English
Scroll top

Ligj për mbrojtjen e hajnave

Projektligji për konfiskimin e pasurisë është hartuar nga Ministria e Drejtësisë në atë mënyrë që të mund të konfiskohen vetëm pasuritë të cilat janë fituar me vepër penale. MD-ja nuk ka marrë parasysh asnjë kërkesë të Forumit të OJQ-ve, e nga të cilat më bazike janë që emërtimi që “pasuritë e fituara me kryerjen e veprës penale”, të ndryshohet me “pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme” (edhe për rastet kur nuk ka të bëjë me vepër penale). Rekomandim...

Prishtinë, 26 Shtator 2012

E gjithë pasuria e njerëzve që merren me politikë, apo edhe kanë ndikim në të, dhe që është e fituar në mënyra të kundër-ligjshme mund tu mbetet si amanet nga baba dhe kështu t’ia shijojnë të mirat e saj pas ndonjë brengë. Kjo pasi që draft-ligji për këtë çështje e ka bërë shumë të zorshme, në mos të pamundur që pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme t’i dorëzohen shtetit dhe nga ato të fitoj buxheti i tij.

Projektligji për konfiskimin e pasurisë është duke kaluar në fazën për miratim në leximin e parë  në Kuvendin e Kosovës. Edhe përkundër deklaratave të drejtuesve të Ministrisë së Drejtësisë se ky Projektligj do të përgatitet në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe se do të mirëpritet dhe do të merret parasysh çdo propozim, kjo në fakt ka mbetur një deklaratë retorike si gjithë të tjerat. Shoqëria Civile e mbledhur në një Forum prej dhjetë organizatave joqeveritare, ka gjetur shumë mangësi në këtë Projektligj.

Projektligji në fjalë, sipas përfaqësuesve të këtij Forumi, ka si qëllim amnistimin e pasurisë të fituar në mënyrë të paligjshme. Sipas përfaqësuesve të këtij Forumi, përgatitja e këtij projektligji ka filluar mbrapshtë dhe me tendencë që nga mënyra e emërtimit, pasi që Ministria e Drejtësisë si sponzorizuese e ka quajtur "Projektligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurive të fituara me anë të veprave penale."

Arton Demhasaj nga Organizata Çohu! e cila është pjesë e Forumit të Shoqërisë Civile, thotë se ky Forum ka bërë disa rekomandime të cilat në qoftë se nuk përfshihen, ky projektligj do të ishte tërësisht i kotë.  Sipas tij, dispozitat kryesore që përmban projektligji janë të rregulluara me legjislacionin e zbatueshëm në Kosovë (Kodin Penal të Kosovës, Kodin e Procedurës Penale të Kosovës). Duke u bazuar në këtë fakt, ne kishim dërguar këto rekomandime në MD.

Vlera e përafërt e pasurive të administruara:

Viti 2010:    1720 euro

Viti 2011:  73,882 euro

Viti 2012: 200,000 euro

Të hyrat për buxhetin e Kosovës: 112,000 euro

Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar

Rekomandimet që Forumi ia ka dhënë Ministrisë së Drejtësisë janë: Duhet ndryshuar emri i draftligjit, i cili në të njëjtën kohë reflekton në fushëveprimin dhe qëllimin e këtij draft-ligji. Në  rekomandonim që kualifikimi “pasuritë e fituara me kryerjen e veprës penale”, të ndryshohet me “pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme” (edhe për rastet kur nuk ka të bëjë me vepër penale);

Pasuria e përfituar në mënyrë të paligjshme të vërtetohet nga i dyshuari, e jo sipas detyrës zyrtare. Me bartjen e barrës së provës tek të dyshuarit, do të rritej mundësia e luftimit më efikas të krimit të organizuar dhe pasurisë së paligjshme. Një përvojë e tillë çfarë rekomandojmë ne, paraqitet edhe në shtetet e rajonit, si Shqipëria, Sllovenia e Bullgaria;

Ky draftligj do të duhej të zbatohej edhe për pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme të personave të dyshuar, të krijuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, pra të lejohej retroaktiviteti tij;

Sugjerohet krijimi i mekanizmave të veçanta brenda institucioneve ekzistuese (polici, prokurori, gjykata) me qëllim të zbatimit më efikas të legjislacionit të kësaj fushe;

Projektligji në dorë të deputetëve

Për “Projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurive të fituara me anë të veprave penale”, ka pasur mospajtime edhe në Komisionin për Legjislacion. Katër anëtarë të këtij komisioni kanë votuar pro, ndërsa katër kundër dërgimit të këtij projektligji  si të tillë në Kuvend.

Më 4 tetor ky Projektligj do të dalë për votim në Kuvendin e Kosovës dhe varët nga deputetët se a do të kalojë në fazën e parë për lexim apo do t’i kthehet Qeverisë.

Forumi Këshillues i OJQ-ve për pakon Ligjore Antikorrupsion ka shprehur pakënaqësitë për projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurive të fituara me anë të veprave penale të dërguar nga Qeveria në Kuvend. Duke marrë parasysh që ky projektligj ka arritur deri në këtë fazë, Forumi i OJQ-ve u ka bërë thirrje deputetëve që mos të votojnë pro dërgimit tij në lexim të parë në Kuvend.

Besnik Ramadanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili është pjesë e këtij Forumi, ka thënë se ku Forum në vazhdimësi ka kërkuar që të hartohet një ligj i cili do t’i përgjigjej  rrethanave të krijuara në Kosovë pas vitit 1999.

Ai thotë se ky projektligj është duplifikim i Kodit Penal, ka një emërtim jashtë standardeve dhe praktikave jurdike, që nuk ka kuptim të quhet ligj për kompetenca të zgjeruara. Sipas tij, projektligji aktual ka kufizime të mëdha për ta hetuar pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme, sepse veprën e caktuar penale e ka vendosur në mes për ta penguar hetimin. Po ashtu ky projektligj nuk lejon hetim të veçantë për pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme.

“U është bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos e votojnë këtë projektligj që të kalojë leximin e parë në Kuvend dhe të vazhdojë procedurën drejt miratimit, mirëpo ta rikthejnë në Qeveri dhe të jepen rekomandime se si të ndërtohet ky projektligj në mënyrë që të kemi një ligj që do të ndihmojë rregullimin e fushës, se sa të krijojmë në ligj sa për të shtuar një numër në legjislacionin penal dhe për të plotësuar  gjoja një standard evropian drejt liberalizmit të vizave dhe proceseve integruese evropiane”, ka thënë Ramadani.

Projektligji mbron pasurinë e kundërligjshme të milionerëve

Sipas këtyre OJQ-ve, projektligji për konfiskimin e pasurisë edhe si i tillë, nga ministri i drejtësisë po konsiderohet si një ligj i mirë që i plotëson standardet evropiane, dhe njëkohësisht po konsiderohet si e arritur e madhe e ministrisë dhe e Qeverisë. Por kjo nuk duhet të jetë mburrje për institucionet tona, por si një marri e radhës e Qeverisë, sidomos kur kemi të bëjmë me miratim të ligjeve. Kjo për arsye se nuk kemi nevojë për një ligj që i plotëson standardet evropiane, por për një ligj që ju përgjigjet rrethanave dhe mentalitetit të vendit.

Forumi i OJQ-ve e  konsideron si të papranueshëm këtë projektligj, për arsye se as për së afërmi nuk i plotëson nevojat e shoqërisë kosovare për rregullimin e fushës së konfiskimit të pasurive të fituara në mënyrë të kundërligjshme.

Arton Demhasaj thotë se ky projektligj nuk i përmban elementet kryesore që duhet t'i ketë një ligj që merret me konfiskimin e pasurive të fituara në mënyrë joligjore. Ai thotë se pa ndryshimin e emërtimit të projektligjit nga pasuri të fituara me vepër penale në pasuri të fituara në mënyrë të kundërligjshme të gjitha dispozitat tjera ligjore që i ka ky projekt ligj do të jenë të kota.

Për ne si Forum elementi i panegociueshëm dhe i padiskutueshëm është se ky projektligj duhet të emërtohet si ligji për konfiskimin  e pasurive të fituara në mënyrë të kundërligjshme. Kjo për arsye se do t'u krijojë organeve të ndjekjes dhe gjykimit dispozita në bazë të të cilave mund të konfiskojnë pasuri të fituara në mënyrë të kundërligjshme pa ekzistuar fare figura e ndonjë vepre penale të paraparë në Kod Penal.

Arton Demhasaj

“Për ne si Forum elementi i panegociueshëm dhe i padiskutueshëm është se ky projektligj duhet të emërtohet si ligji për konfiskimin  e pasurive të fituara në mënyrë të kundërligjshme. Kjo për arsye se do t'u krijojë organeve të ndjekjes dhe gjykimit dispozita në bazë të të cilave mund të konfiskojnë pasuri të fituara në mënyrë të kundërligjshme pa ekzistuar fare figura e ndonjë vepre penale të paraparë në Kod Penal”, thotë Demhasaj, duke shtuar se  elemente tjera shtesë që duhet të përmbajë ky projektligj janë: barra e provës të bartet tek i dyshuari kur kemi të bëjmë me dyshime se i dyshuari ka pasuri të fituara në mënyrë të kundërligjshme; pastaj lejimi i retroaktivitetit të ligjit  për të gjitha pasuritë e fituara në mënyrë të kundërligjshme pa marrë parasysh kohën e fitimit të pasurisë, gjithashtu krijimi i strukturave të veçanta për konfiskim brenda institucioneve ekzistuese  do të ndihmonte në luftimin e fenomenit të pasurimit të paligjshëm.

Ndërsa Besnik Ramadanaj, thotë se MD-ja po mundohet që përmes frazave në media që po miratohet ligji anti-mafi të humbë vëmendjen për përmbajtjen e dobët që ka ky projektligj dhe se po thuhet se ky projektligj është më i mirë se të gjitha ligjet e vendeve të rajonit dhe se i plotëson standardet e BE-së. Ai thotë se kjo gjë nuk është fare e vërtetë, për arsye se vendet anëtare të BE-së, këtë fushë e kanë të rregulluar me legjislacionet e tyre nacionale, kjo fushë nuk rregullohet me legjislacion të BE-së.

“Pothuajse të gjitha vendet anëtare të BE-së e kanë të rregulluar këtë fushë duke lejuar konfiskim të të gjitha dobive pasurore që janë të fituara në mënyrë të kundërligjshme. Vendet e Rajonit si p.sh. Republika e Shqipërisë e ka rregulluar në atë mënyrë ketë fushë sa që lejohen: retroaktiviteti, konfiskohen pasuritë e fituara në mënyrë të kundërligjshme dhe barra e provës së vërtetimit të prejardhjes së pasurisë i takon të dyshimtit dhe jo institucioneve të ndjekjes dhe të hetimeve”, theksoi Ramadanaj, duke shtuar se ky projektligj pa këto elemente esenciale siç janë: kundërligjshmëria, retroaktiviteti, dhe barra e provës, do të jetë një ligj i kotë, dhe vetëm sa do të krijojë dualizëm ligjor ose kolizion ligjor   në mesë të këtij ligji dhe Kodit Penal.

Ai thotë se mosmarrja parasysh e rekomandimeve të Forumit nga MD-ja, është e qëllimshme, sepse ajo nuk është e interesuar që të nxjerrë një ligj i cili do të ishte efikas për luftimin e pasurive të kundërligjshme.

“Qëllimin e nxjerrjes së këtij ligji nga MD-ja ose Qeveria më tepër është si një numër sa për të plotësuar disa kërkesa të ndërkombëtarëve, se sa interesim për të rregulluar fushën e luftimit të pasurimit të paligjshme”.

Qëllimin e nxjerrjes së këtij ligji nga MD-ja ose Qeveria më tepër është si një numër sa për të plotësuar disa kërkesa të ndërkombëtarëve, se sa interesim për të rregulluar fushën e luftimit të pasurimit të paligjshme.

Besnik Ramadani

Konfiskohen vetëm pasuritë e fituara me vepër penale

MD-ja ketë projektligj e ka rregulluar në atë mënyrë që mund të konfiskohen vetëm pasuritë të cilat janë fituar me vepër penale. Duhet të ekzistojë fillimisht një aktgjykim me të cilin një person shpallët fajtorë për një vepër penale, pastaj nëse pasuria e të dënuarit është e fituar me atë vepër penale ose në rrethana të njëjta me ato të veprës penale,mund të bëhet kërkesa për konfiskimin e asaj pasurie. Dispozita të tilla kanë qenë dhe janë në fuqi në Kodin Penal të Kosovës që nga muaji prill 2004, kur edhe ka hy në fuqi ky kod, dhe asnjëherë nuk ka pasur një vendim të ndonjë gjykate ku është konfiskuar ndonjë dobi pasurore  e fituar me anë të veprave penale. Kjo për arsye se si për prokurorin edhe për gjyqtarin  është shumë e vështirë të ndërlidhët vepra penale për të cilën dënohet, me pasurinë e të dënuarit.

Drejtuesit e Forumit të OJQ-ve thonë se ligjërisht është shumë e vështirë për ta vërtetuar lidhjen shkak- pasojë, se me këtë vepër penale është fituar kjo pasuri. Fillimisht duhet të vërtetohet dhe faktohet fajësia për veprën e caktuar penale e pastaj të bëhet vërtetimi se me atë vepër penale është fituar edhe pasuria e të dënuarit.

Sipas tyre, për këtë arsye në këtë projektligj duhet të hiqet pasuri të fituara me vepër penale dhe të zëvendësohet me pasuri të fituara në mënyrë të kundërligjshme. Kjo për arsye se ka shumë pasuri që mund të fitohen në mënyrë të kundërligjshme pa bërë ndonjë vepër penale, aq më pakë kur kemi të bëjmë me pasurimin marramendës të zyrtarëve të lartë, të cilët janë në gjendje të krijojnë  pasuri të kundërligjshme pa bërë vepër penale.

Parimisht ligjet hynë në fuqi 8 ditë pas publikimit në fletoren zyrtare dhe kohë e veprimit të ligjit konsiderohet data kur hynë në fuqi. Retroaktiviteti ose fuqia prapavepruese e ligjit lejohet vetëm kur është në favor të palës. Për ketë arsye MD-ja nuk ka paraparë fuqi prapaveprues  të këtij projektligji, vetëm përjashtimisht për disa vepra penale, për të cilat pothuajse nuk do të ketë mundësi fare të konfiskimit të pasurive të fituar me ato vepra penale.

Marrim si shembull një vepër penale e cila është kryer në vitin 2002 dhe e cila mund të dënohet me 5 vjet burgim, me këtë vepër penale është fituar një dobia pasurore. Si mund të konfiskohet kjo dobi pasurore ku në bazë të Kodit Penal të Kosovës për ketë vepër penale e cila nuk është marrë në shqyrtim, duhet të nxirret vendimi për vjetërsim/parashkrim të lëndës. Po thuajse për të gjitha ato vepra penale për të cilat lejohet retroaktiviteti i konfiskimit të dobive pasurore të fituar me to, mundë të jenë të parashkruara para ose menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Për ketë arsye këtij Forumi i OJQ-ve ka kërkuar që projektligjit duhet t’i hiqet konfiskim i pasurive të fituar me vepër penale, të ndryshohet me konfiskim i pasurive të fituar në mënyrë të kundërligjshme, dhe të lejohet retroaktiviteti për të gjithë ligjin, kjo për arsye të interesit të përgjithshëm shoqërorë. Kjo për arsye se problemi kryesor në vendin tonë është pasurimi i kundërligjshëm i zyrtarëve qeveritarë dhe personave/bizneseve të ndërlidhur me ta.

Në anën tjetër Ministria e Drejtësisë po arsyetohet se nuk po mundet me i përfshi të gjitha këto elemente në projektligj për arsye se mundemi me pas probleme me proceset integruese evropiane, por sipas Forumit kjo nuk qëndron fare për arsye se Komisioni Evropian në Udhërrëfyesin për liberalizim të vizave ka kërkuar që urgjentisht të fillojë hartimi i ligjit për konfiskimin e pasurive të pashpjegueshme dhe të fillojë me implementimin e menjëhershëm të tij. Arsyeja tjetër se pse nuk qëndron arsyetimi i MD-së është se edhe vendet e  kanë ligje të tilla, bile ato janë edhe më afër proceseve integrues se sa Kosova.

Nëse ky ligj kalon si i tillë sikurse është propozuar nga Ministria e Drejtësisë, ai nuk ndihmon në luftimin e krimit të organizuar dhe konfiskimin e pasurive të fituara në mënyrë të kundërligjshme. Mirëpo do të amnistojë të gjitha ata persona që pas lufte e tutje kanë krijuar pasuri milionëshe nga hiq gjë. Pra ky projekt-ligj më tepër shihet si legalizim i pasurive të paligjshme të krijuara deri më tani nga persona të caktuar, sidomos të nivelit të lartë politik dhe të tjerët.

Konfiskohen vetëm kafshët

Sipas kodit të procedurës penale, që është ende në fuqi, përkatësisht nenit 18, gjykatat e shkallës së parë vendosin për gjërat e konfiskuara. “Në qoftë se me aktgjykim shqiptohet dënim plotësues i konfiskimit të sendit, gjykata e cila ka shqiptuar dënimin në shkallë të parë vendos nëse do të shiten sendet e tilla sipas dispozitave të zbatueshme në procedurën e përmbarimit, do t’i dorëzohen muzeut kriminalistik, ndonjë institucioni tjetër apo të asgjësohen. Paratë e fituara nga shitja e sendeve të tilla derdhen në buxhet”.

Deri më tani ka pasur vendime vetëm për shitjen e kafshëve, të cilat kryesisht janë kapur duke u kontrabanduar dhe ato janë shpallur me ankand publik për t’u shitur. Me shitjen e pasurisë së konfiskuar merret Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar. Kjo agjenci deri më tani ka shpallur ankande vetëm për lopë, dhi, kuaj dhe qengja, por jo edhe ndonjë pasuri tjetër të konfiskuar.

Vlera e përafërt e pasurive të administruara nga ana e kësaj agjencie për vitin 2010 është 1720 euro, në vitin 2011 është 73, 882 euro dhe në vitin 2012 rreth 200.000 euro. Ndërsa, deri më tash kjo agjenci ka realizuar mbi 112 mijë euro të hyra për buxhetin e Kosovës.