English
Scroll top

Shtatë deputetë fshehin pasurinë

Deputetë të Kuvendit të Kosovës fshehin pjesë të bizneseve të tyre dhe nuk i deklarojnë në Agjencinë kundër Korrupsionit. Ky akt, jo veç që paraqet thyerje të Ligjit për Deklarimin e Pasurisë, duke shkarkuar kështu kundërvajtje, por potencialisht mund të përbëj edhe vepër penale

06 Dhjetor 2011

Mungesa e sanksioneve eksplicite për fshehjen e pasurisë nga zyrtarët e lartë publik, e ka bërë të lehtë për shtatë deputetë të Kuvendit të Kosovës, që u përkasin partive të ndryshme politike, që të fshehin bizneset e tyre dhe të mos i deklarojnë në Agjencinë kundër Korrupsionit (AKK). Deputetë të Kuvendit të Kosovës, institucionit më  të lartë legjislativ në vend, e kanë shkelur kështu ligjin që e kanë nxjerrë vetë, duke mos i deklaruar bizneset e tyre edhe pse Ligji për Deklarimin e Pasurisë,  obligon deputetët që të deklarojnë çdo aktivitet biznesor dhe çdo funksion tjetër që e ndërmarrin. Duke qenë se deklarimi i rrejshëm apo mosdeklarimi i pasurisë nuk konsiderohet vepër penale, deputetët nuk brengosen për pasojat e këtij veprimi. Mos-deklarimi i pasurisë, ndëshkohet vetëm me masa shumë të buta të kundërvajtjes.

Drejtori i AKK-së, Hasan Preteni, pas dorëzimit të listës nga “Preportr”  ka konfirmuar se ky Agjencion ka filluar hetimin për deputetët në fjalë, të cilët nuk e kanë deklaruar një pjesë të pasurisë. “Ne kemi pranuar informacionin nga ana e juaj, dhe menjëherë kemi filluar me kontrollin e plotë  të deklarimit të pasurisë për këta zyrtarë të lartë publik”, ka thënë Preteni.

Këta shtatë deputetë, në prononcimet e tyre për Preportr, mundohen të japin arsyetime të ndryshme, por ligjërisht të paqëndrueshme për mosdeklarim e bizneseve të tyre në AKK. Një pjesë e tyre thonë se nuk i kanë këto biznese aktive, disa thonë se janë të familjarëve të tyre, ndërsa të tjerët se kanë filluar aktivitetet biznesore në kompanitë përkatëse pasi që e kanë bërë deklarimin e pasurisë. Ndërsa e vërteta është se të gjitha bizneset e këtyre deputetëve janë aktive dhe të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) dhe sipas Ligjit për Deklarimin e Pasurisë, këta shtatë deputetë kanë qenë të obliguar që t’i deklarojnë këto biznese në AKK.

Arsyetime të pabaza!

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Shaip Muja, nuk e ka deklaruar në AKK kompaninë në emër të  tij, “Kosova Green Energy”, kompani të cilën e ka në ortakëri me Ali Kastratin. Ai thotë se nuk e ka deklaruar këtë kompani sepse kompania në fjalë nuk ka pasur ndonjë aktivitet. “Kjo kompani nuk ka pasur asnjë aktivitet dhe për këtë unë e kam njoftuar Agjensionin Kundër Korrupsionit, kur kam bërë deklarimin e pasurisë”, thotë Muja. Sidoqoftë, Ligji për Deklarimin e Pasurisë, e obligon këtë deputet sikur edhe të tjerët që ta deklarojë biznesin e tij, pavarësisht se a ka ushtruar aktivitet kompania a jo.

Gjithashtu edhe vëllai i Shaip Mujës, Fatmir Muaj është pronar i kompanisë “CI- KOS -CRO GmbH , e cila merret me riciklimi i hedhurinave dhe mbeturinave jometalike, prodhimin e produkteve të tjera minerale jo-metalike dhe tregti me shumicë e mbeturinave dhe hedhurinave. Kjo kompani ka fituar një kontratë me vlerë gjysmë milioni euro për shitjen e metaleve të KEK-ut.  Kompania “CI- KOS -CRO GmbH” e ka të përbashkët numrin e telefonit me kompaninë e padeklaruar të Shaip Mujës “Kosova Green Energy”.

Hashim Deshishku, deputet nga radhët e LDK-së i ka të regjistruara në Agjensionin për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) kompanitë “HIB Construction”, “Deshishku Construction” dhe “Newco Dardania”, por ato nuk figurojnë në formularin për deklarimin e pasurisë të dorëzuar nga ai në AKK. Ai tregon për Preportr që kompania “HIB Construction”, nuk ka zhvilluar asnjë aktivitet biznesor dhe duke marrë parasysh këtë, thotë se nuk e ka parë të arsyeshme që ta deklarojë fare. “Kjo kompani nuk ka funksionuar kurrë, bile kam harruar që ekziston. Këtë kompani e kemi pasur me një ortak, por nuk ka funksionuar kurrë dhe  e kemi ç’regjistruar, pasi që nuk ka funksionuar kurrë”, thotë Deshishku. Mirëpo, çregjistrimi i kompanisë nënkupton një varg veprimesh formale duke filluar edhe një aplikim për çregjistrimin e biznesit si edhe spastrimin e obligimeve tatimore.

Bazuar në të dhënat e ARBK-së, kompania “HIB Construction”, rezulton që të jetë aktive dhe bazuar në Ligji për Deklarimin e Pasurisë, deputeti Deshishku ka qenë i obliguar ta deklarojëëtë  kompani në AKK. Ortak të Deshishkut në këtë kompani janë edhe Ismet Gashi e Blerim Svirca, ky i fundit më 26 nëntor 2010, është shpallur fajtor për veprën penale të keqpërdorimit  të  pozitës zyrtare ose autoritetit zyrtar dhe është dënuar me 3 vjet e katër muaj burg. Ndërsa, shuma prej 60 mijë eurosh i është konfiskuar dhe do të derdhet në Thesarin e Kosovës.
Ndërsa, për sa i përket kompanisë “Newco Dardania”, Deshishku arsyetohet se “kjo kompani ka qenë e “Lesnës” jo e imja, unë nuk jam pronar më”. Por, bazuar në dokumentet e ARBK-së, Deshishku rezulton të jetë person i autorizuar në këtë kompani, gjë që e obligon atë që ta deklarojë këtë kompani, gjegjësisht rolin e tij në të. “Sa i përket se jam person i autorizuar aty, ndoshta kanë mbetur dokumentet që kam qenë më herët”, thotë Deshishku.

Rreth kompanisë “Deshishku Contrustction”, deputeti Deshishku pranon që është themelues i saj, por thotë se e ka deklaruar atë në  AKK. “Kjo kompani është e paraqitur me sa e di unë”, shprehet Deshishku. Në të vërtetë, kompania “Deshishku Contrustction”, bazuar në regjistrat e deklarimit të pasurisë që i publikon AKK-ja, nuk është e deklaruar në formularin e tij të deklarimit të pasurisë.
Deputetja, Sala Berisha Shala, nga radhët e PDK-së, del si pronare e kompanisë “FER Consulting”, e cila mungon në formularin për deklarimin e pasurisë. Ajo thotë se kjo kompani ende nuk ka filluar që të funksionojë dhe për këtë arsye nuk e ka publikuar. “Kompania ime është në kuadër të kompanive të regjistruara që nuk funksionojnë”, thotë ajo edhe pse një kategori e tillë e kompanive që “nuk funksionojnë” nuk ekziston. “Kjo kompani është regjistruar në emër tim në mars dhe mandej nuk i kam ndjekur procedurat e mëtejme. Kjo kompani nuk është aktive, sepse është dashtë me marr certifikatën, me hap xhirollogarinë dhe me e marrë vulën, por nuk kam arritur që t’i marr këto, sepse nuk kam pasur kohë dhe se janë procedura të vështira burokratike”, u shpreh ajo.

Nazane Breca, deputete nga radhët e LDK-së, nuk e ka deklaruar fare në AKK biznesin e saj Qendrën Diagnostike –Terapeutike “Kujdesi Familjar”. Breca thotë se nuk e ka bërë një gjë të tillë sepse nuk është duke punuar më në këtë biznes dhe për këtë nuk e ka parë të arsyeshme ta bëjë deklarimin. “Kjo ordinancë nuk ekziston më dhe unë e kam mbyllur së pari në komunë sepse ka qenë konflikt interesi pasi që u pata bërë drejtore e departamentit për shëndetësi”, thotë ajo edhe pse është vështirë të verifikohet nëse në të vërtet kjo kompani nuk ka pasur afarizëm gjatë kësaj kohe. Sido që të jetë, Breca ka pasur obligim që ta deklarojë pronësinë e kësaj kompanie edhe nëse është i vërtetë pohimi i saj.   “E kam konsideruar si të mbyllur sepse nuk kam aplikuar për licencë në Ministrinë e Shëndetësisë për këtë arsye nuk e kam publikuar në kuadër të deklarimit të pasurisë në Agjensionin Anti-korrupsion”, thotë ajo.

Teuta Sahatqija, deputete nga radhët e LDK-së ka një kompani të regjistruar me emrin “IR Group” të padeklaruar në formularin e AKK-së. Si kolegët e saj, edhe ajo mundohet të përdorë të njëjtin arsyetim. “Ka qenë një ide për ta krijuar këtë biznes me disa të tjerë, por nuk kemi mundur të merremi vesh rreth funksionimit të tij dhe ky biznes nuk e ka filluar aktivitetin kurrë, pra vetëm ka mbet i regjistruar”, thotë Sahatqija. Por, të dhënat zyrtare të ARBK-së, thonë që kompania “IR Group” është aktive dhe mund të ushtrojë aktivitet biznesor.

Agim Kuleta, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e “Lëvizjes për Bashkim”, nuk e ka deklaruar në AKK kompaninë “XPrint”. Ai mosdeklarimin e kësaj kompanie tenton ta arsyetojë duke thënë se kjo kompani është në emër të vëllait të tij. “Këtë kompani e kemi me vëllaun dhe ky biznes nuk është në emrin tim, por në emër të vëllait”, thotë Kuleta. Kompani “XPrint”, është e regjistruar në Agjencionin për Regjistrimin e Bizneseve, dhe për pronar ka vëllaun e deputetit Kuleta. Por deputeti Kuleta rezulton që të jetë person i autorizuar në këtë kompani. Këtë funksion, deputetit Kuleta ka qenë i obliguar, sipas Ligji  për Deklarimin e Pasurisë, që ta deklarojë në AKK.

Vasimir Saviç, deputetë nga radhët e partisë JSL, nuk e ka deklaruar funksionin e tij që e ka në kompaninë “Bezi2”. Ai nuk e pranon se e ka këtë funksion, ndërsa, sipas informatave të marra nga ARBK-ja, deputeti Saviç, është person i autorizuar në këtë kompani. Deputeti Savic, me Ligj ka qenë i obliguar që ta deklarojë edhe këtë funksion në këtë kompani. Ndërsa, pronari i kompanisë “Bezi 2” Selami Osmani, ka qenë edhe financues i fushatës së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si pas raportit të OSCE-së për vitin 2002 për financimin e partive politike, Osmani në këtë vit ka dhënë për LDK-në 2 mijë e 100 euro.

Të obliguar që t’i deklarojnë

Në lidhje me këtë çështje, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, ka thënë se çdo person publik është i obliguar me ligj që ta deklarojë çdo aktivitet të tij në AKK.

“Zyrtarët e lartë publik në pajtim me nenin 3 të Ligjit nr. 04/L-050 kanë për  obligim të deklarojnë në formularin për deklarim të pasurisë të gjitha funksionet ose aktivitete tjera krahas funksionit të lartë publik”, thotë Preteni.

Detyrimi për ta deklaruar pasurinë dhe çdo funksion nga zyrtari publik, përcaktohet me Ligjin për Deklarimin e Pasurisë, konkretisht në Kreun e IV - neni 13, në të cilin mes të tjerave thuhet se personi publik duhet të deklarojë edhe “...Funksionet apo aktivitetet tjera që i ushtron zyrtari krahas funksionit publik”.

Falsifikimi i dokumenteve zyrtare përbën vepër penale

Bazuar në Kodin Penal të Kosovës, këta deputetë kanë shkaktuar vepër penale përmes falsifikimit të dokumentit zyrtar, në këtë rast, me mosdeklarimin e një pjesë të pasurisë.

Sipas drejtorit të AKK-së, formulari i deklarimit të pasurisë konsiderohet dokument zyrtar.  Ndërsa në pyetjen se a mund të konsiderohet vepër penale paraqitja e të dhënave jo të sakta në këtë formular, drejtori i AKK-së tha, “drejtojuni prokurorisë”.

Kurse, koordinatorja kundër korrupsionit në Prokurorinë e Qarkut, Drita Hajdari, ka konfirmuar për  “Preportr”, se Formulari i Deklarimit të Pasurisë është dokument zyrtar. “Po për prokurorinë, formulari i deklarimeve të pasurisë është dokument zyrtar”, shprehet Hajdari.

Në Kodin Penal të Kosovës, nenin 348 pika 1, thuhet se:  “Personi zyrtar ose personi përgjegjës i cili në dokumentin zyrtar ose afarist, në regjistër zyrtar ose në shkresë shënon informacion të rremë ose nuk shënon informacionin thelbor apo me nënshkrimin e tij ose me vulën zyrtare vërteton dokumentin zyrtar a afarist, vërteton regjistrin zyrtar ose shkresën e cila përmban të dhëna të rrejshme ose mundëson përpilimin e dokumentit, regjistrit ose shkresës së tillë me përmbajtje të rrejshme dënohet me burgim prej tre muajve deri në tri vjet”.

Nga interpretimi i këtij neni të KPK-së, del se paraqitja e deklarimeve të rrejshme në formularin e deklarimit të pasurisë mund të paraqes veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar. Kështu, bazuar në  kualifikimin e AKK-së dhe të prokurorisë, që e cilësojnë formularin e deklarimit të pasurisë si dokument zyrtar dhe bazuar në nenin e KPK-së që parasheh përgjegjësitë rreth falsifikimit të këtij dokumenti, deputetët e Kuvendit potencialisht kanë shkaktuar vepër penale për të cilin akt do të duhej të  jepnin përgjegjësi.

Biznesi është aktiv derisa të çregjistrohet

Çdo biznes, i cili është i regjistruar në ARBK, është funksional dhe, sipas  Ligjit për Deklarimin e Pasurisë, duhet të deklarohet në AKK, pavarësisht aktivitetit biznesor, fitimit apo humbjes. Mehdi Pllashniku, koordinator i Agjensionit për Regjistrimin e Bizneseve, ka thënë për “Preportr”, se çdo biznes është aktiv deri në momentin kur pronari shkon në Agjension dhe aplikon për ta mbyllur. “Një biznes konsiderohet aktiv deri sa nuk çregjistrohet në Agjensionin për Regjistrimin e Bizneseve. Ne nuk merremi me çështjen  se a funksionon një biznes, a ka aktivitete apo jo, për ne një biznes është aktiv derisa pronari aplikon për ta mbyllur, pra është në databazën tonë. Ndërsa për ta mbyllur një biznes pronari duhet që ta sjellë vërtetimin nga Administratën Tatimore të Kosovës që i ka kryer të gjitha obligimet dhe vërtetimin nga gjykata ekonomike që nuk është në ndonjë procedurë hetimore, pastaj mbushet aplikacioni për shuarjen  e bizneseve”, thotë Pllashniku.

Deklarimi i 2011-it ende i pa kontrolluar


Shefi i Divizionit për Mbikëqyrjen e Pasurisë dhe Dhuratave në AKK, Agron Behrami, ka thënë për “Preportr”, se për vitin 2011 nuk është bërë ende raporti i kontrollimit të deklarimit të pasurisë dhe se ky kontroll do të realizohet në muajin mars të vitit të ardhshëm. “AKK ka filluar kontrollin e plotë sipas kërkesës së palëve për 7 informacione të cilat kanë përfshirë 58 zyrtarë të lartë publik. AKK ka zhvilluar kontrollin e plotë lidhur me informacionet e pranuara dhe në mungesë të informacioneve që vërtetojnë të kundërtën ka mbyllur 7 rastet e paraqitura. Këto janë të dhëna të nxjerra nga raporti i vitit 2010”, thotë Behrami.

Ai thotë se AKK ka filluar kontrollin e plotë sipas detyrës zyrtare për 237 zyrtarë të lartë publik që kanë deklaruar pasurinë. “Gjatë kontrollit të plotë të pasurisë së deklaruar, dhe krahasimin me atë të deklaruar viteve paraprake. AKK ka evituar se 34 zyrtarë të lartë publik kanë ndryshime në deklarimin e bërë në këtë vit. Në mungesë të sanksionimit dhe kualifikimit si vepër penale të deklarimit rremë të pasurisë, AKK e ka pasur të pamundur ngritjen e kallëzimit penal, mirëpo 27 raste i kemi dërguar për kontroll të mëtejme në Qendrën Inteligjentes Financiare, 7 raste në Zyrën e Komisionit Disiplinor e cila gjendet në kuadër të Këshillit gjyqësor”, theksoi Behrami.

Ai sqaroi se për ta verifikuar saktësinë e pasurisë së deklaruar nga zyrtarët e lartë publik, AKK ka kërkuar informacione nga: Agjencioni i Regjistrimit të Bizneseve, Administrata Tatimore e Kosovës, Zyrat e Katastrit, Bankat e Kosovës, Ndërmarrje Publike.