English
Scroll top

Merr Jep

Subjektet politike në Kosovë kanë marrë donacione për fushatë më shumë se sa u lejohet me ligj. KQZ si organ mbikqyrës i partive, nuk i ka gjobitur ato për shkeljet që i kanë bërë, vetëm i ka detyruar që t’ia kthejnë kontributin e palejushëm kontributdhënësit. Në hulumtimin e fundit “Preportr”, ka gjetur se 43 subjekte të ndryshme, kryesisht kompani ndërtimore, që si biznese dhe persona fizik financuan Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), në dy fushatat e fundit elektorale kanë përfituar mbi 100 milionë euro nga tenderët publik

Prishtinë, 25 Prill 2012

Së bashku me pushtetin, në Kosovë, vijnë edhe donatorët e partive politike. Ato gjatë zgjedhjeve pranojnë shuma të parave nga subjekte juridike dhe fizike në kundërshtim me Ligjin për Financimin e Partive Politike. Gjatë zgjedhjeve të vitit 2010, partitë në pushtet, PDK dhe AKR kanë pranuar më së shumti donacione nga persona fizik dhe juridik për dallim nga partitë e tjera konkurruese në zgjedhje. Në raportin e auditorit të cilin e ka porositur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), rreth pasqyrave financiare të partive politike  për vitin 2010, i cili është publikuar në qershor të vitit të kaluar, shihet se shkelësit më të mëdhenj të këtij ligji janë dy subjekte politike- Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re.

Këto dy subjekte kanë numrin më të madh të donatorëve dhe si rrjedhojë edhe shkeljet janë të mëdha. Duke mos respektuar ligjin, donatorët, qoftë si persona fizik apo juridik kanë dhënë shuma më të mëdha parash se sa lejohet. Hulumtimet e mëhershme të “Preportr”, tregojnë se donatorët e partive në pushtet janë kryesisht kompanitë që marrin tenderë publik si kompensim  për përkrahjen e tyre gjatë fushatave, gjë që përbën cënim serioz të konkurrueshmërisë në prokurimet publike. Në hulumtimin e fundit “Preportr”, ka gjetur  se 43 subjekte të ndryshme, kryesisht kompani ndërtimore, që si biznese dhe persona fizik  financuan Partinë  Demokratike të Kosovës (PDK), në dy fushatat e fundit elektorale kanë përfituar mbi 100 milionë euro nga tenderët publik.

PDK me shumë shkelje ligji

Ky hulumtim është kryesisht i fokusuar në vlerën e marrë nga partitë politike në formë keshi, por kjo nuk është e vetmja formë që partitë pranojnë vlera nga sektori privat. Jo rrallë kompanitë ofrojnë pëkrahje në formë shërbimesh, sidomos në marketing, të cilat pothuajse ngelen pa u monitoruar.

“Magjistralja” nga Gjilani i ka dhënë PDK-së 16 mijë euro, që bjen në kundërshtim me Ligjin për financimin e partive politike, ku në nenin 1 dhe 1. 2 thuhet se “Subjektet Politike lejohen të marrin kontribute nga: personat juridik në vlerë prej - jo më shumë se dhjetëmijë (10.000) euro për një (1) vit kalendarik”.

Edhe kompania “Euro Trans”, po nga Gjilani, ka dhënë më shumë mjete sesa lejohet me ligj. Kjo kompani i ka dhënë për PDK-në 10.500 euro.

Tejkalimin e limiteve të përcaktuara me ligj për financimin e partive politike përveç kompanive e kanë bërë edhe individë, kryesisht biznesmenë, që kanë ndonjë interes të lidhur me sektorin publik. Edhe në cilësinë e personave fizik që kanë financuar partitë duke tejkaluar limitet ligjore Nijazi Idrizi brenda një dite ka dhënë 7000 euro. Sipas raportit të auditimit të KQZ-së, për vitin 2010, edhe Florim Zuka, që është pronar i kompanisë “Tali”, si subjekt fizik ka dhënë mjete për fushatën e PDK-së në vlerë prej 3000 eurosh.

Mjete më shumë se sa që lejohet kanë dhënë edhe: Gëzim Duraj 5000, Naser Kurti 5000, Shefki Xhakli 4500, Bejtush Mustafa 3500, Rexhep Ferizi 2.500, Musli Ramadani 6,497, Flurim Zeqiri 5.000, etj.

Këto donacione tejkalojnë limitin ligjor për donacionet e lejuara nga individë, gjegjësisht persona fizik, limit sipas ligjit duhet të jetë në vlerë prej  jo më shumë se dy mijë (2,000) Euro për një (1) vit kalendarik - neni 1 dhe 1.1 i Ligjit për financimin e partive politike.

Te PDK auditori ka gjetur edhe shkelje të tjera. Në disa raste kur janë dhënë mjete nga një subjekt fizik që tejkalojnë shumën e 1,000 eurove nuk janë plotësuar të dhënat për numrin personal të donatorëve dhe ditën kur janë dhënë mjetet.  Në raportin e auditimit të jashtëm thuhet se nuk janë plotësuar të dhënat sipas Rregullores 01/2008 për regjistrimin dhe veprimin e partive politike.

Auditorit ka vërejtur se ky subjekt politik (PDK)  nuk ka mbajtur kontabilitet te mirëfilltë, sipas standardeve te aplikueshme në Kosovë, prandaj të dhënat e prezantuara në formular nuk kanë besueshmëri, pasi që verifikimi i tyre në mungesë të  dëshmive mbështetëse sipas auditorit ka qenë i  pamundur.

Ironikisht shkelja e ligjit me mos-përmbushjen e kërkesave të standardeve të kontabilitetit, gjegjësisht mangësitë e dokumenteve financiare janë shndërruar në një formë mbrojtjeje për partitë shkelësit duke qenë se, sipas raportit të auditorit, është e pamundur të konstatohet nëse ekziston apo jo  keqpërdorimi material.

“...në mungese të dëshmive mbështetëse ne nuk ishim ne gjendje... të verifikojmë nëse pasqyrat financiare të deklaruara nga subjekti politik  janë të  liruara nga keqpërdorimet materiale dhe nëse janë në harmoni me rregulloren 01/2008 për Regjistrimin dhe  Veprimin e Partive Politike dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme 03-L/073”, thuhet në raportin e auditimit.

Donacione nga jashtë vendit

Pas PDK-së partia që më së shumti ka marrë donacione është Aleanca për Kosovën e Re (AKR),  e Behgjet Pacollit. Kjo parti sipas raportit të auditorit ka pranuar më shumë mjete nga një person brenda ditës se sa lejohet me ligj. Po ashtu shumë donacione këtij subjekti politik i kanë ardhur nga Zvicra. Përkrahja fisnore e AKR-së është një specifikë që dallon këtë parti nga tjerat. Kështu, individë me mbiemrin e kryetarit dominojnë listen e donatorëve, por duke pasur para sysh faktin se kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli është një multimilionerë, ka mundësi që këta emra thjesht të jenë përdorur për të krijuar përshtypjen se financimi i kësaj partie nuk është thjesht njëburimor.

Habibe Bunjaku, Tahije Pacolli, i kanë dhënë nga 15, 000 euro, Enver Pacolli 14, 992 euro, Erika Campello 13, 475 euro, Flamur Sefaj 20.000, Adnan Pacolli 19, 965 euro, nga 19 mijë e 963 euro Armend Salihu e Luciana Gaitto dhe Daut Pacolli 15, 200 euro.

Auditori nuk ka gjetur shkelje të kësaj natyre në dy parti tjera të mëdha në LDK dhe AAK, të cilat për këtë periudhë kohe kanë qenë jashtë pushtetit. Kjo në njëfarë forme konfirmon dyshimet se donacionet janë të lidhura ngusht me pushtetin e partive, të cilat sipas shumë hulumtimeve u kthejnë përkrahjen donatorëve duke përdorur kryesisht pushtetin mbi prokurimet publike.

Një skandal tjetër, është praktika e ndërhyrjes së kapitalit të huaj në financimin e partive politike, gjë që është e ndaluar në vendet demokratike duke qenë se mund të jetë cënim serioz i demokracisë. Partitë e vogla kryesisht ato të komuniteteve, kanë pranuar mjete nga jashtë shtetit që është në kundërshtim me Ligjin për financimin e partive politike Neni 11, pika 1.1 ku thuhet se “Ndalohet ndihma financiare dhe materiale nga: 1.1.  institucionet qeveritare dhe joqeveritare të huaja, si dhe personat fizikë dhe  juridik të huaj”

Subjekti politik Crnogorska Liberalna Stranka ka marrë donacion prej 3000 eurosh nga Mali i Zi. Mjete nga jashtë shtetit, ka marrë edhe subjekti politik “Levizja për Bashkim”, e cila ka pranuar mjete nga Shqipëria në vlerë prej 9 ,963 eurosh.

Pa sanksione për shkelësit e ligjit

Shkeljet që i shohim në këtë raportim nuk janë një dukuri e re në funksionimin e partive politike. Ato kanë ekzistuar edhe në mandatet tjera, pra edhe në kohën kur në pushtet ishin parti tjera. Këto shkelje kanë sanksione tepër të ulëta, apo nuk sanksionohen fare, prandaj kjo është një dukuri që përsëritet vit pas viti.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve deri tani nuk ka shqiptuar asnjë gjobë ndaj subjekteve politike që në bazë të Raportit të auditorit e kanë shkelur ligjin. E vetmja masë e ndërmarrë nga KQZ ka qenë kërkesa nga partitë politike që këto donacione të dhëna në mënyrë joligjore thjesht t’iu kthejnë donatorëve, pa marrë kështu ndonjë pasojë për shkeljen e ligjit.

Fehmi Pireva, zyrtar i lartë ligjor në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, ka thënë se pas publikimit të raportit të auditimit,  u kanë kërkuar partive, që t’ua kthejnë mjetet donatorëve në ato raste ku ka pasur tejkalime dhe në një afat prej 14 ditësh, sipas tij ato e kanë kryer këtë veprim.

“Këtë e kemi bërë mbështetur në Regullën nr. 01/2008 për regjistrimin dhe veprimin e partive politike ku në nenin 17.7 thuhet se “Nëse partia e regjistruar politike pranon kontributin që nuk është i lejuar sipas kësaj Rregulle, kryetari i partisë ia kthen kontributin kontribuesit brenda katërmbëdhjetë ditësh (14)  nga koha e marrjes së informatës për kontributin e palejueshëm”, thotë ai.

Në rastet kur subjekti politik nuk ka qenë në gjendje t’ia kthej mjetet donatorit, kjo Rregullë e përcakton që mjetet të kthehen në Buxhetin e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës e ka kryer deri tani këtë detyrim ndaj KQZ-së dhe në katër raste ku nuk janë gjetur donatorët, mjetet nga fondi i ndarë nga Kuvendi për këtë subjekt janë derdhur në Buxhetin e Kosovës.

Administratori i këtij subjekti politik, Halil Selimi edhe pse thotë që pjesa e mbledhjes së donacioneve për fushatë nuk është përgjegjësi e tyre, pasi në kohë fushate Shtabi i partisë i cakton njerëzit për t’i mbledhur mjetet, ata kanë bashkëpunuar me KQZ-në për kthimin e tyre.

“S’mund të them që në këto raste ka pasur shkelje të ligjit, mund të them që ato mjete janë marrë në mënyrë të parregullt. Tash janë rregulluar në bashkëpunim me KQZ-në”, ka thënë Selimi.

Ai ka treguar që partia nuk i ka gjetur 4 donatorë dhe mjetet që është dashur t’u kthehen, në vlerë prej 2,500 eurove janë derdhur në buxhetin e Kosovës.

Në PDK nuk kanë pranuar të tregojnë se cila është vlera e mjeteve që u është dashur t’i kthejnë. Jo zyrtarisht është thënë se janë diku më shumë se 50 mijë euro. Këto mjete  janë kthyer  nga Fondi për zhvillim dhe demokraci, që Kuvendi ia ka ndarë kësaj partie.

Partia tjetër që sipas raportit të auditorit del ta ketë shkelur ligjin duke  pranuar donacione nga një donator brenda ditës më shumë se sa lejohet, nuk ka marrë asnjë ftesë nga KQZ për kthimin e mjeteve.

Hafize Pacolli përgjegjëse për financa në AKR, ka thënë se pasi kërkesa nuk u ka shkuar kjo lë të nënkuptohet se ky subjekt politik nuk e ka shkelur ligjin.

“Kjo mund të jetë edhe për faktin se të gjitha mjeteve në partinë tonë u dihet burimi. Të gjitha mjetet në këtë subjekt shkojnë përmes bankës dhe të gjitha faturat e bankës ne ua kemi dërguar KQZ-së dhe auditorit”, thotë ajo pa mundur të shpjegojë faktin se si ka ndodhur që auditori e ka evidentuar si shkelje ligji pranimin e donacioneve në vlera më të larta se 1,000 euro nga një donator  brenda ditës nga ky subjekt politik.

Mungojnë zyrtarët e certifikuar financiar

Shkeljet e ligjit që subjektet politike më shumë i quajnë parregullësi, vijnë më shumë për mungesë të eksperiencës dhe njohjes së ligjit të atyre që i pranojnë donacionet.

Auditori ka vërejtur që subjektet nuk kanë zyrtarë financiar të certifikuar kurse një zyrtar i tillë i mungon edhe KQZ-së.

Mungesën e një zyrtari financiar e ka përmendur edhe drejtoresha e Zyrës për regjistrimin e partive politike, Miradije Mavriqi. Ajo ka lënë të nënkuptohet se shumë gjëra shkojnë keq pasi Zyra e  ka një numër shumë të vogël të punëtorëve.

Edhe subjektet politike e kanë përmendur faktin që njerëzit në terren nuk i kanë fort të përgatitur.

Gjatë një tryeze që para pak ditësh e ka organizuar Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) , që në fokus e ka pasur financimin e partive politike nga të gjithë pjesëmarrësit është përmendur mungesa e stafit të specializuar në KQZ, por edhe në parti politike.