Një jetë me frikë e diskriminim

Prishtinë, 21 Shkurt 2017

"Kam qenë shumë i mbyllur dhe kam jetuar brenda një rutine. Nuk kam folur për preferencat e mija seksuale me askënd sepse kam mendu që nuk është diçka normale. Nuk e kam kuptu çka po ndodhë me mu...", kështu fillon rrëfimin Blendi, tashmë 26-vjeçar i lindur e rritur në Prishtinë.

Në një kafene të qytetit, studenti shembullor i Juridikut kishte vendosur të ndajë pjesë nga jeta e vet në mënyrë që sado pak të hedhë dritë mbi vështirësitë që kanë anëtarët e komunitetit LGBT për të jetuar në Kosovë.

Blendi tha se mungesa e edukatës seksuale ia ka bërë më të vështirë të kuptuarit e seksualitetit të tij. Ai kishte vërejtur se diskutimet e shokëve për vajza nuk i pëlqenin. Në pubertet kishte filluar të ndihej më i joshur nga djemtë por kjo vetëm sa i kishte shkaktuar huti. "Ose kam diçka më shumë se tjerët ose më pak. A jam normal a jo?", këto pyetje Blendi ia kishte bërë shumë shpesh vetës.

Ndonëse në rrethin ku jetonte nuk ishte folur haptazi për marrëdhëniet mes personave të gjinisë së njëjtë, krejt çka i kujtohet Blendit është që shprehja "peder" është përdorur kur ke dashur të përqeshësh e ofendosh dikë rëndë. Kjo ia kishte shtuar edhe më shumë frikën. "Kam qarë, e kam gjykuar veten, kam menduar që jam njeri i keq", thotë ai.

Pavarësisht përpjekjeve, Blendi nuk mund të shtypte ndjenjat e tij por as nuk mund të fliste për to. Ai vendosi t'i mbajë të fshehura ato nga shoqëria e veçanërisht familja.

Për shkak të pamjes së tij të butë, thotë që shumë shpesh është diskriminuar nga shokët në shkollë sepse sipas tyre "nuk është burrërore" të jesh i sjellshëm e i urtë. Blendi rrëfen se si profesori i Edukatës Fizike nuk e kishte lejuar të luaj futboll me djemtë e tjerë të klasës sepse, sipas tij, ai duhet të luaj në sallën e vajzave. Madje për shkak të insistimit të Blendit, profesori i kishte dhënë vërejtje me shkrim për sjellje jo të mirë.

Frika e zbulimit të identitetit, e para në vargun e sfidave

Interneti është vendi ku të rinjtë kosovarë që i takojnë komunitetit LGBT kanë mundësi ta gjejnë njëri-tjetrin dhe të njoftohen e shoqërohen pa rrezikuar që orientimi i tyre seksual të bëhet publik. Këtë e bëjnë duke hapur profile të rreme në rrjete sociale në të cilat publikojnë artikuj që kanë të bëjnë me komunitetin.

Tre vjet më parë Blendi kishte filluar të komunikojë me një burrë në rrjete sociale dhe kishin lënë të takoheshin  në një nga parqet e qytetit. Në takim kishin shkuar edhe dy burra të tjerë të cilët e kishin rrahuar dhe ia kishin grabitur gjërat personale si telefon, kuletë etj. Të njëjtit kishin tentuar ta dhunonin seksualisht. Sulmuesit për ta poshtëruar ende më shumë ia kishin marrë Blendit pantallonat dhe pallton duke e lënë kështu gjysmë të zhveshur në rrugë.

Atë kohë Blendi, me iniciativën e një qytetari që e kishte parë në gjendje të rëndë, e njoftoi Policinë për rastin. Ai thotë që në stacion të Policisë e kanë përqeshur derisa qante nga trauma që kishte marrur. "Është dashur të qaje në vakt", i kishte thënë njëri nga policët.

Tash janë bërë tre vjet që nga paraqitja e këtij rasti, por Blendi ende nuk ka marrë asnjë informatë lidhur me të, pavarësisht që ai kishte bashkëpunuar me Policinë duke ia dhënë kontaktet e sulmuesit dhe çdo gjë tjetër që dinte për të.

Nga ky rast familja e Blendit morën vesh për identitetin e tij seksual. Ai kishte përjetuar dhunë psiqike e fizike edhe në shtëpi. "Ti me fakultet e prapë donë me na qitë faqen e zezë, ma mirë me pas vdekë krejt", i kishte thënë babai. Gjërat i komplikon edhe më shumë fakti që  Blendi është i papunë dhe u detyrua të jetoj në shtëpi dhe të dëgjoj sharje e ofendime nga familjarët e tij.

Institucionet diskriminuese

Diskriminimi në bazë të orientimit seksual është i ndaluar me Ligjin Kundër Diskriminimit të vitit 2004.  Gjithashtu, Kushtetuta e Republikës së Kosovës Neni 24.2 përcakton qartë dinjitetin e barabartë të njerëzve, barazinë e tyre para ligjit, si dhe ndalon çdo lloj diskriminimi përfshirë atë në bazë të orientimit seksual.  Pavarësisht këtij rregullimi ligjor njerëzit që i përkasin grupit LGBT nuk gëzojnë të njëjtën mbrojtje apo të drejta me pjesën tjetër të shoqërisë.

Shpresa Krasniqi nga Qendra për Emancipim Shoqëror (QESh) thotë se legjislacioni në përgjithësi, duke përjashtuar Kushtetutën, është diskriminues karshi të drejtave të këtij komuniteti, siç janë martesa, e drejta në trashëgimi, e drejta e adoptimit etj.

Përveç mangësive ligjore institucionet e vendit, sidomos ato të drejtësisë duket se nuk kanë njohuri profesionale dhe mirëkuptim për të drejtat e  pakicave seksuale dhe në raste të shumta sjellja e tyre rezulton me keqtrajtimin e personave LGBT.

Një ndër arsyet e mos raportimit është edhe qasja paragjykuese që kanë përfaqësuesit e institucioneve duke filluar nga Policia deri tek gjykatat ndaj këtyre personave – rasteve

Sibel Halimi, sociologe

Në bazë të një hulumtimi të organizatave YIHR dhe CSGD, shumica e anëtarëve nga ky komunitet kanë pasur abuzime me fjalë, kërcënime dhe rrahje por nuk i kanë lajmëruar rastet në polici. Edhe ata që i kanë paraqitur kanë thënë se kanë marrë "komente të papërshtatshme" nga pjesëtarë të Policisë.

Sipas Krasniqit, arsyet e mos raportimit të diskriminimit ose të dhunës ndaj komunitetit LGBT në institucione janë frika e zbulimit të identitetit të tyre. "Në shumicën e rasteve anëtarët e komunitetit LGBT i drejtohen organizatave jo qeveritare të cilat  merren me të drejtat e këtij komuniteti për të deklaruar rastet e tyre duke mos pasur guxim t'i paraqesin ato në Polici. Sipas të dhënave të fundit  aktualisht në Polici janë vetëm 18 raste nga viti 2012 deri në 2016", thotë ajo.

Ndërsa Sibel Halimi, sociologe, mendon se një ndër arsyet e mos raportimit është edhe qasja paragjykuese që kanë përfaqësuesit e institucioneve duke filluar nga Policia deri tek gjykatat ndaj këtyre personave – rasteve.

Rezultatet e hulumtimit të YIHR-së treguan nivel të lartë homofobie në mesin e personave që punojnë në sektorin publik. Rreth 46% e oficerëve të Policisë të intervistuar besojnë se të drejtat e këtij komuniteti janë duke u imponuar nga komuniteti ndërkombëtar dhe rreth 10% mendojnë se nuk ka nevojë për të marrë të gjitha masat për të siguruar të drejta shtesë për këtë komunitet. As në mesin e gjyqtarëve dhe prokurorëve situata nuk qëndron më mirë. Kur u pyetën se çfarë duhet të bëhet për të mbrojtur të drejtat e minoriteteve seksuale, shumica e prokurorëve refuzuan të përgjigjen, ndërsa tre nga 17 gjykatës të intervistuar thanë se s’duhet të bëhet "asgjë".

Eli Gashi aktiviste në Alter Habitus thotë se është e pritshme që një institucion si Policia e Kosovës të trajtojë anetarët e komunitetit LGBT në këtë mënyrë. "Policia si institucion është patriarkal dhe ka çasje diskriminuese jo vetëm ndaj komunitetit LGBT,  dhe kjo natyrshëm e bën të pamundur raportimin e rasteve të tilla, apo edhe mbrojtjen e anëtarëve të komunitetit", thotë ajo.

Në vitin 1973 Bordi i Drejtuesve të Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë e hoqi homoseksualitetin nga Manuali  Zyrtar i Diagnozave, Manuali Diagnostifikues dhe Statistikor i Çrregullimeve Mendore, Botimi i dytë (DSM II). Psikologë, psikiatër dhe profesionistë të tjerë të specializuar në shëndetin mendor pranuan se homoseksualiteti nuk është sëmundje,  çrregullim mendor apo problem emocional. Megjithatë hulumtimet tregojnë se në Kosovë rreth 94% e mjekëve të anketuar  refuzuan të japin përgjigje lidhur me këtë, e vetëm 6% nuk e konsideruan homoseksualizmin sëmundje.

Mohimi i të drejtave, përgjegjësi e shtetit

Të qenit "ndryshe" nga vlerat tradicionale të shoqërisë kosovare, ka bërë që anëtarët e komunitetit LGBT të stigmatizohen e diskriminohen. Mbrojtja e të drejtave të këtij komuniteti vazhdon të mbetet peng i mendësisë konservatore, paqëndrueshmërisë ekonomike dhe iniciativave të pamjaftueshme qeveritare.

Sipas Halimit, nëpërmjet mekanizmave socio-kulturor është disiplinuar seksualiteti njerëzor dhe është konstruktuar ekskluzivisht orientimi heteroseksual. "Ekziston një “panik morale” kundrejt personave LGBT, prandaj nuk është e rastësishme që kjo çështje bëhet një metaforë brengosëse dhe çështje kontrolli që ka depërtuar në të gjitha institucionet. Nëse nuk do të ketë një vullnet politik nga shteti, korniza ligjore do të mbetet vetëm një nga zbukurimet teorike që e definon Kosovën  si shtet me vlera të larta demokratike por në praktikë do të mbizotëroj një gjendje tjetër", thotë ajo.

Lëvizjet për të drejtat e grupeve të margjinalizuara kanë arritur të kenë sukses vetëm atëherë kur e kanë 'pushtuar' publiken dhe diskutimet kanë ndodhur jashtë katër mureve të organizatave, apo institucioneve

Eli Gashi, aktiviste në Alter Habitus

Për diskriminimin ndaj këtij komuniteti, Shpresa Krasniqi i bën përgjegjës institucionet e vendit. "Institucionet janë të obliguara që të ofrojnë siguri për pjesëtarët e komunitetit, në mënyrë që ata të ndihen të barabartë me pjesën tjetër të shoqërisë", thotë ajo.

Ndërsa Eli Gashi beson që e vetmja shpresë për të dalur nga kjo shtypje janë lëvizjet shoqërore për të drejtat e komunitetit.

"Lëvizjet për të drejtat e grupeve të margjinalizuara kanë arritur të kenë sukses vetëm atëherë kur e kanë 'pushtuar' publiken dhe diskutimet kanë ndodhur jashtë katër mureve të organizatave, apo institucioneve. Besoj që kjo duhet të ndodhë në Kosovë. Duhet të shohim më shpesh anëtarët e komunitetit të flasin për diskriminimin që ju bëhet nga këto institucione. Prezenca e tyre në jetën publike, në media, duhet të jetë pa maska", thotë Gashi.

(Ky shkrim është shpërblyer me vendin e parë për shkrimin më të mirë gazetaresk me temën “Realiteti i komunitetit LGBTI në Kosovë” nga organizata joqeveritare Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) që vepron në mbështetje të komunitetit LGBTI dhe e mbështetur nga Bashkimi Evropian)