English
Scroll top

Lufta në paqe e veteranit

Perceptimi se njerëzit e UÇK-së janë pasuruar, i krijuar nga një sistem kualifikues që vjen nga liderët që i përkasin këtij historiku, demantohet gjerësisht nga gjendja reale e kategorive të dala nga lufta që nuk kanë lidhje me politikën, e që janë shumica e ish-ushtarëve të UÇK-së

Prishtinë, 09 Qershor 2015

Bindja se ish-pjesëtarët e UÇK-së jetojnë mirë prej se krahu i luftës erdhi në pushtet, duket të jetë një mit. Imazhin e dëmtuar nga individë që nga radhët e tyre morën dhe keqpërdorën pushtetin, ish-pjesëtarët e UÇK-së e luftojnë çdo ditë me shembuj konkret të sakrificës.

Pas përfundimit të luftës pjesa dërmuese e ushtarëve të UÇK-së, iu bashkua ushtrisë së të papunëve në Kosovë, megjithëse disa nga ta u angazhuan në TMK dhe polici. Disa kategori lufte marrin pension ndërsa pjesa tjetër, veteranët, nuk kanë fare kujdes institucional. Një pjese e veteranëve të luftës të rënduar shumë ekonomikisht marrin asistencë sociale, e që është e pamjaftueshme që të mbahet një familje e rëndomtë kosovare.

Shiko Gazetën #12

Të përfaqësuara dobët nga shoqatat e dala nga lufta e pastaj të shfrytëzuara nga partitë që erdhën në pushtet si i ashtuquajtur krah i luftës, veteranët ndjejnë se ndajnë fatin me të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët kur kërkojnë punë thuajse gjithmonë duhet të kenë lidhje me partitë politike ose me grupe të tjera interesi. Disa madje thonë se edhe për shërim jashtë vendit, invalidët e luftës duhen të kenë lidhje të forta me partitë në pushtet, sepse edhe për nevoja si këto ata diskriminohen.

Raporte të ndryshme, të papërpunuara zyrtarisht, tregojnë për një numër të lartë të vetëvrasjeve të ish-ushtarëve të lirisë. Mbi 40 ushtarë të UÇK-së raportohet të jenë vetëvrarë pas luftës.

Preportr, në këtë hulumtim është marrë më shumë me kategorinë e veteranëve të luftës, pasi ndryshe prej kategorive të tjera që marrin një pension, veteranët pothuajse nuk gëzojnë asnjë benificion.

Ligji për kategoritë e luftës i miratuar në vitin 2012 lë pezull punën e veteranëve. Me këtë ligj atyre u njihet statusi kurse të drejtat, do t’i gëzojnë me një ligj tjetër. Për këtë me gjasë do të duhet shumë kohë pasi verifikimi i kësaj kategorie që u bë këto dy vitet e fundit zgjati shumë dhe u shoqërua me shumë pakënaqësi dhe me dyshime për manipulime.

Megjithatë kategoritë e tjera trajtohen pak më mirë. Mjetet që për çdo vit ndahen për këto kategori e që në vitin 2014 e kanë arritur shumën e 36 milionë eurove në shikim të parë duket se nuk janë pak. Por nevojat e kategorive të luftës janë shumë më të mëdha se sa marrja e një pensioni që për shembull të invalidët e luftës me shkallë invaliditeti deri 80 për qind shkon deri në gati 500 euro. Një invalid me këtë shkallë invaliditeti ka nevojë për trajtim të vazhdueshëm shëndetësor. Pensioni nuk i mbulon këto nevoja, as sistemi shëndetësor i Kosovës nuk i ka kapacitetet që t’u ofrojë ndihmën e kërkuar. Këto kategori detyrohen që për nevojat e veta të dalin për trajtim jashtë shtetit ku shërbimet janë dukshëm më të larta. Këtu u del në ndihmë Ministria e Shëndetësisë, prej të cilëve për disa muaj rresht kemi tentuar të marrim përgjigje se cila është shuma e ndarë për kategoritë e luftës që kanë nevojë për trajtim jashtë shtetit, por që nuk kemi arritur të marrim këtë përgjigje.

Pensionet e para me 2002

Që nga viti 2002 në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), janë regjistruar disa kategori të luftës dhe të gjitha përveç veteranëve marrin pensione.

Shqipe Krasniqi, kryesuese e Divizionit të Skemës në Departamentin e Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës  (FIDL) në MPMS, thotë se ata i kanë implemenetuartë gjitha këto kategori, por kategoria e veteranëve nuk ka gjetur ende zbatim.

Personat që gjenden në listat e përfitimit të pensioneve nga Ministria e Punës, kanë aplikuar në zyrat e kësaj ministrie për t’i realizuar të drejtat e tyre. Lista e pretendentëve është verifikuar nga vet Ministria e Punës. Krasniqi thotë se këtyre kategorive këto të drejta u takojnë me ligj dhe kompletimi i këtyre listave nuk ka të bëjë asgjë me listat që i kanë shoqatat e luftës. “…ne si institucion nuk kemi pasur të bëjmë fare me shoqatat e luftës”.

Kategoritë e lartëpërmendura përveç pensioneve gëzojnë edhe beneficione tjera, siç janë: Rehabilitimi në banja, lirimi nga shpenzimet e energjisë elektrike, lirimi nga pagesa gjatë kontrolleve shëndetësore, dërgimi në pushime verore në det, si dhe përfitimi i fëmijëve të këtyre kategorive për regjistrim në universitet dhe pagesa të semestrit gjatë shkollimit të tyre.

Preportr ka siguruar buxhetin e shpenzuar për këto kategori prej vitit 2005 deri në vitin 2014. Nga 4,960,962.50 euro sa ishte në 2005, në vitin 2014 ky buxhet e ka arritur shumën e afër 36 milionë eurove.

Për dallim nga ngritja e pensioneve vitin e kaluar për 25 përqind gjë që rriti edhe buxhetin e përgjithshëm, lëvizjet në shumën e përgjithshme të buxhetit erdhën si rezultat i rritjes së numrit të pjesëtarëve të këtyre kategorive ndër vite. Luhatje të numrit të kategorive të luftës vërehen nga muaji në muaj, madje edhe këtyre viteve të fundit. Megjithatë ky fenomen sipas Krasniqit, pothuajse është i zakonshëm pasi që ka shumë familje që nuk e dinë se ata gëzojnë benificione nga qeveria. Ajo tregon se ka raste kur dikush që ka ardhur në Kosovë për të luftuar nga jashtë shtetit nuk ka pasur njohuri se mund të gëzojë pension për dëmet që i janë shkaktuar në luftë.

Në mungesë të një verifikimi të rregulluar me ligj për kategoritë në fjalë dhe pa ndonjë shpjegim më të detajuar, kjo rritje e për çdo vitshme e numrit të përfituesve përkatësisht buxhetit mbetet e pashpjegueshme. Verifikimi i fundit me gjasë mund t’i shuaj dilemat se në këto lista a kanë përfituar vetëm ata që vërtet janë kategori të luftës, apo ka pasur raste që edhe këtu të jenë bërë manipulime.

Përkundër krejt kësaj, çështja e veteranëve mbetet pezull. Ata madje nuk i përfshinë as Ligji për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjeve të tyre, i cili veteranët vetëm i përmend si kategori e luftës dhe ua njeh statusin e veteranit.

Neni 12, pika 2 e këtij ligji thotë se të drejtat në benficione për veteranët e UÇK-së si dhe kriteret e kualifikimit për njohjen dhe realizimin e tyre do të rregullohen me ligj të veçantë.

Ligji për kategoritë e luftës është miratuar në vitin 2012. Para miratimit të këtij ligji, çështja  e këtyre kategorive është rregulluar me një rregullore të UNMIK-ut nr. 2000\66. Tash kur ka përfunduar procesi i verifikimit të veteranëve, kanë lindur pakënaqësi, probleme, protesta...

Qeveria e Kosovës, ka ndarë 24 milionë euro për pensione të veteranëve, por që të realizohen ato, duhet të dalin listat zyrtare të verifikimit dhe të nxirret një udhëzim administrativ ku përcaktohen rregullat, kriteret e mënyrës së aplikimit, dokumentacioni i nevojshëm etj.

Kërkojnë jetë të dinjitetshme

Në luftë të përhershme për mbijetesë, në luftë me imazhin e dëmtuar pas luftës, ish-luftëtarëve të UÇK-së u kërkohet pareshtur të arsyetojnë kërkesat për trajtim të drejtë institucional.

Veteranët e luftës mendojnë se nëse qytetarët dalin vetë në terren do të bindeshin që shumica e luftëtarëve të UÇK-së nuk kanë luftuar që pas luftës të gëzojnë privilegje. Fakti që shumica prej tyre jetojnë në kushte minimale tregon se kishin besuar që duke luftuar, pasardhësit e tyre do të jetonin më mirë.

Xhevdet Qeriqi, një veteran i luftës dhe i plagosur në betejën e Pashtrikut më 14 dhjetor 1998, thotë se “assesi nuk më ka shkuar mendja që do të vij koha që unë do të marr pension të luftës”. Ai më tej shton se “për ta bindur opinionin ka fakte sa të duash që le të dalin në teren dhe le ta shohin se veteranët e vërtetë që kanë luftuar për këtë vend, sot janë të pa punë, të pa shpresë dhe në një gjendje të mjerueshme”.

Kërkesa e tyre për trajtim të drejtë institucional rezulton në kërkesën bazë për një jetë më te dinjitetshme e që shpesh barazohet qoftë edhe me një vend pune.

Ekrem Xheladini mban me nostalgji kapelën me emblemë të UÇK-së dhe veshur ka rroba të ushtrisë. “Vetëm një vend pune e dua”, insiston ai.

Xheladini jeton me një ndihmë sociale që e merr nga shteti, të cilën thotë se më shumë se gjysmën e shpenzon vetëm për “bukë thatë”. “Jetoj me social 70 euro, 45 euro bukë të thatë më shkojnë”, thotë ai.

Një ish-ushtar nga Ferizaj, luftëtar në Zonën Operative të Pashtrikut, ku edhe ka humbur njërën këmbë, është shumë elokuent në të folur dhe bashkëluftëtarët e quajnë më të mençurin prej tyre. Ai quhet Ylber Selmani. Ylberi u flet gazetarëve për Gjykatën Speciale dhe shpreh habinë se si miratimin për themelimin e saj e kanë dhënë njerëzit që kanë luftuar, duke aluduar kështu në qeveritarët. I vjen keq që ndonjëri prej djemve që ka luftuar gjatë luftës mund të bëhet viktimë e kësaj gjykate.

Kur pyetet për kushtet në të cilat jetojnë kategoritë e luftës ai më shumë shpreh keqardhje për veteranët sesa për vete.

“Trajtimi i veteranëve të luftës nga institucionet nuk është bo qysh e kemi pritë, por secili e ka gjetë mënyrën si me jetu, në bazë të miqve, familjarëve apo partive politike. Kanë perfitu veç ata që kanë pasë ndonjë të afërm në institucione”, thotë ai.

Ylberi shprehet i zhgënjyer me atë se si janë trajtuar këto kategori pas luftës. Thotë që pensioni që e merr ia plotëson kërkesat për një shujtë ditore “por nuk m'i plotëson nevojat shëndetësore, nuk muj me bo tretman mjekësor me këto pare, veç proteza jem kushton 8000 euro”.

Thotë se 16 vite pas luftës, kërkojnë nga Qeveria e Kosovës, që këtyre kategorive t’ua kthejë dinjitetin.

Xhevdet Qeriqi, thotë se veteranët jetojnë në kushte shumë të vështira pasi shumë prej tyre përveç që nuk mund ta sigurojnë bukën nuk kanë as kulm mbi kokë.

“Jetojnë në mjerim, një pjesë e madhe e tyre”. Janë dhjetëra prej tyre që kanë bërë vetëvrasje. “Një rast që ka marrë pjesë në grevën e fundit që kemi organizuar ne ka bërë vetëvrasje”, thotë Qeriqi. Sipas tij, ai ka bërë vetëvrasje për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike edhe ngarkesave psiçike që ka pasur.  “Askush nuk është marrë me të”.

Komandantët hanë mollët, ushtarëve u mpihen dhëmbët

Kur pyeten për imazhin që u krijua pas luftës për UÇK-në dhe luftëtarët e saj, ish-luftëtarët e lirisë e kanë një adresë ku të orientojnë. Thonë që ata që e dëmtuan luftën janë në qeveri. Bile me neveri thonë se janë pas atyre grilave, duke aluduar në rrethojat e qeverisë.

“Për luks e të mira tjera pyesni ata. Ata të luksit jetojnë prapa atyre grilave. Po t’i kishim kushtet e tyre ne nuk do të dilnim në protesta e as greva”, thotë Ylberi, invalid i luftës.

Shkelzen Gashi, studiues i shkencave të historisë, thotë se për fat të keq, është e vërtetë se imazhi i atyre që kanë kontribuar për çlirimin e Kosovës nga Serbia është dëmtuar shumë. Për këtë nuk i bën fajtorë luftëtarët e thjeshtë. Edhe ai mendon që luftën e dëmtuan komandantët dhe drejtuesit e shoqatave të luftës përmes mënyrave më të këqija.

“Komandantët dhe ‘drejtuesit’ e shoqatave të kategorive të luftës, përmes vjedhjeve, plaçkitjeve, shantazheve, reketit e formave tjera kriminale e kanë njollosë luftën. Nuk ka pothuajse asnjë komandant të çfarëdo niveli qoftë, që nuk është përfshirë në aktivitete të tilla kriminale”, thotë Gashi.

Ai thotë se është e pakuptueshme se pse personat që kanë luftuar ndershëm, e që beson se janë shumë, nuk ngritën kundër këtyre kriminelëve,  të cilët sipas tij nuk janë më të fortë se Serbia.

Meqë jetojnë në kushte të rënda, kategoritë e luftës i bëjnë fajtore institucionet që në shumicën e rasteve udhëhiqen nga njerëz që kanë qenë pjesë e luftës. Shumë komandantë të luftës sot mbajnë pozita të rëndësishme shtetërore, si në qeveri, kuvend dhe në Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Nëse don edhe me t’çu n’deti?

Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, marrin financime nga Buxheti i Kosovës. Ato kanë zyra në të gjitha komunat e Kosovës ku e ushtrojnë aktivitetin e tyre. Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, nuk tregon se nga i marrin mjetet për ushtrimin e këtyre aktiviteteve. I pyetur se sa mjete marrin nga Qeveria e Kosovës, ai pranon se i marrin ato por nuk na tregon shumën duke konsideruar që ajo është tejet simbolike. Jashari thotë se marrin edhe ngapak ndihma nga komunat. Por Preportr, ka gjetur se këto shoqata marrin nga Qeveria e Kosovës çdo vit nga 1 milion euro. Këtë e konfirmon edhe Musa Demiri, udhëheqës i Divizionit për Komunikim Publik në Ministrinë e Punës.

Po ashtu shoqatat e luftës marrin për çdo vit nga 12 euro nga invalidët dhe veteranët në emër të anëtarësisë.  Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, përmend që janë diku 23 deri 25 mijë veteranë (intervista është bërë para publikimit të listave nga komisioni për verifikimin e veteranëve). Nëse janë 23 mijë veteranë që paguajnë anëtarësinë, atëherë shuma e supozuar të mblidhet është 276.000 euro në vit, nëse janë 25 mijë atëherë kjo shumë arrin 300.000 euro. Ndërsa invalidë janë diku 3500 që për anëtarësi i bie të paguajnë më shumë se 42 mijë euro  në vit.

Kategoritë e luftës mbeten të papërfaqësuara edhe nga shoqatat, madje ata i kritikojnë shoqatat se nuk kanë bërë mjaftueshëm për ngritjen e çështjeve që ata i preokupojnë si gjendjen  materiale, atë shëndetësore, duke përmendur këtu traumat që ata i kanë pësuar gjatë luftës etj. Ata kanë thënë se shoqatat u janë vardisur partive politike, sidomos PDK-së. Dy shembuj e dëshmojnë këtë: rasti i Faik Fazliut që u bë këshilltar i ish-kryeministrit Hashim Thaçi dhe i Muharrem Xhemajlit, i cili në zgjedhjet e fundit nacionale ka qenë kandidat për deputet në listën e PDK-së.

Preportr, nuk ka arritur të gjej se cila është pasuria e Xhemajlit, por ajo e Faik Fazliut e deklaruar në AKK, kap shifrën e 152,500.00 eurove. Fazliu merr edhe  pension si invalid i luftës. Shumë veteranë, invalidë dhe familje të dëshmorëve i kanë akuzuar këto shoqata se gjatë gjithë kohës kanë punuar vetëm për interesa personale.

Dukagjin Gorani, publicist, thotë se për fat të keq paaftësia e këtyre shoqatave ndihmoi që të prodhohet bindja se lufta për çlirim të atdheut të shndërrohet në një luftë për një vend pune apo për një pension.

Invalidi i luftës së UÇK-së, punën e shoqatave e zhvlerëson edhe më shumë. Ylber Selmani, thotë se ato krejt çfarë bëjnë është dërgimi i këtyre kategorive në det dhe në banjë.

“Shoqatat na ofrojnë vetëm trajtim në deti, na çojnë në Durrës. I bojnë listat qysh i bojnë ata, neve na thirrin brenda natës apo shkoni a s’po shkoni, nëse jo ka veteranë të tjerë që i plotësojnë listat. Domethënë qëllimi i tyre është me e bo një ekskursion në deti 10 ditë edhe në banjë 6 ditë”, thotë Selmani.

Përveç shoqatave të luftës, janë themeluar edhe disa organizata tjera që ngritën më shumë zërin për realizimin e të drejtave të këtyre kategorive.

Më i zëshmi është Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, i udhëhequr nga Xhevdet Qeriqi. Qeriqi me shumë bashkëluftëtarë të tjerë kërkuan në vazhdimësi trajtim më të mirë për kategoritë e luftës.

Kërkesat e tyre i kanë paraqitur para qeverisë në vitin 2009 në një protestë që eskaloi, ku disa prej pjesëmarrësve hodhën në oborrin e qeverisë koktej molotovi, për të cilin veprim më vonë u akuzuan nga EULEX-i , vetë Qeriqi dhe disa bashkëluftëtarë të tjerë. Në vitin 2011, ky Këshill organizoi një grevë dhe për disa ditë me radhë qëndruan para Qeverisë së Kosovës. Ata u larguan nga aty pasi morën premtimin që ligji për kategoritë e luftës do të miratohej shpejt. Pas një pritjeje të gjatë kategoritë e luftës u bënë me ligj në vitin 2012. Ky ligj i ka rregulluar çështjet e  kategorive të tjera si të familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës, por nuk i ka rregulluar ato të veteranëve.

play

Perceptimi se njerëzit e UÇK-së janë pasuruar, i krijuar nga një sistem kualifikues që vjen nga liderët që i përkasin këtij historiku, demantohet gjerësisht nga gjendja reale e kategorive të dala nga lufta që nuk kanë lidhje me politikën, e që janë shumica e ish-ushtarëve të UÇK-së

“Armata” e veteranëve që përdorën në kohë fushatash

Në prag të zgjedhjeve nacionale të vitit 2014, ideja e Muharrem Xhemajlit që në atë kohë e udhëhiqte Shoqatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ishte themelimi i një partie të re që do të përbëhej vetëm nga veteranët. Ideja ishte që vetëm me përfaqësim në Kuvendin e Kosovës, kjo kategori do të luftonte më shumë për të drejtat e tyre. Në bazë të kalkulimeve që bëheshin me numrin e veteranëve, thuhej se kjo parti mund të dilte forca e tretë më e madhe në vend pas PDK-së dhe LDK-së. Xhemajli nuk u përkrah nga një numër i madh i veteranëve. Ai megjithatë u kandidua për deputet përkrah partisë më të madhe në vend e që po ashtu ka dalë nga lufta, Partisë Demokratike të Kosovës.

Gorani thotë se shoqatat e dala nga lufta rregullisht përjetohen si nëndegë të partive politike, sidomos të PDK-së dhe të AAK-së meqë janë këto dy parti ato që më së shumti e ndërlidhin imazhin e vet me ‘vlerat e luftës’.

“Sot, grindja e tyre rreth pushtetit reflektohet edhe mes elektoratit përkatës, atij të veteranëve. Së pari, këto shoqata lejuan që listat të ‘fryhen’ deri në 65,000 veta, kurse sot duhet të marrin përgjegjësi për zvogëlimin e tyre në më pak se 20,000 sosh. Të dy veprimet janë gabime tepër të rënda. ‘Redaktimi’ i listave të veteranëve është formulë për ngatërresa dhe koritje të plotë publike”, thotë ai.

Procesin e verifikimit të veteranëve ai e sheh edhe më të dhimbshëm se sa është. Pakënaqësitë rreth këtij procesi Gorani, thotë se do ta sjellin punën deri në atë nivel sa do ta relativizojnë vlerën e statusit të veteranit.

Që veteranët kanë mbetur peng i dëshirave dhe nevojave të partive politike sidomos atyre të krahut të luftës, e që e përdorin këtë kategori për kohë fushatash e pranon edhe Xhevdet Qeriqi. Ai thotë se në kohë fushatash veteranët marrin gjithfarë lloj premtimesh nga partitë politike, por porsa përfundon fushata ata lihen në harresë.

Megjithatë, pritja se duhet të ketë benificione nga pjesëmarrja është një specifikë gati e veçantë për Kosovë. “Lufta për çlirim të vendit është obligim, për të nuk ka privilegje. Ose merr pjesë në të, ose nuk merr – është kjo çështje e kritereve personale morale e kombëtare. Mirëpo, në emër të pjesëmarrjes në luftë për çlirim të vendit nuk mund të kërkohen pensione”, mendon ndërkaq Gorani. Por Qeriqi thotë se ata nuk po kërkojnë asgjë më shumë sesa një jetë më të dinjitetshme.