Magjia e 500 eurove në politikë

Shumica e financuesve të PDKsë, që kanë marrë tenderë publik, kanë deklaruar se kanë dhënë 500 euro donacion për këtë parti. Megjithatë, në disa raste, raportet e auditorit tregojnë se ka një shpërputhje enorme mes donacioneve të deklaruara dhe atyre të dhëna në të vërtetë. Miliona euro para publike janë dhënë për kompanitë që deklarojnë se i kanë dhuruar 500 euro partisë në pushtet.

Prishtinë, 07 Maj 2011

Miliona euro para publike janë dhënë për kompanitë që deklarojnë se i kanë dhuruar 500 euro partisë në pushtet.

Miliona euro, para të buxhetit të vendit, iu janë dhënë ndërmarrjeve të ndryshme private, pronarët e të cilave kanë qenë financuesit e fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2009. Një shumë afër 40 milion euro i’u është dhënë 8 kompanive të ndryshme përmes 24 tenderëve publik nga Ministria e Transportit dhe ajo e Arsimit. Pronarët e këtyre kompanive, sipas raportit zyrtar të auditimit të KQZ-së, kanë dhënë para për financimin e fushatës elektorale të PDK-së gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2009.

Një krahasim i kompanive që kanë fituar tenderë publik nga këto dy ministri, me të dhënat e marra nga Agjencioni i Regjistrimit të Bisneseve (ARBK), si dhe të dhënat nga raporti zyrtar i auditimit të KQZ-së, tregon se miliona euro, fonde publike, u janë dhënë kompanive të cilat direkt kanë financuar fushatën e PDK-së gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2009.

Shiko Gazetën #3

Këta tenderë u janë dhënë këtyre kompanive përgjatë viteve 2008-2010, kohë kjo kur PDK-ja kishte marrë pushtetin në Kosovë në fund të 2007. Në kontaktet që “Preportr” ka arritur t’i ketë me disa prej drejtuesve të këtyre kompanive, një pjesë e tyre kanë pranuar se kanë dhënë para për fushatën e PDK-së për zgjedhjet lokale të vitit 2009. Ndërsa, disa prej tyre nuk kanë pranuar që kanë financuar PDK-në, edhe pse të dhënat në raportin e KQZ-së përputhen plotësisht me ato të kontratave që Ministria e Transportit dhe ajo e Arsimit kanë nënshkruar me kompanitë e të përmendurve si dhe me të dhënat e marra nga ARBK-ja.

Njëri prej drejtuesve të kompanive ka refuzuar kategorikisht që të përgjigjet në pyetjen e “Preportr”, rreth financimit të fushatës së PDK-së, duke pohuar që kjo është çështje personale e tij.Përveç të dhënave të auditorit dhe të ARBK-së, “Preportr” ka gjetur që në dy raste është thyer Ligji për Financimin e Partive Politike pasi që, dy prej drejtuesve të kompanive, fituese të tenderëve, kanë tejkaluar limitet e përcaktuara me ligj për sa i përket shumës së parave që subjektet fizike mund t’u dhurojnë partive politike.

Konfirmimi i dhënies së parave

Nga kontaktimi i disa financuesve të partisë në pushtet, del se fitues të tenderëve publik kanë dhënë donacione për PDKnë. Megjithëse ata flasin për shuma shumë më të ulëta, nga raportet e auditorit del se jo rrallë, shumat e raportuara nga partitë politike janë në shpërputhje me shumat që janë dhënë në të vërtetë nga një person fizik ose juridik.Kështu kompania “Magjistralja” ka financuar Degën e PDKsë në Gjilan me 2,500 euro, të deklaruara, ndërsa sipas auditorit, të gjetura janë 31,500 euro, si para që realisht janë dhënë për të financuar fushatën e PDK-së.

“Preportr” ka gjetur se Naim Besimi, pronar i kompanisë “Getoari” nga Prizreni, ka financuar degën e PDK-së në Shtime me 500 euro gjatë fushatës elektorale të vitit 2009. Kompania e tij, ka përfituar 3,469,557 euro nga 3 tenderë nga Ministria e Transportit si dhe 689,626 euro nga 1 tender tjetër nga Ministria e Arsimit.

Naim Besimi ka konfirmuar për “Preportr” që ka dhënë para për fushatën e PDK-së në zgjedhjet lokale të vitit 2009.Ai madje pyet se sa është vlera që KQZ-ja ka paraqitur në raportin e saj, duke lënë të kuptohet që shuma e dhënë nga Besimi edhe mund të jetë më e madhe se sa ajo e raportuar. “Sa është shuma e cekur aty, po po unë i kanë dhënë ato para” shton Besimi, kur pyetet nga gazetarët e “Preportr” se a ka financuar ai fushatën e PDK-së të zgjedhjeve lokale të vitit 2009.

Reshat Kamberi, pronar i kompanisë “Engineering” nga Vitia, po ashtu ka dhënë donacion në vlerë prej 1000 euro për degën e PDK-së në Viti. Kompani “Enginnering”, ka përfituar 1,735,631 euro nga 3 tenderë publik që janë dhënë nga MASHT-i. Kamberi, po ashtu ka pranuar për “Preportr”, që ai ka dhënë para për fushatën e PDK-së për vitin 2009. “Po është e vërtet që unë kam dhënë para për fushatën e PDK-së, për degën në Viti”, ka pranuar Kamberi.

Viktor Delia, pronar i kompanisë “Delia Group” nga Tirana, ka financuar PDK-në, dega e Shtimës me 500 euro. “Delia Group” ka fituar 1 tenderë në vlerë 11,760,439 euro nga MTPT-ja. Viktor Delia ka pranuar për “Preportr”, që ai ka dhënë mjete financiare për PDK-në në vitin 2009. “Po kam dhënë para për PDKnë gjatë fushatës elektorale, dega në Shtime në vitin 2009”, është shprehur Delia.

Nuk konfirmojnë,por të dhënat përputhen

Bujar Shabani, pronar i kompanisë “Bageri” nga Ferizaj, ka financuar degën e PDK-së në Shtime me 1000 euro. Kompania “Bageri” ka fituar 1 tender nga MTPTja në vlerë prej 829,569 euro. Shabani, i kontaktuar nga “Preportr”, nuk ka pranuar që të deklarohet nëse ai ka dhënë mjete financiare për fushatën e PDK-së të vitit 2009. Ai madje thotë që ”të dhënat rreth financimit të PDK-së janë sekrete personale”.

Megjithatë, sipas të dhënave zyrtare, del që Bujar Shabani, pronar i kompanisë “Bageri”, në fakt është personi i cili ka dhënë para për PDK-në. Në të dhënat e ARBK-së, figuron emri i Bujar Shabanit si pronar i kompanisë, përderisa në raportin zyrtar të auditimit të KQZ-së, rreth fushatës zgjedhore të PDK-së, emri i Bujar Shabanit figuron si njëri nga financuesit e fushatës së PDK-së në vitin 2009.

Mustafë Bajraktari, pronar i kompanisë “Bajraktari”, ka dhënë donacion për degën e PDK-së në Vushtrri, në vlerë prej 500 euro. Kompania që udhëheqë ai ka fituar tender nga MTPT-ja, në vlerë 123,287 euro, për punën “Punimi i trotuarit Runik”. “Preportr”, ka provuar që të kontaktoj me Mustafë Bajraktarin, por ka qenë e pamundur.

Sidoqoftë, “Preportr” ka gjetur që Mustafë Bajrakrati, është nga fshati Magjunaj, komuna e Vushtrrisë, si dhe sipas kontratës, operatori ekonomik fitues i tenderit në MTPT-në, “Bajrakrati”, është po ashtu nga Magjunaj.

Ismet Konushevci, pronar i kompanisë “Beni Com” nga Prishtina, ka financuar degën e PDK-së në Podujevë me 1900 euro. Kompania “Beni Com” ka përfituar 9,157,830 euro përmes 5 tenderëve publik nga MTPT-ja. Konushevci i kontaktuar nga “Preportr”, nuk ka pranuar që ka dhënë donacion për fushatën e PDK-së.

Thyerja e Ligjit për Financimin e Partive Politike

“Preportr”, gjatë këtij hulumtimi, ka gjetur që dy prej drejtuesve të kompanive, të cilët po ashtu kanë dhënë para për fushatën e PDK-së, kanë thyer Ligjin për Financimin e Partive Politike. Për më tepër, “Preportr” po ashtu ka gjetur që në një rast, një kompani e cila ka qenë përfituese direkte e tenderëve publik si dhe njëra nga financuesit e fushatës së PDK-së, sipas raportit zyrtar të auditimit të KQZ-së, ka deklaruar shuma më të vogla të financimit të fushatës së PDK-së, se sa që realisht ka dhënë.

Florim Zuka, pronar i kompanisë “Tali” nga Gjilani, ka dhënë donacion për PDKnë, dega në Gjilan, në vlerë prej 8000 euro. Ndërsa, kompania e tij “Tali”, ka përfituar gjatë 3 viteve të fundit, 5,475,108 euro nga 6 tenderë prej MTPT-së.

Basri Kçiku, pronar i kompanisë “Bejta Commerce”, po ashtu nga Gjilani, ka dhënë donacion në vlerë prej 10,000 eurosh për degën e PDK-së në Gjilan, përderisa kompania e tij ka përfituar 7,545,543 euro nga 3 tenderë në MTPT.

Sipas raportit zyrtar të auditimit të KQZsë, për zgjedhjet lokale të vitit 2009, këta dy persona, si subjekte fizike, kanë dhënë shuma parash që janë në kundërshtim me Ligjin për Financimin e Partive Politike. Në Raport thuhet që, Florim Zuka ka dhënë 8,000 euro për fushatën e PDK-së, përderisa, Basri Kçiku ka dhënë 10,000 euro. Ky veprim i këtyre dy personave,paraqet thyerje të Ligjit për Financimin e Partive Politike në Kosovë pasi që, ligji parasheh që personat fizik lejohen të japin jo më shumë se 2,000 euro brenda një viti kalendarik. “Subjektet Politike lejohen të marrin kontribute nga: personat fizik, në vlerë prej, jo më shumë se dy mijë (2,000) Euro për një (1) vit kalendarik” shkruan neni 1 dhe 1.1 i Ligjit.

Ligji për Financimin e Partive Politike, parasheh që shuma të tilla parash mund të jepen vetëm nga “persona juridik” po jo edhe nga personat fizik. Neni 1 dhe 1.2. i Ligjit thotë: “Subjektet Politike lejohen të marrin kontribute nga: personat juridik në vlerë prej - jo më shumë se dhjetëmijë (10.000) Euro për një (1) vit kalendarik”. Në anën tjetër, hulumtimi i “Preportr”, ka gjetur se kompania “Magjistralja”, ka financuar Degën e PDK-së në Gjilan me 2,500 euro (të deklaruara) ndërsa, sipas auditorit, të gjetura janë 31,500 euro si para që realisht janë dhënë për të financuar fushatën e PDK-së. Kompania “Magjistralja”, në vitin 2008 ka fituar një pjesë të tenderit për “Mirëmbajtjen dimërore të rrugëve magjistrale-regjionale të Kosovës” në regjionin e Gjilanit në vlerë prej 291,251 euro nga MTPT-ja.

Mangësitë e Ligjit për Financimin e Partive Politike

Ligji për Financimin e Partive Politike, në asnjë prej neneve të tij, nuk e ndalon që ndërrmarrjet private, të cilat kanë fituar kontrata me institutionet publike të japin para për financimin e partive politike. Po ashtu, ligji nuk e ndalon që ato ndërmarrje private, të cilat financojnë Partitë Politike, të fitojnë tenderë nga institucionet publike. Përkundrazi, Ligji për Financimin e Partive Politike, në mënyrë indirekte lejon që ndërmarrjet private, të cilat kryejnë punë/shërbime për institucionet e shtetit të financojnë partitë politike.

Neni 3.5 i ligjit thotë që: “subjektet politike që pranojnë kontribute nga Ndërmarrjet Private, të cilat, përmes kontratave me Institucionet e shtetit, kryejnë shërbime, duhet të përgatisin një listë të veçantë të kontributeve të pranuara”.

Po ashtu, e metë tjetër e ligjit është edhe pjesa e ndëshkimeve që parashihen në rast të shkeljeve të dispozitave të tij. Ligji, realisht parasheh vetëm sanksione përmes gjobave kur thyhen dispozitat e tij, por jo edhe ndonjë sanksion penal. Si i tillë, ligji konsiderohet si shumë i mangët që të parandaloj apo luftoj veprime të cilat edhe mund të kenë karakter korruptiv. “Preportr” ka bërë përpjekje për të kontaktuar me zyrtarë të Ministrisë së Transportit dhe të Arsimit, por asnjëra nga këto dy ministri nuk iu është përgjigjur kërkesës së gazetës për takim. Madje, “Preportr” ka dërguar edhe kërkesë zyrtare për takim, por prapë, edhe pse kemi pritur për më shumë se tri javë, dy ministritë nuk kanë kthyer përgjigje pozitive për takim.