English
Scroll top

Politika e parasë

Rreth 220 milionë euro i kanë përfituar financuesit e partive politike nga tenderët publikë përgjatë një periudhe kohore gusht 2007 - maj 2014. Hulumtimi i Preportr tregon se financuesit e PDK-së prinë për sa i përket vlerës totale të parave që i kanë përfituar nga tenderët publikë. Financuesit e Lëvizjes Vetëvendosje! dalin të jenë të dytët që kanë përfituar më së shumti nga tenderët publikë, të pasuar nga ata të AAK-së, AKR-së, dhe në fund të LDK-së

Prishtinë, 06 Tetor 2015

Nëse paraja përkthehet në ndikim përmes së cilit mundësohet kapja e një të mire publike, atëherë kanali më i sigurt për ta realizuar këtë synim duket të jetë partia politike. Financimi i partive politike, posaçërisht gjatë fushatave zgjedhore, tregohet të jetë mënyra më e shpejtë dhe më e sigurt për kthim të shumëfishtë të investimit. Mbështetja financiare për parti politike dhe kandidatë për deputet gjatë fushatave elektorale mund të mos ketë ndikim të thellë në rezultatin përfundimtar zgjedhor, por gjetjet e Preportr faktojnë se mbështetësit e partive janë shpaguar shumëfish përmes tenderëve publikë për kontributin e dhënë.

Bazuar në të dhënat e hulumtuara nga Preportr, përgjatë shtatë viteve (gusht 2007- maj 2014), del se disa nga financuesit e partive politike  -  bizneset dhe pronarë të bizneseve - kanë përfituar rreth 220 milionë euro tenderë publikë. Hulumtimi tregon se financuesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), që për shtatë vite drejtoi Qeverinë e Kosovës, janë në krye të listës së përfituesve nga tenderët publikë, të pasuar nga financuesit e Lëvizjes Vetëvendosje! (LVV). Financuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK),  Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe të Aleancës për Kosovën e Re (AKR), kanë përfituar shumë më pak të hyra nga tenderët publikë se sa ata të PDK-së dhe LVV-së.

Shiko Gazetën #14

Në total, Preportr ka mundur të provojë që financuesit e PDK-së kanë përfituar mbi 160 milionë euro, përderisa ata të LVV-së kanë marrë afër 60 milionë euro nga tenderët publikë. Shuma totale që financuesit e tri partive tjera (LDK, AAK dhe AKR), kanë përfituar është më pak se 14 milionë euro. Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje!, përveç se kanë fizionomi pak a shumë të njëjtë të financimit, në disa raste kanë edhe financues të njëjtë. Lidhja Demokratike e Kosovës, edhe pse partia e dytë për nga numri i votave të fituara, ka deklaruar më së paku të hyra nga donatorë të jashtëm dhe rrjedhimisht financuesit e saj kanë përfituar më së paku nga tenderët publikë. Dy partitë tjera, AAK-ja dhe AKR-ja, bazohen në donacione që kryesisht vijnë nga anëtarë të partisë, në rastin e AAK-së, ose familjarë të kryetarit, në rastin e AKR-së, gjë që e bënë këtë të fundit parti me karakter familjar të financimit.

Në mungesë të qasjes në të dhënat zyrtare të të gjithë kontributdhënësve të partive politike, për sa i përket viteve 2000-2008, Organizata ÇOHU! dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese kanë dërguar disa kërkesa për qasje në dokumente publike në adresë të KQZ-së dhe OSBE-së, por edhe të partive parlamentare që janë të përfshira në këtë hulumtim.

Në këto kërkesa është kërkuar qasje në të gjitha raportet e auditimit (raportet vjetore financiare si dhe raportet e shpenzimeve gjatë zgjedhjeve) që nga koha e themelimit të partive parlamentare (përveç atyre që gjenden në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), listën e aseteve që janë në emër të partisë, xhirollogaritë bankare, transaksionet bankare, gjendjen e partisë në ATK, listën e personave që marrin paga nga partia, qasje në të gjithë arkivin e partisë përkitazi me listën e donatorëve që nga themelimi i partisë (personat fizikë dhe juridikë), në listën e plotë të kontributeve të pranuara nga ndërmarrjet private të cilat kanë kontrata me institucionet e shtetit, qasje në arkivin e faturave përkitazi me mallrat dhe shërbimet që janë kontraktuar nga partia.

Sa fituan financuesit e subjekteve politike? - Kliko në foto për ta parë në madhësi reale

Preportr ka pritur nëntë muaj për përgjigje, por edhe përkundër disa tentimeve, asnjëra prej partive politike parlamentare nuk ka lejuar qasje në informacionin dhe dokumentet e kërkuara. Nga OSBE-ja kemi marrë përgjigje se të gjitha raportet vjetore të financimit të partive politike përfshirë edhe ato të shpenzimeve gjatë fushatave zgjedhore për vitet 2000-2008, i kanë dorëzuar në KQZ. Këta të fundit kanë deklaruar se këto raporte janë asgjësuar në mungesë të hapësirave për t'i arkivuar.

Për sa i përket auditimit të pasqyrave financiare vjetore dhe të shpenzimeve gjatë zgjedhjeve lokale dhe nacionale për vitet 2013 dhe 2014, në mungesë të konstituimit të institucioneve për gjashtë muaj, Kuvendi nuk ka arritur të angazhojë auditorë që t'i auditojnë pasqyrat financiare të partive politike. Sidoqoftë, Kuvendi i Kosovës, edhe pse funksional nga dhjetori i vitit të kaluar, ende nuk ka arritur të përzgjedhë auditorë për të realizuar auditimin e pasqyrave financiare vjetore dhe të shpenzimeve gjatë zgjedhjeve për vitet 2013-2014 të partive politike.

Natyra e financimit të subjekteve politike

Hulumtimi ka treguar se dy burimet kryesore të financave të partive politike vijnë nga buxheti publik dhe nga donatorë të jashtëm ose në formë të parave kesh ose në atë të kontributeve në mallra dhe shërbime. Në këtë mes, PDK dhe Vetëvendosje! kanë natyrë të përafërt të financimit, pra për të dyja partitë burimet kryesore të financave vijnë nga buxheti i shtetit dhe nga donatorë të ndryshëm që në të njëjtën kohë janë edhe përfituesit kryesorë të miliona eurove nga buxheti publik. Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje! deklarojnë të hyra të jashtme nga persona fizikë, duke mos përjashtuar as bizneset private si financues të tyre në vlera shumë më të larta se sa subjektet tjera politike.

Hulumtimi i Preportr ka treguar se rivali më i madh i PDK-së, Lëvizja Vetëvendosje!, përveç se në disa raste i ka donatorët e njëjtë me PDK-në, financuesit e saj janë të dytët që marrin më shumë tenderë në institucione publike. Vlera totale e tenderëve të fituar nga financuesit e PDK-së, është 162,517,080 euro, përderisa nga ata të LVV-së është 59,701,559 euro.

Në bazë të dokumenteve zyrtare e njëjta gjë nuk ka ndodhur me tri partitë e tjera, LDK-në, AKR-në, dhe AAK-në, edhe pse për një kohë të gjatë ishin në pushtet. Në këtë rrafsh, të dhënat tregojnë se sidomos financuesit e LDK-së kanë përfituar më së paku nga tenderët publikë. Rast konkret për këtë është Komuna e Prishtinës, e cila edhe pse prej pasluftës është udhëhequr nga LDK-ja, mbi 13 milionë euro nga tenderët publikë ua kishte dhënë financuesve të PDK-së. Të dhënat tregojnë se financuesit e LDK-së kanë marrë 419,631 euro nga tenderët publikë, ata të AAK- së 9,767,240 euro, përderisa ata të AKR-së 3,089,817 euro.

LDK-ja dhe AAK-ja e deklarojnë pjesën më të madhe të të hyrave si të hyra nga buxheti, por edhe në rastet kur deklarojnë të hyra si donacione shumica e tyre janë në emra të anëtarëve të subjektit. Në raportin e auditimit për vitin 2009, LDK-ja ka deklaruar të hyra nga shitja e pasurisë pa e përmendur se për çfarë pasurie bëhet fjalë. Këto të hyra përbëjnë më shumë se 50% të të hyrave të LDK-së për fushatën e vitit 2009. Në rastin e AAK-së hasim 4-5 emra të cilët janë me pozita të larta në parti, dhe shumica e të hyrave si donacione janë të deklaruara në emër të tyre.

Një natyrë krejt tjetër të financimit e ka partia e Behgjet Pacollit, AKR-ja, e cila në zgjedhjet e fundit nuk arriti ta kalojë as pragun. Në raportet e auditimit të KQZ-së, AKR del të jetë partia që në disa raste e ka shkelur ligjin.  Këtë parti ndryshe prej të tjerave e kanë financuar familjarë të presidentit Behgjet Pacollit.

Gjatë hulumtimit, Preportr ka hasur në disa të meta në raportet e auditimit. Një  e metë e raporteve të auditimit është që kategoritë e të hyrave për subjektet politike, siç është kategoria “të  hyra tjera”, nuk tregojnë se për çfarë të hyrash bëhet fjalë. Po ashtu, në këto raporte mund të gjenden edhe gabime të tilla ku në të dhënat e donatorëve numri personal nuk përputhet me emrin e donatorit, gjë që e vështirëson shumë identifikimin e donatorit në fjalë dhe përfitimet që mund t'i ketë realizuar nga tenderët publikë.

PDK, fusha e gravitetit për donatorë

Raporti i partive politike, sidomos i Partisë Demokratike të Kosovës, me bizneset është ndërtuar mbi një lidhje shumë të ngushtë që, bazuar në terminologjinë akademike dhe praktikën e shumë shprehur në vend, mund të konsiderohet se përmban trajta të klientelizmit: biznese e individë të ndryshëm japin para gjatë fushatave zgjedhore për partinë apo individë brenda saj dhe si kundërshpërblim përfitojnë tenderë në mënyrë selektive. Ky lloj i marrëdhënies shtrihet në të gjitha nivelet e qeverisjes, si në atë qendror ashtu edhe në atë lokal, dhe prekë shumë institucione.

Me ta marrë pushtetin, Partia Demokratike e Kosovës shpërbleu kompaninë B2, e cila kishte punuar për fushatën zgjedhore të kësaj partie për zgjedhjet nacionale 2007. Partia Demokratike e Kosovës, vetëm pas disa javësh të marrjes së pushtetit, pa shpallur tender, pati shpërblyer këtë kompani me fondin për festën e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008 me shumën prej 562 mijë euro.

Por, ky ishte vetëm fillimi i një marrëdhënieje të ndërlikuar në mes donatorëve dhe PDK-së. Gjatë shtatë viteve në pushtet, PDK-ja ka dhënë tenderë për financuesit e saj në vlerë prej qindra miliona eurosh. Hulumtimet e mëhershme të Preportr, por edhe ky që është bërë tani, tregojnë se PDK-ja, me qëllim të mbajtjes dhe konsolidimit të pushtetit të saj në të gjitha nivelet, me zotësi ka përdorur mjete të ndryshme si klientelizmin, (shpërblimi në mënyrë selektive i kompanive dhe individëve që kanë mbështetur partinë dhe anëtarët e saj gjatë fushatave zgjedhore me tenderë publikë), patronazhin politik (punësimin e anëtarëve dhe militantëve partiakë në shërbimin civil, kompani publike dhe agjencione të pavarura), dhe nepotizmin (punësimin e familjarëve të anëtarëve të partive në shërbimin civil, kompani publike dhe agjencione të pavarura).

Të hyrat që ka deklaruar PDK-ja nga subjektet juridike (biznese) dhe fizike (Vetëm ata që posedojnë biznese) gjatë viteve 2009-2012Në total, hulumtimi i Preportr ka mundur të identifikojë që 52 subjekte që kanë financuar PDK-në, si persona fizikë ose si persona juridikë, kanë marrë nga institucionet publike 325 tenderë, vlera e të cilëve arrin në 162,517,080 euro.

Preportr u ka dhënë theks të veçantë dy ministrive (Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Transportit, tash Ministra e Infrastrukturës) që për periudhën 2007-2014, kanë pasur buxhet më të madh se institucionet tjera. Nga këto institucione, Preportr ka shkarkuar të gjitha kontratat e nënshkruara për vitet e lartpërmendura nga të cilat ka dalë që disa nga donatorët e PDK-së kanë marrë 109 tenderë në vlerë 128,641,328 euro.

Preportr gjithashtu ka bërë edhe një kërkim shtesë bazuar në një mostër të rastit me disa institucione tjera (kuvende komunale, kompani publike dhe institucione tjera publike) rreth përfitimeve të financuesve të PDK-së. Hulumtimi ka gjetur se bizneset që kanë financuar PDK-në kanë marrë nga këto institucione 216 tenderë, në vlerë totale 33,875,752 euro.

Gjatë viteve 2009-2012 PDK-ja ka marrë nga bizneset ose nga pronarët e tyre 333,460 mijë euro në formë donacioni, përderisa disa prej tyre kanë marrë tenderë në vlerë prej mbi 162 milionë euro.

Preportr ka mundur t'i identifikojë tri kompani që kanë financuar PDK-në dhe LVV-në, të cilat  kanë marrë 27 tenderë në vlerë 15,071,901 euro.

Vetëvendosje!- e vogël por e majme

Edhe pse e regjistruar shumë vonë si subjekt politik (më 2010), Lëvizja Vetëvendosje!, ndryshe prej LDK-së dhe AAK-së, deklaron shumë financues, tre prej të cilëve prej disa vitesh janë financues të PDK-së. Hulumtimi i Preportr tregon se financuesit e Vetëvendosjes! janë shpërblyer shumë më shumë se sa financuesit e tri partive tjera që kanë qenë në pushtet në nivelin qendror dhe lokal si LDK-ja, AAK-ja dhe AKR-ja.

Financuesit e LVV-së kanë marrë 42 tenderë nga MASHT-i, MTPT-ja dhe MI-ja në vlerë 58,493,257 euro. Ndërsa bizneset që kanë financuar LVV-në, kanë marrë 17 tenderë tjerë nga institucionet tjera në vlerë 1,208,302 euro. Gjatë tri viteve (2010-2012), LVV-ja ka marrë nga bizneset ose pronarë biznesesh 161,618 euro në formë donacioni.

Një nga financuesit e LVV-së, Florim Zuka, në kohën kur ka financuar këtë subjekt politik, ka qenë nën hetime në rastin e njohur si "MTPT 1", ku veç të tjerëve nën hetime kanë qenë edhe ish-ministri i kësaj ministrie Fatmir Limaj, Nexhat Krasniqi dhe Endrit Shala. Ndaj këtyre është ngritur aktakuzë në vitin 2013. Florim Zuka që është pronar i kompanisë "Tali", ai gjithashtu është edhe financues i PDK-së.

Të hyrat që ka deklaruar LVV-ja nga subjektet juridike (biznese) dhe fizike (Vetëm ata që posedojnë biznese) gjatë viteve 2009-2012Preportr ka gjetur se kompania e tij ka marrë nga institucionet publike 14 tenderë, vlera e të cilëve është 14,369,241 euro

Hulumtimi tregon se financuesit e LVV-së, kanë marrë tenderë në vlerë afër 60 milionë eurosh, që tejkalon vlerën e tenderëve që i kanë marrë financuesit e LDK-së, AAK-së dhe AKR-së, së bashku.

Për dallim nga të gjitha partitë që janë pjesë e këtij hulumtimi, LVV-ja është e vetmja e cila ka bërë publike raportet financiare vjetore dhe ato të shpenzimeve gjatë zgjedhjeve që nga koha kur ajo është pjesë e institucioneve. Këtu hyjnë edhe raportet vjetore financiare dhe ato të shpenzimeve gjatë zgjedhjeve për vitet 2013-2014.  Sidoqoftë, këto raporte nuk janë marrë në konsideratë për shkak se ato janë ende të paaudituara nga një auditor i pavarur.

LDK – e madhe, por e vogël

Lidhja Demokratike e Kosovës, në bazë të pasqyrave financiare që janë bërë publike nga KQZ-ja, gjatë viteve 2009-2012, ka marrë pak donacione dhe ka dhënë pak tenderë. Kjo edhe pse ishte në pushtet si në nivelin qendror deri më 2010 (e rikthyer në krye të qeverisë pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të 2014), por edhe në disa komuna në nivelin lokal, madje në Prishtinë ka udhëhequr që prej pasluftës deri në vitin 2013.

Në fushatën parazgjedhore të vitit 2010, për dallim nga ajo e vitit 2009, Lidhja Demokratike e Kosovës që është partia e dytë në vend ka paraqitur pak të hyra nga donatorë të jashtëm. Ajo ka deklaruar shumë pak donatorë edhe gjatë viteve 2011 dhe 2012. Në raportet e auditimit të financave të partive të publikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), Preportr ka gjetur se një pjesë e tyre janë biznesmenë, por që pjesa më e madhe e tyre nuk kanë marrë tenderë publikë.

Të hyrat që ka deklaruar LDK-ja nga subjektet juridike (biznese) dhe fizike (Vetëm ata që posedojnë biznese) gjatë viteve 2009-2012Të dhënat nga hulumtimi i Preportr tregojnë se shtatë kompani që kanë financuar LDK-në kanë fituar 13 tenderë në institucione publike. Vlera e këtyre tenderëve është 419,631 euro.

Sidoqoftë, ky fakt nuk dëshmon në asnjë mënyrë për nivelin e transparencës të LDK-së në shpenzimin e parasë publike përkitazi me favorizimin eventual të kompanive të afërta me këtë subjekt politik. Raportet e audituara të KQZ-së tregojnë për gjendjen rreth shpenzimeve dhe të hyrave të partisë ashtu siç ka raportuar vet subjekti politik. Në fakt, LDK-ja ka refuzuar në vazhdimësi qasje në të dhënat financiare të kërkuara nga Preportr.

Së fundi, Zyra e Kryeministrit, e udhëhequr pikërisht nga LDK-ja, ka nënshkruar një kontratë duke përdorur procedurë të mbyllur tenderuese me kompaninë “Makcar”, pronë e  djemve të kryeministrit, për servisim të një automjeti.  Por, ka edhe raste siç është ai me kompaninë “AMM”, donatore e këtij subjekti politik, që është favorizuar për më shumë se një dekadë duke mbajtur monopolin me hapësirat reklamuese në kryeqytet derisa LDK-ja ishte në krye të saj. Po ashtu, derisa udhëhiqte me Komunën e Prishtinës, LDK-ja është shquar për vendime favorizuese për kompanitë ndërtimore të afërta me këtë parti.

Pak financues për AAK-në

Natyrë pak a shumë të njëjtë të financimit me LDK-në ka edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Gjatë fushatave, këtë parti e kanë mbështetur me mjete anëtarë të partisë, disa prej tyre biznesmenë si Ramiz Kelmendi e Blerim Kuçi. Ramiz Kelmendi ishte deputet i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, në mandatin e kaluar, i cili në zgjedhjet e fundit kaloi në PDK. Blerim Kuçi në mandatin e kaluar ka udhëhequr me Komunën e Suharekës.

Mjete për këtë parti kanë dhënë edhe ish-deputeti Burim Ramadani dhe Shkelzen Jusaj, biznesmen i njohur që në zgjedhjet e fundit ishte futur në listën e kësaj partie për deputet, por që nuk kishte kaluar pragun zgjedhor.

Të hyrat që ka deklaruar AAK-ja nga subjektet juridike (biznese) dhe fizike (Vetëm ata që posedojnë biznese) gjatë viteve 2009-2012Pesë kompani që kanë financuar AAK-në kanë fituar 26 tenderë në institucione publike. Vlera e këtyre tenderëve është 9,767,240 euro.

Gjatë 4 viteve AAK ka pranuar si donacion nga bizneset ose pronarët e tyre 147,200 euro.

Para e madhe në mbështetje të AKR-së

Partia e biznesmenit Behgjet Pacolli ka marrë shumë donacione, duke tejkaluar në vitin 2010 edhe partinë më të madhe në vend, PDK-në. Në këtë vit, AKR-ja ka marrë si donacione 425,451.43 euro, përderisa PDK-ja kishte marrë 351,734.73 euro.

Financimi i partisë së Pacollit është më specifik. Atë e kanë mbështetur familjarë të biznesmenit - kjo në bazë të mbiemrit. Partinë e tij e kanë mbështetur edhe njerëz nga vendi i lindjes së tij.

Preportr ka nxjerrë disa statistika nga raportet e pasqyrave financiare që kjo parti i ka dërguar në KQZ. Në 2010, nga 195 donatorët që e kanë mbështetur AKR-në, 31 prej tyre e kanë mbiemrin Pacolli, 6 Makolli, 2 Vitia dhe 2 të tjerë Gërbeshi.

Të hyrat që ka deklaruar AKR-ja nga subjektet juridike (biznese) dhe fizike (Vetëm ata që posedojnë biznese) gjatë viteve 2009-2012Me 2011, nga 41 donatorët, 4 janë me mbiemrin Pacolli, 2 Makolli. Në këtë vit, AKR-ja ka marrë vërejtje nga auditori që ka pranuar mjete nga jashtë, veprim ky që bie në kundërshtim me ligjin.

Në vitin 2012, AKR-në e kanë mbështetur 300 donatorë, 37 prej të cilëve janë me mbiemrin Pacolli, 4 Makolli, 5 Vitia dhe 1 Gërbeshi.

Donacionet për këtë parti kanë ardhur prej nga jashtë dhe në shuma që nuk lejohen me ligj. Kjo ka bërë që AKR-ja në raportet e auditimit të KQZ-së të dalë partia më me së shumti shkelje ligji.

Financuesit e AKR-së nuk kanë marrë shumë tenderë në institucione publike.

Gjashtë kompani që kanë financuar AKR-në kanë fituar 42 tenderë nga institucionet publike. Vlera e këtyre  tenderëve është 3,089,817 euro.

Gjatë katër viteve, AKR-ja ka marrë nga subjektet juridike dhe fizike 128,328 euro në formë donacioni.

Shkeljet e ligjit dhe ndëshkimet e vogla

Deri në mesin e vitit 2013, legjislacioni që rregullon financimin e partive politike nuk ka përmbajtur asnjë dispozitë që rregullonte financimin e partive politike nga biznese që në të njëjtën kohë ofrojnë edhe shërbime apo mallra për institucionet publike. Edhe pse i amandamentuar disa herë, Ligji për financimin e partive politike nuk adreson në mënyrë të qartë marrëdhënien në mes financimit të partive politike nga subjekte biznesi që në të njëjtën kohë ofrojnë edhe shërbime apo mallra për institucionet publike. Partive politike u kërkohet me ligj përpilimi i një liste të veçantë të të gjithë donatorëve që ofrojnë shërbime apo mallra për institucionet publike, por sipas raporteve të auditimit, partitë nuk e përfillin një kërkesë të tillë.

Megjithëse u punua për plotësimin e kornizës ligjore për financimin e partive politike, ligji dhe rregullat e KQZ-së dështojnë të adresojnë një mori çështjesh që prekin transparencën e financave të partive politike. Ligji, në mes tjerash, në asnjë nga nenet e tij nuk adreson shprehimisht çështjen e transparencës së donacioneve apo kontributeve tjera që marrin individët që konkurrojnë për deputet apo asambleist gjatë fushatave zgjedhore. Ligji obligon vetëm partitë politike që të deklarojnë pranimin e kontributeve por nuk e adreson një kërkesë të tillë edhe për kandidatët që garojnë për deputet. Po ashtu, ligji parasheh masa shumë të buta ndëshkimore për partitë politike në rast se ato nuk u përmbahet kërkesave ligjore. Këto masa të buta në fakt kanë bërë që partitë politike në vazhdimësi të shkelin normat ligjore në fuqi.

Për cenim të dispozitave të ligjit, gjobat nuk janë edhe shumë të mëdha: partitë politike gjobiten 3.000 deri në 10.000 euro, kurse kandidatët për deputet dhe asambleist dhe kandidatët e pavarur gjobiten prej 500 deri në 3.000 euro.

Ligji për financimin e partive politike specifikon në nenin 5 se personat fizikë mund të japin për subjektet politike jo më shumë se dy mijë euro për një vit kalendarik, kurse personat juridikë jo më shumë se dhjetë mijë euro.

Raportet e auditorit tregojnë se partitë politike shkelën ligjin më së shumti në këtë nen. Ndëshkimi për këto shkelje ligji nuk është i madh. Duke u bazuar në nenin 25, pika 1, të Ligjit për parandalim e shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit, ku thuhet se partitë politike nuk duhet të pranojnë kontribute në para që tejkalojnë njëmijë (1.000) euro nga një burim i vetëm brenda një ditë të vetme dhe bazuar në nenin 17.7 dhe 17.8 të Rregullës 01/2008 për regjistrimin dhe veprimin e partive politike, se për pranimin e kontributit te palejuar, kryetari i partisë ia kthen kontributin kontribuuesit, partitë janë detyruar që kontributet e palejuara t’ua kthejnë donatorëve.

Preportr ka siguruar një listë të donatorëve të cilëve partitë politike janë detyruar t’u kthejnë mjetet. Listës i prin PDK-ja, por ka edhe parti të tjera si Lëvizja Vetëvendosje! për të cilën donatorët kanë dhënë shumëfish më shumë mjete sesa lejohet me ligj.

Partitë politike kanë shkelur ligjin kur kanë pranuar mjete nga jashtë vendit që është në kundërshtim me Ligjin për financimin e partive politike, neni 11, pika 1.1 ku thuhet: “Ndalohet ndihma financiare dhe materiale nga: 1.1.  institucionet qeveritare dhe joqeveritare të huaja, si dhe personat fizikë dhe juridikë të huaj”.

Kliko në foto për ta parë në madhësi realeMjete nga jashtë ka pranuar partia e Behgjet Pacollit, dhe në vitin 2010 edhe Lëvizja për Bashkim.

Partitë politike pothuajse kurrë nuk deklarojnë se për çka dhe ku i shfrytëzojnë mjetet e fondit për mbështetjen e partive politike. Megjithatë, fondi përveç që mbulon disa prej aktiviteteve të partive politike, ai përdoret kryesisht për t’i shlyer dënimet që KQZ-ja i shqipton ndaj subjekteve politike kryesisht për shkelje të ligjit gjatë fushatave zgjedhore. Ndryshimi dhe plotësimi i parë që i është bërë Ligjit për financimin e partive politike i ka favorizuar partitë duke ua ngritur këtë fond nga 0.17 % të buxhetit në 0.34 %.

Edhe mjetet që u kthehen donatorëve, të cilët kanë dhënë më shumë se sa u lejohet me ligj, zakonisht u kthehen nga ky fond. Administratori i Partisë Demokratike të Kosovës, Halil Selimi, i pati thënë Preportr se që të gjitha mjetet që u ishte dashur t’ua kthejnë donatorëve i kanë marrë nga ky fond.

Fshehja e kontributeve

Mund të ndodhë që bizneset apo pronarë biznesesh që japin donacione për partitë politike në formë të parave të gatshme apo kontribute tjera në natyrë në shërbime e mallra në kohë zgjedhjesh e shohin këtë formë të mbështetjes si mundësi të kthimit të favoreve dhe mbijetesës për një kohë më të gjatë. Ky hulumtim nuk mund të faktojë nëse bizneset apo individët e ndryshëm që posedojnë biznese mund të kenë qenë të detyruar në një mënyrë apo tjetër të ofrojnë donacione për parti të caktuara politike, posaçërisht gjatë fushatave zgjedhore, apo që të njëjtit donatorë do të mund të përfitonin të njëjtat vlera nga tenderët publikë nëse nuk do të financonin partitë politike.

Në fakt, ligji nuk e obligon Zyrën për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim pranë KQZ-së  të ndërmarrë verifikime të plota përkitazi me saktësinë e shpenzimeve që partitë politike bëjnë gjatë fushatave zgjedhore dhe deklarimeve të tyre.

Sidoqoftë, në këtë hulumtim flitet vetëm për përfitime që kanë realizuar donatorët e ndryshëm që në raportet e audituara financiare (2009-2012) dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) figurojnë si mbështetës të partive politike. Duhet pasur parasysh se një numër i madh i kompanive dhe individëve që mbështesin partitë politike apo kandidatët e tyre nuk figurojnë fare në raportet financiare të audituara nga KQZ-ja.

Një hulumtim i mëhershëm i Organizatës ÇOHU! ka treguar se si kompani që merren me organizime fushatash elektorale kanë kryer shërbime për partitë e mëdha politike me pagesa që nuk arrijnë shumat mbi 5000-6000 euro, përderisa shuma enorme parash të gatshme janë dhënë nga vetë zyrtarë të partive politike. Një mënyrë tjetër që është përdorur nga partitë politike për t'i ikur deklarimit zyrtar të shpenzimeve gjatë zgjedhjeve është edhe realizimi i pagesave duke përdorur kompani të treta. Kjo ndodhë ashtu që kompania e marketingut i lëshon faturë të rregullt një kompanie të caktuar me pretendimin se i ka ofruar shërbime por që në fakt ato shërbime janë realizuar ose për partinë politike ose për individët që kanë garuar për ndonjë post politik.