English
Scroll top

Patenta për manipulime

Hetuesit në rastin e dyshuar për korrupsion në Ministrinë e Infrastrukturës në seksionin e patentë shoferëve janë ndërruar, por askush në Polici nuk i tregon arsyet e ndërrimit.“Preportr” sjell detaje mbi provat që disponon Prokuroria në këtë rast.... ndërrimi i hetuesve të një rasti që nxjerrë në shesh involvimin e familjarëve të ministrit Mujota.

Prishtinë, 09 Dhjetor 2011

Hetimet e filluara nga Prokuroria Publike Komunale e Prishtinës në lidhje me dyshimet për keqpërdorime të shumë-fishta në sektorin e patentë shoferëve në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) kanë ngecur. Sipas burimeve të “Preportr” brenda Prokurorisë, në këtë rast ka pasur ndërhyrje në ndërrimin e hetuesve, fakt që konfirmohet edhe nga Prokurori i këtij rasti, Imer Beka. Ndërrime janë bërë pa u dhënë hetuesve arsyen dhe lidhen me ri-kthimin e Emin Beqirit në pozitën e drejtorit në Drejtorinë Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Policinë e Kosovës.

Në hetimet e nisura mbi këtë rast që janë inicuar në fillim të tetorit të këtij viti me një vendim të koordinatores së prokurorëve vendor kundër korrupsionit, Drita Hajdari, të cilin e ka parë “Preportr”, ishin caktuar Valdete Gubetini dhe Naim Berisha si hetues, e të cilët kishin si udhëheqës Lutfi Menxhiqin. Ky ekip ka funksionuar si i tillë, dhe i ka raportuar për punën e vet prokurorit të rastit, Imer Beka për afro 20 ditë, derisa nga rasti largohen pa u dhënë arsyetim Naim Berisha dhe Lutfi Menxhiqi.

Tash në rast ka mbetur Valdete Gubetini, kurse është angazhuar edhe hetuesi Shemsi Gashi, derisa njëri nga dy hetuesit e larguar, Lutfi Menxhiqi, është kushëri i Armend Ademit, i intervistuar në cilësinë e të dyshuarit si pronar i kompanisë “Master Print”.

Krejt ky rast kishte filluar pas përplasjeve të brendshme në Ministrinë e Infrastrukturës  të udhëhequr nga Fehmi Mujota, përplasje të cilat lidhen me tenderët që quan në suspendime, largime nga vendet e punës, si dhe kallëzime penale e letra denoncuese në prokurori. Nga puna, me vendim të Sekretarit Permanent Skënder Gashi, është suspenduar shefi i prokurimit, Nexhat Krasniqi dhe Betim Reçica, zyrtar i lartë i prokurimit në MI. Ky i fundit, pati bërë edhe një kallëzim penal kundër Gashit, në të cilin ngriten dyshime para së gjithash për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, si dhe për afërsi me kompani të cilat konkurrojnë në tenderët e MI-së.

Të angazhuar nga  koordinatorja e prokurorëve vendor kundër korrupsion, Drita Hajdari, dy hetuesit, Valdete Gubetina e Naim Berisha, kishin nisur hetimet në këtë ministri duke u bazuar fillimisht në kallëzimet penale dhe letrat denoncuese të të suspenduarve nga Sekretari Permanent i Ministrisë, Skënder Gashi.

Sipas burimeve të “Preportr” brenda Prokurorisë,  hetimet mbi këto denoncime shumë shpejt e quan Prokurorinë në divizionin e patentë shoferëve brenda kësaj ministrie. Hetuesive nuk u është dashur shumë kohë për të kuptuar se dy nga katër faqet e testit për patentë shoferë, që konsiderohet si dokument konfidencial, po shtypeshin në një shtypshkronjë të angazhuar pa asnjë procedurë të prokurimit.

Për më tepër, hetuesia zbuloi se kjo kompani me emrin “Master Print”, ishte pronë Armend Ademit, që është vëlla i gruas së Ministrit Fehmi Mujota.

Por nuk ishte vetëm shtypja e testeve pa procedura të prokurimit te miku i Ministrit Mujota fakt që për Prokurorinë të zgjeroheshin hetimet, por ishte edhe ndërprerja e kontratës për këtë punë me kompaninë “Euro Printy”, e cila kishte një kontratë një vjeçare me mundësi vazhdimi.

Hetimet, që nisen nga fillimi i tetorit, dhe që tash, sipas burimeve të “Preportr” brenda Prokurorisë  janë bllokuar,  kanë rezultuar edhe me gjetjen e provave për veprën e shpërdorimit të detyrës dhe marrjes së ryshfetit.

Prokurori konfirmon ndërrimin e hetuesve

Në vendimin e shtatorit të këtij viti që me dorën e vetë e nënshkroi koordinatorja e prokurorëve vendorë kundër korrupsionit, Drita Hajdari figurojnë si hetues në hetimet në MI, mbi dyshimet për korrupsion, hetuesit Valdete Gubetini dhe Naim Berisha. I dyti nuk është më në rast, sikurse që nuk është as kushëriri i Armend Ademit, pronarit të “Master Print”, Lutfi Menxhiqi që ishte në këtë rast si udhëheqës i Gubetinës dhe Berishës.

Ndërrimin e hetuesve për “Preportr” e ka konfirmuar vetë prokurori i këtij rasti, Imer Beka. “Ne nuk e dimë arsyen e ndërrimin. Ne nuk mund t’ju flasim për më shumë detaje rreth hetimeve”, ka thënë për “Preportr”,  prokurori Imer Beka.

Por në Policinë e Kosovës nuk pranojnë që ka pasur ndërrim të hetuesve. Për më shumë, Zyrës për Informim i ka “humbur” krejt ky rast. Derisa prokurori Imer Beka, pranon që është ende në rast, Baki Kelani që udhëheq Zyrën për Informim të PK-së ia ka “marrë” rastin prokurorit Beka duke e quar në Prokurorinë Speciale. “Ky rast ka kaluar për t’u hetuar në Departamentin Special kundër Korrupsionit (Task Force), kështu që për pyetje lidhur me ketë rast mund t’i adresoheni Prokurorisë Speciale”, ka thënë për “Preportr”, Baki Kelani nëpërmjet e-mailit.

“Preportr” ka kërkuar informacion edhe në Prokurorinë e EULEX-it, si dhe në pjesën vendore të Prokurorisë Speciale, por ata thonë se nuk kanë pranuar për hetim asnjë rast që lidhet me patentë shoferët.

Vendosja e shefit aktual të policisë Shpend Maxhuni, në vend të Reshat Maliqit, gjë që ndodhi në korrik të këtij viti para aksionit të njësisë speciale në veri, ka hapur rrugën edhe për ndërrime tjera të ekipeve dhe sektorëve në polici. Kështu, Emin Beqiri, i larguar në kohën e Maliqit, pasi që emri i tij ishte përmendur nga dëshmitari i njohur tashmë Nazim Bllaca, u rikthye në Drejtorinë kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit me të ardhë Maxhuni në krye të policisë. Shumë shpejt pas ardhjes së Beqirit në krye të këtij departamenti, janë zëvendësuar edhe hetuesit në rastin e Ministrisë së Infrastrukturës.

Megjithëse në Polici mundohen që rastin ta hedhin në Prokurorinë Speciale, sipas burimeve brenda Prokurorisë, ndërrimi i hetuesve, i konfirmuar për “Preportr” nga prokurori i rastit, Imer Beka, ka ndodhur pikërisht në kohën kur në Drejtorinë Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit u ri-kthye Emin Beqiri, që ishte larguar nga kjo pozitë në korrik të këtij viti.

Në lidhje me rastin e ndërrimit të hetuesve, Beqiri vazhdon të këmbëngul  që nuk  ka pasur ndërrim. “Me këtë rast është e angazhuar hetuesja Valdete Gubetina. Të gjithë të tjerët kanë qenë asistentë të saj, dhe Policia vendos se kënd do ta caktojë asistent të hetuesit të rastit, varësisht prej nevojave operative të Policisë për shpërndarjen e stafit nëpër raste”, ka thënë Beqiri për “Preportr”.

Ndryshe, emri i Emin Beqirit ishte përmendur edhe nga i vet-shpalluri agjent i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), Nazim Bllaca, njëherit edhe dëshimtar bashkëpunues i EULEX-it për disa raste të dyshuara të vrasjeve të rënda, si punëtor i Bllacës.

“Në vitin 2007, po foli për muajin maj...kam shkuar në Stacionin numër 2 të policisë dhe kam paraqitur vrasjen e parë të SHIK-ut, ku në atë kohë në Stacionin 2 ka qenë Emin Beqiri nga Babushi, anëtar i SHIK-ut...  Mbi Emin Beqirin ka qenë Destan Thaçi dhe këta e kanë mbyllur lëndën, rasti ka qenë vrasja e Kraishtes - e Adem Lahit”, pati deklaruar Bllaca.

Por, për Emin Beqirin këto çështje tashmë janë sqaruar dhe ai nuk ka asnjë pengesë që të ri-kthehet në pozitën e tij të mëhershme.

Çfarë provash ka Prokuroria?

Sipas burimeve të “Preportr” në Prokurorinë Publike Komunale të Prishtinës, mbledhja e provave në rastin e hetimeve për patentë shoferë kishte nisur me 3 tetor 2011. Burimet thonë se pikërisht këtë ditë, ekipi i hetuesve policor i përbërë prej Valdete Gubetinës, Naim Berishës, Skënder Masufit dhe Nexhmedin Grajqevcit, kishin bastisur shtypshkronjën e vëllait të gruas së ministrit Fehmi Mujota, Armend Ademi-“Master Print” dhe kishin sekuestruar një sërë materialesh të cilat janë tash në duar të Prokurorisë.

Ky burim, bën me dije se po atë ditë nga njerëzit e institucionit të ndjekjes vizitohet Divizioni i Patentë Shoferëve në Prishtinë, që gjendet te Stacioni i Autobusëve. Zyrat u mbyllën po atë ditë dhe atë me urdhër te prokurorit të rastit , Imer Beka dhe Kryeprokurorit te Prokurorisë Publike Komunale të Prishtinës, Halil Gecaj, ku edhe mblidhen dhe sekuestrohen materialet e shtypura në shtypshkronjën “Master Print”.

Një ditë më vonë, menjëherë pas këtyre masave, sipas burimeve të “Preportr”, rasti ka kaluar në kompetenca të Prokurorisë Publike të Qarkut në Prishtinë, Kryeprokuror i së cilës është Aleksandër Lumezi, dhe këtë si këshillë e kishte dhënë Halil Gecaj. Këtë këshillë të Gecajt e miratoi me një shkresë edhe prokurorja e Prokurorisë së Qarkut  të Prishtinës, Drita Hajdari, tash edhe koordinatore e prokurorëve vendorë për rastet korruptive.

Po këtë ditë, 4 nëntor 2011, kur ishte marrë vendimi që rasti nga Prokuroria Komunale  të kalonte në atë të Qarkut, u intervistuan Armend Ademi, miku i Fehmi Mujotës dhe Burim Deliu, udhëheqës i Divizionit të Patentë Shoferëve në Ministrinë e Infrastrukturës.

Por, vetëm një ditë pas këtyre hapave, Drita Hajdari e kthen rastin përsëri nën kompetenca të Prokurorisë Publike Komunale të Prishtinës. Arsyeja, sipas burimeve brenda Prokurorisë, ishte që nuk ka vlerësim se sa mund të jetë dëmi që mund të jetë shkaktuar nga veprimet e të dyshuarve.

Atë ditë, sipas këtyre burimeve, hetuesit u “vizatuan” në dyert e Ministrisë së Infrastrukturës dhe atë saktësisht në Zyrën e Prokurimit ku morën dosjen e tenderit për shtypjen e testeve dhe kontratën e kësaj ministrie me kompaninë “Euro Printy”, që tashmë ishte ndërprerë.

Edhe kjo shtypshkronjë ishte vizituar nga njerëzit e institucionit të ndjekjes, të cilët kishin sekuestruar mostrat e testeve që janë përdorur sa kjo kompani kishte kontratë valide.

Katër ditë pasi që kishin filluar hetimet në lidhje me këtë rast, ishte vënë në dijeni edhe EULEX, pasi që një përfaqësues i këtij misioni ishte në takim me kryeprokurorin e Prokurorisë Publike Komunale të Prishtinës, Haki Gecaj, dhe ai ishte aty kur Gecaj mori vendimin që të sekuestrohen testet në Divizionin e Patentë Shoferëve në Prishtinë që gjendet te Stacioni i Autobusëve.

Vetëm një ditë më vonë, më 7 tetor 2011, hetuesit shkuan në këtë divizion dhe sekuestruan teste në sy të Burim Deliut, menaxher i njësisë së patentë shoferëve në kuadër të MI-së, i  intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, si dhe Filize Krasniqit koordinatore e qendrës së Prishtinës.

Sipas burimeve në prokurori, ishte kjo dita kur Drita Hajdari, koordinatore e prokurorëve vendorë kundër korrupsionit, vendos që ky rast përfundimisht të mbetet nën kompetencat e Imer Bekës, prokuror i Prokurorisë Publike Komunale të Prishtinës.

Me të marrë rastin, Beka ka urdhëruar që të konfiskohen krejt testet e shtypura nga “Master Print”, që sipas burimeve brenda Prokurorisë, numri i këtyre testeve është 20 mijë, apo përkthyer në fletë janë 40 mijë fletë të testeve konfidenciale të shtypura në shtypshkronjën “Master Print”, pa procedura të prokurimit.

Në intervistën para hetuesve. Armend Ademi e ka pranuar se ka shtypur teste me urdhër të Burim Deliut, udhëheqës i njësisë së patentë shoferëve në MI, madje edhe në kohën sa kontrata me “Euro Printy” ishte valide, gjë të cilën në intervistën e tij para hetuesve e ka mohuar Deliu.

Kandidatët pranojnë dhënien e ryshfetit

Prokurori Imer Beka, në vazhdën e hetimeve kishte urdhëruar  që të bëhen teste shtesë të kandidatëve pasi që të njëjtit t’i ishin nënshtruar testit normal nga ekzaminerët. Kjo provë, sipas burimeve të “Preportr”, ishte bërë 9 ditë pasi që nisën hetimet dhe ishte provuar në njësinë e patentë shoferëve në Gjilan. Këtu organet e ndjekjes, sipas burimeve të “Preportr” brenda Prokurorisë, arritën që të faktojnë disa raste të kandidatëve të cilët kishin kaluar testin e monitoruar nga ekzaminerët, por nuk arritën që të mbushin as 10 % të të njejtit test kur atë e bënë para syve të Prokurorisë.

Në Prokurori, sipas burimeve nga ky institucion, ekzistojnë deklaratat e nënshkruara nga disa kandidatë që pranojnë se kanë paguar shuma nga 400-500 euro për dhënien e testit me shkrim.

Në të njëjtën “vizitë” të hetuesve në Gjilan, ata kanë marrë edhe deklarata të ekzaminerëve të cilët pranojnë që i kanë ndihmuar kandidatët të cilët i ka ri-testuar Prokuroria dhe që pranojnë se kanë paguar para për ta kaluar testin. Ekzaminerët ndonëse kanë pranuar që i kanë ndihmuar këta kandidatë në teste, pohojnë  që nuk  e kanë bërë këtë për t’ua marrë paratë, por për faktin që kanë qenë të njohur të “shefave” ose të kolegëve të tyre ekzaminerë.

Sipas burime  brenda Prokurorisë, hetuesit kudo që kanë shkuar, në të gjitha njësitë regjionale të patentë shoferëve, kanë hasur në të njëjtën situatë: kandidatë e kalojnë testin, por kur ri-testohen nga Prokuroria dështojnë në të dhe më pastaj pranojnë se kanë dhënë para, kurse ekzaminerët e pranojnë që i kanë ndihmuar vetëm në baza shoqërore si favor për kolegët e “shefat” por që nuk kanë marrë para.

Pas kësaj situate, Prokuroria ka ngritur dyshimin për veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare, neni 339 i KPK-së, dhe për marrje të ryshfetit, neni 343 i KPK-së.

“Preportr” në hulumtimin që ka bërë ka arritur të kuptojë se kjo fazë e mbledhjes së provave në mënyrë të vrullshme ka zgjatur deri rreth datës  20 tetor, kur edhe ndodhin ndërrimet në njësinë e hetuesve.
Ndërrimin e hetuesve për “Preportr” e ka konfirmuar edhe prokurori i rastit Imer Beka, ndërsa sipas burimeve brenda Prokurorisë, ky veprim është marrë nga Emin Beqiri me tu ri-kthyer në Drejtorinë Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pozitë qe e humbi në korrik të këtij viti.

Mujota e “pështjell” publikisht rastin

Që kur nisën hetimet dhe filluan publikimet në media për rastin e patentë shoferëve, Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, te vëllai i gruas të së cilit ishin shtypur testet e konfiskuara nga Prokuroria, ka provuar që ta “pështjell” publikisht këtë rast.

Kishin kaluar dy javë që kur asnjë kandidat nuk po hynte më në test të patentë shoferëve në së paku tri qendra në Kosovë, pas sekuestrimit të materialeve nga hetuesit, dhe kjo ishte data 13 tetor 2011, por për Mujotën që po e inspektonte Autostradën, gjithçka dukej normale. Ai madje, duke iu referuar dhënies së punës për shtypjen e testeve vëllait të gruas e konsideronte si hap për rritjen e efikasitetit.

“Me ndryshimet që janë bërë brenda kësaj kohe jam shumë i sigurt që do të zvogëlohet në maksimum dhe do të ndalet keqpërdorimin në këtë drejtim”, deklaronte atë ditë Mujota gjatë inspektimit të punëve në Autostradë. Ndryshimet që ishin bërë atëherë ishin: ndërprerja e kontratës me kompaninë “Euro Printy” për shtypjen e testeve dhe dhënia e kësaj pune mikut të Mujotës, ndryshimi i sistemit të testeve dhe rënia e kalueshmërisë në teste nga 80% në 30%.

Mujota madje i pati gjykuar si “goditje gabim” hetimet e Prokurorisë që quan në mbylljen e këtyre tri qendrave. “U bëj thirrje edhe medieve, edhe atyre që janë duke bërë punën ligjore në këtë drejtim, të jenë të kujdesshëm që të mos godasin në anën e vendin e gabuar”, pati thënë Mujota. Ai në autostradë nuk foli më gjatë rreth hetimeve në këtë çështje, me arsyetimin se këtë do ta bëjë në Kuvendin e Kosovës.

“Nesër (i referohet datës 14 tetor 2011) do të kem një përgjigje për këtë interes, në një pyetje që ka bërë një deputete dhe do t’i jap të gjitha sqarimet. Besoj që nesër do t’i merrni të gjitha përgjigjet në Parlament, dhe unë besoj që e kam marrë një vendim jashtëzakonisht pozitiv për zhvillimet e më vonshme”, pati deklaruar Mujota.

E, kur doli në Kuvendin e Kosovës, Mujota ua “pështjelli” edhe deputetëve rastin. Për këtë rast, një pyetje parlamentare e kishte rezervuar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.

“I nderuar ministër, Ministria juaj po hetohet nga Prokuroria e Qarkut të Prishtinës për veprën e shpërdorimit të detyrës zyrtare të disa zyrtarëve tuaj, hetime këto që kanë çuar deri në mbylljen e Qendrës së patentë-shoferëve në Prishtinë. Sipas informatave, ministria juaj i ka besuar një punë shumë të ndjeshme mikut tuaj, konkretisht vëllait të gruas tuaj, siç është shtypja e testeve për patentë-shoferë. Si e arsyetoni ju gjithë këtë absurditet para Kuvendit dhe qytetarëve të Kosovës?”, e kishte pyetur kjo deputete ministrin Mujota.

E përgjigja e Mujotës ishte krejt ironike. “E nderuara deputete! Po të ishit deputete e Partisë Demokratike, dikush do të mendonte si të koordinohet që të shtrohet kjo pyetje. Vërtet, falënderoj shumë! Por e dini ju që nuk është kështu”, i kishte thënë Mujota, Bajramit duke vazhduar që të arsyetonte se gjithçka është në rregull te patentë shoferët. Ai  nuk i ishte përgjigjur direkt pyetjes se Bajramit se a e ka ditur Mujota që testet po shtypen te miku i tij (transkript i Kuvendit të Kosovës i datës 14 tetor 2011).