English
Scroll top

Kryeministria për “bire” t’Kamishit

Drejtor i Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK) tash është Abdullah Haxhiu, vëlla i deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu – komandant “Kamishi”. Hulumtimi i “Preportr” në këtë rast tregon se zgjedhja e tij është shoqëruar me ankesa, vendime kontraverze, e përplasje mes njerëzve të PDK-së. Por për gjithë këtë odisejadë, kryetari i bordit të kësaj ndërmarrjeje nuk pranon të flas. As Zyra Ligjore e Kryeministrit Hashim...

Prishtinë, 02 Dhjetor 2012

Administratë profesionale dhe e paanshme apo administratë ku sundon “Kamishi” e përkatësia partiake? Kjo është dilema që ka paraqitur zgjedhja kontraverze dhe e shoqëruar me ankesa e thyerje të ligjeve në fuqi për Kryeshef Ekzekutiv të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK).  Sot, në krye të KMDK-së, është Abdullah Haxhiut, vëllai i deputetit të Partitë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, i njohur tashmë si komandant “Kamishi”.

Që nga 16 nëntori i këtij viti, mbajtja e kësaj pozite nga Abdullah Haxhiu tashmë është fakt, kurse “Preportr” ka hulumtuar krejt rrjedhën mbi dy mujore të proceseve që e sollën atë në krye të KMDK-së. Vendime kontraverze të bordit të kësaj kompani, përplasjes me ankesa mes njerëzve të PDK-së, si dhe “dorëzimin” e Zyrës Ligjore të Kryeministrisë, duke refuzuar të jap ndonjë interpretim mbi këtë rast, janë aspekte që e kanë përcjell tërë rrjedhën e zgjedhjes së Abdullah Haxhiut në krye të KDMK-së.

Sipas dosjes së këtij rasti, që ka siguruar “Preportr”, odisejada për kryeshef të KMDK-së filloi më 27 shtator të këtij viti, kur në Njësinë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike (NjMNP), në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), paraqiti një ankesë vëllai i “Kamishit”, Abdullah Haxhiu. Në këtë ankesë, ai pretendonte që në konkursin publik për Kryeshef Ekzekutiv të KMDK-së, në mënyrë antiligjore, bordi i kësaj ndërmarrjeje kishte zgjedhur zëvendës-kryesuesin e Kuvendit Komunal të Shtërpcës, Hamdi Aliu, i ardhur nga radhët e partisë së Kryeministrit Hashim Thaçi, si kryeshef të saj.

Ankesën e tij as që e “preku” NjMNP-ja, por ia ktheu bordit që ta shqyrtonte. Bordi i KMDK-së, sipas dokumenteve që ka siguruar “Preportr”, u dorëzua para fakteve të paraqitura nga vëllai i “Kamishti” dhe e pranoi që ka gabuar kur e zgjodhi zëvendës-kryesuesin e Kuvendit Komunal të Shtërpcës, Hamdi Aliu për kryeshef të KMDK-së. Bordit të KMDK-së, sytë ia kishte hapur ankesa e vëllait të “Kamishit”, në të cilën ai komenton Ligjin për Ndërmarrje Publike dhe u tregon bordit se megjithëse neni 17 i këtij ligji lejon që Kryeshefat Ekzekutiv të jenë të varur politikisht, dy-tri faqe më tutje, më saktë neni 21.4 i po këtij ligji, e bënë obligative që mbajtësi i kësaj pozite të jetë i pavarur politikisht.

Ankesën e vëllait të “Kamishit” nuk e ka shqyrtuar asnjë organ përkatës, por bordi i KMDK-së, pranoi komentimin ligjor të vëllait të “Kamishit”, dhe më 30 shtator, apo më saktë vetëm tri ditë prej se ishte ankuar ky person, merr vendim dhe e shkarkon nga detyra zëvendës-kryesuesin e kuvendit komunal të Shtërpcës, Hamdi Aliu, prej kryeshefit ekzekutiv të KMDK-së. Aliut të PDK-së, nga bordi i KMDK-së, i jepet afat prej 30 ditësh që të ankohet, por i njëjti organ, në të njëjtën ditë, merr po ashtu edhe vendimin që ta emëroj vëllain e “Kamishit”, Abdullah Haxhiu, në pozitën e kryeshefit tëKMDK-së.

Çuditërisht, derisa Hamdi Aliut të PDK-së i ishin dhënë 30 ditë kohë që të ankohet, në vendimin për emërtimin e vëllait të “Kamishit” në krye të KMDK-së, thuhet se  ky person mund të ulet në karrigen e Aliu pas tridhjetë ditësh. Asnjë nen i vendimit të bordit tëKMDK-së, nuk parasheh mundësi që ankesa e Hamdi Alit mund të kthehet në favor të tij, por paragjykohet se ankesa eventuale e Aliut se do të hedhet poshtë.

Këto vendime i ka nënshkruar me dorën e vetë profesori Asllan Vitaku, kryetarë i bordit të KMDK-së, por ky nuk ka pranuar që të flas, edhe pse “Preportr” ka pritur për një javë që të marrë një arsyetim nga ai për këto vendime kontrdiktore.

Kryeministria dorëzohet para vëllait të “Kamishit”

Ndonëse Bordi i KMDK-së kishte nxjerrë dy vendime brenda një dite, një që të shkarkohet Hamdi Aliu nga pozita e kryeshefit të KMDK-së dhe këtij t’i lihen 30 ditë afat për tu ankuar, kurse vendimin tjetër që të zgjidhet vëllai i “Kamishit” në krye të KMDK-së dhe atë pa pritur rezultatin përfundimtar të ankesës eventuale të Aliut, ky i fundit megjithatë i ishte drejtuar me një ankesë  shefit të tij, saktësisht, Zyrës Ligjore të Kryeministrisë.

Hamdi Aliu pos që e quan të pa bazuar vendimin e bordit të KMDK-s, që ta shkarkoi nga pozita si Kryeshev Ekzekutiv të KMDK-së, edhe ai komenton Ligjin për Ndërmarrjet Publike, sikurse vëllai i “Kamishit”. Sipas Aliut, pozita e tij si zëvendës-kryesues i Kuvendit Komunal të Shtërpcës nuk paraqet  pengesë që ai të e mbajë pozitën e kryeshefit të KMDK-së.

Ndonëse ka bërë një ankesë prej 7 faqesh dhe në të edhe i është ankuar Kryeministrisë se e ka humbur punën e vjetër ( si arsimtar) nga vendimet e jashtëligjshme, dhe sipas tij me vendim të bordit të KMDK-së, është lënduar emocionalisht, moralisht  dhe i është degraduar integriteti, Hamdi Aliu, nuk morri asnjë haber nga Zyra Ligjore e Kryeministrisë.

Kjo zyrë e mbajti ankesën e Aliut për disa javë, duke bërë kështu që të vijë koha që karrigen e tij t’ia zërë vëllai i “Kamishit”. Zyra Ligjore Kryeministrisë, nuk i ishte përgjigjur as Hamdi Aliut, e as NjMNP-së, derisa kishin kaluar ditët kur me letra vëllai i “Kamishit” duhej ta zinte karrigen e Kryeshefit të KMDK-së.

Kryeministria i shkruan një letër NjMNP-së më 4 nëntor, ku i tregon se dorëzohet dhe se nuk ka mandat ta shqyrtoi ankesën e Hamdi Aliut, ani pse këtë ankesë e kishe mbajtur që nga data  dorëzimit më 13 tetor 2011. Sikur të mos mjaftonte, Kryeministria barrën e vetë ia hedh NjMNP-së.

As kjo e fundit nuk pranoi që ta shqyrtoi ankesën e Aliut. “Njësia për Politika dhe Monitorimin e NP-ve, sipas nenit 37 të LNP, nuk ka këtë kompetencë si organ të shqyrtoi ankesa”, i shkruan drejtori i saj, Ramadan Sejdiu, Kryetarit të Bordit të KMDK-së, Asllan Vitaku më 14 nëntor të këtij viti.

“Preportr” ka provuar të kontaktoi Hamdi Aliun për të parë nëse atij i është kthyer ndonjë përgjigjeje nga Zyra e Kryeministrit, por i njëjti nuk ka qenë i gatshëm që të prononcohej.

Derisa Aliu nuk ka dashur që të flas për këtë punë, dy ditë pas letër-këmbimi të fundit në mes të NjMNP-së dhe bordit të KMDK-së,  Syzana Gashi, Asistente Administrative e Kryeshefit Ekzekutiv të KMDK-së, (tash pozitë e mbajtur nga vëllai i “Kamishit”, Abdullah Haxhiu), lëshon një informatë ku thuhet se KMDK-ja përfundimisht është bërë me Kryeshef Ekzekutiv.

Anëtarët e bordit të KMDK-së e më shumë se dy pozita publike

Në hulumtimin mbi përbërjen e bordit dhe zyrtarëve të lartë të KMDK-së, “Preportr” ka vërejtur se një pjesë e tyre kanë edhe punë të dyta diku tjetër si zyrtarë të lartë. Kështu, Asllan Vitaku, kryesues i bordit të KMDK-së, është edhe menaxher i projekteve në Ndërmarrjen “Trepça”, si dhe ligjërues me kontratë mbi vepër në Fakultetin e Xehetarisë në Mitrovicë, që është degë e Universitetit të Prishtinës.

Tutje, sipas deklarimeve të publikuara të pasurisë,  Bajram Limani, anëtar i bordit të KMDK-së, është i punësuar edhe në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë si Zyrtar i Materialeve të Ndërtimit dhe Resurseve. Pastaj, anëtari tjetër, Eset Rama, punon në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, si Sekretar Koordinues i Qeverisë. Edhe Makfire Osmani, e deklaruar në Agjencionin Kundër Korrupsion (AKK) si kryesuese e bordit të KMDK-së, mban edhe një punën në  Ujësjellësin “Prishtina”, kurse Naim Ferati, po ashtu anëtar bordi, punon edhe si menaxher në Ndërmarrjen Publike “Hidrodrini”- Pejë.

Listës së personave që e kanë deklaruar pasurinë në AKK, si pjesë e KMDK-së, nuk i mungon që dy vite as Isak Rakovica, në cilësinë e anëtarit të bordi të kësaj ndërmarrje. Por Rakovica, në të njëjtën kohë, është edhe Kryeshef Ekzekutiv në Ndërmarrjen Publike Komunale të Komunës së Prishtinës, “Hortikultura”, ku  ka një pagë vjetore prej 7,800 eurosh.

Anti-korrupsioni e din rastin

“Preportr” ka kërkuar interpretim nga AKK-ja nëse ndonjëri nga anëtarët e bordit të KMDK-së, ka konflikt të interesit, por ky Agjencion nuk ka pasur përgjigje për këtë çështje.

Megjithatë në AKK, tregojnë që janë në dijeni për procedurat e zgjedhjes së Kryeshefit Ekzekutiv të KMDK-së. Ata kanë edhe një shpjegim se pse Abdullah Haxhiu figuron bashkë me Hamdi Aliun në listën e personave që duhet ta deklarojnë pasurinë, por që formulari i Haxhiut nuk është publikuar ende.

Zyrtari Hamdi Aliu, sipas AKK-së, është zyrtar i lartë në Komunën e Shtërpcës, në pozitën zëvendës kryesues në Kuvendin Komunal, për të cilën pozitë edhe e ka bërë deklarimin e pasurisë.

Kurse për sa i përket Avdullah Haxhiu, bordi i KMDK-së ka zgjedhur atë si kryeshef me datën 16.11.2011 dhe kështu ka ende kohë që ta bëjë deklarimin e pasurisë, ka konfirmuar për “Preportr”, Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë kundër Korrupsion.