English
Scroll top

Pare pa dhimtë për këshilltarët e huaj

Qeveria e Kosovës ia ka “falur” 3 milionë e 200 mijë euro këshilltarëve të huaj të transaksionit, të cilët ishin angazhuar për të bërë analiza dhe rekomandime për projektin “Kosova e Re”, i cili vazhdon të jetë një projekt në letër. MZHE-ja fshehë personin që i nënshkroi ekzekutimin e 3.2 milionë eurove

Prishtinë, 28 Korrik 2012

Nuk kanë prodhuar akoma një projekt definitiv dhe as që është e sigurt që puna e tyre do të ketë ndonjë vlerë, por kërkojnë më shumë para. Kërkojnë jo më pak se 3.2 milionë euro jashtë kontrate. Të kontraktuar nga Banka Botërore përmes Projektit të Asistencës Teknike Energjia nga Linjit PATEL, kompania “Price Waterhouese Cooper” janë paguar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik 3 milionë e 200 mijë euro edhe pse kjo sipas ish-drejtuesve të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave nuk ishte e paraparë në kontratë.

Kërkesën për këtë pagesë e ka bërë drejtori i zyrës PATEL, Lorik Haxhiu. Ai në kërkesën drejtuar Ministrit të atëhershëm të Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala, ministres së Energjisë dhe Minierave Justina Pula-Shiroka dhe ministrit të Administratës Publike Mahir Yagcilar, thotë se iu kanë dalë edhe disa punë shtesë për t’i bërë dhe fillimisht përllogaritjet për punët shtesë i dalin 3.2  milionë dollarë, por siç duket kur e ka parë sinjalin e gjelbër se këto para do të jepen pa asnjë hezitim, ai paraqet një kosto të re prej 5.3 milionë dollarë, që konvertuar në valutën Euro bëjnë 3.2 milionë euro.

Kjo pagesë shtesë ishte parë e paarsyeshme nga ish-ministrja Shiroka-Pula, meqë kjo kompani ishte paguar nga Banka Botërore për punët që ka pasur për t’i kryer. Duke marrë parasysh këtë, ish-ministrja Shiroka-Pula, i kishte kthyer mbrapshtë si para të tepruara. Por pagesa do të shtyhej dhe realizohej pasi Besim Beqaj vjen në krye të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik

Por kjo pagesë shtesë ishte parë e paarsyeshme nga ish-ministrja Shiroka-Pula, meqë kjo kompani ishte paguar nga Banka Botërore për punët që ka pasur për t’i kryer. Duke marrë parasysh këtë, ish-ministrja Shiroka-Pula, i kishte kthyer mbrapshtë si para të tepruara. Por pagesa do të shtyhej dhe realizohej pasi Besim Beqaj vjen në krye të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Fillimisht edhe Besim Beqajt i ishte dukur e paarsyeshme pagimi i këtyre parave shtesë, dhe për këtë arsye ai ka kërkuar opinionin e auditorit  për këtë kompani në lidhje me procedurat. Ai gjithashtu ka marrë edhe “Aminin” e Bankës Botërore për ta bërë këtë pagesë.

“Preportr” përmes tri kërkesave për qasje në dokumente publike, ka kërkuar që ta shohë dokumentin e ekzekutimit të këtyre mjeteve, por ky dokument nuk është dhënë nga MZHE-ja. Kjo ministri fshehë gjithashtu edhe personin që i nënshkroi ekzekutimin e 3.2 milionë eurove.

Price Waterhouese Cooper është kompani që në vitin 2004 është angazhguar nga kompania tjetër që ka një ndikim dominues në KEK, Tetra Tech. Përfaqësuesi i kësaj kompanie në KEK, Masoud Keyan, sipas një hulumtimi të Preportr del si drejtori i vërtet i kësaj kompanie.

Ish-ministrja Shiroka-Pula refuzoi

Në lidhje me këtë çështje, “Preportr” ka kontaktuar edhe ish-ministren Shiroka-Pula. Ajo thotë se e ka marrë kërkesën për pagesë shtesë për këshilltarët e transaksionit, por edhe përkundër faktit se i janë alokuar mjetet nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, nuk i ka ekzekutuar këto para, “pasi që këta këshilltarë ishin kontraktuar dhe paguar nga Banka Botërore për analizat dhe rekomandimet që kanë pasur për t’i bërë për projektin në fjalë”.

“Preportr” ka siguruar edhe letrën   (kërkesën) që Lorik Haxhiu ia ka dërguar tre ish-ministrave përmes së cilës kërkohen 3.5 milionë dollarë shtesë, dhe përgjigjen që Shiroka- Pula ia shkruan Ahmet Shalës si ministër i Financave atë kohë dhe përfaqësuesit të Bankës Botërore për Kosovë Ranjit Nayak. Në këtë letër  ajo cek disa arsye pse nuk duhet bërë pagesa shtesë  për kompaninë “Price Waterhouese Cooper”. Përmes letrës në fjalë, ajo shprehë pakënaqësinë e saj me punën e këtyre këshilltarëve, puna e tyre sipas saj ishte brenda mandatit dhe ata ishin të kontraktuar të Bankës Botërore e jo qeverisë.

Ajo i është referuar disa citimeve prej letrës së Lorik Haxhiut që i është drejtuar edhe asaj.

“Sa i përket ‘…angazhimit konstruktiv të këshilltarëve…’, unë mendoj se roli dhe qasja e deritashme e këshilltarëve të Bankës Botërore në projektin PATEL nuk ka qenë ajo që unë dhe Komiteti Drejtues kemi pritur’, thuhet në këtë letër e cila vinte si përgjigje ndaj kërkesës së Lorik Haxhiut, të shkruar në të njëjtën ditë më 4 nëntor 2010.

Kurse në një paragraf  tjetër ajo i bën fajtorë pikërisht këshilltarët për vonesë të ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”.

Nëse këshilltarët do të kishin marrë në konsiderim dhe do të respektonin vizionin e institucioneve vendore (të paraqitur qartë në Strategjinë e Energjisë 2009-2018 (të miratuar nga Qeveria, por që u ndryshua në Kuvend) dhe kërkesat tona, mendoj se sot do të kishte filluar ndërtimi i termocentralit të ri.

Justina Shiroka-Pula

“Nëse këshilltarët do të kishin marrë në konsiderim dhe do të respektonin vizionin e institucioneve vendore (të paraqitur qartë në Strategjinë e Energjisë 2009-2018 (të miratuar nga Qeveria, por që u ndryshua në Kuvend) dhe kërkesat tona, mendoj se sot do të kishte filluar ndërtimi i termocentralit të ri. Sepse pjesa e këtij projekti – Mihja e linjitit ka kohë që po realizohet me financimin e Qeverisë”, thuhet në këtë letër të Shiroka- Pulës.

Por, përkundër kësaj përgjigjeje, Ahmet Shala pa asnjë hezitim kishte bërë kërkesën për ekzekutimin e këtyre mjeteve dhe i kishte alokuar ato në Ministrinë e Energjisë dhe Minierave.

Kjo kuptohet përmes vendimit  të Qeverisë së Kosovës të datës 5 maj 2011 ku thuhet: “Aprovohet kërkesa e ministrit të Ekonomisë dhe Financave për ndarjen e shumës prej 3 milionë e 200 mijë eurove për Ministrinë e Energjisë dhe Minierave, projekti LPTAP”

 

MF nuk dinë sa para i janë paguar kësaj kompanie

Ministria e Financave jep tjetër interpretim në lidhje me shumën e pagesës që i është dhënë kësaj kompanie. Edhe pse Qeveria ka miratuar kërkesën e kësaj ministrie, përkatësisht të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave të atëhershme për aprovimin e 3.2 milionë eurove, zëdhënësi i kësaj ministrie Muharrem Shahini thotë se janë paguar vetëm 1 milion e 914 mijë e 614 euro.

“Edhe pse këtë kompani e ka kontraktuar ish-Ministria e Energjisë dhe Minierave, ne ju siguruam të dhënat si vijon. Në  bazë të të gjitha të dhënave që posedojmë në Ministrinë e Financave për pagesat për Kompaninë “Price Waterhouse Cooper” rezulton se më  23.12.2011 janë paguar 1,908,492.33 euro si dhe më 06.04.2012 janë paguar 6,122.13 euro. Pagesa të tjera nuk figurojnë të jenë paguar për këtë kompani, kështu që ju lutem që për të dhëna të tjera të interesoheni në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe ju njoftojnë se për çka janë bëre këto pagesa”, thotë Shahini.

Sipas një burimi të “Preportr”, ka pasur shumë hezitime për nënshkrimin e vendimit për ekzekutimin e këtyre parave, dhe ato mjetet janë ekzekutuar me nënshkrim të Lorik Haxhiut, përgjegjësi e të cilit nuk janë vendimet e tilla. Edhe pse Preportr ka kërkuar decidivisht  të marrë informacione nga MZHE-ja se kush e ka nënshkruar vendimin për ekzekutimin e këtyre parave, nuk është dhënë ky informacion e as dokumenti i vendimit.

“Ekzekutimi i pagesës për shërbimet shtesë për kompaninë “Price Waterhouese Cooper” është bazuar në vendimin e qeverisë nr. 05/148 të datës 05.11.2010, Ligjin për Buxhetin 2011, pëlqimin nga Banka Botërore dhe opinionin e Auditorit Gjeneral. Kemi mirëkuptim për kërkesën tuaj të përsëritur, por duhet të ju informojmë se urdhëresën për pagesën e faturës e ka nënshkruar personi i autorizuar me ligj dhe me aktet e brendshme të MZHE-së. Kjo është përgjigja e vetme të cilën mund të merrni nga ne” thotë Diana Krasniqi, zyrtare për pranimin e kërkesave për qasje në dokumente publike.

Sipas saj, MZHE-ja për këtë punë e ka pyetur edhe Bankës Botërore dhe pagesa është realizuar vetëm pasi BB kishte dhënë pëlqimin që të paguhen ekstra këshilltarët.

“Duke marrë parasysh faktin se këshilltarët janë angazhuar si rezultat i marrëveshjes për Financim për Bankën Botërore, ekzekutimi i pagesës është bërë në momentin e marrjes së pëlqimit (no objection) nga Banka Botërore për këtë çështje”, shton Krasniqi në përgjigjen zyrtare të MZHE-së.

”Preportr” ka kontaktuar edhe Lorik Haxhiun, por ai aq më pak ka shprehur bashkëpunim për këtë çështje, e që në fakt është personi më kryesor, pasi që ai e ka bërë kërkesën për pagesë shtesë. Haxhiu  ka refuzuar t’i përgjigjet pyetjes konkrete se a i ka nënshkruar ose jo vendimin për ekzekutimin e mjeteve”.

“Nuk dua të flas për këtë, më mirë folni me zyrën për media të ministrisë, siç keni bërë deri më tani”. Kaq kanë qenë fjalët e vetme Haxhiut.

“Preportr” ka kontaktuar dhe me Bankën Botërore, për të marrë sqarime në lidhje me këtë çështje. Drejtori i Bankës Botërore në Kosovë, Jan-Peter Olters, ka thënë se “Price Waterhouse Coopers” kanë qenë të angazhuar nga Qeveria e Kosovës dhe kontrata është nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe PWC-së. Sipas tij, konsulentët kanë qenë të financuar nëpërmjet grantit për PATEL dhe buxhetit të konsoliduar të Kosovës dhe se Banka Botërore nuk ka bërë vërejtje ndaj kontratës, ndërsa thotë se administrimi i kontratës është përgjegjësi e agjencisë implementuese.

“Përshtatshmëria dhe kualiteti i inputeve të konsulentëve, dhe nevoja për punë shtesë, vendoset nga Qeveria dhe jo nga Banka. Për qëllime të prokurimit dhe financimit të kontratës, agjencitë implementuese kërkojnë miratimin nga Banka. Çfarëdo shume mbi financimin nga granti i Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) paguhet nga buxheti i qeverisë. Pagesat e bëra nga përfitimet e granteve dhe kredive të IDA-s auditohen nga auditorë të pavarur”, thotë Olters.