English
Scroll top

Kazanët e Ferr-onikelit

Ish-punëtorët e ndërmarrjes “Ferronikeli” të cilët janë larguar nga puna në qershor të këtij viti thonë se marrëdhënia menaxher-punëtor shpesh ka qenë si raporti izraelito – palestinez. Shumica prej tyre kanë kredi në banka dhe tash pa pagë s’kanë si t’i paguajnë. Disa prej të larguarve u është ndërprerë kontrata derisa ishin në pushim mjekësor që është e ndaluar me ligj. Lëndimet që kanë marrë këta punëtorë i kanë paaftësuar për të filluar sërish punë diku tjetër

28 Gusht 2012

Halim Morina është i papunë pasi menaxherët e Ferronikelit kishin vendosur t’ia ndërprisnin kontratën derisa ai ishte nën trajtim mjekësor për shkak të lëndimeve të marra duke punuar në fabrikën e Ferronikelit  Halimi është mbi 50 vjeç, i martuar dhe deri në momentin kur u hoq nga puna ishte i vetmi prej tetë anëtarëve të familjes së tij që punonte dhe sillte të ardhura. Aksidenti i tij në punë ka qenë tepër i rëndë. Ai ka rënë në kanalin me ujë të nxehtë (i cili ka qenë i hapur për një kohë të gjatë) që përdoret për ftohjen e furrave të fabrikës. Trupi i tij është zhytur në njërin prej këtyre kanaleve deri në mes duke shkaktuar djegie të shkallës së tretë, të cilat e kanë paralizuar për tri javë. Ky aksident ka ndodhur në janar të këtij viti. Ndërkohë në të njëjtin kanal famëkeq, tre muaj para këtij aksidenti, pati humbur jetën edhe një punëtor tjetër, Armend Fejza, i moshës 24 vjeçare. Këto janë dy nga rastet më të rënda lidhur me këtë lloj aksidenti në punë në fabrikën e Ferronikelit, por punëtorët vetë shpjegojnë se ka pasur edhe plot raste të tjera, kur punëtorët kanë rënë në këtë kanal, por të aksidentuarit kanë qenë më me fat, pasi temperaturat e ujit në ato momente kanë qenë më të ulëta.

Që prej privatizimit jo vetëm se shumë punëtorë janë nxjerrë mes katër rrugëve duke humbur vendin e punës por tashmë vendi i punës atyre që punojnë u rrezikon dhe jetën.

“Ferronikeli” ishte privatizuar më fundin e vitit 2005 për 30 milionë euro nga kompania Cunico Resource, kundër vullnetit të punëtorëve. Mënyra e privatizimit të tij ishte shoqëruar për një kohë të gjatë me kritika të shumta të shoqërisë civile. Sidomos, për çmimin që e konsideronin të ultë. Sipas një dokumentari të organizatës ÇOHU, pak para privatizimit të këtij gjiganti, Hashim Thaçi kishte kërkuar nga qytetarët e Drenasit që të përkrahin këtë privatizim sepse sipas tij ky privatizim do të sjellë edhe zhvillim ekonomik jo vetëm të Drenasit por edhe të tërë Kosovës.

Heshtja në “këmbim” të vendit të punës

“Unë nuk kam guxuar të kërkoj dëmshpërblim se jam frikuar që më qesin prej pune”, thotë Morina në intervistën për Preportr, kur shpjegon se pse nuk e ka paditur menjëherë kompaninë. Megjithatë ky qëndrim i Halimit ndryshoi kur kompania e largoi prej punës në qershor të vitit 2012, me pretekstin se afati i kontratës së tij kishte përfunduar tashmë, bashkë me afatet e kontratave të 85 punëtorëve të tjerë. Pas largimit nga puna Halimi e ka paditur Ferronikelin për shkelje të Ligjit të Punës dhe ka kërkuar dëmshpërblim. Halimi sot është në pritje të vendimit të gjykatës, duke qenë gjithashtu i vetëdijshëm se pas këtij aksidenti nuk do të jetë më i aftë për të kryer shumë prej punëve që ka kryer më parë.

“Tokat që ne kemi pasur si familje janë shpronësuar 40 vjet më parë nga ndërmarrja e Ferronikelit”, thotë Halimi, “dhe ne nuk kemi asnjë të ardhur tjetër në familje”.

Një fat të ngjashëm e ka pasur edhe Avni Hasani i cili ka qenë shef i ekipit të zjarrfikësve në Ferronikel. Ai është sot i papunë dhe të gjitha raportet mjekësore e rekomandojnë atë që të aplikojë për pension invalidor. Fizioterapinë e ka ndërprerë meqë i kushton dhe tashmë nuk ka rrogë. Të ardhurat e tij prej 395 eurosh që merrte prej punës së rrezikshme që bënte ishin burimi i vetëm për familjen 12 anëtarëshe, shpjegon Hasani. Ai ishte përplasur me njërën prej dyerve të ulëta dhe kishte pësuar frakturë në dy unaza kurrizore.

Gjatë punës së zakonshme ditore ai tregon se i kanë pasur deri në katër intervenime të zjarrfikësve. Ditën e aksidentit kishin qenë vetëm dy zjarrfikës në ndërrim.

I lënduar më 20 prill të vitit 2010 ai shpjegon se u dërgua në emergjencë në Prishtinë me njërën prej veturave të kompanisë.

“Nuk më kanë sjellë me veturën e ambulancës së Ferronikelit, por me një xhip të menaxherëve për të mos u kuptuar se po ndodhin aksidente në kompani”, thotë Hasani. Pas dërgimit në emergjencë kishte qëndruar katër muaj në pushim mjekësor. “U ktheva për të ruajtur vendin e punës pasi menaxheri Iftam Ben Shlomo përgjegjës për emergjenca më kërkoi të kthehesha në punë. Aty kryhet puna në mënyrën izraelito-palestineze”, shpjegon Hasani.

Ai kishte marrë pushim pa pagesë gjatë muajve nëntor dhe dhjetor. “Kam dhimbje të forta kohë pas kohe, nuk mund të flejë deri vonë, nganjëherë më humb edhe të pamurit për 10-15 sekonda. Shërimi im kushton rreth 12 mijë euro. Ndoshta për këtë më kanë larguar”, thotë ai.

Hasani shpalos edhe një moment delikat pas largimit të tij nga puna. Ai kishte dërguar një e-mail e cila do të konsiderohej kërcënuese  në listën e adresave elektronike të punëtorëve të Ferronikelit. Për të njëjtin e-mail ishte mbajtur katër orë në stacionin policor në Prishtinë pasi ishte arrestuar prej forcave të njësisë speciale. Ai në atë e-mail duke kërkuar nga menaxhmenti ta kthejnë në punë për shkak të lëndimeve që ka marrë dhe për shkak se nuk mund të gjejë diku tjetër vend pune. Thotë se nuk është i lumtur për këtë që i ka ndodhur dhe e përfundon e-mailin e tij prej rreth dyqind fjalëve me “Do ta bëj një veprim që do ta merr vesh gjithë bota, diçka të ngjashme si në Oslo”. Këtu ai i është referuar Andres Breivikut i cili është akuzuar në 2011 për vrasje masive të 90 personave.

Dorën bën ta humbësh, por jo punën

Shkeljet e të drejtave, lëndimet në punë, rrezikimi i jetës ... të gjitha këto i pranon si ngjarje të kësaj ndërmarrjeje kryetari i sindikatës së Ferronikelit, Fehmi Nika, ndërsa nuk është optimist se punëtorët mund të përdorin rrugë të tjera për të drejtat e tyre përpos gjykatave. Ndërkaq, protestat i përmend në fund. Nika e konfirmon se me punëtorët e larguar nga puna po ndodhë më e keqja. Ai thotë se asnjë prej tyre nuk ka gjetur punë diku tjetër. Shumica kanë kredi prej bankave që kanë supozuar ta paguajnë me këstet e pagës.

“A di çka është më e keqja? Punëtori shkrin mundin dhe derdh djersën për 30 vjet aty, e kur e largojnë ai s’ka të drejtë me u kthy me i marrë as syzet, telefonin apo ndonjë literaturë”. Edhe Nika frikësohet. Ai nuk jep emra të punëtorëve të lënduar në punë se ka frikë se i largojnë ata. Por ai rrëfen historitë e tyre.

“Ka njerëz që kanë humbur gjymtyrët. Njëri e ka humbur dorën, por nuk guxon t’u bëjë padi për dëmshpërblim të dëmtimeve trupore se mund të humbë vendin e punës”, thotë ai.

Kurse për largimin e punëtorëve thotë se edhe ata që nuk janë larguar kanë përjetuar shtypjen nga menaxherët. Sipas tij, ata janë vënë para një presioni dhe pozicioni shumë të vështirë.

“Menaxhmenti iu ka thënë punëtorëve të mbetur që të nënshkruajnë një peticion i cili pohonte se ata distancohen prej grevave dhe protestave të punëtorëve të larguar”, tregon Nika.

“Kontrata i kemi pasur njëvjeçare por pas Vitit të Ri janë bërë për nga tre muaj”

Iu ndërpritet kontrata derisa ishin në pushim mjekësor!

Punëtorit Halim Morina i është ndërprerë kontrata e punës derisa ai ishte në pushim mjekësor. Edhe pse ai u lëndua shumë rëndë duke punuar për këtë kompani, ky fakt nuk ishte relevant për menaxhmentin e Ferronikelit të cilët ia ndërprenë kontratën në mënyrë të padrejtë, pasi që ai ishte ende në pushim mjekësor.

Kryeinspektori Basri Ibrahimi nuk është i njoftuar me këtë rast.

“Ne nuk dimë asnjë rast të vetëm që i është ndërprerë kontrata derisa ka qenë në pushim mjekësor”, thotë ai.

Sipas tij, me Ligjin e Punës nuk parashihet dëmshpërblimi i punëtorit nga ana e punëdhënësit dhe se ky ligj nuk parasheh kohë se deri kur do të duhet të vazhdojnë shpenzimet e kurimit.

“Me Ligjin e Punës është e rregulluar vetëm 90 ditë pas lëndimit. Pjesa tjetër duhet me u rregullua me ligjin e sigurimeve shëndetësore. Ndërkaq për shpenzime të tjera Ligji i Punës nuk parasheh asgjë, por punëtori ka të drejtë të ngrejë padi. Vetëm nëse e konstaton gjykata si shkelje, atëherë duhet të kompensohet”, thotë Ibrahimi.

“Edhe nëse i skadon kontrata duhet me iu vazhdua shërimi për 90 ditë. Kontrata nuk guxon të ndërpritet, ashtu sikur nuk guxon të ndërpritet gjatë pushimit të lehonisë dhe ne me shumë këmbëngulësi e mbrojmë këtë të drejtë”.

Sipas Ligjit të punës, ndërprerja e kontratës nuk konsiderohet gjatë pushimit mjekësor. Në nenin 12, thuhet se “vazhdimi i punësimit të të punësuarit, nuk konsiderohet si ndërprerje e marrëdhënies së punës, si në rastet e mëposhtme: 1.1.  pas shfrytëzimit të pushimit vjetor,  pushimit mjekësor, pushimit të lehonisë ose çfarëdo pushimi tjetër të marrë në  përputhje me ligjin”

Të njëjtin fat (të keq) e ka pasur edhe Behar Morina. Është lënduar në “Ferronikel”. Ka marrë pushim mjekësor. I është ndërprerë kontrata. Ai kishte punuar pesë vjet në këtë kompani.

Behari thotë se pas pushimit mjekësor i është rekomanduar që të marrë pushimin vjetor, ndërsa gjatë këtij pushimi i ka ardhur vendimi për mosvazhdim të kontratës.

“Jam lënduar në muajin shkurt të këtij viti. Kam qenë duke punuar kur më ka rënë një hekur dhe më ka shkaktuar pasoja të mëdha. Ma ka dëmtuar ligamentin e këmbës dhe më ka shkaktuar trombozë dhe shkurtim të muskujve. Pasi që e kam kryer pushimin mjekësor jam kthyer në punë, por më kanë rekomanduar që ta marrë pushimin vjetor. Pasi e kam marr pushimin, pas katër ditëve më ka ardhur vendimi për mosvazhdim të kontratës”, thotë Behari.

Edhe ai si kolegët e tij ka paditur Ferronikelin dhe është në pritje të shqyrtimit të lëndës së tij.

“Rastin e kam paraqitur në gjykatë dhe kërkoj dëmshpërblim. Tash po pres kur të vijë koha për t’u shqyrtuar lënda”, thotë ai.

Avniu, Behari dhe Halimi nuk janë njoftuar paraprakisht për ndërprerje të kontratës, siç parasheh edhe neni 70 i Ligjit të Punës, pika 3 ku thuhet: “Punëdhënësi duhet që të mbajë takim me të punësuarin për t’ia shpjeguar atij/asaj ndërprerjen e kontratës së punës ose me qëllim që t’ia dorëzojë paralajmërimin, i punësuari ka të drejtë që të shoqërohet nga një përfaqësues sipas dëshirës së vet”.

"Në industri lëndimet janë normale"

Megjithatë, menaxhmenti i “Ferronikelit” nuk pranon se ka bërë ndonjë shkelje. Për ta ligji është respektuar në përputhmëri. Natyrisht, sipas tyre kompania i ka marrë te gjitha masat qe të mos këtë lëndime serioze. Por ata nuk kanë pranuar të flasin për rastet e lëndimeve të punëtorëve në veçanti. Ata kanë zgjedhur që të flasin për çështje krejt të tjera dhe persona të tjerë.

“Të gjithë punëtorëve që janë në moshë prej 60 deri 63 do t’u jipen për dy vjet me radhë nga 100 euro, kurse të gjithë atyre që janë mbi 63 vjet, do t’u jepen nga 100 euro deri në pension” thotë Shpëtim Ukaj, zyrtar për informim në këtë ndërmarrje.

Kurse sa iu përket mbi 80 punëtorëve që janë lënë në rrugë përmes kontratave që nuk u janë vazhduar, mjaftohen të thonë se ligji është respektuar 100 për qind. “Sa i përket mosvazhdimit të kontratave per rreth 80 puëetorë te Ferronikelit, ligji eshte respektuar 100%, dhe kjo gjë është konfirmuar edhe nga inspektoriati i Ministrisë se Punës dhe Mirëqenies Sociale” thuhet në përgjigjen e Ukajt.

Lëndimet janë normale thonë. “Sa i përket lëndimeve në punë, në industri të rënda, kjo gjë është e mundshme” thotë ai duke shtuar se masat janë marrë përmes trajnimeve të ndryshme për punëtorët, me vendosjen e ambulantës aty.

“Ne mund të themi që rastet e lëndimit në punë, vitet e fundit janë shumë më të vogla sesa ishin në kohën kur kompania vepronte si ndërmarrje shoqërore, dhe kjo si pasojë e investimeve në pajisje dhe trajnime të personelit” shton Ukaj.

“Ferronikeli” ka pasur një kontratë e cila është cilësuar shumë e volitshme për këtë ndërmarrje dhe dëmtuese për KEK-un e meqënëse rryma që i është ofruar ka qenë shumë më e lirë. Kontrata ishte lidhur që prej fillimit të funksionimit të kësaj kompanie përmes privatizuesit të ri dhe vazhdoi deri në prill të vitit 2011.

Ndërmarrja hyn ndër ndotësit më të mëdhenj të vendit. Në të kanë ndodhur shumë shpërthime. Ferronikeli u ndërtua më 1984 dhe nga kjo kohë prodhon hekur dhe nikel vetëm për eksport.

Kapacitetet e përpunimit të dy shkritoreve janë 45 000 tonë në vit.