English
Scroll top

Shteti me veresi

Rreth 103 mësimdhënës, disa pastrues dhe punëtorë teknik e administrativ nga komunat e Lipjanit, Ferizajt dhe Gjilanit tash e disa muaj kanë mbetur pa rroga. Ata kanë punuar pa pagesë 2 deri në 12 muaj. Në listën që komuna e ka dërguar për Preportr Komuna e Lipjanit, ka dyshime se është manipuluar me periudhën kohore që kanë punuar mësimdhënësit. Nga kjo listë Preportr ka kontaktuar pesë mësimdhënës, të cilët thonë se kanë punuar dyfishin e asaj që është shkruar në këtë listë. Punësimet pa konkurs janë një...

02 Korrik 2013

Rreth 130 të punësuar në Gjilan, Ferizaj e Lipjan kanë muaj që punojnë pa rroga. Ata janë rishtazi si mësimdhënës, apo punëtorë administrativ, por duket se pa ndonjë planifikim buxhetor për pagat e tyre. Me këtë problem janë duke u përballur mësimdhënës nga komuna e Lipjanit, Ferizajt dhe Gjilanit. Komunat kanë punësuar pa bërë planifikimin buxhetor sidomos një numër të madh të mësimdhënësve si zëvendësues të lehonave apo të atyre që kanë shkuar në pushime mjekësore. Ka edhe raste kur disa mësimdhënës janë punësuar pas largimit me dëshirë të ndonjë mësimdhënësi apo daljes në pension, por edhe një pjesë e tyre ende nuk janë futur në listën e pagave.

Në komunën e Lipjanit 61 mësimdhënës, dy pastrues dhe një kontabilist nuk i kanë marrë pagat për muaj të tërë. Por përfaqësues të Sindikatës së Arsimit në këtë komunë thonë se ky numër arrin deri në 78 dhe se ka mësimdhënës që nuk kanë marrë paga që dy muaj, e ka edhe nga ata që nuk kanë marrë pagë që 12 muaj.  Gjithashtu disa nga mësimdhënësit janë paguar pjesërisht, por Komuna e Lipjanit nuk ka të dhëna të sakta për këtë. Preportr, edhe pas pritjes më shumë se dy muaj dhe insistimit të vazhdueshëm, nuk ka arritur që t'i marrë listat me këto detaje, por ka marrë vetëm listën totale , të cilëve u ka borxh komuna.

Në listën që komuna e ka dërguar për Preportr Komuna e Lipjanit, ka dyshime se është manipuluar me periudhën kohore që kanë punuar mësimdhënësit. Nga kjo listë Preportr ka kontaktuar pesë mësimdhënës, të cilët thonë se kanë punuar dyfishin e asaj që është shkruar në këtë listë. Ata thonë se aty i është cekur vetëm njëra kontratë, ndërsa muajt që kanë punuar me kontratë tjetër nuk janë cekur fare.

Zëdhënësi i Komunës së Lipjanit Hasan Luma, thotë se kjo komunë nuk ka mundur që të planifikojë buxhetin për pushimet e lehonisë dhe mungesat e mësimdhënësve. "Në pamundësi që të planifikohet buxheti për mësimdhënësit, përkatësisht pushimet e paparapara me ligj për lehona për vitin kalendarik shkollor, shkaktohet dyfishim i punëtorëve arsimorë me zëvendësimet e tyre. Njëkohësisht kemi edhe raste të pushimeve mjekësore ", thotë Luma.

Ndërsa Rrustem Bublica, kryetar i degës së Sindikatë së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBASHK)  në Lipjan, thotë se një nga faktorët që është rritur numri i mësimdhënësve, e që tashmë komuna nuk ka para për t'i paguar është rritja e numrit të zëvendësimeve dhe punësimeve të vazhdueshme pa konkurs. "Është rritur numri i këtyre zëvendësimeve. Deri tash 78 punëtorë janë pa paga. Komunës i duhen 200 mijë euro për t'i kryer të gjitha këto pagesa.  Disa punëtorë kanë marrë paga e disa jo, por ka punëtor që nuk ka marrë pagë që dy muaj, e ka që një vit që nuk ka marrë asnjë pagë", thotë Bublica.

Ai thotë se edhe kur pensionohet disa nga mësimdhënësit, një numër i madh i mësimdhënësve tjerë pranohen në punë pa konkurse. Bublica thotë se ka ndërhyrje të shumta politike edhe kur dalin konkurset e rregullta për pranimin e mësimdhënësve të ri.

"Në tri vitet e fundit, 35 punëtorë kanë dalë në pension dhe vetëm tri vende janë shpallur përmes konkurseve, të tjerët janë punësuar pa konkurs. Këta që janë punësuar pa konkurs një numër marrin rroga, ndërsa një numër jo", thotë Bublica.

Mësimdhënësit nuk guxojnë ta paditin komunën

Përveç ankesave që bëjnë në komunë, në degën e Sindikatës së Bashkuar së Arsimit në Lipjan, mësimdhënësit nuk guxojnë që të ndërmarrim hapa të tjerë për të bërë padi për pagat që nuk  i kanë marrë, edhe pse i kanë kontratat. Disa nga mësimdhënësit e kontaktuar nga Preportr, nuk pranonin që t'i përmendet emri, sepse sipas tyre mund të pasojë hakmarrja e zyrtarëve të komunës dhe të mos kenë mundësi që të punësohen më në asnjë shkollë dhe në asnjë institucion tjetër komunal.

"Në këtë listën e komunës shkruan se kam punuar vetëm katër muaj. Por unë kam pasur dy kontrata, pra kam punuar tetë muaj dhe ende nuk kam marrë asnjë cent. Është vështirë që të punohet pa rrogë. Edhe vullneti dikur bie dhe njëfarë mënyre edhe integriteti personal po na fyhet. Ka raste kur ka mësimdhënës në kushte shumë të vështira sociale e nuk merr rrogë. Por ka raste edhe kur mësimdhënësi vetëm ka shpenzuar me muaj të tërë duke udhëtuar për të shkuar në punë, e në anën tjetër nuk merr asnjë cent. Padi njëherë nuk po guxon të bëjë askush, sepse nëse bën padi vitin tjetër nuk të marrin në punë", thotë për Preportr, njëri nga mësimdhënësit.

Edhe Rrustem Bublica, thotë se ka shumë mësimdhënës që janë ankuar edhe në degën e SBASHK-ut në Lipjan për mosmarrjen e rrogave për muaj të tërë. Ai thotë se mësimdhënësit që nuk marrin paga nuk kanë guxim që të bëjnë padi ndaj Komunës së Lipjanit, pasi që  i frikësohen hakmarrjeve.

"Ata punëtorë që nuk kanë marrë paga kanë ardhur dhe janë ankuar tek dega jonë në Lipjan. Unë u kam thënë se sindikata i ndihmon vetëm nëse këtë çështje e zgjidhin përmes gjyqit. Por ata më janë drejtuar në mënyrë shumë reale se nuk guxojnë për të shkuar përmes gjykatave se nuk na marrin vitin tjetër në punë", theksoi Bublica.

Edhe mësimdhënësit e Komunës së Ferizajt dhe Gjilanit pa rroga

Në Komunën e Ferizajt 25 mësimdhënës  që disa muaj nuk kanë marrë rroga. Pesë mësimdhënës punojnë nga janari i këtij viti me 20 orë në javë dhe një pastrues po nga ky muaj me 40 orë në javë; Katër mësimdhënës punojnë nga muaji shkurt me 20 orë në javë; Tetë  mësimdhënës punojnë nga muaji mars me 20 orë në javë. Nga ky muaj edhe një  mjeshtër dhe një pastrues punojnë me nga 40 ore në javë, e që nuk janë ende në listën e pagave; Tre mësimdhënës punojnë nga muaji prill pa rroga. Gjithashtu nga ky muaj është punësuar edhe  një zëvendësadministrator, dhe një pastruese në muajin maj me nga 40 orë në javë, e të cilët nuk janë futur ende në listën e pagave.

Drejtori i drejtorisë për Arsim në Komunën e Ferizajt Agim Berisha, ka thënë për Preportr se deri të kjo situatë ka ardhur pasi që një numër i mësimdhënësve kanë shkuar në pushime të lehonisë dhe në pushime mjekësore dhe se është dashtë që të bëhet zëvendësimi i tyre.

"Sa i përket punëtorëve të papërfshirë në listën e pagave, numri i tyre ndryshon nga muaji në muaj e të cilët punojnë në shkolla të ndryshme", thotë Berisha, duke shtuar se përfshirja në listën e pagave bëhet në mënyrë sistematike për çdo muaj dhe nuk është e mundur përfshirja në listën e pagave në mënyrë të përnjëhershme për një muaj, sepse është numër më i madh i mësimdhënësve.

Kjo komunë aktualisht nuk ka ndonjë plan se si të dalë nga kjo situatë, ndërsa mësimdhënësit duhet të presin si duket edhe shumë gjatë për t'i marrë pagat e tyre, por edhe duhet të vazhdojnë të punojnë ende.

Rexhep Sadiku, përfaqësues i degës së SBASHK-ut në Ferizaj, thotë se mosdhënia e pagave për mësimdhënësit që janë punësuar me kontrata si zëvendësim është në radhë të parë degraduese për mësimdhënësit. Ai thotë se komuna e ka obligim që t'i paguajë mësimdhënësit për punën që kanë bërë, por edhe që vazhdojnë ta bëjnë sipas kontratës.

"Kjo nuk ndodh në asnjë vend që punëtorët të punojnë dhe të mos marrin paga. Kemi pasur vazhdimisht kontakte me institucionet komunale dhe ata kanë thënë se do të mundohen që të gjejnë mënyrën e pagesës për këta mësimdhënës.  Këta mësimdhënës nuk  janë anëtarë të sindikatës së arsimit, por ne i përkrahim. Sa ne kemi informacione, deri tash asnjë mësimdhënës nuk ka bërë ndonjë padi ndaj komunës", thotë Sadiku.

Ndërsa në Komunën e Gjilanit 22 mësimdhënës  nuk janë duke marrë rroga. Katër mësimdhënës me nga 5 paga pa i marrë, pesë mësimdhënës me nga 4 paga pa i marrë dhe dhjetë mësimdhënës që nuk e kanë marrë nga dy paga. Të gjithë këta mësimdhënës janë duke punuar, që do të thotë se borxhi i komunës ndaj tyre po rritet, ndërsa ata vazhdojnë të numërojnë muajt se sa kanë punuar pa rroga.

Drejtori i drejtorisë për Arsim në Komunën e Gjilanit, Bujar Nevzati, ka thënë për Preportr se arsyeja pse mësimdhënësit e caktuar si zëvendësim kanë mbetur pa paga është mungesa e buxhetit. Ai thotë se Komuna e Gjilanit ka kohë që ka kërkuar dhe planifikuar buxhetin e nevojshëm për vitin fiskal 2013, për pagat e mësimdhënësve në arsim, mirëpo sipas tij kjo kërkesë nuk është realizuar ashtu siç është planifikuar nga komuna. "Buxheti është përcaktuar prerë nga niveli i lartë shtetëror, edhe përkundër nevojave të shumta për buxhet që ka sektori i arsimit për mbulimin e këtyre pagesave. Që nga viti 2001 numri i personelit në arsim është pothuaj i njëjtë, përkundër kërkesave të komunës për rritje të numrit. Janë ndërtuar edhe 10 objekte shkollore e që nënkupton domosdoshmërinë të zgjerimit të stafit", theksoi Nevzati.

Ai thotë se punësimi i këtyre mësimdhënësve ka qenë i domosdoshëm për të kryer orët e mbetura, por fakti se janë dyfishuar orët nuk është menduar mirë, pasi që 22 mësimdhënës kanë mbetur pa paga, ndërsa borxhi ndaj tyre vazhdon të rritet, sepse ata vazhdojnë të punojnë ende me shpresën se do t'i marrin këto para. Në anën tjetër komuna jep premtime, të cilat këta 22 mësimdhënës i kanë dëgjuar shpesh.

”Për shkak të mungesës së buxhetit, pagesat e mësimdhënësve zëvendësues i bëjmë radhazi sipas kohës kur ata janë punësuar si zëvendësues dhe nuk do mbetet askush pa e marrë pagën", thotë Nevzati .

Ndërsa, Blerim Mehmeti, përfaqësues i degës së SBASHK-ut në Gjilan, nuk është fare i informuar për këtë situatë, pasi që thotë të jetë zgjedhur në këtë post që një kohë të shkurtër. Ai thotë se të gjithë mësimdhënësit që janë punësuar si zëvendësime kanë marrë pagat që ua ka pasur borxh komuna, por në fakt askush nga lista e 22 mësimdhënësve nuk ka marrë asnjë cent.

"Ato raste që kanë qenë me vonesë shumica i kanë marrë pagesat. Pra komuna i ka kryer të gjitha obligimet. Ne qëndrojmë prapa çdo anëtari tonë dhe e mbrojmë me ligj dhe si ta monitorojmë këtë situatë në të ardhmen", ka thënë Mehmeti.

Në anën tjetër Arbër Morina, këshilltar i Ministrit të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ka thënë për Preportr se këtë çështje duhet ta zgjidhin vetë komunat. Pra deklaratat e zyrtarëve të Komunës së Lipjanit se janë përpjekje që bashkë me këtë ministri të zgjidhet ky problem është vetëm një deklaratë boshe.

"Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është e njoftuar për situatën në komunat gjegjëse, por siç dihet Ligji i Pagesave nuk lejon rritjen e numrit të punëtorëve, për shkak të formulës së financimit. Kjo çështje duhet të zgjidhet brenda vetë Komunës, ashtu siç e kanë zgjidhur edhe shumë komuna tjera që e kanë pasur këtë problem", theksoi Morina.