English
Scroll top

Kthimi drejt vdekjes

Bordi i Migracionit të Suedisë ia ka refuzuar leje-qëndrimin, Mal Osmanit dhe prindërve të tij, të cilët kanë shkuar për ta trajtuar atje. Mali vuan nga paraliza cerebrale, që sipas nënës së tij iu ka shkaktuar nga pakujdesia në QKUK. Ajo thotë se në Suedi Mali ka shkuar në gjendje shumë të rëndë dhe se i janë nevojitur disa muaj që të fillojë që të stabilizohet. Institucionet shëndetësore të Kosovës janë dorëzuar para këtij rasti, duke deklaruar se me kushtet që i posedojnë nuk kanë mundësi që...

Prishtinë, 08 Korrik 2014

Mal Osmani ende nuk i ka mbushur 3 vjet dhe vuan nga paraliza cerebrale. Si pasojë e kësaj sëmundje, ai nuk ka aftësi të gëlltitet, ka hipotoni dhe hipertoni (muskuj të plogësht dhe shumë të shtanguar), nuk mund të ulet, nuk mund ta mbajë kokën në pozitë vertikale, nuk mund të flasë, ka jashtëzakonisht problem me frymëmarrje dhe këlbazë, ka ngecje të mëdha motorike dhe në përgjithësi në tërë zhvillimin e tij.

Nëna e Malit, Lindita Osmani, thotë se kishte një shtatzëni normale, por çdo gjë u shkatërrua nga shkuarja e saj për të lindur në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike të QKUK-së. Ajo thotë se pakujdesia e stafit mjekësor të kësaj klinike ka bërë që Malit t’i shkaktohet ky problem i madh shëndetësor. Ajo ka rrëfyer për Preportr gjithë eksperiencën e hidhur dhe mospërkujdesjen e stafit mjekësor që ka pasur në klinikën në fjalë, ndërsa është shumë e penduar që kishte vendosur për të lindur aty.

“Përveç gjendjes së rëndë, gjithashtu u vërtetua se Mali nga Prishtina bartte një infeksion të quajtur MRSA, virus ky që e ka marrë në klinikën gjinekologjike dhe për këtë arsye e nxorëm me kërkesë tonë  nga Njësia e Neonatologjise në Prishtinë”, thotë Lindita.

Me të kuptuar për diagnozën e rëndë të djalit, ajo ka shikuar të gjitha mundësitë për të shkuar jashtë Kosovës me të vetmin qëllim që t’i sigurojë një trajtim të mirë Malit, i cili nuk mund të mbijetonte në Kosovë.

Për këtë arsye Lindita ka emigruar në Suedi me shpresën se do të gjejë trajtimin e duhur mjekësorë për Malin. Edhe pas arritjes në Suedi dhe paraqitjes në njërin nga spitalet më të mira atje, Malit iu nevojiten disa muaj trajtim special dhe disa operime që ta tejkalojë gjendjen kritike dhe të fillojë që të stabilizohet.

“Edhe pse në gjendje shumë të vështirë dhe buzë vdekjes, u mbajtë gjallë me kushtet dhe mundësitë që ofron Suedia dhe çdo ditë vërehen përmirësime në shëndetin e tij, si në peshë ashtu edhe ne zhvillimin e tij falë ndihmës që i ofrohet këtu”, u shpreh Lindita.

Por ajo u tronditë kur mori lajmin se Bordi i Migracionit të Suedisë kishte marrë vendim që  ajo bashkë me fëmijën dhe burrin duhet që të kthehen në Kosovë. Sipas saj, kthimi në Kosovë, nënkupton që Mali nuk do të mund të mbijetojë.

Mali do ta pësojë me fatalitet nëse nuk e ka përkujdesjen mjekësore të avancuar, të cilën e ofron Suedia. Kthimi në Kosovë është vdekje për të

Lindita Osmani, nëna e Malit

“Përgjigjen e parë negative e morëm në korrik të vitit 2013, ndërsa të dytën në Maj 2014.Në mes tjerash në arsyetimin e vendimit thuhet se Mali do të ketë trajtim adekuat edhe në Kosovë. Por institucionet shëndetësore publike dhe private vërtetojnë që në Kosovë nuk ka kushte për ta mbajtur në jetë Malin. Edhe mjekja e Malit në të gjitha dokumentacionet e saj sqaron se gjendja e Malit është tejet e vështirë dhe e rëndë, dhe Mali do ta pësojë me fatalitet nëse nuk e ka përkujdesjen mjekësore të avancuar, të cilën e ofron Suedia. Kthimi në Kosovë është vdekje për të”, thotë ajo.

Bordi i migracionit nuk tregon arsyet e refuzimit

Preportr ka bërë përpjekje që të marrë një prononcim nga Bordi për Migracion i Suedisë në lidhje me arsyet e refuzimit të kërkesës së Mal Osmanit, por zyrtarët për informim nuk kanë dhënë detaje për arsyet e refuzimit të leje-qëndrimit, përkatësisht të trajtimit të tij në Suedi.

Guna Graufelds, zyrtare për informim në Bordin e Migracionit të Suedisë, ka thënë për Preportr se vendimi është marrë nga Bordi i Migracionit me 31 korrik (2013), por është apeluar dhe është duke u proceduar në gjykatë.

Ajo nuk ka dhënë asnjë informacion në lidhje me vendimin, përkatësisht arsyet e refuzimit të leje-qëndrimit të Mal Osmanit në Suedi.

“Duke marrë parasysh integritetin personal të personit që ka kërkuar leje-qëndrim dhe sekretin zyrtar, bordi i migracionit nuk komenton rastet individuale, derisa nuk është e garantuar se gazetari ka autorizimin e përfaqësuesit ligjor për të marrë informacion në lidhje me individin në fjalë”, ka thënë Graufelds.

Institucionet shëndetësore të Kosovës nuk mund ta mbajnë në jetë Malin

Ministria e Shëndetësisë  ia ka lëshuar dokumentet përkatëse familjes së Malit, të cilat tregojnë qartë se me kushtet mjekësore që ofrohen në Kosovë, Mali nuk mund të mbahet në jetë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti, ka thënë për Preportr se bazuar në dokumentacionin e lëshuar nga Klinika e Pediatrisë e QKUK-së, e cila ka dhënë mendimin konsiliar të nënshkruar prej mjekëve specialistë aty, se mungojnë kushtet adekuate për trajtimin e këtyre rasteve.

Ministria e Shëndetësisë i ka konfirmuar familjes së pacientit Mal Osmani se kjo klinikë e ka të pamundur që ta mbajë në jetë këtë pacient për shkak të sëmundjes nga e cila vuan ai dhe kushteve të pamjaftueshme rehabilituese për të

Faik Hoti, zëdhënës në MSH

“Ministria e Shëndetësisë i ka konfirmuar familjes së pacientit Mal Osmani se kjo klinikë e ka të pamundur që ta mbajë në jetë këtë pacient për shkak të sëmundjes nga e cila vuan ai dhe kushteve të pamjaftueshme rehabilituese për të”, thotë Hoti.

Në dokumentin që ia ka lëshuar Ministria e Shëndetësisë, familjes së Malit, shkruan se kjo ministri nuk merr përsipër asnjë lloj detyrimi financiar në lidhje me rastin e këtij pacienti.

Edhe Agjensioni Kosovar për Produkte Mjekësore, ka dhënë vërtetimin se nga terapia që përdorë pacienti, vetëm një produkt është i regjistruar në Kosovë, ndërsa produktet e tjera, të cilat atij i duhen për trajtim për të mbijetuar, nuk kanë Certifikatë të Autorizim Marketingut dhe si të tilla nuk gjenden në Kosovë.

Pra përveç kostos së lartë dhe të papërballueshme për familjen dhe standardin jetësorë në Kosovë, edhe po të jenë mundësitë financiare, këto medikamente nuk mund të blihen në Kosovë.

Jo vetëm institucionet shëndetësore publike, por edhe ato private nuk kanë kushte për ta trajtuar këtë pacient. Duke marrë parasysh gjendjen e rëndë të tij, edhe "Spitali Amerikan në Kosovë" ia ka konfirmuar familjes se nuk ka kushte adekuate që ta mbajë në jetë fëmijën  tyre.

Gjithashtu edhe “Hendikos”, organizatë që merret me personat me aftësi të kufizuara përmes një dokumenti vërteton se rastet si Mal Osmani nuk mund të trajtohen në asnjë institucion të Kosovës dhe se as kjo organizatë nuk mund që të ofrojë asnjë ndihmë për trajtimin e tij.

Preportr pati raportuar në nëntor të vitit të kaluar edhe për një rast të ngjashëm, kur Nis Beqiri së bashku me familjen e tij ishin kthyer në Kosovë. Pas kthimit në Kosovë gjendja e Nisit ishte përkeqësuar shumë dhe se ai nuk kishte gjetur asnjë trajtim adekuat. Por Bordi i Migracionit të Suedisë pati marrë vendim për kthimin e Nisit dhe familjes së tij në Suedi, pasi që komuniteti ku kanë jetuar ia siguruar një vend punë nënës së Nisit, përmes së cilës ata kanë marrë edhe leje-qëndrim.