English
Scroll top

Fushata e burrave

Nëse e rikujtojmë shkurtimisht fushatën e fundit për zgjedhjet nacionale në Kosovë, do të na vinin ndërmend dhjetë ditë fushatë burrash. Kandidatët për kryeministër ishin të gjithë burra, 70% të listave zgjedhore me kandidatë ishin burra, qytete të mbushura me posterë reklamues të burrave, emisione ku diskutonin burrat me burra, tubime ku edhe folësit edhe pjesëmarrësit ishin shumica burra

Prishtinë, 31 Korrik 2017

Burrat dhe gratë formalisht kanë të drejta të barabarta për t'u angazhuar politikisht dhe për të marrë pjesë në të gjitha proceset politike. Në praktikë, megjithatë, shpesh është e vështirë për gratë që ta ushtrojnë këtë të drejtë. Politika tradicionalisht si një fushëbeteje burrash, shumë herë është e papërshtatshme madje edhe armiqësore për gratë.

Në mbarë botën, gratë dhe burrat nuk i kanë mundësitë e njëjta për të marrë pjesë në sferën politike. Kjo bëhet edhe më e prekshme kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen në zgjedhje.

Në shoqëritë ku janë të forta vlerat patriarkale, gratë përballën me barriera praktike për të hyrë në garë zgjedhore duke përfshirë kështu paragjykimet lidhur me aktivitetin e tyre publik, mungesën e burimeve financiare, nivelin e ulët të arsimit, mungesën e hapësirës në vendimmarrje brenda subjekteve politike, paraqitjen diskriminuese në media si dhe përgjegjësinë më të madhe familjare e cila shpesh ua limiton pjesëmarrjen në aktivitete publike.

Nëse e rikujtojmë shkurtimisht fushatën e fundit për zgjedhjet nacionale në Kosovë, do të na vinin ndërmend dhjetë ditë fushatë burrash. Kandidatët për kryeministër ishin të gjithë burra, 70% të listave zgjedhore me kandidatë ishin burra, qytete të mbushura me posterë reklamues të burrave, emisione  ku diskutonin burrat me burra, tubime ku edhe folësit edhe pjesëmarrësit ishin shumica burra etj.

Si rezultat i krejt kësaj atmosfere për dikë të favorshme e për dikë jo, shumica e grave sidomos ato që kandidonin për herë të parë për deputete, nuk arritën të gjejnë hapësirë të barabartë me kandidatët burra.

Rrallëherë është ngritur diskutimi lidhur me ndikimin që mund të kenë paratë në garën zgjedhore. Me rritjen e kostos së fushatës zgjedhore është rritur edhe konkurrenca në mes të kandidatëve për deputetë. Ata që kanë të ardhura financiare më të mëdha, po arrijnë të "blejnë" më shumë hapësirë për vetën, e si rezultat edhe të fitojnë më shumë vota.

Kjo do të thotë se disa kandidatë hyjnë në fushë të lojës me më shumë përparësi se të tjerët. Paratë po e bëjnë të pabarabartë garën në mes kandidatëve burra dhe gra. Gratë në përgjithësi kanë më pak burime materiale sesa burrat e sidomos në Kosovë ku numri i grave të papuna është më i larti në rajon. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës mbi 80% e grave janë të papuna dhe nuk kanë qasje në ekonominë e vendit.

Shqipe Gjocaj, aktiviste për barazi gjinore, thotë se gjendja ekonomike e grave në vend ndërlidhet me mundësitë financiare për një fushatë të plotë që kushton.

"Zhvillimi i një fushate që të ofron vizibilitet kërkon para dhe gjendja ekonomike e grave sigurisht që është ndër kufizimet kyçe për ato që kandidojnë. Grave në Kosovë u mungon fuqizimi ekonomik, shumë janë të papunësuara, por edhe shumë prej atyre që punojnë nuk e zotërojnë kuletën e tyre dhe nuk i kontrollojnë të ardhurat e tyre vet", ka thënë ajo.

Organizata Çohu dhe Demokracia Plus kanë monitoruar shpenzimet e partive politike në këtë fushatë zgjedhore. Të dhënat lidhur me shpenzimet në reklama televizive, portale, gazeta dhe në billborda janë analizuar nga Preportr në aspektin gjinor. Ky hulumtim ka gjetur se në të gjitha format e reklamimit burrat kandidatë kanë investuar shumë më shumë para se gratë.

Rrugët e qyteteve ishin të stërmbushura me billborda e postera por rrallë të shihte syri ndonjë grua. Në një monitorim të 269 billbordave në disa lagje të Prishtinës për tri ditët e fundit të fushatës, Preportr ka gjetur se vetëm 8 prej tyre promovonin kandidatet gra, apo shprehur në përqindje 97.03% të billbordave ishin të kandidatëve burra ndërsa vetëm 2.97% të grave.

Me zhvillimin e shpejtë të mediave online është rritur edhe mundësia për të përdorur hapësirën e tyre reklamuese për fushatë. Kjo është vënë re sidomos në fushatën e fundit ku kishte një numër jashtëzakonisht të madh të kandidatëve për deputetë të cilët kanë investuar para në këtë formë të reklamimit. Preportr ka gjetur se nga 746 reklama në portalet informative (Koha Net, Gazeta Express, Zëri, Indeksonline, Insajderi, Telegrafi, Gazeta Blic, Lajm) 82.31% reklamonin kandidatët burra dhe vetëm 17.69% të grave.

Rezultate të ngjajshme kanë dalur edhe nga monitorimi i reklamave në gazetat ditore (Bota Sot, Epoka e Re, Koha Ditore, Zëri, Kosova Sot). Nga 218 reklama të monitoruara për nëntë ditë fushatë (me 4 qershor nuk ka pasur gazeta), vetëm 19.27% promovonin gratë kandidate ndërsa 80.73% burrat.

Investimi më i madh në këtë fushatë është bërë në spotet dhe reklamat televizive. Përveç kostos së prodhimit të një spoti reklamues, kandidatët kanë paguar shumë edhe për hapësirën në televizione. Meqë reklamat e tilla kanë kushtuar shumë, gratë kandidate kanë arritur të jenë shumë pak prezente në televizione. Nga 40559 sekonda reklama të monitoruar, Preportr ka gjetur se 88.36% e tyre promovonin burrat kurse 11.64% gratë. Është e rëndësishme të përmendet që pjesë e analizës janë vetëm reklamat që kanë promovuar kandidatët për deputetë e jo reklamat e subjekteve politike apo kandidatëve për kryeministër. Po të merreshin parasysh edhe ato reklama, hapësira e grave vetëm sa do të kufizohej. Kjo për arsye sepse në shumicën e spoteve të partive politike ishin personazhet burra (kryetarët e partive apo kandidatët për kryeministër).

Preportr ka kontaktuar me zyrtarë të partive politike për të marrë përgjigje lidhur me atë se a janë financuar fushatat e kandidatëve nga partia apo nga vetë kandidatët. Megjithatë përgjigje ka marrë vetëm nga zëdhënësit e VV-së dhe AAK-së të cilët kanë thënë se fushatat e kandidatëve janë paguar nga vetë ata me përjashtim të kandidatëve për kryeministër.

Numër i vogël i grave në debate televizive

Për shkak se zgjedhjet ishin të jashtëzakonshme dhe partitë politike  përpiluan  listat me kandidatë për deputetë thuajse në minutat e fundit, fushata e grave kandidate u vështirësua edhe më shumë. Përveç ish deputeteve apo grave që kishin pasur më herët ndonjë post me rëndësi, kandidatet tjera nuk kishin të krijuar ndonjë profil publik. Në këtë drejtim rol të madh gjatë fushatës kanë mediat e sidomos debatet televizive ku kandidatët paraqesin programet e tyre dhe partive që u përkasin.

Meqë ishin vetëm dhjetë ditë fushatë, partitë politike u siguruan që në debate politike të paraqiten me kandidatët të cilët tashmë ishin të njohur për qytetarët, e që fatkeqësisht ishin shumica burra.

Analistja Besa Shahini, ka thënë për Preportr se meqenëse gratë i kanë disa vende të garantuara, partitë e shohin se ato nuk kanë nevojë të ekspozohen gjatë fushatës dhe si rrjedhojë i dërgojnë burrat nëpër debate e tubime.

“Gratë janë më pak vendimmarrëse në politikbërje, për shkak të shtypjes së kahmotshme që i bën ato më pak të zëshme dhe më pak të përfaqësuara. Kështu që partitë kur vendosin se kë ta dërgojnë nëpër emisione e tubime, vendosin për burrat që janë më "kompetent" për tema të ndryshme ngaqë kanë qenë pjesë e proceseve vendimmarrëse”, ka thënë ajo.

Preportr ka analizuar debatet televizive për të parë pjesëmarrjen e kandidateve gra dhe ka gjetur se atyre u është dhënë hapësirë dukshëm më e vogël se burrave.

Pavarësisht se drejtuesit e emisionit  "Debat Pernime"  kërkuan nga partitë politike që në debate të dërgojnë së paku një kandidate grua në tre përfaqësues, jo të gjitha subjektet e respektuan këtë rregull.

Në të dhënat që ka mbledhur Preportr në monitorimin e këtij emisioni gjatë fushatës zgjedhore, del se nga 81 kandidatë pjesëmarrës, 62 ishin burra dhe 19 ishin gra.

Poashtu në debatet e përditshme zgjedhore në  “TV Dukagjini”, nga 25 kandidatë që u paraqitën kanë marrë pjesë 20 burra dhe vetëm 5 gra.

Me këtë hapësirë të vogël të paraqitjes së kandidateve gra, këto të fundit nuk kanë arritur të shfrytëzojnë debatet zgjedhore për të prezantuar planin e tyre politik dhe si rrjedhojë kanë mbetur nën hijen e burrave të partisë.

Në një raport të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) mbi pengesat e pjesëmarrjes së grave në politikë të publikuar në vitin 2015, thuhet se 62% e grave të anketuara besojnë se partia e tyre nuk ka një strategji mediale për promovimin e imazhit të grave në politikë.

Linda Gusia, profesoreshë në Fakultetin Filozofik në UP, mendon se dominimi i debateve zgjedhore nga burrat tregon për mungesë të barazisë elementare në reprezentim të kandidatëve. “Edhe në aspekt të reprezentimit, që është thuajse formal, nuk kemi pa tentimin më të vogël të partive politike për të ndryshuar në të mirë.  Ne duhet të insistojmë në reprezentim më të madh të grave në hapësira publike”, ka thënë Gusia.

Sipas aktivistes për të drejtat e grave, Shqipe Gjocaj, mungesa e grave në debate televizive është tregues tipik i mendësisë së udhëheqësve politikë. “Ata janë të preokupuar vetëm të përmbushin kuotën gjinore që të mund të kandidojnë ashtu siç e kërkon ligji, dhe përtej asaj nuk duan t’ia dinë. Pra partitë politike nuk i shohin gratë si kandidate të barabarta dhe potencial e resurs, por vetëm si mjet për të mos rënë ndesh me ligjin. Demokracia gjinore që ata pohojnë se e gëzojnë në partitë e tyre është krejtësisht sipërfaqësore”, ka thënë ajo.

Partitë nuk kanë bërë as minimumin për çështje gjinore

Si çdo herë edhe në këtë fushatë u përfolën shumë listat e kandidatëve për deputetë. Në këtë mes, u stërholluan  veçanërisht profilet e kandidateve gra nën njëfarë dyshimi se a e meritonin me të vërtetë ato ulësen në parlament, pavarësisht se pjesëmarrja e tyre në zgjedhje do të duhej të shihej e barabartë si e burrave.

Është e qartë se diskutimi lidhur me politikanet gra vetëm si numra apo vetëm në nivel përfaqësimi nuk është i shëndoshë dhe i ngujon ato brenda kornizave ekzistuese. Megjithatë shpesh ekzistojnë standarde të dyfishta kur është fjala për gratë kandidate për deputete. Nga ato kërkohet përsosmëri në raport me kandidatët burra.

Ligji për barazi gjinore parasheh së paku 30 për qind të kandidateve gra në listat e partive politike. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ-ja duhet të sigurojë që listat e partive të aplikojnë kuotën gjinore në mënyrë që të certifikohen. KQZ-ja duhet gjithashtu të zbatojë kuotën gjinore edhe në shpërndarjen e vendeve në Kuvend mes partive politike.

Asnjë parti apo koalicion politik në këto zgjedhje nuk ka tejkaluar numrin prej 33 kandidateve gra në listat zgjedhore. Përgjithësisht partitë politike në secilën palë zgjedhje janë arsyetuar se nuk kanë arritur të gjejnë më shumë gra që janë të gatshme të përfshihen në lista. Mirëpo ky argument kësaj here thuajse është demaskuar me rastin e koalicioneve të partive të cilat në zgjedhjet e tjera kanë mbërritur veç e veç të gjejnë 33 gra kandidate, ndërsa në këto zgjedhje kanë përfshirë numrin e njëjtë të grave edhe pse ishin koalicione.

Përderisa disa e kontestojnë vlerën e kuotës gjinore, shumica e shohin pozitive në luftën për barazi gjinore. Duke parë pengesat e shumta që hasin gratë e përfshira në politikë, zbatimi i legjislacionit për kuotën gjinore ka hapur rrugë për shumë gra politikane.

Preportr ka analizuar të dhënat për përfshirjen e grave në Parlamentin e Kosovës dhe ka gjetur se numri i grave që janë zgjedhur me votë (pa nevojën e kuotës) është rritur ndër vite.

Përderisa në zgjedhjet e vitit 2007 ishin vetëm 16 gra që ishin zgjedhur pa kuotë, në zgjedhjet e vitit 2017 numri i tyre është rritur në 21.

Linda Gusia mendon se sistemi i kuotave ka ndikuar që të kemi më shumë gra të angazhuara politikisht. Sipas saj po të mos kishin qenë kuotat as 33 gra nuk do të ishin përfshirë në listat e partive politike. “Është simptomatike rasti i deputetes Vjosa Osmani, e cila në momentin që nuk ishte e dëgjueshme ndaj krerëve të partisë u ndëshkua me numër. Për krejt gratë gjykimi është shumë më i ashpër sesa për burrat”, ka thënë Gusia.

Megjithatë ajo mendon se “nuk është më rëndësi vetëm me pasë gra biologjikisht në parlament, por ka rëndësi edhe çfarë agjende politike do të përcjellin ato. Kemi pasë rastin e Margaret Thatcher e cila ka qenë grua vet, mirëpo politikat që ajo ka praktikuar në Angli kanë dëmtuar drejtpërdrejtë gratë”.

Është fushata e parë zgjedhore në Kosovë  kjo që çështjet gjinore  janë përfshirë në diskursin publik. Dhe kjo është shumë mirë. Megjithatë është shumë e rëndësishme të vlerësohen qëndrimet e partive politike lidhur me këtë.

Përgjithësisht programet zgjedhore të partive politike këtë temë e kanë trajtuar si periferike. Gratë dhe barazia gjinore janë përmendur si pjesë të ndonjë pike që kishte të bënte me buxhetin, ligjin, punësimin, të drejtat e njeriut etj. Por në shumicën e herëve nuk kishte ndonjë plan të detajuar se si qeveria e ardhshme do të rriste numrin e punësimit apo arsimimit të grave.

Pika e cila ka ngritur më së shumti diskutim në publik lidhur me barazinë gjinore në këtë fushatë ka qenë pushimi prindëror i cili edhe pse i rëndësishëm me ose pa dashje largoj vëmendjen nga problemet ekzistenciale të grave në Kosovë. Kësisoj për gratë u fol vetëm si nëna, pra brenda rolit të amësisë e jo si qytetare aktive.

Për dallim nga Lëvizja Vetëvendosje e cila në  planin e saj qeverisës ka paraparë që pushimi prindëror të ndahet mes burrit e gruas, Lidhja Demokratike e Kosovës ka ofruar 12 muaj pushim të lindjes pa pagesë vetëm për gratë, qëndrim ky që u kritikua nga aktivistët për barazi gjinore.

"Partitë politike janë munduar ta adresojnë gruan duke premtuar zgjidhje për çështje që lidhen me riprodhimin, pra duke ofruar pushim të lehonisë dhe çerdhe për fëmijë. Këtu do të veçoja LVV-në që ka ofruar pushim prindëror. Unë dyshoj që burrat do të merrnin pushimin prindëror në masë të madhe, por vetë fakti që do të ekzistonte mundësia për një gjë të tillë do të ishte hap i mirë drejt çlirimit të gruas nga barra e obligimit parësor të kujdesit ndaj fëmijëve", ka thënë Besa Shahini.

Sipas saj nuk është e mjaftueshme të adresohen vetëm çështjet e riprodhimit, dhe atë veç në dobi të ekonomisë, pra për t'i mundësuar gruas të kthehet në treg të punës sa më shpejt pas lindjes. "Patriarkalizmi në Kosovë është i thellë dhe gruaja ka qenë dhe mbetet e shtypur. Kështu që zgjidhjet duhet të jenë radikale dhe të prekin të gjitha sferat shoqërore, si arsimimin, pronën, kulturën, etj.", ka thënë Shahini.

Edhe në rastet kur u adresua çështja gjinore gjatë fushatës, përsipër për t'ua garantuar barazinë grave e morën burrat. Në një raport preliminar për fushatën zgjedhore të publikuar nga Demokracia në Veprim, në aktivitetet e subjekteve politike, ku pikërisht është folur për barazi gjinore, fjalën e kanë pasur 810 burra dhe vetëm 217 gra.

Sigurisht që rritja e numrit të grave në politikë nuk do të ndryshojë automatikisht gjendjen e grave në Kosovë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ato të përfshihen në politika përparimtare e që do të qonin drejt barazisë gjinore. Megjithatë të dhënat e paraqitura në këtë hulumtim nuk do të duhej të shiheshin vetëm si statistika. Qëllimi është që përmes monitorimit të hapësirës së kandidateve gra në fushatë të hapet diskutimi lidhur me atë se ka nevojë urgjente për përfshirje dhe angazhim të grave në sferën publike si dhe ndryshim të diskursit politik në raport me çështjen gjinore.