English
Scroll top

Kush e kontrollon pasurinë e Hasan Pretenit?!

Zyrtarët e Agjencisë kundër Korrupsionit (AKK) ia deklarojnë, dhe ia kontrollojnë vetes, kolegëve dhe shefave të tyre formularët e deklarimit të pasurisë, dhe pastaj i publikojnë në ueb-faqen zyrtare AKK-së. Ky veprim quhet antiligjor nga ish anëtarja e Komisionit për Legjislacion. Kësaj radhe, kontrolli i plotë i pasurisë sipas shortit të hedhur nga AKK, do t'i bëhet edhe Hasan Pretenit, por ende nuk është e qartë se nga kush, kur dhe...

Prishtinë, 01 Korrik 2014

Fati e deshi që emri i drejtorit të Agjencisë kundër Korrupsionit (AKK), Hasan Preteni, të jetë në mesin e atyre që do t'u nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë. Deri më tani, zyrtarët e AKK-së, që janë kompetent për të pranuar, verifikuar dhe eventualisht nisur hetimet ndaj zyrtarëve të lartë publik për mosdeklarim të pasurisë dhe deklarim të rrejshëm, asnjëherë nuk i janë nënshtruar kontrollit të plotë të pasurisë së tyre.

Që nga viti 2011, kur edhe është aprovuar Ligji për Agjencinë kundër Korrupsionit, regjistrat e pasurive të zyrtarëve të AKK-së bëhen publike në faqen elektronike të këtij institucioni.

Sipas nenit 14 pika 1.6 e këtij Ligji, Komisioni Mbikëqyrës i Agjencisë, në këtë rast Komisioni për Legjislacion, "kontrollon dhe mbikëqyrë pasurinë e deklaruar nga zyrtarët e lartë të Agjencisë dhe rastet e konfliktit të interesit në pajtim me rregullat dhe procedurën e paraparë me ligje të veçanta".

Jo vetëm se kontrolli i plotë i pasurive të zyrtarëve të AKK-së nuk është bërë asnjëherë, por këta të fundit, vazhdimisht kanë refuzuar që të dorëzojnë formularët e pasurive tek Komisioni për Legjislacion.

Edhe këtë vit, ata kanë vepruar njëjtë.

Visar Krasniqi, anëtar i stafit të Komisionit për Legjislacion, konfirmon për Preportr, se deri në shpërbërjen e Kuvendit, rrjedhimisht edhe të Komisionit, ata nuk kanë pranuar ndonjë formular nga AKK-ja.

Në lidhje me dorëzimin e formularëve të pasurive nga ana e zyrtarëve të AKK-së, këta të fundit, sipas Albulena Haxhiut, ish- anëtare e Komisionit për Legjislacion, kanë thënë se së pari Komisioni duhet të kërkojë formularët e pasurive të zyrtarëve të AKK-së, dhe vetëm pastaj, Agjencia t'i dorëzojë për kontroll.

AKK "vetë prenë, vetë qepë"

Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, hezitoi të përgjigjet në pyetjen e Preportr, lidhur me mos dorëzimin e formularëve të pasurisë të zyrtarëve të AKK-së në Komision para se të publikoheshin në faqen e tyre elektronike. Ai tha se detyrat e këtij Komisioni duhet të lexohen në Ligjin për Agjencinë kundër Korrupsionit.

Lidhur me çështjen e dorëzimit të formularëve të pasurive nga ana e zyrtarëve të AKK-së, ish anëtarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, ka thënë për Preportr, se ata (zyrtarët e AKK-së, i.e.) janë të obliguar me ligj që të dorëzojnë në Komision formularët e tyre për kontroll.  "Asnjë dispozitë ligjore nuk thotë që Komisioni për Legjislacion duhet t'i kërkojë formularët nga AKK-ja, pra ata janë të obliguar t'i sjellin çdo vit deri më datën 31 mars. Është konflikt i pastër i interesit nëse AKK-ja i kontrollon formularët e zyrtarëve të AKK-së", ka thënë Haxhiu.

Gjatë tërë kohës prej se deklarimet e pasurisë janë bërë publike më 2010, zyrtarët e AKK-së, vetëm për vitin 2011 dhe 2012, kanë dorëzuar formularët e pasurisë tek Komisioni për Legjislacion dhe atë, vetëm pasi Organizata ÇOHU! kërkoi këtë gjë. Në atë kohë, Komisioni në fjalë pati marrë vendim që të kërkojë nga AKK-ja formularët e pasurisë dhe më pas ata ua kishin dërguar. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në vitin 2012.

Sipas Albulena Haxhiut, Komisioni për Legjislacion nuk e ka kryer punën siç duhet, pasi që asnjëherë nuk ka bërë ndonjë analizë të mirëfilltë të deklarimeve të pasurisë së zyrtarëve të AKK-së.

Isuf Zejna, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se Agjencia Kundër Korrupsionit, e ka obligim ligjor që të dërgojë për kontrollim, formularët e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të saj në Komisionin për Legjislacion.

"Verifikimi i pasurisë së zyrtarëve të Agjencisë Kundër Korrupsion, nuk ka asnjë kuptim të bëhet nga vet Agjencia, ky është një konflikt i pastër i interesit dhe rezultatet e verifikimit asnjëherë nuk do të mund të merren si të besueshme dhe të vërteta. Për këtë lloj të verifikimit duhet të gjinden forma të tjera të verifikimit, në mënyrë që të shmanget konflikti i interesit në këtë çështje", ka thënë Zejna.

Sipas ndryshimeve të reja në ligjin për deklarim të pasurisë, 20 për qind e zyrtarëve deklarues të pasurisë i nënshtrohen kontrollit të plotë të të dhënave të deklaruara. Në mesin e personave zyrtarë që janë përzgjedhur për t'iu nënshtruar kontrollit të të dhënave të deklaruara është edhe drejtori i AKK-së Hasan Preteni. Sipas Pretenit, çështja e kontrollit të plotë të pasurisë së tij është sqaruar para hedhjes së shortit.

"Ashtu siç janë dhanë sqarimet në fillimin e hedhjes së shortit, nëse i bie që do të kontrollohet ndonjë zyrtarë i Agjencisë kontrollin e bën Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë", shton ai.

Në ligjin për Agjencinë Kundër Korrupsionit, nuk duket të jetë e paraparë se si duhet të kryhet kontrolli i plotë i pasurive të zyrtarëve të AKK-së. Të paktën kështu mendon anëtarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu.

"Në ligjin për AKK-në është paraparë vetëm komisioni mbikëqyrës për AKK-në, e që në këtë rast është Komisioni për Legjislacion, dhe në mungesë të dispozitave ligjore duhet të veprohet me anë të vendimeve në Komision deri në amandamentimin e ligjit për AKK-në", thotë ajo.

Sipas saj, kontrollin e tyre do të duhej ta bënin anëtarët e Komisionit për Legjislacion me mundësinë e angazhimit të ekspertëve meqë këtë e lejon edhe rregullorja e punës së Kuvendit.

"Komisioni për Legjislacion ka një listë të ekspertëve që i angazhon për çështje të ndryshme dhe po të njëjtën do të mund ta përdornim për kontrollin e pasurisë, e që kjo do të bëhej me votim ose konsensus në Komision", thotë Haxhiu.