17 Shtator 2012
Mu përballë ndërtesës së Komunës në Drenas, 30 familje jetojnë në gjendje të mjerueshme, në një banese kolektive, e cila nuk ka as kushtet elementare për banim. Shkallët janë të lëvizshme, por edhe mund të shemben çdo moment, kabllot e pambuluara që janë të shpërndara gjithandej, ujërat e zeza që kanë mbushur bodrumet e që rrezikojnë banorët me sëmundje, e deri tek uji që pikon nga kulmi janë rreziqet me të cilat këto familje jetojnë çdo ditë. Kompania “Kalaja” e familjes së Lushtakëve kishte marrë 100 mijë euro nga komuna për të rregulluar këto probleme, por është mjaftuar vetëm me fasadim të jashtëm.
Kur këto familje u vendosën, objekti banesor ishte i papërfunduar. Shumëçka ishte në fillimin e ndërtimit të tij, kulmi nuk i kishte të vendosura ullukët, kanalizimi krejt i parregulluar, shkallët e vendosura pa mbrojtje, pa ndriçim, pa dritare në korridoret e kateve, me kabllot elektrike nëpër tokë dhe e pa fasaduar brenda as jashtë. Ndërtesa ka pothuajse të njëjtën gjendje edhe tash megjithëse nga komuna kishte dhënë 100 mijë euro” për rregullimin e ndërtesës.
Në gusht të vitit 2010, komuna e Drenasit e kishte shpërblyer kompaninë “Kalaja”, në pronësi të Fejzullah e Berat Lushtakut me tender për fasadimin e këtij blloku. Gjithashtu, kontrata e parë dhe kontrata e dytë janë publike në KRPP.
“Kalaja” nuk i ka kryer punët vetë, por ka angazhuar një nënkontraktor,(Vëllezërit Asllani) për t’i kryer punët, përkatësisht vetëm fasadimin e jashtëm të objektit. Për për pjesët tjera që janë paraparë në kontratë nuk i ka kryer punët vetë, e as nuk ka angazhuar ndonjë nënkontraktor. Ato nuk i kanë kryer fare.
Pas “përfundimit” të fazës së parë të punëve, fasadimin e jashtëm të ndërtesës, komuna e Drenasit ia pranon punën kësaj kompanie dhe e shpërblen atë edhe me punë shtesë, duke ia dhënë edhe dy aneks kontrata për pastrimin e podrumit, në të cilin derdhen ujërat e zeza, vendosjen e ullukëve, rregullimin e shkallëve që përbëjnë rrezik permanent për këta banorë, dhe vendosjen e kulmit. Por asnjëra nga këto punë nuk është kryer.
Kontrata me kompaninë e Lushtakëve shpërfaq qartësisht se puna e vetme që është kryer në këtë objekt është fasadimi i jashtëm, si pjesa më e dukshme e punës. Por brenda, punëtorët e kompanisë thuajse nuk kanë hyrë fare.
Preportr ka siguruar dokumentet që tregojnë se një komision i mbikëqyrjes i përbërë nga Flora Krasniqi dhe Shqipe Kuliqi nga drejtoria e urbanizmit kishte vlerësuar në të dy kontratat se janë kryer 90 për qind të punëve, duke i hapur rrugë edhe ekzekutimit të pagesës për kompaninë “Kalaja”.
I njëjti komision vlerësoi se kësaj kompanie i duhet dhënë edhe disa punë shtesë dhe për këtë mori një vendim. Këto punë shtesë u vlerësuan me rreth mbi 6 mijë euro dhe një pjesë tjetër rreth 20 mijë euro, duke i bërë edhe një aneks kontratë . Por komuna nuk u ndalë më kaq, pasi që i bëri edhe një aneks kontratë të re me vlerë rreth 2 mijë euro.
Kësisoj, kompanisë “Kalaja” të Lushtakëve të Skenderajt iu paguan rreth 100 mijë euro për punët të cilat nuk i përfundoi kurrë, duke lënë banorët e këtij blloku në gjendje të mjerueshme dhe në rrezik të vazhdueshëm.
Objekti rrezikon shëndetin dhe jetën e banorëve
E banorët që janë edhe ashtu keq ekonomikisht, rrëfejnë për jetën e tyre të rëndë aty dhe vështirësitë e përditshme e rreziqet që iu kanosen.
“Vajza ime derisa ishte shtatzënë është rrëzuar dhe e ka thyer dorën”, thotë Sabrie Berisha e cila tregon se edhe vetë është rrëzuar disa herë në shkallet e betonit të cilat nuk janë stabile dhe kanë hapësira ndërmjet njëra-tjetrës. Ajo ka frikë edhe nga kabllot në korridor që janë të shpërndara gjithandej nëpër beton.
Bashkëshorti i saj, Hamdi Berisha mendon se nuk janë shpenzuar më shumë se 10 mijë euro në punën që është bërë, kurse kompania e Lushtakëve të Skenderajt i ka fituar 90 mijë euro për punët e pakryera. “Marrëveshja ka qenë me u fasadu krejt objekti brenda, jashtë me u vendosë ullukët dhe kulmi. Krejt çka është bërë është fasadimi jashtë i cili nuk ka kushtuar më shumë se 10 mijë euro. Po e shihni krejt gjendjen … janë mbi 100 kabllo jashtë”,. thotë Berisha.
Gjendje edhe më e keqe është në bodrumin e kësaj ndërtese. Në të derdhen të gjitha ujërat e kanalizimit të ndërtesës. Ai tashmë është i izoluar nga vetë banorët për shkak të kundërmimit të madh që shkakton në këtë bllok të banimit.
“Bodrumet janë krejt ujë, erërat të mbysin”shton Berisha. Ai tregon se menjëherë pas luftës kur ishin vendosur, në ndërtesë kanë qenë vetëm muret të cilat i kanë lyer brenda secili për vete kur kanë pasur mundësi. “Disa kanë mundur tek tash t’i lyejnë banesat e tyre prej brenda. Kemi qëndruar ashtu në skelete të kësaj ndërtese”
“Punët nuk janë kryer as për së afërmi se çfarë është thënë”, thotë Hajriz Morina.
E Agim Kurtaj tregon për gjendjen e rëndë të qytetarëve të Drenasit.
“Kurrgjë nuk kanë bërë. Ne duhet t’i bëjmë krejt dhe shumica janë të papunë këtu. Punojnë me ndërtimtari por mund të punojnë vetëm disa ditë, e ditët e tjera mbesim shkret”.
Kati më i lartë i objektit është i mbushur me kova, të cilat përdorën për të pritur pikat që bien në dyshemetë e banesave. Madje këto pika bien edhe në katet më poshtë.