English
Scroll top

Shtegu i punësimit ilegal

Si po shfrytëzohen kontratat mbi vepër në sektorin publik për të punësuar njerëz pa kritere? Si po evitohen procedurat e rekrutimit ashtu siç parashihen me legjislacionin në fuqi? Mbi çfarë baze lidhen këto kontrata?

Prishtinë, 01 Dhjetor 2011

Punësimi me kontratë mbi veprën është përdorur nga qeveria për të akomoduar dhjetra e ndoshta qindra persona në sektorin publik. “Preportr”, nuk ka arritur të gjej shifra të sakta se sa kontrata të tilla janë lidhur brenda këtij viti, por në ministri të ndryshme e kanë pranuar se kontrata mbi vepër lidhen “në fshehtësi”, dhe prandaj është vështirë të dihet se sa është numri i tyre.

Pamundësia për ta verifikuar numrin e saktë të personave që kanë kontratë mbi vepër me institucionet publike është edhe fakti që këta persona nuk figurojnë as në listën e pagave, thotë burimi i “Preportr”.

Të punësuarit me kontratë mbi vepër, siç merr vesh “Preport”, paguhen kryesisht nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, gjë që vërtetohet edhe me raportet e Auditorit të  Përgjithshëm.

Parregullësia në punësimin me kontratë mbi vepër, nuk qëndron vetëm se në këtë mënyrë punësohen njerëz pa përfillur procedurat e rekrutimit, por se për këto pozita më vonë shpallen konkurse dhe zakonisht punësohen personat që kanë qenë të angazhuar me kontratë mbi vepër.

Parregullsitë që e përshkojnë këtë punësim, i ka përmendur vit pas viti edhe Auditori i Përgjithshëm në raportet vjetore, por i kanë pranuar edhe disa nga zyrtarët e institucioneve të cilët nuk kanë dashur të flasin me emër. Ata kanë thënë se ka tendencë të keqpërdorimit të kësaj mënyre punësimi dhe se ajo po shfrytëzohet për t’i “rehatuar”, familjarët e zyrtarëve të lartë.

Në kontratat që i ka siguruar “Preportr”, shihet se ato lëre që nuk janë lidhur për punë specifike, ashtu siç parashihet me legjislacionin në fuqi, por ato i tejkalojnë të gjitha limitet kohore që parashihen me ligj.

Shfrytëzimi i paligjshëm i kontratës mbi vepër

Zyrtarë ligjor brenda Qeverisë së Kosovës i kanë thënë “Preportr”, se mënyra qysh lidhet kontrata mbi vepër është e jashtëligjshme.“Kontrata mbi vepër është e paligjshme. Kjo kontratë nuk parashihet as me Ligjin për shërbimin civil, po as me rregulloren 2001/36 mbi shërbimin civil. Edhe ligji po edhe rregullorja e parashohin që në angazhimin e stafit duhet të ketë konkurs, ose në rastet e angazhimit të tyre ashtu siç është paraparë me Ligjin për shërbyesit civil, neni 12, paragrafi 4 do të duhej të kishte së paku një procedurë të thjeshtësuar të rekrutimit“. Rregullorja nr. 02/2010, që derivon nga Ligji për Shërbimin Civil, neni 4, pika 6, përcakton se lidhja e marrëveshjeve të tilla, për shërbime të veçanta për një periudhë kohore që nuk kalon 6 muaj, do të rregullohet nga legjislacioni për detyrimet, legjislacion ky që është në përpunim e sipër.

Kjo sipas zyrtarit ligjor me të cilin ka kontaktuar “Preportr”, nënkupton që edhe në rastet e angazhimit të punëtorëve me kontratë mbi vepër, do të duhej të kishte nëse jo një konkurs atëherë një njoftim i cili do të shpallej në web faqe të institucionit i cili kërkon një shërbim të veçantë apo edhe në shtypin ditor. “Aty do të duhej të qartësohej se për çfarë shërbimi ka nevojë institucioni dhe të fitonte oferta më e mirë “, shton ai.

Zyrtari mendon se procedura do të duhej të ishte e ngjashme me atë të tenderëve, ndërsa që nuk ka ngurruar të shtojë se ndaj zyrtarit që në rastet më të shpeshta janë drejtorët e departamenteve po edhe sekretarët permanent do të duhej të ndërmerreshin masa disiplinore nëse lidhin kontrata të tilla.

Ky zyrtar e ka pranuar se në disa raste institucionet kanë nevojë për shërbime të veçanta. “Natyrisht që po, prandaj ligjet në fuqi e rregullojnë si duhet këtë e jo që në emër të këtyre punëve njerëzit të angazhohen për disa muaj me kontratë mbi vepër e pastaj t’u shpallet konkursi dhe ata të fitojnë vende pune të rregullta, ku edhe gjendet parregullsia”, ka thënë ai.

Kontrata të ‘thjeshta’

Kontrata mbi vepër është kontratë e thjeshtë. Disa të tilla që i ka siguruar “Preportr”, kanë vetëm katër nene që pothuaj nuk rregullojnë asgjë, vetëm tregojnë postin e të punësuarit, periudhën për sa angazhohet, koeficientin dhe llogarinë rrjedhëse. Për më tepër, ato nuk bazohen në kurrfarë legjislacioni në fuqi, përveç në vendime ad hoc të nxjerra nga niveli politik i institucionit përkatës.

Po ashtu, në kontratat e siguruara, shihet se janë tejkaluar të gjitha limitet kohore që parashihen me të dy ligjet që e rregullojnë këtë fushë, ku thuhet se për punët specifike kontratat nuk mund t’i kalojnë 6 muaj (Ligji për shërbyesit civil) dhe 4 muaj (Ligji i Punës).

Në të gjitha kontratat që janë siguruar nga “Preportr”, punëtorët janë angazhuar për një vit dhe në disa prej tyre as nuk janë kërkuar punë specifike ashtu siç kërkohet me ligjet në fuqi.

“Në këto raste për shembull kur kërkohet asistente ekzekutive që nuk është punë specifike, pas një kohe për këtë pozitë shpallet konkursi dhe pothuajse gjithmonë punësohet ky person që është rekrutuar me kontratë mbi vepër”, thotë zyrtari ligjor duke e komentuar kontratën.

Kjo sipas tij është kontratë tepër e thjeshtë e cila nuk i tregon të gjitha përgjegjësitë që i ka punëdhënësi mbi punëmarrësin dhe anasjelltas.

Asnjë nga institucionet ku kemi kërkuar të dhëna për numrin e të punësuarve me kontratë mbi vepër nuk i është përgjigjur kërkesës sonë, përderisa disa ministri kanë mohuar të jenë lidhur kontrata të tilla këtë vit, siç është rasti me Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Administratës Publike.

Gjetjet e Auditorit për 2010

Auditori i Përgjithshëm në raportet e tij për vitin 2010, kishte gjetur jo pak parregullsi me kontratat mbi vepër.

Këto kontrata, sipas raportit për Presidencën e Kosovës, ishin përdorur si mbulesë për pagesën e këshilltarëve të ish-presidentit Fatmir Sejdiu. “Këshilltarët e presidentit janë të emëruar dhe nuk duhet të trajtohen si të punësuar me kontratë mbi vepër. Ata po ashtu duhet të paguhen përmes listës së pagave”, thuhet në raportin e ZAP-it. Sipas auditorëve, pagesat për këshilltarët ishin bërë nga linja mallra e shërbime dhe ishin trajtuar si të punësuar në kontratë mbi vepër.

Në tetë raste të rekrutimit gjatë vitit 2010, edhe Ministria e Bujqësisë kishte lidhur kontrata mbi vepër duke i anashkaluar procedurat e  hapura të konkursit, ashtu siç kërkohet me rregulloren 2001/36. “Këta punëtorë Ministria i  kishte paguar nga kategoria  Mallra dhe shërbime, vlera totale e këtyre pagesave është 9,694€”, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm.

Auditori në këtë raport i ka rekomanduar ministrisë në fjalë që të sigurojë që rekrutimi është bërë në linjë me procedurat e përshkruara, të mos bëhet ndryshimi i kritereve të vëna në konkurs, vlerësimi i kandidatëve të bëhet brenda kornizës së kritereve të përcaktuar në konkursin publik dhe të sigurohet që të gjithë të punësuarit të paguhen nga kategoria e pagave dhe mëditjeve e jo nga mallrat dhe shërbimet.

Më keq se të gjitha institucionet tjera sa i përket rekrutimit me kontrata mbi vepër sipas ZAP-it, vitin e kaluar ka dalë Universiteti i Prishtinës.

“Kontratat mbi vepër ende mbeten problem në Universitetin e Prishtinës, pasiqë nuk janë në përputhje me ligjin”, thuhet në raport. Raporti më tej kishte gjetur se gjatë vitit 2010, UP kishte angazhuar dhjetë zyrtarë me kontratë mbi vepër, të cilat përmbanin afat të pacaktuar, gjë që është në kundërshtim të plotë me legjislacionin relevant. Gjithashtu, ajo se çfarë ka vërejtur auditori është se, shumica e këtyre individëve të angazhuar me kontratë mbi vepër ishin punësuar pas disa muajve përmes konkursit të rregullt.

Zyra për Informim e ZAP-it pa dashur të flas konkretisht për parregullsitë që i kanë gjetur dhe mundësinë që ato të jenë persëritur edhe këtë vit, ka njoftuar se veç kanë filluar me procesin e auditimit për 2011.

“Ndër  objektivat kryesore gjatë këtij sezoni auditues është edhe  përcjellja e implementimit të rekomandimeve të dhëna për vitin paraprak. Ne kemi fuqizuar dukshëm format e komunikimit me entitetet e audituara dhe tani menaxhmentet e entiteteve të audituara po angazhohen në mënyrë të vazhdueshme për të adresuar rekomandimet e dhëna. Një vlerësim i plotë lidhur me këtë do të jepet ne raportet finale të auditimit”, thotë zëdhënësja e ZAP-it, Qëndresa Mulaj.

Shqetësimi i sindikatave

Organizatat sindikale, ajo e shërbyesve civil që funksionon  nën ombrellën e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës, kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me këto kontrata.

Ndue Kalaj nga BSPK, ka thënë se nuk e ka asnjë njohuri se si lidhen këto kontrata, as mbi çfarë baze dhe në listat e pagave të shërbyesve civil të cilat i sheh për çdo muaj për nevoja të Sindikatës, nuk i ka rënë të shoh ndonjë të punësuar me kontratë mbi vepër.“S’e di si paguhen ata, por unë nuk e kam parë kurrë që ndonjëri të ketë qenë në këto lista”, thotë ai.

Kalaj mendon se kontrata mbi vepër duhet të specifikohet me akt ligjor ose nënligjor.

“Ka mundësi të mëdha të keqpërdorimit me këto kontrata. Këta punëtorë që angazhohen me kontratë mbi vepër nuk i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe beneficionet që i gëzojnë punëtorët me kontratë të rregullt”, thotë Ndue Kalaj nga BSPK.

Mursel Zymberi, kryetar i Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës, thotë se kontratat mbi vepër janë të dëmshme për arsye se nuk ka transparencë, konkurrencë të mirëfilltë, vjen në shprehje nepotizmi, familjarizmi “dhe pse jo edhe korrupsioni pasi njerëzit në mungesë të vendeve të punës mund të japin edhe para të punësohen në këtë mënyrë”.

Zymberi thotë se më shqetësues është fakti që nuk dihet mbi çfarë baze lidhen këto kontrata. “Duhet të ketë një transparencë minimale. Për këto kontrata duhet të ketë se paku një njoftim ku do të shpalleshin kriteret, të tregohet për çfarë shërbimi bëhet fjalë”, thotë Zymberi.