Mosdeklarimi i financave rezulton me politikë klienteliste

Bërja publike e financimit të partive politike është një aspekt thelbësor i vendosjes së një llogaridhënje dhe të një lidhjeje mes politikës dhe qytetarit. Ky problem pothuaj se nuk është fare i rregulluar në Kosovë. Financimi i subjekteve politike ka mangësi serioze të legjislacionit dhe të institucioneve që duhet ta bartin atë.
Si rezultat i mos-transparencës në financimin e partive politike...

Prishtinë, 10 Dhjetor 2010

Bërja publike e financimit të partive politike është një aspekt thelbësor i vendosjes së një llogaridhënje dhe të një lidhjeje mes politikës dhe qytetarit. Ky problem pothuaj se nuk është fare i rregulluar në Kosovë. Financimi i subjekteve politike ka mangësi serioze të legjislacionit dhe të institucioneve që duhet ta bartin atë.

Si rezultat i mos-transparencës në financimin e partive politike sot kemi parti politike që bazën e kanë në klientelizë, kurse programet e tyre shumë pak reflektojnë problemet me të cilat ballafaqohet elektorati. Nën udhëheqjen e këtyre partive politike, Kosova ka parë vetëm dobësim ekonomik dhe degradim të standardit të jetesës. Premtimet për përmirësimin e standardit të jetesës mbarojnë brenda fushatave elektorale dhe me të marrë pushtetin, partitë politike thjesht vetëm kontribuojnë në thellimin e dallimit në të ardhura në mes politikës e pronarëve të bizneseve të mëdha, në njërën anë, dhe të qytetarit në anën tjetër.

Shiko Gazetën #2

Financimi i partive politike në Kosovë mund të jetë në shkallën më të ulët duke qenë se vit pas viti, partitë politike janë toleruar të vazhdojnë mosdeklarimin e plotë të financave pa pësuar asnjë pasojë. Ligji për financimin e partive politike si dhe ai për zgjedhje nacionale praktikisht kanë sanksione aq të ulëta saqë nuk dhënë shpresë se kjo situatë do të përmirësohet në një afat të parashikueshëm. Në anën tjetër, marrëdhënjet jotransparente mes biznesit dhe politikës e kanë bërë të mundshme që të dyja palët t’i ofrojnë shërbime njëra-tjetrës në fusha të cilat nuk janë fare të rregulluara me ligj, siç janë për shembull ofrimi i shërbimeve si formë e shpagimit për fitimin e tenderëve publik.

Pagesa e fushatës nga klientët e subjekteve politike

Një hulumtim i Organizatës ÇOHU! ka treguar një aspekt tjetër të problematikës së financimit të partive politike e që do jetë shumë i vështirë për tu adresuar edhe nëse kemi një deklarim të vazhdueshëm të të hyrave të partive politike. Fakti që Kosova ka dy degë të pushtetit (ligjvënësin e gjyqësorin) që praktikisht ose i binden ekzekutivit ose nuk e kryejn për ndonjë arsye tjetër funksionin e vet kontrollues, ka bërë që partitë të shfrytëzojnë tenderët publik si mënyrë indirekte për kthimin e borxheve për kompanitë e marketingut që iu kryejn shërbimet e fushatave.

Gjatë intervistimit nga ÇOHU! të zyrtarëve të disa kompanive që direkt janë marrë me organizim fushatash  ka dalur se në trekëndëshin politikë-kompani marketingu- biznese që konkurrojnë në tenderë publik, është ndërtuar një strategji për të fshehur financimin e fushatave por edhe të vet Partive Politike. Në kushte anonimiteti zyrtarët e këtyre kompanive kanë pranuar se iu kanë bërë shërbime partive të mëdha për fushatë ku zyrtarisht përmes gjirollogarive bankare janë paguar shuma minimale parashë prej 5000 deri në 6000 euro, përderisa shuma enorme janë dhënë para kesh nga vetë zyrtarë të Partive Politike. Përveq kësaj metode të pagesave  për shërbime të marketingut nga ana e Partive Politike, zyrtarë të kompanive të marketingut i kanë pranuar Organizatës ÇOHU! se një pjesë e majme e pagesave janë paguar edhe përmes kompanive të treta siq janë kompanitë e ndërtimit me arsyetimin se kinse në atë kohë iu kanë ofruar shërbime marketingu komapnive të ndërtimit e jo Partive Politike. “Ne thjesht iu faturojmë shërbimin tonë të bërë ndaj partive gjatë fushatës, kompanive emrat e të cilave na i dhënë partitë dhe kompanitë pastaj shkruajn faturën për një gjoja shërbim tonin ndaj tyre, të cilin ne në të vërtet nuk e kemi bërë. Por pagesat me të mëdha vijnë në formë të keshit.”, thotë ky burim.

Nëse kjo është një dukuri, atëherë monitorimi i të ardhurave të partive politike bëhet pothuaj se i pamundur për faktin se kjo kërkon një shtrirje më të gjerë të auditimeve dhe një kooperim të përpikët të institucioneve tjera që sigurojnë transparencë siç janë për shembull edhe institucionet që merren me prokurime publike. Në anën tjetër një hulumtim i SAR (Shoqatës Akademike e Rumanisë) dhe Organizatës ÇOHU! ka treguar se një bashkëpunim mes institucioneve të tilla praktikisht nuk ekziston.

Partitë me kosto false të fushatës

Një raport që ÇOHU! ka arritur ta siguroj nga burime e saja e i cili përket zgjedhjeve të fundit parlamentare të vitit 2007 nxjerrë në pah shumë parregullsi të raportimeve financiare të subjekteve politike. Edhe pjesët e raportuara të financave të partive politike kanë probleme serioze në raportim. Partitë e kanë pasur të vështirë të mbulojnë shpenzimet me dokumente financiare para Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ). KQZ në shumë raste ka vënë re se subjektet politike kanë nën-raportuar shpenzime financiare, ndonëse shpenzimet reale ishin shumë më të larta.

Poashtu, të hyrat financiare në fushatë në vlerë prej dhjetëra mijëra euro të donatorëve kanë mbetur edhe më tutje si anonime, pasi që partitë kanë refuzuar t’i bëjnë publike. Gjithë kjo mostransparencë e subjekteve politike me taksapaguesit kosovarë dhe njëkohësisht duke bërë shkelje të rënda të ligjeve në fuqi është bërë për shkak të gjobave minimale financiare të përcaktuara me Ligj.

Neni 6 i Rregullës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 10 /2007, përcaktonte vlerën maksimale të tarifës prej treqind turo (€300) për dorëzim të vonuar të raportit financiar nga subjektet politike brenda 15 ditëve nga afati përfundimtar. Duke u bazuar në nenin 6.5 të Rregullës së Zgjedhjeve 10/2007, Zyra e Regjistrimit të Partive Politike po ashtu ka paraqitur ankesa në Komisionin e Zgjedhjeve për Ankesa dhe Parashtresa kundër subjekteve politike për shkak të mosdorëzimit të Raportit të Publikimit Financiar të Fushatës brenda 15 ditëve pas afatit përfundimtar.

Ankesat  ishin bërë kundër 49 subjekteve politike për periudhën e para fushatës, kundër 22 Subjekteve për periudhën e fushatës dhe kundër pesë Subjekteve për në raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar Komune.

PDK nuk dorëzoi raport financiar

Sipas raportit mbi publikimet financiare të fushatës së subjekteve politike për Zgjedhjet e Kosovës 2007, i përgatitur nga Zyra e Regjistrimit të Partive Politike në kuadër të KQZ-së, PDK ka dështuar të dorëzojë ndonjë raport të publikimit financiar të Fushatës, siç është kërkuar nga rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nr. 10/2007 dhe 14/2007 përfshirë raportet për para-fushatë, periudhën e fushatës, dhe për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar Komune.

Dështimin e partisë më të madhe në vend që të dorëzojë në KQZ raport të publikimit financiar të fushatës nuk e pranon zëdhënësi i kësaj partie, Bleranc Stavileci, i cili thotë se për zgjedhjet parlamentare të vitit 2007 i kanë bërë transparente të gjitha të hyrat dhe shpenzimet, ndonëse në raportin e KQZ-së potencohet e kundërta.  Megjithatë, në mënyrë që të vlerësohet se a e ka kaluar apo jo PDK-ja kufizimin e shpenzimeve të caktuar nga Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, Zyra për Regjistrimin e Partive Politike është detyruar të gjejë metoda tjera që t’i vlerësojë shpenzimet e kësaj partie. Ajo këtë vlerësim e ka bazuar në vëzhguesit e vet të fushatës dhe informatat e mbledhura nga burimet e tjera.

Zyra për Regjistrimin e Partive Politike beson se PDK në zgjedhjet e fundit parlamentare që janë mbajtur ka shpenzuar  105 mijë e 156 euro për para-fushatë, 504 mijë e 395 euro  për periudhën e fushatës dhe 47 mijë e 646 euro  për raundin e dytë të Zgjedhjeve për kryetar Komune, duke  arritur shumën e përgjithshme të shpenzimeve prej 657 mijë e 197 euro. Partia kishte garuar për Zgjedhje për Kuvend të Kosovës, Zgjedhje për Kuvend Komunal dhe Zgjedhje për Kryetar Komune në (28) Komuna. Bazuar në të gjeturat e Zyrë për Regjistrimin e Partive Politike thuhet se PDK-ja ka shpenzuar nën kufizirin e shpenzimeve, që për këtë parti ishte caktuar 1 milion e 433 mijë e 500 euro. Mirëpo, në këtë llogari nuk futen shërbimet që kompanitë e marketingut mund t’i kenë bërë partisë në këmbim të tenderëve publik, dyshim i cili ngelet si valid duke pasur para sysh konfliktin e interesit të disa kompanive që kanë marrë pjesë në tenderë publik siç shifet edhe në pjesën e parë të këtij raporti.

LDK raportoi 132 mijë euro më pak shpenzime

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në zgjedhjet e vitit 2007 kishte raportuar të hyra në vlerë prej 531 mijë e 131 euro, ndërsa shpenzime të fushatës LDK kishte raportuar në vlerë prej 609 mijë e 315 euro.

Sipas KQZ-së partia ka dorëzuar gjithë dokumentacionin e kërkuar për shpenzime në periudhën e parafushatës, mirëpo, vetëm  263 mijë e 735 euro për periudhën e fushatës, pavarësisht se ka deklaruar  406 mijë e 578 euro shpenzime gjatë fushatës. Përgjegjësi për financa në LDK, Lutfi Zharku, thotë se kjo parti i ka dërguar të gjitha raportet e nevojshme në KQZ për zgjedhjet e fundit të mbajtura parlamentare në vend. Ai thotë se në raport janë përfshirë shpenzimet e përgjithshme të partisë, por jo edhe të kandidatëve për deputetë. “Ligji nuk e ka përcaktuar se sa duhet të kufizohen shpenzimet për një deputet”, shprehet Zharku.

Mirëpo, Zyra për Regjistrimit të Partive Politike ka zbuluar se LDK ka shpenzime të nën-aportuara në kategoritë siç janë: spenzimet e fushatës, shpenzimet e ndryshme dhe  shpenzimet e përgjithshme për periudhën e fushatës. Për shpenzime të fushatës, LDK ka raportuar një shumë të përgjithshme prej 76 mijë e 622 euro, mirëpo, Zyra e Regjistrimit të Partive Politike dalë në konkludim me një shumë më të lartë, përkatësisht prej 97 mijë e 688 euro.

Zyra e Regjistrimit të Partive Politike ka gjetur se qiraja e vendtakimeve për mitingjet politike dhe programet artistike janë vlerësuar  46 mijë e 846 euro në vend të shumës së raportuar prej 25 mijë e 780 euro. Për këtë, LDK ka deklaruar shpenzime më pak prej 21 mijë e 66 euro. Poashtu  LDK ka raportuar 23 mijë e 233 euro si shpenzime të ndryshme për periudhën e fushatës, ndërsa të gjeturat e revizimit flasin për  126 mijë e 373 euro. Zyra e Regjistrimit të Partive Politike ka pranuar 2644 euro të raportuara për mirëmbajtjen e pajisjeve dhe hapësirën e zyrës prej 20 mijë e 589 euro për shpenzimet që  nuk janë përfshirë në asnjë kategori. Për këtë, LDK-ja ka shpenzime të nën-raportuara të kësaj kategorie në vlerë prej  103 mijë e 140 euro. Sipas KQZ-së, në përgjithësi, LDK-ja ka nën-raportuar shpenzime në vlerë prej  131 mijë e 796 euro.  LDK-ja ka pranuar donacione në të holla prej burimeve të ndryshme në tri periudha të ndryshme të raportimit. Partia ka raportuar vetëm vlerën e përgjithshme të donacioneve prej 230 mijë e 609 euro në vend të detajeve të raportimit të “burimi dhe data” e të gjitha donacioneve. Partia nuk ka raportuar sa fonde kanë pranuar nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës dhe donatorë individual.

LDK-ja ka raportuar se ka pranuar të hyra  286 mijë e 563 euro prej burimeve të tjera, por nuk është përmendur ku dhe nga kush kanë marrë këto të hyra. Kontributet e pranuar nga Partia pa i publikuar plotësisht identitet e kontribuuesve, sipas KQZ-së do të konsiderohen si të palejueshme.

AAK s’jep sqarime për shpërputhjet në deklarimin e financave

AAK, sipas KQZ-së, ka dorëzuar shumë vonë Raportin Financiar të Fushatës për periudhën e Parafushatës dhe Fushatës 2007, por nuk ka dorëzuar për Zgjedhjet për Kryetar. Zyra e Regjistrimit të Partive Politike ka pranuar dy raporte financiare të fushatës më 15 mars 2008 për të dy periudhat të Para-fushatës dhe Fushatës. Ndonëse Zyra e Regjistrimit të Partive Politike ka dërguar rezultatet Preliminare të revizimit për të dy periudhat e fushatës organit më të lartë ekzekutiv të partisë, nuk është pranuar asnjë përgjigje deri në këtë datë.

Valon Tolaj nga AAK pranon se i kanë dorëzuar “pak me vonesë” raportet e kërkuara nga KQZ, por insiston se “me rëndësi është kjo parti i ka dërguar këto raporte”. Poashtu, sipas tij, AAK nuk e ka tejkaluar kufirin e shpenzimeve në fushatë. KQZ bënë të ditur se në zgjedhjet e vitit 2007 AAK ka raportuar gjithsej të hyra prej 226 mijë e 694 euro, ndërsa të gjeturat e revizimit kanë zbuluar rreth 4 mijë euro më shumë të hyra të kësaj partie, përkatësisht 230 mijë e 715 euro.

AAK a ka pranuar donacione në të holla prej burimeve të ndryshme në dy periudhat e raportimit për zgjedhjet. Shuma e përgjithshme e donacioneve të raportuara prej partisë ishte 93 mijë e 550 euro të gjitha të pranuara nga donatorë individual, mirëpo, shuma prej  10 850 euro nuk është raportuar me detajet e kërkuara.

Vëzhguesit e zgjedhjeve kanë raportuar se AAK ka raportuar kontribute në natyrë prej  120,000 Euro dhe një kontribuues individual. Veç kësaj, partia ka raportuar të hyra prej burimeve tjera  13,144 euro të pranuara nga Buxheti i Kosovës. Shpenzimet e përgjithshme të raportuara ishin  265 mijë e 707 euro. AAK nuk ka raportuar asnjë shumë të paguar që kalon  5000 euro për të dy periudhat e fushatës.

Tradicionalisht kjo parti ka pasur donator kompaninë Dukagjini nga Peja dhe është parë si e afërt me Elkos Group, por nuk ka informacione zyrtare se sa donacione i janë dhënë kësaj partije nga këto kompani.

AKR dhe LDD s’mund t’i balancojnë shpenzimet

AKR, e udhëhequr nga biznesmeni i njohur Behxhet Pacolli, është një subjekt tjetër që ka pasur potencial për konflikte interesi. Kompania në pronësi të Pacollit ka fituar tenderë të rëndësishëm nga Qeverija prej të cilave tenderi për rindërtimin e Pallatit të shtypit është më i rëndësishmi dhe ka kapur shumën rreth 15 milionë euro. Konflikti i interesit në këtë rast është i një natyre tjetër sepse AKR është një parti që substancialisht qeveriset nga Pacolli dhe investimi në parti është parë si investim në mundësinë e bërjes biznes me sektorin publik në Kosovë.

Raportimet e financave të AKR-së knë një shpërputhje të konsiderueshme me shpenzimet e gjetura nga vëzhguesit. Gjatë zgjedhjeve të vitit 2007, Aleanca Kosova e Re (AKR) ka raportuar të hyra të përgjithshme prej  250 mijë euro dhe  283 mijë e 837 euro shpenzime. Selim Pacolli nga AKR thotë se kjo parti e ka paraqitë çdo detaj të të hyrave dhe shpenzimeve në KQZ për zgjedhjet që tashmë kanë përfunduar, ndonëse në raport thuhet partia ka nën-raportuar të hyra prej 226 mijë e 490 euro për periudhën e fushatës.

Sipas KQZ-së, shumica e të hyrave të AKR-së rrjedhin nga donacionet private prej individëve të ndryshëm dhe kjo linjë kap shumën prej  210 mijë euro. Zyra e Regjistrimit të Partive Politike ka rishikuar Fletë Bilancin në fund të periudhës së fushatës me shifrat e raportuara nga Partia dhe këtu ka pasur mosbalancim.

KQZ e mbyllur për informata

Natyrisht institucionet e pavarura janë një nga kontribuesit e mostransparencës së subjekteve politike rreth financave të tyre. Zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë refuzuar t’i bëjnë publike raportimet financiare të partive politike, të cilat kanë konkurruar në zgjedhjet komunale të vitit 2009, ndërsa për zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2007 thonë se as që i kanë ato raporte, duke sqaruar se OSBE ka qenë përgjegjëse në atë kohë.

Miradije Mavriqi nga KQZ ka thënë se është angazhuar një auditor për vlerësimin e këtyre raporteve dhe sipas saj, pa përfunduar punën auditori nuk mund të flitet asgjë në këtë drejtim edhe pse këto zgjedhje kanë më se një vit. Ajo madje thotë se këto raporte tashmë nuk janë në duart e KQZ-së, por të auditorit, prandaj nuk mund të bëhen publike, pavarësisht se zgjedhjet e fundit lokale janë organizuar para më shumë se një vit. ”S’mund t’i bëjmë publike raportet e tilla, pa përfunduar punën auditori”, shprehet shkurt Mavriqi.

Ndërsa Merita Mustafa nga Instituti Demokratik i Kosovës(KDI) thotë se 3 herë kanë bërë kërkesë zyrtare në KQZ për t’i bërë publike raportimet e partive politike rreth të hyrave dhe shpenzimeve në zgjedhjet e fundit lokale, mirëpo, sipas saj, KQZ as që është përgjigjur në një kërkesë të tillë. Ajo thotë se e kanë plan që raportet e tilla t’i kërkojnë duke u bazuar edhe në Ligjin për Qasje në Dokumenta Zyrtare. Mustafa potencon se të gjitha partitë e mëdha deri më tani kanë qenë subjekt i gjobave të KQZ-së për mosdorëzim të raporteve, përderisa, siç thotë, ajo edhe gjobën e kanë paguar në momentet e fundit, pavarësisht se vlera e gjobës ka qenë shumë e ultë.

Kjo mostransparencë, sipas saj, ka ndikuar që partitë politike të Kosovës të klasifikohen nga organizatat ndërkombëtare si institucionet më të korruptuara në vend. “Në raportin e Barometrit Global të Transparency International për dy vite me radhë partitë politike kanë dalë si institucionet më të korruptuara në vend. Derisa shkalla maksimale e korrupsionit është 5, partitë kosovare kanë pasur rezultatin 4.2”, shprehet ajo. Sipas saj, ligji i ri e obligon KQZ-në t’i bëj publike raportet financiare të subjekteve politike, duke i përfshirë këtu edhe donatorët.

Mardhëniet klienteliste

Mediat kosovare kanë raportuar për dhënjen e një tenderi nga ana e qeverisë Thaçi për kompaninë B2 e cila kishte punuar në fushatën elektorale të kësaj partije në vitin 2007. Qeverija pa asnjë tender pat shpërblyer këtë kompani me fondin për festën e shpalljes së pavarësisë në shkurt të vitit 2008. Ky tender nuk është anuluar nga institucionet për prokurim publik edhe përkundër faktit se ka qenë një shkelje e hapur e Ligjit për prokurim publik. Poashtu një nga kompanitë e përfshiera në fushatën e PDK-së, “D-Line Advertising Studio”, sipas një hulumtimi të gazetës “Zëri”, kjo kompani ka fituar një tender në shtator të këtij viti nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave. E njejta kompani ka fituar edhe të tjerë tenderë nga Qeverija e Kosovës. Kompania “Advertising Studio D-Lilne” është themeluar pak a shumë në kohën kur edhe ka marrë tenderin prej Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, pra në shtator të këtij viti. “...i kam ftuar vëzhguesit ndërkombëtar për t’i monitoruar zgjedhjet, për të siguruar se ato do të jenë transparente” ka thënë ish-kryeministri Thaçi në letrën që është botuar në kuadër të fushatës së bërë nga kompania “D-Line”. Mirëpo vështirë se do të ketë vëzhgues që bëjnë transparente konfliktet e interesit që kanë përcjellur fushatat elektorale të PDK-së. Një tender tjetër i madh i është dhënë kompanisë “Saachi & Saachi” degës në Izrael, pak kohë mbasi që PDK ka fituar zgjedhjet nën këshillimin e një grupi të fortë lobingu Izraelit, të prir nga George Birnbaun dhe Arthur Filkenstein, të dy të përfshier edhe në këshilldhënjen për presidentin serb Boris Tadiç dhe ish-kryeministrin shqiptar, Fatos Nano.

Pothuaj se të gjitha partitë tjera parlamentare kanë një profil më të ulët të kompanive të këshilldhënjes, lobimit dhe të fushatave sesa PDK. “The Group” me pronar Blerim Gjoci, siç duket, njejt si “D-Lilnk” është paguar nëpërmjet tenderëve publik. Kjo kompani ka fituar plot 780 mijë euro nga Komisioni Qendror Zgjedhor për fushatë për pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje. Tenderi ishte njëburimor dhe fakti se këto janë zgjedhje të jashtëzakonshme ka qenë arsyetim i mjaftueshëm për KQZ-në për t’ia besuar gati një milionë euor një procedure të mbyllur tenderuese.  Partia tjetër që ishte në pushtet gjatë kësaj kohe, AAK-ja, njifet e afërt me dy kompani të mëdha, Elkos Group dhe Dukagjini. Kjo e fundit ka fituar tenderë të rëndësishëm gjatë kohës sa AAK ka qenë në pushtet siç është për shembull fitimi dy herë radhazi i liçencës për operatorin e dytë të telefonisë mobile edhe pse në të dy rastet për shkak të presioneve nga jasht Dukagjini nuk arriti ta gëzonte liçensen për operatorin e dytë.

Mungesa e transparencës në financimin e partive politika e ka shndërruar pushtetin në Kosovë në një pushtet me përceptimin si të korruptuar e klientelist. Kosova raportohet si vendi shumëfish më i korruptuari në rajon dhe kjo gjithsesi ka të bëjë edhe me faktin se partitë politike nuk kanë transparencë në marrëdhënjet e tyre me bizneset private, me mosdeklarimin e financave, por edhe me përfshierjen e konfliktetve të interesit në tenderët publik.