English
Scroll top

Korrupsioni po vendnumëron

Shumë pak lëndë kundër korrupsionit janë shqyrtuar katër vitet e fundit nga gjykatat dhe prokuroritë e Kosovës. Të dhënat tregojnë se gjatë viteve 2008-2012 në prokuroritë dhe gjykatat e Kosovës janë shqyrtuar 45.7 për qind të lëndëve kundër korrupsionit, nga prokuroritë dhe nga gjykatat vetëm 31.5 për qind të këtyre lëndëve

Prishtinë, 10 Korrik 2013

Trendi i shqyrtimit të  lëndëve të korrupsionit (veprave penale kundër detyrës zyrtare) në periudhën raportuese 2008-2012, ka qenë i një niveli shumë të ulët edhe me karakter të masave ndëshkuese shumë të buta.

Të dhënat tregojnë  se prokuroritë dhe gjykatat përgjatë viteve 2008-2012, kanë arritur që t’i shqyrtojnë rreth 45.7 % (prokuroritë), vetëm në vitin 2012 prokuroritë kanë arritur t’i shqyrtojnë 46.1 %; dhe rreth 31.5 % (gjykatat) e të gjitha lëndëve kundër korrupsionit që kanë qenë në punë, vetëm në 2012, 37.5%.

Nëse shikohen të dhënat për punën e prokurorive publike, del se një numër shumë i vogël i rasteve të dyshuar për vepra penale kundër detyrës zyrtare (korrupsionit) janë marrë në shqyrtim nga këto prokurori. Por, edhe në ato raste kur këto vepra janë marrë në shqyrtim, pjesa  dërmuese e tyre  janë hedhur poshtë,  janë pushuar hetimet ose,  janë zgjatur pafundësisht hetimet, dhe një pjesë e vogël e rasteve të paraqitura në prokuroritë komunale dhe të qarkut janë vërtetuar dhe për këto raste janë ngritur aktakuzat dhe janë dërguar për procedim të mëtutjeshëm në gjykatat komunale apo të qarkut.

Pak dënime!

Për sa i përket natyrës së dënimeve, të dhënat tregojnë që si tek prokuroritë, por edhe te gjykatat, vendimet që kanë përfunduar me aktakuzë, ose aktgjykime dënuese, janë po ashtu shumë të ulëta.

Nga 46 % e totalit të lëndëve të shqyrtuara nga prokuroritë del se vetëm 23.2 % e tyre kanë përfunduar me aktakuzë, si dhe 76.8 % e tyre janë hedhur poshtë ose kanë përfunduar me urdhër ndëshkimor ose janë zgjidhur në mënyrë tjetër

Raport i Organizatës Çohu!

Nga statistikat vërehet se gjykatat shqyrtojnë si në përqindje po ashtu edhe në numër, nivel më të ulët të lëndëve të korrupsionit për dallim nga prokuroritë publike. Nga 46 % e totalit të lëndëve të shqyrtuara nga prokuroritë del se vetëm 23.2 % e tyre kanë përfunduar me aktakuzë, si dhe 76.8 % e tyre janë hedhur poshtë ose kanë përfunduar me urdhër ndëshkimor ose janë zgjidhur në mënyrë tjetër. Përderisa tek gjykatat vërejmë po ashtu trend të njëjtë të karakterit të gjykimeve ku nga 31.5 % e rasteve, që janë zgjidhur, 60 % e tyre kanë përfunduar me aktgjykime dënuese, ku prej tyre 40 % kanë përfunduara me gjobë.

Vetëm në vitin 2012 nga 37.5% e lëndëve të gjykuara: 56.3% e tyre kanë përfunduar me aktgjykime dënuese dhe 43.7% me aktgjykime liruese. Nga totali i lëndëve të gjykuara për vitin 2012, 183 lëndë, gjithsejt 12% (22 lëndë), e tyre kanë përfunduar me parashkrim.

Tek gjykatat vërejmë po ashtu trend të njëjtë të karakterit të gjykimeve ku nga 31.5 % e rasteve, që janë zgjidhur, 60 % e tyre kanë përfunduar me aktgjykime dënuese, ku prej tyre 40 % kanë përfunduara me gjobë

Raport i Organizatës Çohu!

Neglizhohen lëndët kundër korrupsionit

Nga viti 2008 deri më 2012, del që prokuroritë publike në Kosovë kanë pasur në punë 5694 raste që kanë të bëjnë me vepra penale kundër detyrës zyrtare, të klasifikuara si vepra të korrupsionit. Nga kjo shifër del se janë zgjidhur 2606 raste, përderisa kanë mbetur pa u zgjidhur 3079 raste kundër korrupsionit. Në vitin 2012 në punë kanë qenë 1670 raste, janë zgjidhur 770 raste, kanë mbetur pa u zgjidhur edhe 900 raste.

Në përgjithësi, del se vetëm 45.7 % e lëndëve kundër detyrës zyrtare janë shqyrtuar nga prokuroritë në këto pesë vite, ndërsa lëndët kundër ekonomisë janë shqyrtuar me 62 %. Përderisa, mesatarja e shqyrtimit të lëndëve penale në përgjithësi është 75 %.

Po të shikojmë vendimet  për rastet e shqyrtuara nga prokuroritë publike, del se nga gjithsej  45.7 % (2606), e lëndëve të shqyrtuara, vetëm 23.2 % (605) e tyre kanë përfunduar me aktakuzë dhe  76.2 % (2001) e tyre janë hedhur poshtë ose kanë përfunduara me urdhër ndëshkimore ose janë zgjidhur në mënyrë tjetër.

Në gjykatat komunale dhe të qarkut gjatë viteve 2008-2012, në punë kanë qenë 2036 raste të dyshuara për korrupsion, nga të cilat 643 (31.5 %), raste janë zgjidhur, ndërsa kanë mbetur pa u zgjidhur edhe 1393 raste të dyshuara për korrupsion (vepër penale kundër detyrës zyrtare). Nga gjithsej 643 raste sa janë zgjidhur nga gjykata në periudhën raportuese, mbi 33 raste ju përkasin  gjyqtarëve të EULEX-it.

Nga 31.5 % e lëndëve të gjykuara nga gjykata komunale dhe të qarkut për vitet 2008-12, vetëm 60% e tyre kanë përfunduar me aktgjykime dënuese, ku prej tyre 27 % kanë përfunduara me gjobë. Ndërsa 40 % e lëndëve të gjykuara kanë përfunduara me aktgjykim lirues, ose janë zgjidhur në mënyra tjera.

Brenda një kornize të tillë të të dhënave statistikore e gjithë retorika qeveritare për zero tolerancë kundër korrupsionit tregohet e dështuar.