English
Scroll top

Organizimi i grevës u kushton me largim nga puna

Punëtorët në Kosovë janë të pambrojtur e të braktisur nga ligji. Të drejtat e tyre shkelen sistematikisht deri në përmasa të eksploatimit. Ligji i Punës nuk funksionon sepse institucionet që merren me zbatimin e tij vazhdojnë të mos kenë përkrahjen e pushtetit. Si pasojë e kësaj situate, shumë punëtorë largohen nga puna nëse bëjnë ndonjë kërkesë tek pronarët, apo organizojnë grevë siç është rasti me punëtorët e...

Prishtinë, 11 Qershor 2012

Ligji i punës nuk iu ndihmoi punëtorëve në Kosovë që të përmirësojnë situatën e tyre. Ata detyrohet të pranojnë një trajtim jo-njerëzor, kurse papunësia e madhe i lë ata pa shumë opcione. Në një vend të zhytur në varfëri, punëdhënësit janë shumë konfidentë sepse thjesht gjithmonë është dikush që varfëria e shtyen të pranojë trajtimin më ekstrem. Ligji i Punës është pothuajse pa asnjë efekt, kurse autoritetet tërësisht indiferente. Edhe pas miratimit të këtij ligji vazhdon shkelja masive e të drejtave të punëtorëve. Numri i punëtorëve që punojnë pa kontrata vazhdon të jetë i madh. Për pasojë atyre  nuk iu paguhen orët shtesë, nuk iu respekohen të drejtat e kompensimit, por as kushtet e sigurisë në punë.

Një pjesë e punëtorëve të fabrikës së armaturës Fan e cila gjendet në Podujevë janë larguar nga puna për shkak se kanë hyrë në grevë. Përfaqësuesit e shoqatës së sindikatës së punëtorëve të kësaj fabrike thonë se vendimin për grevë e kanë marrë për shkak të trajtimit jo të mirë nga pronari.

Kryetari i shoqatës sindikale të fabrikës Fan, Ibrahim Hasani, ka thënë se që nga viti 2008 pronari nuk i ka trajtuar mirë punëtorët e kësaj fabrike, e cila ka funksionuar që nga viti 1983, ndërsa është privatizuar në vitin 2006.

Sipas tij, shoqata sindikale ka bërë përpjekje që të realizojë kërkesat për kushte më të mira përmes dialogut me pronarin, por sipas tij, kjo ka qenë e pamundur dhe se duke marrë parasysh këtë situatë kanë vendosur që të hyjnë në grevë. Hasani thotë se shoqata sindikale ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara ligjore për të hyrë në grevë pasi që kanë marrë nënshkrimet e shumicës së punëtorëve. Ai thotë se për shkak të hyrjes në grevë pronari i fabrikës në fjalë i ka larguar nga puna 39 punëtorë, ndërsa pjesën tjetër të punëtorëve i ka detyruar që të dalin nga sindikata. Derisa një pjesë e madhe e punëtorëve kanë qenë në grevë, pronari i kësaj fabrike ka punësuar punëtorë të rinj pa kontrata pune.

Me këto veprime pronari i fabrikës Fan Agim Deshishku, ka shkelur Ligjin e Punës dhe Ligjin për Grevat.

Ligji i Punës në nenin 88 garanton lirinë e organizmit sindikal. Pika 1 e këtij neni thotë se “Të punësuarve dhe punëdhënësve u garantohet liria e asocimit dhe veprimit pa ndërhyrje nga asnjë organizatë ose organ publik”. Gjithashtu, ky ligj në nenin 89 garanton edhe të drejtën për grevë. Pika 1 e këtij neni thotë se “Për mbrojtjen e të drejtave të të punësuarve, organizatat e të punësuarve (sindikatat) kanë të drejtën e organizimit të grevës”.

Shoqata sindikale e punëtorëve të fabrikës Fan, pretendon që ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me Ligjin për Grevat. Ata kanë mbledhur nënshkrimet e 74 punëtorëve, të cilët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre me mënyrën e trajtimit dhe kanë paralajmëruar pronarin se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre për trajtim me të mirë do të fillojnë grevën. Ky numër i punëtorëve që kanë hyrë në grevë plotëson edhe kushtet për grevë që janë paraparë në nenin 6 të këtij ligji. Pika 1.2 e këtij neni thotë se “Greva është e ligjshme kur organizohet nga gjysma e të punësuarve brenda një organizate punuese”. Ligji për Grevat në nenin 10 përcakton edhe mënyrat e organizmit të grevës: ndërprerjes së punës në vendin e punës; tubimit të të punësuarve në hapësirat e punës; mungesës së të punësuarave nga puna; tubimit të të punësuarve jashtë ambienteve të punës, dhe në hapësira tjera”.

Punëtorët e fabrikës Fan të cilët kanë hyrë në grevë thonë se kanë protestuar afër fabrikës, ndërsa tash janë duke bërë grevë nga distanca duke mos u paraqitur në punë. Pra punëdhënësi në këtë situatë sipas Ligjit për Grevat nuk ka të drejtë që t’i largojë nga puna punëtorët që janë duke bërë grevë. Këtë e përcakton qartë edhe neni 11 (e drejta për grevë) i këtij ligji, i cili në pikën 3 thotë se “punëtorit nuk mund t’i ndalohet e drejta për grevë, as të përdoret masa e ndëshkimit për të përfunduar grevën. Edhe neni 13 ndalon përjashtimet nga puna dhe marrjen e masave ndëshkuese të çfarëdo forme ndaj grevistëve apo atyre që përkrahin grevën. Pika 1 e këtij neni thotë se “për organizuesit e grevës, pjesëmarrësve grevistë dhe ndaj të punësuarve të tjerë, të cilët mbështesin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund t’iu ndërpritet marrëdhënia e punës, ndërsa pika 2 thotë se “gjatë grevës së organizuar sipas kushteve të përcaktuara me këtë Ligj, punëdhënësit nuk mund të punësojnë punëtorë të rinj të cilët do të zëvendësonin pjesëmarrësit në grevë”.

Kryetari i Sindikatës së Metalistëve të Kosovës Hasan Abazi, ka thënë se punëtorët e kësaj fabrike, duke e parë që po bëhen shumë padrejtësi nga pronari, kanë paralajmëruar në këtë sindikatë se janë të pakënaqur me trajtimin që po i bëhet. Ai thotë se ia ka sugjeruar ata që të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e dialogut, po pasi që nuk ka pasur vullnet për dialog nga pronari ka filluar greva.

“Ata në baza ligjore kanë bërë edhe protesta 15-minutshe dhe më vonë kanë hyrë në grevë dhe unë kam shkuar si ndërmjetësues, por pronari nuk ka dashur që të përfillë asnjë marrëveshje. Ka raste kur punëtori ka punuar gati 20 ditë dhe është paguar diku me 150 euro duke ua marrë djersën. Pra 20 ditë është paguar me koeficientin 230 euro, ndërsa për dy ditë tjera i paguhet me koeficientin 150 euro pa i paralajmëruar punëtorët, dhe këtë ne e kemi zbuluar më vonë. Edhe kjo i ka shtyrë të bëjnë grevë dhe protestë, veprime këto që i kanë bërë jashtë fabrikës që të mos ta dëmtojë ndokush makinerinë”, u shpreh Abazi.

Ai thotë se kjo sindikatë ka informacione se pronari i kësaj fabrike nuk i ka plotësuar numrin e punëtorëve të paraparë, sipas kontratës sepse ka pasur t’i punësojë 236 punëtorë, ndërsa sipas informatave që i ka marrë nga shoqata sindikale, pronari më së shumti ka pasur 120 punëtorë. Abazi thotë se në baza ligjore, deri sa punëtorët janë në grevë pronari nuk ka të drejtë që t’i largojë nga puna dhe nuk guxon që ta punësojë asnjë punëtor tjetër në vend të tyre.

1204 shkelje të ligjit në vitin 2011

Edhe inspektorati i punës si trupë ekzekutive e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale që e bënë mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit të Punës ka evidentuar këto shkelje të ligjit në fjalë, sidomos në sektorin privat. Kryeinspektori i Inspektoratit të Kosovës Basri Ibrahimi, thotë se zbatimi i Ligjit të Punës po hasë në shumë pengesa sidomos tek kompanitë e sigurimeve fizike, kompanitë ndërtimore dhe tek kompanitë hoteliere dhe tregtare. Ai ka thënë se ende nuk është bërë publik raporti i punës së këtij inspektorati. “Kemi pasur shumë ankesa nga punëtorët, por jo gjithmonë kanë qenë të drejta dhe ka raste kur marrim ankesa dhe pas inspektimit nuk verifikohet ndonjë shkelje. Ankesat më të shumta janë rreth orarit të punës ose mospagesa e punesë gjatë natës ose vikendeve. Por inspektimet që ne i kemi bërë na kanë rezultuar me diçka tjetër. Ka pasur 523 raste të inspektimeve dhe janë gjetur punëtorë pa kontrata dhe në të gjitha këto inspektime kemi hasur në 3200 punëtorë pa kontrata të punës që do të thotë se atyre mund të ju shkelen të drejtat që duhet t’i kenë”, thotë Ibrahimi.

Ibrahimi thotë se edhe kur gjejnë shkelje ligjore së pari i japin vërejtje dhe mundësi punëdhënësve që t’i eliminojnë ato dhe nëse nuk e bëjnë këtë, iu shqiptohet gjoba. “Ne nuk shkojmë që ta gjobisim punëdhënësin dhe për çdo gabim të shqiptojmë gjobë. Në të gjitha rastet kur kemi gjetur punëtorë pa kontrata nuk kemi shqiptuar gjoba, por i kemi dhënë mundësinë që të eliminohen ato vërejtje. Ndërsa në rastet kur nuk janë eliminuar ato vërejtje i kemi shqiptuar gjobë. Në vitin 2011 kemi gjetur mangësi në zbatimin e Ligjit të Punës në 1204 raste dhe prej këtyre janë shqiptuar 136 gjoba, ndërsa këto tjerat pas inspektimet dhe vërejtjeve që i kemi dhënë i kanë eliminuar të metat”, ka thënë Ibrahimi.

Disa komuna pa inspektorë

Instituti GAP ka bërë një hulumtim në lidhje me zbatimin e Ligjit të Punës. Sipas këtij raporti, zbatimi i këtij ligji ka ngecje të shumta, si puna pa kontrata, puna gjatë vikendeve të cilat përcillen edhe me pasigurinë në vendin e punës. Sipas këtij raporti, një pengesë në zbatimin e Ligjit të Punës është edhe numri i vogël i inspektorëve.  “Në Kosovë janë në total 50 inspektorë, të shpërndarë nëpër komuna të Kosovës. Së pari, ky numër i inspektorëve është shumë i vogël për të mbuluar të gjitha bizneset që operojnë në Kosovë. Shtrirja e inspektorëve nëpër komuna gjithashtu nuk është në nivelin e duhur, ngase sot, kur Kosova ka 37 komuna, ende ka komuna që nuk kanë asnjë inspektor të vetëm, përfshirë edhe dy komuna jo edhe aq të vogla si Suhareka dhe Istogu. Disa nga komunat e dala pas procesit të decentralizimit po ashtu kanë mungesë inspektorësh. Ka raste kur komuna të mëdha si Ferizaj dhe Lipjani janë të mbuluar vetëm nga një inspektor, kurse Prizreni, komuna e dytë për nga madhësia ka vetëm dy inspektorë. Kur dihet se edhe komuna e Suharekës mbulohet nga inspektorët e Prizrenit, del se këta dy inspektorë vështirë që mund të mbulojnë të gjithë bizneset e regjistruara në këto dy komuna”, thuhet ndër të tjera në raport.

Një inspektor duhet të inspektojë mbi 50 biznese në ditë!

Në këtë raport thuhet se numri i bizneseve në Kosovë është rritur në krahasim me vitin e kaluar. Sipas Agjencionit për Regjistrimin e Bizneseve, në Kosovë janë të regjistruara mbi 106,555 biznese. Në bazë të Konventës së ILO-s, në bazë të së cilës edhe është themeluar Inspektorati i Punës, inspektorët e punës duhet ta inspektojnë një biznes sa herë që ata e shohin të domosdoshme, pa harruar se disa biznese duhet të riinspektohen dhe ka raste kur duhet bërë inspektime me kërkesë të palëve. Nëse inspektorët duhet të vizitojnë çdo biznes të paktën një herë në vit, atëherë 50 inspektorët e punës për të vizituar totalin prej 106,555 biznese, i bie që mesatarisht secili të inspektojë nga 2131 biznese në vit. Për shembull, nëse Prizreni, ka vetëm dy inspektorë, për të vizituar të gjithë bizneset e regjistruara në Prizren dhe në Suharekë që në total janë 11,362, për 220 ditë punë, ata do të duhej të vizitonin mesatarisht nga 51 biznese në ditë.  Punë më të lehtë nuk do të kishte as inspektori i vetëm i Ferizajit që duhet të vizitojë 7964 biznese në vit.

Ky fakt konsiderohet shqetësues edhe nga kryeinspektori Basri Ibrahimi. Ai thotë se për ta kryer punën si duhet, i duhet një numër i inspektorëve 10 fish më i madh sesa ky që është aktualisht. “Nëse i marrim parasysh këto rrethana, na duhen 10 fish inspektorë më shumë. Por ne gjatë inspektimeve që bëjmë në disa kompani ka reflektim edhe tek kompanitë tjera. Por me këtë numër i kemi inspektuar vetëm 12 apo 13 për qind të bizneseve dhe në këtë rast nuk arrihet as ky reflektim. Ne do t’i pranojmë edhe 5 inspektorë shumë shpejt, por është vetëm shtim simbolik, sepse numri aktual është shumë i vogël dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk ka mjete buxhetore për pranimin e një numri më të madh të inspektorëve”, thotë Ibrahimi.

Një numër i madh e punëtorëve që punojnë në ndërtimtari dhe punë krahu në përgjithësi, nuk gëzojnë të drejtat që ua garanton Ligji i Punës. Blerimi, (që nuk dëshironte të jepte identitetin e plotë për shkak të rrezikut për të mbetur pa punë) një punëtor që punon për një nga kompanitë ndërtimore në kryeqytet, thotë se punon edhe në vikend, ndërsa e preokupon më së shumti, siguria në punë dhe afatgjatësia e punës. “Ka raste kur punojmë deri në 10 orë në ditë. Varësisht se në cilën fazë janë ndërtimet, zgjasin edhe orët e punës. Nganjëherë punojmë edhe gjatë vikendit, sepse nganjëherë punojmë edhe të dielave. Kontrata nuk kemi dhe kurrfarë sigurie as shëndetësore, por kur nuk ka kontratë mund edhe të largojnë nga puna kur të duan”, thotë ai.

Ndërsa një punëtor që merret me mbikëqyrjen e instalimeve elektrike në një kompani private ankohet për pasiguri në punë. Ai nuk dëshiron që të përmendet me emër, por thotë se punën që e bën është e rrezikshme dhe se në rast të ndonjë fatkeqësie nuk ka asnjë përkrahje nga punëdhënësi. “Ende nuk kam kontratë pune dhe puna që e bëjë është edhe e rrezikshme dhe nëse lëndohem në punë, ose pësoj ndonjë fatkeqësi tjetër askush nuk mban përgjegjësi për këtë, sepse kjo mund të llogaritet punë në të zezë”, u shpreh ai.

Një mangësi e madhe në rastet e mospajisjes me kontrata të punëtorëve, janë vdekjet dhe lëndimet në vendin e Punës. Në raste të tilla punëdhënësit në të shumtën e rasteve nuk marrin asnjë përgjegjësi. Sipas inspektoratit të punës në vitet e fundit kemi një rritje të vdekjeve në vendin e punës, si pasojë e mungesës  së kushteve të punës. Por këto janë të dhëna që i ka inspektorati, sepse ky numër dyshohet se është shumë më i madh, por duke marrë parasysh punën pa kontrata edhe këto të dhëna janë të mangëta.

 

Inspektorati e ka gjobitur pronarin e fabrikës Fan

Inspektorati i punës pasi që ka marrë informatat për vendimin e pronarit për largimin nga puna të 15 punëtorëve,  me datën 23.05.2011 ka marrë një vendim përmes të cilit urdhërohet pronari i fabrikës Fan që të ndërpresë dhe të anulojë të gjitha vendimet për largimin e punëtorëve grevistë nga puna.

Gjithashtu, inspektorati i punës gjatë inspektimit që i ka bërë kësaj fabrike me datën 23.05.2011, në kohën kur po mbahej greva e punëtorëve ka gjetur 2 punëtorë të rinj pa kontrata. Ky veprim i pronarit është në kundërshtim me Ligjin e Punës dhe Ligjin për Grevat dhe për këtë shkelje ligjore inspektorati i punës e ka gjobitur pronarin me 2 mijë euro. Vendimet për këto gjoba i ka siguruar Preportr, pasi që në inspektorat nuk pranojnë të flasin shumë rreth gjobave dhe vlerës së gjobave që iu shqiptohen punëdhënësve që shkelin Ligjin e Punës.

Ne kemi bërë shumë ndërmjetësime në mes dy palëve ashtu siç na mundëson Ligji i Punës dhe për moszbatimin e Ligjit të Punës ashtu siç është e paraparë, kompania Fan është dënuar dhe ju ka shqiptuar gjoba për shkelje ligjore.

Basi Ibrahimi, Kryetar i Inspektoratit të Punës

Kryetari i Inspektoratit të Punës Basri Ibrahimi, thotë se ky inspektorat ka qenë i informuar për problemet ndërmjet punëtorëve dhe pronarit të kësaj fabrike. “Ne kemi bërë shumë ndërmjetësime në mes dy palëve ashtu siç na mundëson Ligji i Punës dhe për moszbatimin e Ligjit të Punës ashtu siç është e paraparë, kompania Fan është dënuar dhe ju ka shqiptuar gjoba për shkelje ligjore”, ka thënë Ibrahimi.

Ai thotë se ka pasur periudhë kohore kur ata herë kanë punuar herë nuk kanë punuar, pra kanë shkuar në pushim kolektiv dhe prapë i ka paguar. Ibrahimi thotë se nganjëherë edhe grevistët kanë pasur qëndrime kontradiktore, por konfirmon se pronari kësaj ka marrë punëtorë gjatë mbajtjes së grevës, veprim që është i ndaluar me Ligjin për Grevat. “Ata herë thonë që e kanë ndërprerë grevën herë nuk e kanë ndërprerë, janë konfuz në qëndrimet e tyre. Mirëpo në atë kohë ne kemi konstatuar që i ka pasur edhe dy punëtorë pa kontrata dhe për këta iu ka shqiptuar edhe gjoba, sepse gjatë grevës së punëtorëve, punëdhënësi nuk ka të drejtë që të pranojë punëtorë të ri”, theksoi Ibrahimi.

Pronari i fabrikës Fan, Agim Deshishku, ka thënë se i ka larguar një pjesë të punëtorëve pasi që iu është përfunduar kontrata. Ndërsa i pyetur për faktin se një numër i madh i tyre kanë qenë në grevë, ai ka thënë se ata kanë hyrë në grevë me kërkesa të paarsyeshme.

“Ata punëtorë i kam larguar kur iu ka përfunduar kontrata. Kontrata iu ka përfunduar me 30 qershor. Ata kanë hyrë në grevë në muajin prill. Ndërsa për 15 punëtorë që nuk kanë ardhur në punë ua kam dhënë vendimin që i kam larguar nga marrëdhëniet e punës, sepse nuk kanë ardhur si zakonisht për të punuar. Nuk kanë pasur arsye për të hyrë në grevë, sepse kanë kërkuar gjera të paarsyeshme. Kanë kërkuar kontratë 3-vjeçare dhe këso kontrate nuk jam i obliguar me ligj t’i bëjë asnjë punëtori. Unë kam vepruar vetëm në bazë të ligjit. Nuk është e vërtetë që kam marr punëtor të ri. Inspektorati i Punës e ka dhënë një ndëshkim prej 1000 euro, por nuk ka gjetur asnjë punëtor të ri”, ka thënë Deshishku.

Por në fakt inspektorati i punës këtij Deshishkut ia ka gjetur dy punëtorë pa kontrata që ai i ka punësuar gjatë mbajtjes së grevës nga punëtorët. Gjithashtu, ky pronar është gjobitur me 2000 euro e jo me 1000 euro siç thotë ai.

Punëtorët e kësaj fabrike janë ankuar edhe për mungesë të pushimit vjetor. Ata kanë thënë se pronari nuk ua ka dhënë fare pushimin që u ka takuar për vitin paraprak. Pas ankesës që kanë bërë, inspektorati i punës e ka urdhëruar pronarin e fabrikës Fan Agim Deshishkun që t’ua jap pushimin që u takon punëtorëve dhe në rast se nuk ua jep pushimin t’ua kompensojë ditët e pushimit varësisht nga kohëzgjatja e pushimit.

Kundërshtohet vendimi i AKP-së

Pavarësisht këtyre ankesave dhe pretendimeve për mosplotësim të kushteve nga ana e pronarit të fabrikës Fan, Agjencia Kosovare e Privatizimit në janar të këtij viti e ka liruar pronarin nga raportimet e mëtutjeshme në AKP. Ky vendim ka irrituar punëtorët dhe sindikatat.

Kryetari i shoqatës sindikale të fabrikës Fan, Ibrahim Hasani thotë se për të gjitha problemet i kanë raportuar edhe AKP-së, në mënyrë që të jenë të informuar me këto probleme. Sipas tij, ky pronar nuk i ka plotësuar zotimet e bëra.

“Shoqata Sindikale Fan, me përgjegjësi morale dhe materiale deklaron se pronari Agim Deshishku nuk i ka përmbushur obligimet sipas kontratës. Ai njëkohësisht ka bërë “gjenocid” ndaj punëtorëve të fabrikës, duke mos i paguar pagat sipas kontratës së punës dhe duke bërë presion për largimin e tyre nga sindikata, për çka lënda është edhe në gjykatë. Me faza ka pasur që t’i bëjë 236, por nuk i ka mbajtur premtimet për rroga. Ne nuk kemi punuar pa i marrë nënshkrimet e punëtorëve. Prej vitit 2008 deri më 2010 ne kemi punuar me gjysmë orari herë kemi punuar një javë herë jo. Nga 70 punëtorë sa ka pasur atë kohë fabrika, 59 janë quar në grevë, duke kërkuar përmirësim të kushteve. Shoqata Sindikale është shumë e pakënaqur me këtë vendim dhe ne kemi bërë padi në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme në Prishtinë dhe te Prokurori i Shtetit”, theksoi Hasani.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Kosovës (BSPK), Haxhi Arifi thotë se e ka kundërshtuar lirimin nga raportimi të pronarit të kësaj fabrike, sepse sipas tij, ky pronar nuk i ka përmbushur zotimet e bëra. Ai thotë se e ka pasur vetëm një votë në bord, ndërsa si BSPK nuk ka bërë asgjë, përveç që thotë se është i gatshëm që t’u dalë në krahë sindikalistëve në çdo proces që ata e iniciojnë.

“Unë si kryetar i BSPK-së, e që jam edhe anëtar i Bordit të AKP-së, e kam kundërshtuar hapur heqjen nga raportimi të pronarit të fabrikës së armaturës Fan, pasi ai nuk i ka përmbushur kriteret e parapara. Por anëtarët e bordit e kanë marrë vendimet veç e veç, duke u bazuar në raportet e auditimit që i janë bërë kësaj fabrike”, thotë Arifi.

Edhe Kryetari i Sindikatës së Metalistëve të Kosovës Hasan Abazi, thotë se vendimi i AKP-së për lirim nga raportimit të këtij pronari është jo i drejtë, pasi që sipas tij, ai nuk i ka plotësuar zotimet që i ka bërë për investimet dhe numrin e punëtorëve. “Punëtorët janë ende në grevë, pra janë duke mbajtur grevë në distancë. Për shkak se kanë hyrë në grevë punëdhënësi i ka larguar nga puna, duke ua ndërprerë kontratat. Çka është më e keqja pronari i ka detyruar disa punëtorë që janë kthyer që të mos jenë më anëtarë të sindikatës. Ndërsa në anën tjetër, AKP ia ka pranuar nëpërmjet organeve të veta zotimet se gjoja i ka plotësuar numrin punëtorëve dhe investimeve”, ka thënë Abazi.

Por, zëdhënësi i Agjencionit Kosovar të Privatizimit Ylli Kaloshi, ka thënë se lirimi i pronarit të fabrikës Fan nga raportimi i mëtutjeshëm është bërë pasi që sipas tij, ky pronar ka plotësuar kriteret e parapara me “Spin of special” e që si më kryesore kanë qenë realizimi i investimeve të zotuara dhe punësimi i numrit të punëtorëve që është paraparë para privatizimit të kësaj fabrike. “Ndërmarrja Fan është privatizuar me datë 23.03.2006, me çmimin e shitjes 2 milionë e 310 mijë euro. Blerësi ishte zotuar për investime në shumën prej 2 milionë e 800 mijë euro dhe për punësimin e 236 punëtorëve. Niveli i pagës mujore të punëtorëve është marrëveshje në mes punëdhënësit dhe punëmarrësit dhe Agjencia, sipas kontratës së shit-blerjes, nuk ka obligime në këtë çështje. Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në mbledhjen e muajit janar 2012 ka vendosur që t’ia njohë investimet e bëra që lidhen me aktivitetin e kësaj ndërmarrjeje dhe ta lirojë nga raportimi i mëtutjeshëm në AKP si rezultat i përmbushjes së obligimeve kontraktuese nga ana e blerësit”, ka thënë Kaloshi.

Punëtorët e “Bitex” refuzojnë “marrëveshjen”, largohen nga puna

Edhe disa ish-punëtorë të fabrikës “Bitex” thonë se pronari i ka larguar nga puna në muajin maj të vitit të kaluar. Arban Hoxha është njëri nga të larguarit nga puna. Ai thotë se pronari i kësaj fabrike u ka ofruar një marrëveshje të re, që sipas tij ka qenë tendencë për t’i manipuluar punëtorët dhe përmes nënshkrimit të saj të punojnë në mënyrë vullnetare, sipas tij, pa rritje të pagave.

“Më 12 maj 2011 janë përzënë nga puna në “Bitex” 14 punëtorë nga 19 sa kanë qenë gjithsejtë. Kontratat i kemi pasur me afate të ndryshme. Unë e kam pasur deri në fund të vitit 2011. Arsyeja e largimit ka qenë se më 11 maj 2011 sekretarja e ndërmarrjes ka filluar të shpërndajë kontrata të reja punëtoreve, të cilave ua kanë bashkangjitur edhe një marrëveshje sipas të cilës punëtorët gjoja merren vesh me punëdhënësin për të punuar “vullnetarisht”, me dëshirën e tyre dhe pa kurrfarë presioni’ nga 60 ore në javë, pra 20 orë më shumë.

Sekretarja e ndërmarrjes ka filluar të shpërndajë kontrata të reja punëtoreve, të cilave ua kanë bashkangjitur edhe një marrëveshje sipas të cilës punëtorët gjoja merren vesh me punëdhënësin për të punuar “vullnetarisht”, me dëshirën e tyre dhe pa kurrfarë presioni’ nga 60 ore në javë, pra 20 orë më shumë.

Arban Hoxha

“Më 12 maj, prej orës 8:00 deri rreth ora 9:20 të mëngjesit, ka vazhduar shpërndarja e këtyre dy dokumenteve dhe është kërkuar nga punëtorët që t’i nënshkruajnë ato pa i lexuar. Punëtorët kanë kërkuar kohë deri në pushimin e drekës që të kenë kohë t’i lexojnë ato ‘letra’ para se t’i nënshkruajnë. Rreth orës 9:30 ka ardhur drejtori i ndërmarrjes Shefik Neziri dhe të gjithë ata që nuk i kanë nënshkruar kontratat e reja dhe ‘marrëveshjet’ i ka përzënë nga oborri i fabrikës, pa ju dhënë kohë punëtorëve që t’i lexojnë ato”, thotë Hoxha.

Ai thotë se për këtë largim të punës pa paralajmërim kanë njoftuar edhe inspektoratin e punës, të cilët atë ditë kanë shkuar në këtë fabrikë dhe kanë biseduar me pronarët e fabrikës.

“Një grup punëtorësh kemi kërkuar takim me Kryetarin e Inspektoratit të punës Basri Ibrahimin dhe e kemi njoftuar për sjelljen e pronarëve dhe të inspektoreve ndaj punëtorëve. Edhe ai na ka premtuar se më së paku që mund të bëjë është t’i detyrojë pronarët të na paguajnë së paku nga një pagë e gjysmë sa na takon sipas ligjit për shkak të largimit pa paralajmërim dhe se do ta gjobisë kompaninë dhe do t’i  mbrojë punëtorët që kanë mbetur dhe ata qe kanë ardhur të rinj në ketë kompani. Asnjëra nga këto nuk ka ndodhur”, u shpreh Hoxha.

Ndërsa, pronarët e fabrikës “Bitex” Shefik Neziri dhe Ismet Sylejmani, japin një interpretim tjetër për këtë çështje. Ata thonë se nuk i kanë larguar këta punëtorë nga puna, por ata janë larguar vetë, pasi që nuk kanë dashur ta nënshkruajnë marrëveshjen për të punuar edhe dy orë shtesë.

Shefik Neziri thotë se këta punëtorë e kanë lëshuar punën pasi që janë manipuluar nga Arban Hoxha me të cilin thotë se ka lidhje familjare. “Kjo çështje ka qenë e organizuar prej Arban Hoxhës dhe mosnënshkrimi është bërë vetëm për të pasur pretekst për t’u larguar nga puna. Ai iu ka thënë punëtorëve që të mos e nënshkruajnë këtë marrëveshje pa i krijuar disa kushte. Në ora 10, Arbani ka shkuar në fabrikë dhe i ka organizuar punëtorët për ta lëshuar punën. Unë kam shkuar dhe i kam lutur punëtorët që të vazhdojnë punën dhe të mos manipulohen. Gjithashtu e kam lajmëruar edhe bashkëpronarin Ismet Sylejmanin dhe ai i ka lutur që të qëndrojnë, por ata janë larguar dhe kanë pritur që mos po i thërrasim. Por ne nuk i kemi larguar për me i thirr. I kemi pritur 10 ditë dhe më pas ua kam lëshuar vendimin për largim nga puna. Pra po e ceku prapë se ne  nuk i kemi largua nga puna ata janë larguar vetë nga puna dhe kanë qenë të manipuluar”, thotë Neziri.

Ai thotë se përmes kësaj marrëveshje kanë dashur që vetëm ta zyrtarizojnë një punë me dy orë shtesë në ditë. Sipas tij, kush ka dëshiruar ka mundur vazhdojë punën si ka qenë orari i rregullt pa e nënshkruar marrëveshjen për punë shtesë.

“Ata e kanë pasur kontratën pa dy orë shtesë dhe ne u kemi ofruar marrëveshje për të punuar dy orë shtesë me pagesë. Ne nuk ua kemi imponuar askujt, kush ka dëshiruar ka mundur edhe të mos i nënshkruaj”, u shpreh ai.

Inspektorati i ka shqiptuar gjobë për këtë çështje

Shefik Neziri thotë se për këtë çështje ka qenë edhe inspektorati i punës dhe ka bërë inspektimin. Sipas tij, inspektorati nuk e ka gjobitur këtë kompani për këtë çështje, por i kanë shqiptuar një gjobë për një çështje tjetër. “Kanë ardhur inspektorati punës dhe kanë bërë kontroll. Inspektorati na ka gjobitur për një rast tjetër, pra që nuk ka pasur të bëjë ajo gjobë me këtë rast”, thotë Neziri.

Kryetar i Inspektoratit të Punës në Ministrinë për Punë dhe Mirëqenies Sociale Basri Ibrahimi ka thënë se kësaj kompanie i është shqiptuar një gjobë për shkelje të ligjit dhe se kjo shkelje ka pasur të bëjë me këtë rast. “Si duket punëtorët nuk kanë qenë të gatshëm për ta bërë atë punë shtesë, kanë qenë të arsyeshme apo të paarsyeshme është çështje e motivit të tyre. Mirëpo neve si inspektorat i punës na interesojnë vetëm faktet dhe ne kemi shkuar kemi bërë inspektimin. Ne kemi kryer të gjitha proceduar të cilat i parasheh Ligji i Punës dhe kemi konstatuar se pronari ka bërë shkelje të Ligjit të Punës dhe kemi vazhduar procedurat deri në fund. Për çështjen e gjobave nuk dua të flasë nga arsyeja e thjeshtë që ende nuk kam folur për raste specifike nuk flas në lidhje me gjobat”, theksoi Ibrahimi.

“Gjatë bisedave që i kanë pas me mua ish-punëtorët e Bitex-it, unë u kam premtuar çdo gjë që është e mundur që ata të kthehen në vendin e punës dhe të vazhdojnë bashkëpunim me pronarët e Bitex-it. Por ne në bazë të ligjit nuk kemi këtë mundësi që t’i kthejmë ata në vendin e punës. Ne kur konstatojmë që ka shkelje ligjore vazhdojmë në bazë të procedurave tona ligjore. Për çështjen pagave dhe kthimin e tyre në vendin e punës ata mund të bëjnë padi në gjykatën kompetente dhe gjykata vendos për këtë çështje”, sqaron Ibrahimi.