certifikuar. Neve si banorë nuk na kanë dhënë asnjë paralajmërim për këtë ndërrim të njehsorëve. Unë jam në atë banesë prej vitit 2010 dhe faturat kanë qenë të rregullta dhe si zakonisht, pra nuk ka pasur ndonjë dallim nga faturat  nga vendet tjera ku kam banuar. Zakonisht gjatë verës ka ardhur fatura prej 7-15 euro, ndërsa dimrit prej 30-50 euro, ndërsa tash 751", u shpreh Nimani.

Ai thotë se kjo faturë marramendësve nuk i ka ardhur vetëm atij, por pothuajse të gjithë hyrjes së parë dhe të tretë të këtij blloku. Sipas tij, ka faturë që kap vlerën prej 300 deri në 1500 euro. Por ka edhe prej tyre që e kanë marrë faturën vetëm 3 euro e gjysmë.

"Ka banesë që nuk është shitur ende dhe i ka ardhur fatura 80 euro, që nuk ka asnjë logjikë, sepse s'ka banuar askush aty. Në hyrjen tjetër janë njehsorët me katër tarifa . Tarifa e parë dhe e dytë lexohen dhe e kanë matur rrymën e harxhuar, ndërsa e treta ka qenë zero, d.m.th nuk ekziston tarifa e tretë", thotë Nimani.

Banorët e këtij blloku janë të vendosur të mos t'i paguajnë këto fatura, sepse konsiderojnë se u është bërë e padrejtë nga ana e KEK-ut. Ata gjithashtu kanë bërë ankesa individuale në KEK, por ende nuk kanë marr asnjë përgjigje.

Betim Nimani thotë se janë duke e përgatitur një peticion për këtë çështje dhe do ta dërgojnë në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike dhe tek zyra për ankesa në KEK.

KEK-u e vëren, reagon pas dy vitesh

Zëdhënësi i KE pas dy viteshK-ut Viktor Buzhala, pranon se KEK-u i ka ndërruar këta njehsorë. Ai thotë se në këtë rast është vepruar me ligjet në fuqi.

Ai thotë se njehsorët e mëparshëm edhe pse kanë qenë të licencuar nga MTI, përkatësisht Instituti i Metrologjisë e kanë matur energjinë në më shumë se dy blloqe kohore tarifore që është në kundërshtim me sistemin tarifor që aplikohet në Kosovë te aprovuar nga ZRRE, e që është sistem dy tarifor.

"KEK e ka vërejtur këtë para rreth një muaji dhe me ta vërejtur këtë e ka bërë zëvendësimin e këtyre njehsorëve. KEK-u gjatë leximit të tyre ka vërejtur se njehsorët në fjalë masin energjinë elektrike në tri tarifa dhe investitori është paralajmëruar në vazhdimësi se duhet të vendos njehsorë në përputhje me standardet e aplikuara në Kosovë. Pra njehsorët e montuar nga ana e investitorit kanë qenë me sistem katër tarifor, ndërsa në vendin tonë aplikohet sistemi dy tarifor", thotë Buzhala.

Ai ka thënë se pasi që investitori nuk e ka bërë ndërrimin e njehsorëve, KEK-u është dashtë ta bëjë ndërrimin e tyre dhe ka bërë faturimin e gjithë energjisë që është shpenzuar nga konsumatoret në tarifën e tretë.

Buzhala thotë se tarifa e tretë ka matur rrymën, por nuk është lexuar nga inkasantët e KEK-ut dhe pasi është vërejtur kjo, është lexuar tarifa e tretë dhe është bërë fatura e harxhimeve.

Por sipas banorëve, njehsorët që janë larguar nuk e kanë matur fare tarifën e tretë dhe të katërt. Ata thonë se edhe njehsorët që janë në hyrjet tjera të këtij blloku, janë të njëjtit lloj. Preportr ka fotografuar disa nga këta njehsorë ku shihet se tarifa e tretë dhe e katërt janë zero, pra nuk e matin energjinë elektrike të shpenzuar.

Jeton Grajçevci nga kompania "Tregtia" thotë se KEK-u nuk i ka kontaktuar për këtë ndërrim të njehsorëve asnjëherë, e as që i ka treguar për arsyet e ndërrimit. Ai thotë se kur kanë montuar njehsorët paraprak, kanë pasur të gjitha licencat adekuate nga Instituti i Metrologjisë dhe kanë qenë të blombuara nga KEK-u. "Ne siç kemi informata prej banorëve, njehsorët janë ndërruar para 20 ditëve, por neve nuk na ka kontaktuar, e as nuk na ka pyetur askush në lidhje me këtë çështje, vetëm kur kemi dëgjuar se i ka ndërruar KEK-u dhe nuk e dimë tash as çfarë njehsorësh janë montuar aty. Njehsorët  janë motuar në vitin 2010 dhe kur janë vendosur nuk kanë pasur asnjë vërejtje. Mund të ju them se njehsorë të tillë KEK-u  monton ende", thotë Grajçevci.

Ndërsa në pyetjen e Preportr pse KEK-u e ka bërë blombimin e këtyre njehsorëve kur nuk kanë qenë adekuatë, Viktor Buxhala ka thënë se "çdo njehsor ka tri blomba, një shtetërore që është më e rëndësishmja që është vendosur nga MTI". Sipas tij,  KEK-u ka bërë blombimin pasi njehsorët ishin konsideruar në rregull nga ana e Institutit te Metrologjisë se MTI-së.

KEK-u është dashtë që të shqyrtojë softuerin e njehsorëve

Agron Shurdhani, drejtor i Departamentit të Metrologjisë së Kosovës, ka thënë se ky departament konform Ligjit Nr.02/L-34 për Metrologji, përkatësisht nenit 20 bënë lejimin e tipit të mjetit matës, i cili duhet të plotësojë kërkesat teknike dhe metrologjike, në rastin konkret edhe të tipit të njehsorëve elektrikë.

"Departamenti është përgjegjës dhe siguron se ai mjet matës – njehsori matë saktë dhe vërteton klasën e saktësisë për të cilën prodhuesi e ka deklaruar ku në fund  pas testimit –verifikimit në laboratorët përkatëse blombohet nga DMK-ja për t’u vënë në përdorim", theksoi Shurdhani.

Në rastin konkret njehsori mund të matë energjinë, por ka matur në katër tarifa dhe KEK-u mund t’i llogarisë energjinë e shpenzuar. Në rastin konkret KEK-u është dashtë që të shqyrtojë softuerin e këtij tipi të njehsorëve dhe të ndalojë këtë rast.

Agron Shurdhani, drejtor i Departamentit të Metrologjisë së Kosovës

 

Ai ka thënë se ky është rasti i parë dhe i vetmi që njoftohet DMK-ja rreth kësaj dukurie për të gjitha tipat e njehsorëve që ka lejuar ky institut.

"Në rastin konkret njehsori mund të matë energjinë, por ka matur në katër tarifa dhe KEK-u mund t’i llogarisë energjinë e shpenzuar. Në rastin konkret KEK-u është dashtë që të shqyrtojë softuerin e këtij tipi të njehsorëve dhe të ndalojë këtë rast", u shpreh ai, duke shtuar se të gjithë njehsorët elektronikë prodhohen me sistemin 4 tariforë, por DMK-ja aprovon dhe lejon njehsorë tek të cilët dy tarifa janë aktive, kurse dy tarifa janë të eliminuara në programin e softuerit, program të cilën e posedon  KEK-u.

Avni Kurshumliu, ekspert i fushës së energjisë, thotë se e gjithë përgjegjësia për këtë rast bie tek KEK-u, sepse nuk është dashtë që të bëjë blombimin e këtyre njehsorëve, për të cilët tash po thotë se janë jo adekuatë.

"Pas kërkesës që KEK-u të lidhë njehsorin në rrjetin e vet, ata kanë përgjegjësi të verifikojnë lidhjet e konsumatorit, njehsorin gjithsesi dhe më pastaj e bëjnë blombimin e kapakut të njehsorit dhe e lëshojnë tensionin të konsumatori apo paraqitësi i kërkesës. Është përgjegjësi e KEK-ut", thotë Kurshumliu.

Detyrohen t'i paguajnë faturat

Derisa banorët e këtij blloku, thonë se nuk do t'i paguajnë këto fatura, sepse nuk e kanë shpenzuar atë energji të faturuar, zëdhënësi i KEK-ut Viktor Buzahala thotë se banorët duhet që t'i paguajnë këto fatura, sepse sipas tij ia kanë borxh KEK-ut.

Shpenzimi i energjisë që është regjistruar në tarifën e tretë i është faturuar konsumatorëve pas ndërrimit të njehsorëve dhe i është shpërndarë në dy tarifa sipas proceduarve në fuqi. Pra konsumatorët do të paguajnë vetëm për energjinë që e kanë shpenzuar.

Viktor Buzahala, zëdhënës i KEK-ut

"Shpenzimi i energjisë që është regjistruar në tarifën e tretë i është faturuar konsumatorëve pas ndërrimit të njehsorëve dhe i është shpërndarë në dy tarifa sipas proceduarve në fuqi. Pra konsumatorët do të paguajnë vetëm për energjinë që e kanë shpenzuar. Energjia që është shpenzuar në muajin e fundit do të duhet të paguhet menjëherë, ndërsa pjesa e bartur mund të paguhet në këste", thotë ai.

Aktualisht njehsorët që janë hequr nga ky bllok janë në qendrën e kalibrimit për verifikim të mëtutjeshëm. Buzhala thotë se pas përfundimit të këtij procesi konsumatori mund ta tërheq njehsorin e vet nëse nuk është i keqpërdoruar, por nëse është i keqpërdorur ai mbetet si dëshmi për gjykatë.