23 Dhjetor 2013
Prishtina e vjetër ka ngelur tashmë një nostalgji për shumkë. Jo rrallë, pronarë kafenesh mbajnë foto nga lagjet e këtij qyteti, që u transformua nga komunistët. Rrugicat e ngushta të mbushura me bërllok, disa dyqane dhe kafe të vjetra, aty- këtu mure të rëna në përtokë, të atyre pak shtëpive të vjetra përbëjnë Prishtinën e Vjetër. Kjo pjesë e qytetit që ka në zemër të saj shumë gërmadha shtëpish, të cilat edhe po digjen, ka mbetur në mëshirë të fatit.
Edhe ato pak konservime e restaurime që u bënë në këto vitet e fundit, kryesisht të monumenteve që janë në mbrojtje te shtetit, thuhet që as për së afërmi nuk i plotësojnë kushtet dhe objektet e vjetra po i kthejnë në pamje të re e të përçudnuar.
Një pjesë e Prishtinës së vjetër që gjendej në vendin ku tash janë institucionet e reja të shtetit u rrënua në vitet e pas Luftës së Dytë Botërore , siç thuhej atëherë në emër të së resë. Objekte të vjetra u rrënuan e u ndërtuan të reja, rrugë të ngushta e të shtruara me kalldrëm u zgjeruan e u ndërtuan sheshe. Pak objekte që mbetën kryesisht të periudhës otomane mbetën pa përkujdesje.
Veç këtyre monumenteve që kanë hyrë në mbrojtje të përkohshme këto vitet e fundit, nga Ministria e Kulturës, shtëpitë qindravjeçare që shtrihen në hapësirën tek Tregu i Gjelbër dhe në Lagjen Dodona, janë rrënuar ose kanë mbetur pa përkujdesje. “Dodona”, që sipas zyrtarëve të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, përbën bërthamën e qytetit të vjetër, është degraduar nga ndërtimet pa leje më shumë sesa të gjitha lagjet tjera.ra Këtu më së shumti kanë pësuar shtëpitë e vjetra, të cilat janë rrënuar dhe u kanë lënë vend godinave shumëkatëshe.
Ekspertë të fushës së trashëgimisë kulturore kanë frikë se Zona Historike e Prishtinës, dhe monumentet e saj janë në rrezik për tu zhdukur. Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prishtinës, kanë ndërhyrë në disa raste kur janë rrezikuar monumentet që kanë hyrë nën mbrojtje, por kanë qenë të pafuqishme ndaj pronave private, në të cilat janë rrënuar shtëpitë dhe janë ndërtuar të reja.
Banorët e kësaj zone janë të ndarë rreth ndryshimeve që po bëhen në lagjen e tyre. Disave u vjen keq për shkatërrimet që janë bërë aty e të tjerë thonë se është e domosdoshme që të ketë ndryshime, përfshirë këtu edhe të Hamamit të Madh, pasi që gjendja sipas tyre ishte e vështirë dhe Hamami po shndërrohej në gërmadhë.
Shumë kritika për punimet në Hamam
Punimet për konservimin e Hamamit të Madh të Prishtinës, kanë filluar në vitin 2009. Prej atëherë pakënaqësitë me punimet që po vazhdojnë ende kanë qenë të mëdha. Organizata joqeveritare Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB), organizatë kjo e pavarur suedeze e përkushtuar për shpëtimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, të prekur nga konfliktet, neglizhenca apo fatkeqësitë natyrore dhe njerëzore, i ka tërhequr vërejtjen Komunës së Prishtinës për punimet që po zhvilloheshin jashtë projektit në këtë hamam.
Përmes një shkrese dërguar në vitin 2009, CHwB, kishte njoftuar komunën dhe Institutin për devijimet që po bëheshin nga projekti fillestar. CHwB, kishte thirrur për këto devijime autorin e projektit Mustafa Pehlivanogllu, për ta vizituar punishten dhe ai kishte konfirmuar shqetësimin e CHwB-së se kompania kontraktuese kishte devijuar projektin gjë që rrezikon në humbjen e vlerave të ndërtesës.
Një raport rreth punimeve që po bëheshin në Hamamin e Madh, e kishte bërë edhe autori i këtij projekti në vitin 2009. Në vizitën që i kishte bërë hamamit në maj të atij viti, eksperti turk kishte konstatuar se punët që po bëheshin në hamam nuk kishin zbatuar udhëzimet e projektit të monumentit.
“Sa i përket dijenisë sonë, projekti i cili bart autorësinë tonë dhe i cili është pranuar nga palët e përfshira në vendim-marrje ishte dashur që të implementohet nga kompania ndërtimore, sepse është parim ligjor dhe universal në zbatimin e restaurimit”, thuhet në raportin e Mustafa Pehlivanogllu.