English
Scroll top

Korrupsioni shënon rritje

Në të gjitha raportet vendore dhe ndërkombëtare tregohet se në Kosovë niveli i korrupsionit po shënon rritje. Në raportin e fundit të Transparency International, Kosova radhitet e fundit në rajon me shkallën e korrupsionit. Edhe raportet e gjykatave dhe prokurorive tregojnë për nivel të ulët të luftimit të kësaj dukurie

Prishtinë, 11 Korrik 2013

Prej vitit 2011, kur kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka themeluar Task Forcen Kundër Korrupsionit, në Kosovë janë krijuar një sërë mekanizmash që e luftojnë këtë dukuri. Por, këtyre mekanizmave si duket nuk u ka ecur puna mbarë, pasi niveli i korrupsionit në vend veç po rritet.

Sipas Barometrit të Korrupsionit nga Transparency International (IT), që u bë publik para disa ditësh, 66 % e të anketuarve në Kosovë mendojnë se niveli i korrupsionit është rritur në masë të madhe , kurse 26 % prej tyre mendojnë se ka mbetur i njëjtë. Ndërkaq , rreth 67 % e të anketuarve konfirmojnë se korrupsioni në sektorin publik mbetet si një prej problemeve më serioze në vend.

Sipas këtij barometri prezencë më e lartë e korrupsionit vërehet në sistemin gjyqësor që zë vendin e parë e që pasohet nga partitë politike, shërbimet shëndetsore, Kuvendi, sistemi i edukimit dhe shërbyesit civil.

Sa i përket nivelit të korrupsionit në krahasim me vendet e rajoni, në Kosovë dhe Shqipëri vërehet se është një përqindje e lartë e atyre që mendojnë se korrupsioni ka shënuar rritje dhe atë prej 66%, në Bosnje 65 % , Maqedoni 41%, Kroaci 21%, dhe Serbi 8 për qind.

Jo vetëm Barometri i Korrupsionit i Transparency International, tregon për rritje të korrupsionit në Kosovë dhe pamundësi të prokurorisë në vend që ta luftojë këtë dukuri.

Nivel i ulët i luftimit të korrupsionit

Të dhënat zyrtare të prokurorive dhe gjykatave në Kosovë tregojnë se në vitet e fundit janë rritur rastet e korrupsionit.

Shumë pak lëndë kundër korrupsionit janë shqyrtuar katër vitet e fundit nga gjykatat dhe prokuroritë e Kosovës. Të dhënat tregojnë se gjatë viteve 2008-2012 në prokuroritë dhe gjykatat e Kosovës janë shqyrtuar 45.7 për qind të lëndëve kundër korrupsionit, nga prokuroritë dhe nga gjykatat vetëm 31.5 për qind të këtyre lëndëve.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës  para disa muajve me vendim të veçantë i ka obliguar gjykatat që me prioritet t’i procedojnë çështjet e veprave penale të korrupsionit. Zyrtarë të saj pranojnë se gjykatat nuk i kanë kapacitetet e mjaftueshme për ta luftuar korrupsionin e nivelit të lartë.

“Nëpër gjykatat e Kosovës kemi raste të tilla, por jo të nivelit të lartë nga se lëndë të tilla janë në kompetencë të gjykatësve të EULEX-it”, ka thënë Aishe Qorraj-Berisha, zëdhënëse e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Tanimë sipas zëdhënëses Qorraj-Berisha janë krijuar kushtet dhe gjyqësori ka mundësi të merret edhe me lëndë kundër korrupsionit.

“Gjykatat deri më tani janë përballë me numër të pamjaftueshëm të gjykatësve dhe numrit të madh të lëndëve të mbetura. Tani gjyqësori është më i kompletuar me gjykatës dhe ka mundësi të përballet edhe me vepra të kësaj natyre”, thotë ajo.

Investim i kotë

Kjo rritje e korrupsionit në Kosovë po ndodhë në kohën kur  janë themeluar një numër i mëkanizmave kundër korrupsionit, të cilët dështuan që në fillim të themelimit.

Task Forca kundër korrupsionit e themeluar nga kryeministri Thaçi, pas disa muajsh mbeti pa shefin e saj Nazmi Mustafi. Ai u arrestua dhe dënua për korrupsion.

Me nismën e presidentës së Kosovës, Atifete Jahjaga është themeluar Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit, i cili është mbledhur disa herë, por nuk ka treguar rezultatet konkrete.

Në vitin 2011, qenë përzgjedhur 14 prokurorë kundër korrupsionit të cilët udhëhiqen nga koordinatorja kundër korropusionit, Drita Hajdari.

Hajdari shumë shpesh për mediet është ankuar se nuk ka kapacitete të mjaftueshme për luftimin e korrupsionit.

“Janë gjithsej 14 prokurorë që janë duke punuar kundër korrupsionit në nivel të Kosovës. Duke pasur parasysh numrin e madh të lëndëve që janë nëpër prokurori, ky numër i prokurorëve është i pamjaftueshëm”, pati thënë ajo.

Gjithë ky investim në krijimin e mekanizmave për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar sipas Betim Musliut nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, po bëhet për të treguar se po punohet diçka.

Është fat i keq që investimet më të mëdha të institucioneve qendrore dhe atyre të drejtësisë po bëhen për të treguar se po punojnë, duke shpallur prioritete të ndryshme për luftimin e një sërë krimesh

Betim Musliu IKD

 

 

“Është fat i keq që investimet më të mëdha të institucioneve qendrore dhe atyre të drejtësisë po bëhen për të treguar se po punojnë, duke shpallur prioritete të ndryshme për luftimin e një sërë krimesh”, thotë Musliu.

Por, ajo që nuk po ndodh sipas Musliut, janë rezultatet konkrete të luftimit të këtyre krimeve, siç kanë ndodhur në vendet e rajonit, duke zbardhur veprimet kriminale të jakave të bardha dhe duke ndërprerë krimet e organizuara në vendet e tyre.

“Është koha e fundit që në Kosovë kategoria e gjykatësve dhe prokurorëve të jenë më së paku të rrezikuar apo kërcënuar, sepse kjo flet për një fakt të hidhur, për një bashkëjetesë të tyre më krimin e organizuar, ndërsa në vendet që luftohet kriminaliteti kategoria më e rrezikuar janë pikërisht gjykatësit dhe prokurorët”, thotë Musliu.