Shtegtimi nëpër Dukagjin

Peja shtrihet në pjesën perëndimore të Kosovës dhe është një nga qytetet më të bukura të trevave shqiptare. Qyteti ofron një sërë atraksionesh kulturore, historike dhe natyrore, duke e kthyer në një destinacion mjaft të rëndësishëm për vizitorët

Prishtinë, 10 Qershor 2016

Rrugëtimi për në qytetin e Pejës është veç fillimi i mahnitjes. Bjeshkët e larta dhe fushat e gjelbëruara që shtrihen në këtë rajon, të japin ndjesi të mrekullueshme.

Peja shtrihet në pjesën perëndimore të Kosovës dhe është një nga qytetet më të bukura të trevave shqiptare. Nëpër qytet kalon Lumbardhi i cili me rrjedhën e vet gjarpërore e ndanë qytetin në dy pjesë duke krijuar një pamje mjaft piktoreske. Qyteti ofron një sërë atraksionesh kulturore, historike dhe natyrore, duke e kthyer në një destinacion mjaft të rëndësishëm për vizitorë të huaj e vendas.

Vizita në qytetin e Pejës paraqet shtegtimin në kohëra të ndryshme. Aty gjenë gjurmë të rëndësishme të vendbanimeve dardane, romake, bizantine, sllave dhe më së shumti nga Perandoria Osmane. Shtëpi të vjetra qytetare, objekte religjioze, muze dhe dyqane të vjetra, të gjitha të ndërtuara me ndërthurje të formave dhe stileve të ndryshme arkitektonike.

Objektet kulturo-historike të punuara mjeshtërisht nga guri e druri shprehin kulturën dhe traditën e kësaj komune që nga kohërat ilire.

Fabrika e parë industriale konsiderohet të jetë Mulliri i Haxhi Zekës i cili gjendet në qendër të qytetit. I ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX, mulliri ka shërbyer për bluarjen e miellit dhe drithit, ndërsa sot është i hapur për vizitorë. Për kohën në të cilën u ndërtua ishte objekti më i lartë i cili posedonte tre kate.

Besa Potoqani nga Drejtoria e Kulturës në Pejë thotë se mulliri në vitin 1977 ka hyrë në mbrojtje të shtetit si monument historik. “Mulliri është pikë kryesore për vizitorët, sepse ka qasje shumë të lehtë edhe nga Stacioni i Autobusëve edhe nga ai i trenit”, ka thënë ajo.

Shumë artefakte si enë qeramike, hekuri dhe vegla pune do të keni rastin t’i shihni për herë të parë nëse vizitoni Konakun e Tahir Beut në Pejë.  Kjo shtëpi e vjetër qytetare e tipit asimetrik paraqet një objekt me rëndësi kulturore.  Mbi 120 eksponate gjenden brenda mureve me gurë të kësaj shtëpie të cilat paraqesin mënyrën e jetesës së banorëve të qytetit.  Instrumente muzikore, stoli, vegla pune, enterier i vjetër, të gjitha këto shpjegojnë pa fjalë traditën e lashtë të pejanëve.

Gratë e kësaj zone njihen për aftësinë e tyre në përpunimin e tekstilit. Një dëshmi e qartë e këtij zanati janë këmishat dhe veshjet e grave të anës së Dukagjinit, të cilat kanë një larmi ngjyrash e modelesh. Të gjitha këto janë të ekspozuara në konakun që është i hapur për vizitorë gjatë tërë ditës.

Pejanët ruajnë me fanatizëm traditën e zejtarisë e tregtisë, si një dëshmi e trashëguar nga të parët. Zejtaria në këtë qytet mësohet të ketë zanafillën që në periudhën antike. Në një regjistrim të kryer gjatë Perandorisë Osmane gjatë periudhës së mesjetës, tregohej se në këtë qytet ushtroheshin rreth 60 lloje zejesh. Po kështu edhe tregtia ishte element i rëndësishëm i jetës pejane dhe thuajse gjysma e popullsisë jetonin me përfitimet e ardhura nga tregtia. Edhe sot po të kalosh nga Çarshia e Gjatë dhe Xhami Çarshia e qytetit do të takosh zejtarë e tregtarë me traditë shumëvjeçare.

Mrekullitë e natyrës të hapura për vizitorë

Përveç trashëgimisë kulturore qyteti i Pejës posedon bukuri të papërshkrueshme natyrore të cilat po tërheqin vizitorë të shumtë nga e gjithë bota. Lumenj, liqej në lartësi 1860 metra, ujëvara, shpella si dhe shumëllojshmëri të florës dhe faunës janë disa nga të mirat që gëzon ky vend.

Rrjedhja e ujërave të ëmbla ka ndikuar që në këtë rajon të rriten peshq të llojeve të ndryshme të cilët janë objekt atraktiv për turistët që preferojnë peshkimin. Peshku më i njohur është trofta i cili shërbehet në shumë prej restoranteve të vendit.

Karakteristika kryesore e atraksioneve natyrore të këtij rajoni është fakti se ato janë ende të paprekura nga urbanizimi. Dukagjini ofron ambiente panoramike të vlefshme për të apasionuarit pas natyrës së virgjër.

Dy kilometra larg Pejës mund të vizitoni Shtëpinë “Alpike Ranch” ku mund të shërbeheni me ushqim tradicional. Restoranti është i vendosur në një nga pikat më të larta të Rugovës dhe vizitorët mund të bëjnë kalërim, kamping, e shumë aktivitete të tjera.

Terrenet për ecje, biçikleta e motoçikleta, ngjitje në shkëmbinj, kampingjet gjatë verës e skijimi gjatë dimrit, e bëjnë këtë rajon të  preferuar për të gjithë ata që e kanë për qejf turizmin malor, i cili është në rritje.

Adhuruesve të aventurave do t’u ndalet fryma nga bukuritë natyrore kur të provojnë të ngjitën  në shkëmbinj përmes Via Ferrata-s. Inaugurimi i Via Ferrata-s në këtë rajon është bërë në tetor të vitit 2013 dhe sipas shoqatës alpiniste “Merimangat e Pejës”, numri i turistëve që e provojnë këtë aktivitet është shumë i madh.

Atraksioni më i ri turistik në këtë rajon është Shpella e Radacit rreth 12 kilometra larg qytetit. E quajtur "Bukuroshja e fjetur"  shpella gjendet në afërsi të burimit të Drinit të Bardhë. Shpella karakterizohet nga vaskat apo basenet të cilat janë të gjata deri 70 metra me thellësi afër 4 metra.

Sipas cicerones Arberita Kollqaku, stalaktitet dhe stalagmitet e shpellës kanë përbërje mermeri dhe guri gëlqeror dhe brenda shpellës gjenden shumë liqene dhe kaskada ndoshta më unikate në botë.

Kjo shpellë nuk është eksploruar shumë dhe për këtë bëhet edhe më tërheqëse për vizitorët. Drini buron rrëzë malit të Rusolisë nga gurra e shpellës së Radacit, në lartësinë 586 metra lartësi mbi nivelin e detit, ku krijon edhe një ujëvarë të bukur, para se të zbresë në luginë, ku bashkohet me Drinin e Zi në qytetin e Kukësit.

Kullat janë veçoria tjetër e rajonit të Dukagjinit. Këto shtëpi tradicionale të familjeve kosovare sot janë rrëfimi për të kaluarën. Edhe pse qytete relativisht të vogla për nga territori, Deçani dhe Juniku karakterizohen me vlera të shumta natyrore dhe kulturore që i bëjnë këto qytete të jenë atraktive për zhvillimin e turizmit dhe konkurrent me shumë qytete të mëdha në Kosovë dhe rajon.

Kulla e Osdautajve në Isniq dhe ajo e Ramë Zymerit në Junik të ofrojnë ngrohtësinë familjare e kombëtare. Përveç interesit arkitektonik që mbartin, ato kanë luajtur një rol të rëndësishëm shoqëror. Nevojat sociale dhe ato jetësore të njerëzve që i kanë banuar, kanë çuar deri të një dizajn krejtësisht unik të arkitekturës së tyre.

Kulla e Ramë Zymerit në Junik, e cila konsiderohet ndër më vjetrat, është hapur për vizitorë. Aty ofrohen bujtina dhe ushqime tradicionale, në frymën ashtu siç jetonin familjet shqiptare dikur.

Zhvillimi i turizmit ka punësuar gra

Tashmë është parë se idetë e përcjella me disa investime në strukturën ekzistuese turistike nëpër qytete dhe rajone kanë quar tek nisma ekonomike tepër frytdhënëse. Në këtë kontekst Organizata Swisscontact e cila financohet nga Zyra Zvicerane në Kosovë, është duke investuar vazhdimisht në zhvillimin e turizmit në vendin tonë.

Përmes projektit  Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE), kjo organizatë është duke investuar dhe promovuar shumë atraksione turistike sidomos në Kosovën Perëndimore.  Një varg aktivitetesh si formimi i Organizatës për Menaxhimin e Destinimit  “Kosova Perëndimore” (DMO), promovimin online të bizneseve turistike, lobimin për ngritjen e cilësisë së ushqimit, përfshirjen e minoriteve etj., kanë ndikuar që vitet e fundit rajoni i Dukagjinit të ngritë nivelin e zhvillimit turistik.

Krahas këtij zhvillimi, me anë të këtyre projekteve po angazhohen e punësohen edhe gratë pavarësisht që sipas perceptimeve të shoqërisë lidhur me ndarjen e punëve në baza gjinore, turizmi malor shihet si provincë e burrave.

Edona Kurtolli nga Swisscontact ka thënë për Preportr se një ndër qëllimet kryesore të PPSE-së është vetëdijesimi i shoqërisë për rolin e gruas në ekonominë e Kosovës.

"Sa i përket sektorit të turizmit  në Kosovën Perëndimore (Pejë, Deçan, Junik) numri i të punësuarve ka trende rritëse. Në bazë të anketave të institutit Riinvest, në vitin 2013 numri total i të punësuarve në këtë sektor ishte 1105 prej të cilëve 244 janë gra, ndërsa në vitin 2014 ky numër është rritur në 1202 prej të cilëve 306 janë gra", ka thënë Kurtolli.

Blerina Sallaj është vajza që po bën punë të madhe në zhvillimin e turizmit në këtë rajon.

"Turizmi nuk ka kufizim gjinor, pra secila gjini mund te kontribuojë në turizëm”, ka thënë Blerina e cila është koordinatore në Qendrën Rajonale të Turizmit në Dukagjin.

Ajo ka folur për dëshirën e grave për t'u përfshirë në këtë fushë.  "Ka vajza e gra që janë orientuar vetëm në turizëm, madje e kanë zgjedhur edhe si degë për ta studiuar", ka thënë Sallaj.

Mersiha Ibraj është kuzhiniere qe pesë vite në Shtëpinë “Alpike Ranch”. Ajo ka thënë që vizitorët janë shumë të kënaqur me ushqimin që ajo dhe koleget e saj përgatisin. "Jam e martuar dhe kam tre fëmijë. Vetëm unë në familje punoj dhe siguroj të ardhura. Unë mendoj që secila grua që mundet duhet të punoj", ka thënë Ibraj.

Edhe Aferdita Lipoveci e bën të njëjtën punë. Ajo kryesisht përgatitë ushqime tradicionale dhe thotë qe e pëlqen shumë punën që e bën. "Jam shumë më e pavarur prej që kam filluar të punoj. Pesë fëmijët i kam shkolluar me të ardhurat e mia", ka thënë Lipoveci.

Vlen të theksohet që kryesisht turizmi udhëhiqet nga biznese private të cilat janë të dominuara nga burrat. Gratë janë të përfshira më shumë në punë dytësore dhe më pak të dukshme si përgatitja e ushqimeve, përpunimi i pemëve dhe çajrave, ofrim i shërbimeve të akomodimit etj. Megjithatë sipas një raporti të PPSE-së thuhet se shtatë gra janë në pozita menaxheriale. Kohëve të fundit është rritur numri i vajzave e grave që punojnë info-center, ciceron apo si udhëzuese tek Via Ferrata.

Një gamë e gjerë e produkteve turistike, objektet më të mira dhe shërbimet fantastike janë zgjidhja e qëlluar për adhuruesit e natyrës dhe të interesuarit për kultura e tradita të ndryshme.