English
Scroll top

Oda e rrethuar nga PDK

Oda Ekonomike e Kosovës, për shumë vjet nuk ka arritur të kthej prona tё saj tё uzurpuara. Ajo, pas përpjekjes disa vjeçare, ka rritur ta kthej nё pronësi tё saj njё pronë tё uzurpuar, por njё pjesë tjetër, ende mbetet e uzurpuar. Por Oda ka edhe njё ‘hall’ tjetёr. Ndërtesa e OEK-ut nё qendër tё Prishtinёs në të gjitha anët shfrytëzohet ose nga PDK-ja ose nga familjarë të zyrtarëve tё saj. Zanzibari e ish-barnatorja shfrytëzohen nga familjarë të anëtarëve të PDK-së, kurse PDK-ja...

Prishtinë, 13 Maj 2014

Oda Ekonomike e Kosovës, që ka objektin në pronësi në mes të qytetit të Prishtinës, për disa vjet me radhë ka pasur probleme me uzurpim të lokaleve që janë pjesë e saj. Pas luftës disavjeçare me barnatoren që pati mbetur thuajse e vetmja, nga ato që njiheshin si barnatoret e shtetit, OEK arriti ta kthej në pronësi atë në vitin 2012. Po në këtë vit, pas një vendimi të formës së prerë të marrë nga Gjykata Komunale e Prishtinës, policia e Kosovës tentoi t’ia kthej në pronësi OEK-ut, lokalin që shfrytëzohet nga Zanzibar.

Që shteti është treguar i pafuqishëm ndaj uzurpatorëve të pronës së OEK nga njerëz të fuqishëm të politikës e tregojnë qartë rasti i Zanzibarit, por edhe rasti me  garazhet që u ndërtuan njëra në pronë të Odës e tjera nuk është e qartë a është ndërtuar në pronë publike apo në atë të ish-ndërmarrjes “Drithnaja”.

Berat Rukiqi, ish-sekretar, tash këshilltar për çështje strategjike në Odën Ekonomike të Kosovës, nuk e paragjykon situatën e krijuar rreth Zanzibarit me faktin se pas tij qëndrojnë njerëz të fuqishëm që lidhen me partinë që është në pushtet. Vëllai i uzurpatorit  të këtij lokali, ish-drejtori i Aeroportit të Prishtinës, Agron Mustafa është anëtar i PDK-së. Rukiqi, thotë se për këtë lokal ekziston një vendim gjykate dhe në bazë të tij duhet të intervenojnë organet kompetente. Por, krejt kjo punë rezultoi e pasuksesshme. Lokali sot e asaj dite ka mbetur i uzurpuar, madje pronarët e saj nuk i paguajnë asnjë cent Odës, për shfrytëzimin e tij.

Pёr sa i përket garazheve, Rukiqi thotë se nuk e di as kush i ka ndërtuar dhe nga kush shfrytëzohen ato.

Përderisa Basri Musmurati, sekretar i përgjithshëm i PDK-sё, thotë se garazhet edhe më herët kanë qenë aty vetëm se  janë rregulluar por nuk e di kush i shfrytëzon ato.

Lokali i barnatores menaxhohet nga një familjar i PDK-sё

Por Oda, pas shumё viteve përpjekje, ka arritur qё ta kthej nё pronёsi tё saj lokalin ku për shumë vjet ka funksionuar një barnatore e shtetit. Pas kthimit nё pronёsi, Oda këtë lokal ia ka lёshuar me qira Rexhep Avdiut, vëllait tё zyrtarit tё lartё tё PDK-sё, Ramadan Avdiut. Restoranti Avenue 1St, qё tash gjendet nё hapësirën qё dikur ishte e shfrytëzuar nga barnatorja e shtetit, në ARBK është regjistruar në emër të Rexhep Avdiut.

Për këtë lokal që Oda e ktheu në pronësi pas disa vitesh përpjekje (aktgjykimi fuqiplotë për kthimin e lokalit Odës Ekonomike të Kosovës, ishte marrë në vitin 1994 ), barnatorja i ka mbetur borxh OEK-ut. Një kohë sipas Rukiqit, ajo kishte paguar qiranë e më vonë nuk e kishte bërë këtë.

“Ka zgjat procesi gjyqësor është mbyll ai proces, sot funksionion në tërësi si duhet ndërsa pjesa e borxheve që i ka barnatorja ndaj Odës ajo pritet të përmbyllet në tërësi me procesin e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore ku, Agjencia e Privatizimit, ua kthen obligimet atyre që kanë qenë kontraktor të ndërmarrjeve shoqërore qoftë edhe ofrues të qirasë”, thotë Rukiqi.

Telashet për kthimin e kësaj prone për OEK, pothuajse kanë qenë të njëjta si më Zanzibarin. Preportr, ka pasur qasje në të gjithë dosjen për këtë lokal dhe në aktgjykimin që është shpallur për të në vitin 1994 nga Gjykata Ekonomike. OEK, i ishte drejtuar disa herë Gjykatës Komunale të Prishtinës (tash Gjykata Themelore), për ekzekutimin e këtij vendimi. Një kërkesë e tillë i ishte bërë kësaj gjykate menjëherë pas luftës në vitin 2001, nga atëherë kryetari i Odës, Ismail Kastrati. Lokali që ka sipërfaqe prej 96 metra katror dhe bodrum 27 metra katror, kaloi në pronësi të OEK vetëm në vitin 2012.

Në këtë vit Oda Ekonomike, ka bërë ftesë për shprehje të interesit për lëshimin e këtij lokali me qira.

Rukiqi thotë që shfrytëzuesi i këtij lokali e ka ofruar çmimin më të lartë.  Preportr, ka kërkuar të shoh edhe ofertat e tjera për marrjen me qira të këtij lokali, por nuk i është lejuar një gjë e tillë. Ajo që i është ofruar Preportr, është ftesa për shprehje të interesit që është botuar në gazetat e përditshme.

“Ne i kemi pasur limitet tona që e përcakton të themi çmimin e tregut mos të biem nën atë çmim mirëpo që është mbi atë çmim, ata tash janë kontraktorë të rregullt e paguajnë qiranë dhe pjesët tjera”, thotë Rukiqi.

Në pronën e kujt?

Partia Demokratike e Kosovës është vendosur në objektin e Odës dhe tё ndërmarrjes “Drithnaja”, menjëherë pas luftës. Për pjesën e Odës nuk ka paguar kurrë qira, por qiraja sipas Berat Rukiqit, është kompensuar me pagesën e rrymës që PDK, sipas tij e bën për të gjithë ndërtesën. Oda pas kërkesës së Preportr, për qasje në këtë marrëveshje me PDK-në nuk e ka lejuar një gjë të tillë.

Kjo parti shfrytëzon vetëm një pjesë të katit të tretë të Odës Ekonomike të Kosovës, dhe komplet katin e katërt që i takon ndërmarrjes “Drithnaja”. Zyrat e kësaj ndërmarrje kanë dalë në shitje nga AKP që në valën e 37-të të privatizimit dhe janë shitur në valën e 44-të me çmim prej  371 mijë e 111 euro.

Preportr, ka kërkuar nga AKP që të marrë vesh se kush i ka blerë zyrat e kësaj ndërmarrje, por zyrtarë të saj kanë thënë se nuk i tregojnë emrat e kompanive apo të personave që i kanë blerë ndërmarrjet.

Basri Musmurati, thotë se i paguajnë qiranë kësaj ndërmarrje, përderisa thotë se në pronën e Odës e kanë një a dy zyra që edhe ashtu nuk i shfrytzojnë.

Oda Ekonomike dhe ish-ndërmarrja “Drirthnaja”, pas një ujdie gjyqësore të arritur diku në vitin 2007-2008, kishin definuar statusin e pronës. Sipas kësaj ujdie tri të katërtat e ndërtesës i takojnë  Odës dhe një e katërta ish “Drithnajës”, apo ndryshe siç është quajtur “Zhitoprometit”.

Edhe parcela është ndarë njëjtë 75 për qind i ka takon Odës dhe 25 për qind “Drithnajës”.

“Parcela në bazë të fletës poseduese shkon në atë proporcionin 75 me 25 për qind. Shfrytëzohet nga të gjithë këta që janë në ndërtesë për nevoja të parkingut dhe tash duke ditë nevojat e parkingut me të thënë të drejtën është pak e vështirë të menaxhohet për shkak të numrit të madh të veturave por do me thënë shfrytëzohet edhe prej neve”, thotë Rukiqi.

Rojet që e ruajnë këtë parking janë angazhuar nga PDK. Edhe Musmurati thotë se rojet janë angazhuar nga PDK dhe parkingu shfrytëzohet edhe nga anëtarët e PDK-së.

“Janë punëtoret e PDK-së, rojet që e ruajnë”, thotë Rukiqi.