Cito-kontrabanda

Për shkak të mungesës së citostatikëve në Klinikën e Onkologjisë, pacientët e prekur nga kanceri detyrohen që t’i blejnë ato të kontrabanduara. Preportr, ka gjetur citostatikë të tillë edhe në Klinikën e Onkologjisë, me të cilat trajtoheshin pacientët. Institucionet përgjegjëse, thonë se nuk kanë njohuri që pacientët trajtohen me këso barna në këtë klinikë. Për të gjetur citostatikë ilegalë është e lehtë, mjafton të kërkosh nëpër barnatore apo të kontaktosh ndonjë kompani farmaceutike, e cila të...

Prishtinë, 14 Janar 2015

Qindra individë të prekur nga kanceri çdo vit domosdoshmërisht u nënshtrohen terapive me citostatikë. Citostatikët si medikamentet më të shtrenjta farmakologjike u sjellin përfitime marramendëse kontabanduesve të shumtë. Këtu shëndetësia e njohur si profesioni më human e humb kuptimin dhe merr një dimension krejt tjetër. Tregtia me shëndetin dhe jetën e pacientëve më të pashpresë është shumë e egër. Ajo nuk zgjedh mjete dhe metoda për të arritur deri tek përfitimi, sado që biznesi me këto lloj medikamentesh mund të jetë fatal për shumë pacientë.

Furnizimi nga Ministria e Shendetësisë nuk përmbush as për së afërmi nevojat e pacientëve që trajtohen në Klinikën e Onkologjisë në QKUK.

Si pasojë pacientët detyrohen të blejnë citostatikë në tregun privat ku edhe qarkullimi i medikamenteve të kontrabanduara është tejet i madh.

Preportr, gjatë hulumtimit përveç që ka hasur në citostatikë të kontrabanduar, kryesisht në barnatoret afër QKUK-së, ka vërejtur edhe dallime të mëdha në çmime, që sipas profesionistëve të kësaj fushe, ky dallim në çmim tregon se medikamentet në fjalë janë të kontrabanduara.

Klinika e Onkologjisë, në mungesë të furnizimit me medikamente, pacientët i trajton me citostatikë të blerë në tregun privat nga vetë pacientët, e që sipas hulumtimit del që pjesa më e madhe janë të kontrabanduara.

Për t’i ikur përgjegjësisë, në rast të efekteve anësore të këtyre citostatikëve si dhe dhënies së citostatikëve të kontrabanduar në një institucion publik, mjekët në Klinikën e Onkologjisë, detyrojnë pacientët të nënshkruajnë një dokument. Sipas këtij dokumenti, për të cilin duket se asnjë institucion tjetër përgjegjës nuk është në dijeni, pacientët bartin përgjegjësinë për pasojat që mund të kenë nga trajtimi me medikamente ilegale.

Sipas të dhënave, duket se citostatikët që përfundojnë në tregun privat vijnë kryesisht nga vendet e rajonit ku këto medikamente rimbursohen nga shtetet përkatëse.

Për më tepër, dyshime ka edhe se një pjesë e citostatikëve dalin ose vidhen në institucionet publike, si në Klinikën e Onkologjisë apo nga barnatorja qendrore dhe përfundojnë në tregun privat.

Agjencioni Kosovar për Produkte dhe Pajisje Medicinale dhe Ministria e Shëndetësisë  shprehen të hutuar dhe aspak përgjegjës për krejt këto fakte të ofruara. Duket se përgjegjësia nga institucionet përkatëse mbetet në ajër dhe askush nuk ia atribuon vetes primatin për të ndërmarrë hapa lidhur me parandalimin e kontrabandimit të citostatikëve, që sipas hulumtimit ky biznes qarkullon fare lirshëm.

Kur nuk furnizon MSh-ja, furnizojnë kontrabanduesit

Vetëm në vitin 2013, janë evidentuar 730 persona me kancer në Klinikën e Onkologjisë. Kjo shifër nuk përfshin pacientët që diagnostikohen dhe trajtohen në Shqipëri, Maqedoni, Turqi dhe në vende tjera. Zakonisht mesatarja e pacientëve që trajtohen në Onkologji është 100, por ka raste kur ky numër arrin deri në 300 pacientë.

Ministria e Shëndetësisë, nuk ka mundur asnjëherë që ta plotësojë 100% listën vitale, medikamentet që do të duhej të ishin patjetër në institucionet shëndetësore dhe ku bëjnë pjesë edhe citostatikët.

Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në MSH, thotë se mungesa e citostatikëve ndërlidhet edhe me mungesën e buxhetit, pasi që ka një mospërputhje midis kërkesave dhe mundësive. “Kërkesat e Klinikës së Onkologjisë për citostatikë për vitin 2014 kanë qenë rreth 9 milionë e 300 mijë euro, ndërsa MSH ka pasur në dispozicion për këtë kategori të barnave 4 milionë e 400 mijë euro”, thotë ai.

Sipas një analize të Ministrisë së Shëndetësisë për produkte të listës esenciale për vitin 2013, thuhet se Kosova bën pjesë në vendet me përqindjen më të ultë të buxhetit për shëndetësi (rreth 2.3% e GDP), krahasuar me shtetet e rajonit 5‐7% e GDP apo me shtetet evropiane 10% e GDP. Kjo tregon që shëndetësia nuk ka qenë prioritet i asnjë qeverie që nga paslufta.

Përkundër furnizimit gjysmak me citostatikë nga ana e MSH-së, vjen në pah edhe menaxhimi jo i drejtë i buxhetit, ku furnizimi në pjesën e parë të vitit është dukshëm më i lartë në krahasim me gjashtëmujorin e dytë.

Dokumenti i siguruar nga Preportr, nga onkologjia, tregon se as për së afërmi nuk përmbushet lista vitale me citostatikë.

Edhe pse në listë janë 59 lloje të citostatikëve, me datën 27 tetor 2014, Klinika e Onkologjisë kishte vetëm 7 lloje, ndërsa mungonin llojet që janë më të kërkuarat për trajtimin e pacientëve.  Kjo situatë ndikon që të rritet edhe më shumë kërkesa për të blerë këto medikamente në sektorin privat dhe rrjedhimisht rritet edhe kontrabandimi i tyre.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Behxhet Osmani, thotë se për çdo ditë sillen citostatikë pa banderola në onkologji. “Edhe nëse furnizohet kjo klinikë me 50% të citostatikëve nga Ministria e Shëndetësisë,  50%-shi tjetër janë të kontrabanduara”, thotë Osmani.

Klinika e Onkologjisë, kohë pas kohe mbetet fare pa citostatikë dhe ka ankesa të shumta në lidhje me furnizimin, MSH fajin për këtë e hedh tek procedurat e prokurimit.

“Shpesh edhe operatorët ekonomikë, që kanë fituar të drejtën për furnizime, shfrytëzojnë ditët e fundit të afatit ligjor që t’i bëjnë furnizimet duke ndikuar në çrregullim të furnizimeve. P.sh, nëse afati i liferimit të barit (shpërndarjes) nga operatori është 40 ditë, ndodh shpesh që ata ta bëjnë këtë shpërndarje jo në ditët e para, por fare në fund, e në raste të caktuara edhe pas afatit për çka MSH ka shqiptuar edhe gjoba ndaj disa kompanive, por që nuk ka ndikuar shumë te ato”, theksoi  Faik Hoti.

Por edhe pas pritjes për më shumë se dy javë dhe insistimit, ai nuk ka kthyer përgjigje se cilat kompani janë gjobitur dhe sa është vlera e gjobave.

Tregtia me shëndetin

Ekipi i Preportr, ka hulumtuar rreth citosatikëve ilegalë që gjenden nëpër barnatore të Prishtinës. Si mostër është marrë lloji Herceptin 440 mg, prodhim i kompanisë franceze Roche. Ky citostatik përdorët për trajtimin e kancerit të gjirit, është ndër më të kërkuarit por edhe i shumë i shtrenjtë. Vetëm Herceptina ka koston e 40 % të vlerës nga buxheti total që Ministria e Shëndetësisë, shpenzon për citostatikë, që shndërruar në vlerë monetare, është mbi 1 milion e 700 mijë euro. Ministria e Shëndetësisë një Herceptin e blen 1 mijë e 550 euro. Kërkesa e shpeshtë, mungesa e tyre në QKUK  dhe çmimi i lartë ka ndikuar që ky medikament të jetë ndër më të kontrabanduarit.

Ekipi i Preportr, ka kërkuar në disa barnatore të kryeqytetit, kryesisht afër QKUK-së, për të parë se a gjindet ky lloj citostatiku i kontrabanduar në treg.

Në barnatoren (A) çmimi i këtij bari (Herceptin 440 mg), ka  qenë 1595 euro. Pronari i barnatores është zotuar që ky medikament ka banderolë. Në këtë rast na është ofruar edhe faturë, të cilën sipas farmacistit mund ta dërgojmë në Ministri të Shëndetësisë për kompensim të 70 për qind të shumës.

I njëjti bar, në barnatoren (B) ka kushtuar vetëm 700 euro. Ekipi i Preportr, nuk ka arritur ta shohë atë, pasi ky bar nuk mbahej në barnatore. Pronari i kësaj barnatoreje pasi bisedoi me dikë në telefon, doli jashtë, u takua me një njeri, na tha që barin mund të na sigurojë për vetëm 700 euro. Hezitimit tonë, që ky bar me këtë çmim, mund të jetë pa banderolë dhe mund të mos ketë efektin e dëshiruar, farmacisti iu përgjigj me argumentin sy ky bar është i njëjtë si në barnatoret tjera, ka prodhuesin e njëjtë dhe poashtu ka edhe banderolë.

Tri javë më vonë, ekipi i Preportër sërish ka kërkuar të njëjtin citostatik (Herceptin 440 mg) në barnatoren (B). Ky medikament pas tri javësh na është ofruar me çmim prej 800 euro. Edhe kësaj radhe, na është thënë se ky bar nuk gjendët në barnatore, por mund të na sigurohet për gjysmë ore. Në këtë kohë Klinika e Onkologjisë nuk ka pasur asnjë Herceptin 440 mg. Mungesën e saj dhe citostatikëve të tjerë prej disa javësh, barnatoret e kanë shfrytëzuar për ngritje të çmimeve.

Me një çmim shumë më të ultë, vetëm 450 euro, këtë citostatik na ka ofruar barnatorja (C). Kjo do të thotë trefish më lirë sesa çmimi në treg, apo edhe çmimi me të cilin e blen vetë Ministria e Shëndetësisë, i cili është 1550 euro. Por edhe këtu ishte e pamundur për ta parë citostatikun, sepse nuk ndodhej në barnatore, por për gjysmë ore mund ta siguronin.

Banderolën nuk e ka. Për shembull unë me dashtë mundem me marrë ndonjë banderolë me ja ngjit, po nuk është ajo interesant

Kontrabanduesi i citostatikëve

Gjatë hulumtimit, ekipi i Preportr, është interesuar të sigurojë llojin e citostatikut Herceptin 440 mg edhe nga kompani dhe barnatore të tjera. Pronari i një kompanie të njohur që merret me import të barnave, nuk ka pranuar që ata mbajnë citostatikë. Mirëpo ky pronar na referoi tek një barnatore tjetër duke na e dhënë numrin e telefonit të pronarit. Ai  po ashtu na ka thënë se nuk e kanë këtë lloj bari, por që dikush tjetër mund të na e sigurojë. Personi i tretë i kontaktuar doli të jetë ai që mund të na siguronte një Herceptin.

“Herceptinën 440 mg e shes 750 euro, ta sjellë, veç më trego ku je. Është e ruajtur mirë hiq pa kurrfarë vesi, pa merak. Këta me letra janë shumë shtrenjtë. Herceptina është e Roches, ka afat deri në muajin e 10/2016 më duket. Banderolën nuk e ka. Për shembull unë me dashtë mundem me marrë ndonjë banderolë me ja ngjit, po nuk është ajo interesant. Mirë është me të tregu drejt, se na i kemi marrë për shembull prej Maqedonisë ose Shqipërisë, e me banderolë të tyre tash me pru është pa lidhje”, thotë personi shitës i citostatikëve të kontrabanduar.

Përfaqësues të kompanive farmaceutike dhe njohës të fushës së tregut të farmacisë, thonë se citostatikët hyjnë në Kosovë nga vendet e rajonit dhe vijnë me sasi të vogla në rrugë ilegale, duke i bartur me çanta dhe pajisje të ngjashme.

Por duke llogaritur koston e tyre, bëhet fjalë për shuma të mëdha parash.

Mentor Latifi, përfaqësues për Kosovë i kompanisë “Roche”, e cila merret me prodhimin e citostatikëve, thotë se fakti që këto medikamente gjenden në treg me çmim deri në trefish më lirë, tregon  se janë ilegale. Sipas tij, çmimi është aq i lirë, sepse ato janë marrë pa para dhe zakonisht vijnë nga vendet e rajonit, ku ky lloj i medikamenteve rimbursohet nga shteti.

Dyshime ka edhe për keqpërdorim të citostatikëve që sigurohen nga  Ministria e Shëndetësisë, citostatikë të cilët nga institucionet publike shëndetësore përfundojnë në treg privat.

Njëra nga pacientet që trajtohej në onkologji, e kishte blere një citostatik të llojit Herceptin 440 mg 1 mijë e 700 euro, pa banderolë. Preportr, e ka dërguar fotografinë dhe barkodin e kësaj Herceptine tek përfaqësia e kompanisë Roche për Kosovën, për të ditur se për cilin treg është dedikuar kjo seri prodhimi. Kjo zyrë ka konfirmuar se kjo seri e këtij citostatiku është prodhuar për vendet aziatike dhe për tregun e Kosovës. Ky fakt tregon se ky medikament është blerë nga Ministria e Shëndetësisë, dhe sipas të gjitha gjasave është vjedhur në onkologji apo në barnatoren qendrore për t’u shitur në tregun ilegal. Në pakon e këtij citostatiku vërehet se ky medikament ka pasur banderolë, por që i është hequr qëllimisht.

Dyshimi shtohet edhe më tej kur dihet se çdo mungesë e citostatikëve në Klinikën e Onkologjisë, dhe çdo vonesë furnizimi, rritë çmimin në tregun privat dhe qarkullimin e citostatikëve të kontrabanduar. Duket se barnatoret dhe kontrabanduesit janë të parët që informohen për këto mungesa.

Shiko Gazetën #11

Sipas pacientëve që ka kontaktuar Preportr, ka pasur raste kur për disa javë nuk janë trajtuar me citostatikë, pasi që u është thënë se QKUK nuk posedon. Mirëpo edhe pse në ndërkohë nuk kishte furnizim nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, në klinikë ishin paraqitur citostatikë të tjerë. Ata nuk e dinë se ku i kishte marrë klinika këta citostatikë, pasi sipas tyre kishte ankesa të vazhdueshme se nuk ka asnjë.

Këto informacione i kishte pasur edhe përfaqësuesi i kompanisë “Roche”, për Kosovë, Mentor Latifi. Ai thotë se ka pasur telefonata nga disa pacientë që pas disa javëve mungesë të citostatikëve, ka filluar që të jepet kjo terapi pa u bërë furnizimi i radhës.

“Ka ndodhur që para disa javëve, disa pacientë kanë thirrur dhe kanë treguar se nuk  ka citostatikë në Klinikë dhe kanë pyetur se kur do të bëhet furnizimi. Pas disa javëve kanë hasur në citostatikë prapë në onkologji, por jo në numër të madh. Në këtë rast nuk ka pasur furnizim nga ne, por ndoshta kanë mbetur diku në frigorifer, në ministri ose në Barnatore Qendrore”, thotë Latifi.

Përrkundës kësaj në Klinikën e Onkologjisë, thonë se kur ka citostatikë ka për të gjithë, dhe kur të shpenzohen nuk ka për asnjërin.

Pacientët vuajnë pasojat e mungesës së citostatikëve

Pacientët që trajtohen në këtë klinikë, thonë se në të shumtën e rasteve duhet t’i blejnë vetë barnat. Shumë prej tyre kanë theksuar se kur ata e kanë pasur terminin për trajtim vetëm në disa raste të rralla kanë gjetur citostatikë.

Një grua që është e prekur nga kanceri i gjirit, e që nuk donte të identifikohej me emër, ka thënë për Preportr, se që gjashtë muaj është duke u trajtuar në Klinikën e Onkologjisë. Ajo thotë se gjatë kësaj periudhe kohore, më shumë se gjysmën e citostatikëve i ka blerë, pasi që në terminin kur e ka pasur të caktuar që t’i marrë ato, nuk ka pasur lloj të tillë të citostatikëve.

Ndërsa një familjar i një të prekuri dy herë me kancer, ka thënë për Preportr, se prindi pas operimit është trajtuar për një vit me citostatikë dhe pjesën më të madhe të terapive i kanë blerë vetë, pasi që nuk i kanë gjetur në onkologji.

“Që nga qershori i këtij viti prindi ka vazhduar me terapi tjetër, së cilës është dashur t’i nënshtrohet pasi në mëlçi janë vërejtur qeliza kancerogjene. Për gjashtë cikle ka marrë terapi, secila i ka kushtuar rreth 300 euro. Në terapinë e dyte ka blerë gjithçka përfshirë edhe tretjen. Aktualisht ka filluar me një tjetër cikël të terapisë, të cilën është dashur që ta ndërrojë për shkak se ajo paraprake nuk i ka reaguar fare. Edhe këtë terapinë e re (Cisplatine edhe Irinotecan ) duhet që ta blejmë”.

Ndërsa sa i përket sjelljes së stafit mjekësor, pacientët thonë se mjekët dhe infermierët kanë një sjellje dhe kujdes shumë të mirë. Gjithashtu edhe ekipi i Preportr, gjatë monitorimit të punës së kësaj klinike, ka vërejtur se stafi mjekësor ka sjellje të mirë ndaj pacientëve.

Mjekët i trajtojnë me citostatikë të kontrabanduar

Klinika e Onkologjisë, është shndërruar në vendin ku grumbullohen të gjithë citostatikët e kontrabanduar.

Ekipi i Preportr, ka monitoruar për disa ditë me radhë Klinikën e Onkologjisë, ku pacientët trajtohen me këto medikamente. Gjatë monitorimit që iu është bërë sallave ku trajtohen pacientët, të gjithë citostatikët, që pacientët ishin detyruar t’i blinin vetë, kanë qenë pa banderola.

Behxhet Osmani, drejtor i Klinikës së Onkologjisë, ka thënë për Preportr, se mjekët në onkologji janë të detyruar që t’i trajtojnë pacientët me citostatikët që ata i sjellin, e që në të shumtën e rasteve janë pa banderola dhe nuk janë të sigurta për nga cilësia.

“Për fat të keq gati krejt citostatikët janë të kontrabanduar, shumë pak prej tyre janë të licencuara. Ne me rregull nuk ua kishim dhënë, por duhet t’ua japim pacientëve”, u shpreh Osmani.

Në onkologji është vendosur një njoftim, përmes të cilit informohen pacientët që kur t’i blejnë citostatikët të sigurohen se janë me banderola, në të kundërtën mund të shkaktojnë efekte anësore dhe përgjegjësinë për pasojat e bartë vetë pacienti. Përveç njoftimit të vendosur pacientët obligohen të nënshkruajnë një dokument para se të trajtohen me citostatikët e blerë nga vetë ata përmes të cilit ata bartin përgjegjësinë për efektet anësore.

play

Ky dokument nuk ka asnjë bazë ligjore që do t’i lironte mjekët nga përgjegjësia në rast të ndonjë epilogu fatal të ndonjë pacienti që trajtohet me citostatikë të kontrabanduar. Osmani, thotë se ka pasur raste që pacientët pasi i kanë marrë këto barna e kanë akuzuar këtë klinikë se nuk e kanë pasur efektin e duhur, ose se kanë pasur efekte anësore.

Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu, ka thënë për Preportr, se Klinika e Onkologjisë, në periudha të caktuara ballafaqohet me mungesë të citostatikëve dhe familjarët e pacientëve detyrohen vetë t'i blejnë ato në mënyrë që mos të ndërpritet cikli i terapive të domosdoshme.

“Familjarët kanë hallin e tyre dhe sigurojnë terapinë në forma të ndryshme, të  njëjtit bëjnë presion tek stafi dhe stafi vetëm e jep atë terapi”, thotë Fazliu.

Institucionet heshtin para kontrabandës

Preportr, ka fotografuar dhe incizuar citostatikët e kontrabanduar që i ka gjetur në Klinikën e Onkologjisë, dhe ua ka dërguar Agjencionit për Produkte dhe Pajisje Medicinale dhe Ministrisë së Shëndetësisë, por nga asnjëri institucion nuk ka marrë përgjigje. Për më tepër këto institucione thonë se nuk janë të informuara se në Klinikën e Onkologjisë, jepen barna që janë të kontrabanduara.

Zëdhënësja e Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Pranvera Behrami, thotë se: “për këto produkte të dyshuara në Onkologji, AKPPM  nuk ka pasur asnjëherë kërkesë dhe asnjëherë nuk është ngritur shqetësim nga institucionet përkatëse apo edhe nga individë të caktuar për të marrë masa Inspektorati farmaceutik, prandaj për gjendjen aktuale atje, AKPPM nuk është përgjegjëse”.

Faik Hoti, ka thënë për Preportr, se nuk ka ndonjë raport nga Inspektorati i Ministrisë së Shëndetësisë, që të këtë kryer ndonjë inspektim të këtij lloji në onkologji. Ai thotë se nëse mjekët, pacientët apo familjarët e tyre informojnë inspektoratin për raste te tilla, sigurisht inspektimet do të kryhen.

“Inspektorati Shëndetësor kryen inspektime të rregullta dhe inspektime "tematike" brenda institucioneve shëndetësore. Nëse gjatë ndonjë inspektimi, haset në barna pa banderola, sigurisht që kjo evidentohet dhe bëhet pjesë e raporteve të inspektoratit, por inspektorati nuk mund ta evidentojë secilën dukuri në secilin institucion, nëse për këtë nuk ka bashkëpunimin e të tjerëve”, thotë Hoti.

Zëdhënësja e (AKPPM), ka thënë për Preportr, se ka ankesa të distributorëve se produktet për të cilat ata kanë licencë gjenden ilegalisht në treg dhe se në këto raste AKPPM, “vepron konfrom ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale dhe udhëzimeve administrative në fuqi dhe produktet e dyshuara pa autorizim të marketingut konfiskohen”.

AKPPM, nuk na ka lejuar qasje në raportet e inspektimit që i bëjnë, për të ditur se sa është sasia dhe cilat lloje të produkteve janë konfiskuar. Edhe pse Preportr, ka insistuar për të marrë informacione nëse është bërë analiza e ndonjë lloji të citostatikëve dhe për rezultatet, AKPPM nuk na ka lejuar qasje, me arsyetimin se këto raporte nuk i bën publike.

Zëdhënësja Behrami, thotë se prej janarit të këtij viti janë shqiptuar 76 gjoba, ndërsa janë mbyllë 7 subjekte farmaceutike për mosrespektim të Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale.

“Produktet që më së shpeshti has Inspektorati farmaceutik, janë ato të Serbisë, dhe pa banderola fare. Për momentin kemi 10 inspektorë, që në fakt është numër i vogël për të mbuluar gjithë territorin e Kosovës, realisht do të duhej të ishin 20 sosh ose edhe më shumë”, thotë Behrami.

Në bazë të ligjit të ri, ndëshkimi maksimal për mbajtje të barnave pa banderola apo me afat të skaduar është 1000 euro, ndërsa për shkelje të mëtutjeshme lënda procedohet në gjykatë.

Kjo vlerë e ndëshkimit është qesharake, kur marrim parasysh faktin se sa fitojnë barnatoret me barna të kontrabanduara. Vetëm me shitjen e dy citostatikëve që kushtojnë më shtrenjtë, barnatoret që kontrabandojnë barna, mund ta paguajnë këtë gjobë.

Duke marrë parasysh mënyrën e kontrabandimit të citostatikëve, edhe në raportet e doganave në lidhje me konfiskimin e barnave ilegale, gjendet sasi e vogël e citostatikëve që janë konfiskuar.

Në bazë të raportit të doganave, gjatë periudhës 2002-2014 janë zënë tre citostatikë të llojit Doxel 250 ml dhe një Doxel 80 ml si dhe 5 copë Ampula Vincristine. Në vitin 2012 janë zënë pesë pako Gemcitabine 2000 mg dhe 40 copë të llojit Etoposide. Në vitin 2009 është zënë 1 pako me 30 tableta Tamoxifen. Në vitin 2007 janë zënë 15 copë Doxorubicin dhe 13 copë Cisplatine.

Citostatikët e kontrabanduar me kundërfekte fatale

Problemi kryesor i citostatikëve të kontrabanduar është cilësia e tyre. Është e domosdoshme që citostatikët të transportohen në temperaturë 2 deri në 8 gradë celsius dhe të kenë kushte të përshtatshme gjatë transportimit. Qëndrimi dhe transportimi i këtyre medikamenteve në temperatura të larta gjatë verës, përveç që ndikon në humbjen e  kualitetit dhe të mos reagojë si terapi, mund të kenë edhe kundër efekt.

“Mundet që pacienti ta marrë atë medikament në tri cikle, dhe të mos ketë efekt tek sëmundja”, thotë drejtori i Klinikës së Onkologjisë.

Ndërsa, farmacisti Adnan Mustafa, thotë se çdo medikament i kontrabanduar është i rrezikshëm për pacientët që e përdorin, se përveç që mund të mos ketë efektin për çka është i dedikuar, ai mund të shkaktojë edhe kundërefekt..

“Çdo bari i kontrabanduar bart rrezikun për falsifikim, pasi që nuk përmban fare substancë aktive, përmban sasi më të vogël - efekt farmakologjik i  pamjaftueshëm apo përmban sasi më të madhe të substancës aktive - efekt toksik. Edhe nëse produkti është origjinal bart rrezik për degradim të përmbajtjes si rezultat i kushteve joadekuate të ruajtjes ose distribuimit - efekte toksike më të theksuara (p.sh. Herceptina mund të degradohet nëse tundet gjatë transportit).

“Medicrime” - Konventa e Bashkimit Evropian për barnat e falsifikuara, çdo produkt të kontrabanduar e konsideron krim.  Sipas Mustafës, Kosova është dashur që ta nënshkruajë këtë Konventë, e cila është aprovuar në vitin 2010 në Bazel të Zvicrës.

Agron Sadiku, drejtor i kompanisë “Meditech”, e cila e ka licencën për të importuar citostatikë në Kosovë nga kompania “Roche”, thotë se mënyra e ruajtjes dhe transportimit të këtyre medikamenteve ka rëndësi tejet të madhe.

“Për arsye të ruajtjes së efektshmërisë së këtij bari është shumë i rëndësishme që të transportohet dhe të ruhet në kushte optimale, pasi ndryshimi i temperaturës mund ta shkatërrojë strukturën e atij bari, e pastaj lëre që s’ka efekt, por mund të ketë edhe efekte negative. Barnat bartën me kamion-frigorifer. Ky kamion për çdo 15 minuta e matë temperaturën, e shtyp dhe e ruan shiritin dhe ai shirit kur vjen te ne e shohim në çfarë temperature është transportuar bari gjatë gjithë rrugës. Gjithashtu edhe në depo, nëse ndryshon vetëm pak temperatura aktivizohen alarmet njoftues”, thotë Sadiku.

Kompanitë farmaceutike ndërhyjnë në listën e citostatikëve

Një nga problemet që është shfaqur vazhdimisht ka qenë përpilimi i listës së citostatikëve në kohën kur përgatitet tenderi. Disa onkologë në kushte anonime kanë thënë për Preportr, se janë kontaktuar nga kompani që importojnë citostatikë, të cilët u kanë ofruar favore të ndryshme për t’ua përfshirë në listë citostatikët për të cilët ata kanë licencë të importimit. Burime të Preportr, konfirmojnë se këso favorizime u bëhen edhe mjekëve të tjerë të cilët janë pjesë e komisionit për përpilimin e listës së barnave të cilat duhet të blihen nga MSh.

Për t’i bërë favorizime kompanive të caktuara është bërë largimi nga lista esenciale i produkteve “Ondansetron” dhe “Granisetron”, të cilat janë shkruar fillimisht nga onkologët në këtë listë, e që në treg kishin një vlerë prej 1.32 euro. Më vonë lista ka ndryshuar dhe këto produkte janë zëvendësuar me një tjetër shumë më të shtrenjtë, Palonosteron, përkatësisht me një vlerë prej 77.79 euro.

Disa onkologë në kushte anonime kanë thënë për Preportr, se janë kontaktuar nga kompani që importojnë citostatikë, të cilët u kanë ofruar favore të ndryshme për t’ua përfshirë në listë citostatikët për të cilët ata kanë licencë të importimit

Përveç që ishte ndryshuar produkti Palonosteron, i njëjti është futur në rangun e citostatikëve, edhe pse Palonosteroni nuk është citostatik, por anti-emetik që përdoret kundër të vjellave tek pacientët që vuajnë nga kanceri e që përdorin kimioterapi.

Edhe në protokollet e Agjencisë Britanike të Kancerit “BC Cancer Agency”, ku jepen udhëzimet për përdorimin e terapisë për parandalimin e të vjellave tek pacientët e rritur gjatë përdorimit të kimioterapisë, thuhet se Ondansetroni dhe Granisetroni janë produkte që kanë të njëjtin efekt me Palonosteronin.

Në lidhje me dyshimet për largimin nga lista esenciale i produkteve të lartpërmendura, në muajin prill të këtij viti, është arrestuar Enkelejda Gjonbalaj, drejtoreshë e barnatores në QKUK, dhe ish-shefe e farmaceutikës në Ministrinë e Shëndetësisë.

Gjithashtu policia e krimeve ekonomike e ka  intervistuar sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani në kuadër të hetimeve rreth ndryshimeve të bëra në listën esenciale, me ç’rast përgatitej terreni për blerjen e ilaçit shumëfish më të shtrenjtë.

Prokuroria e Shtetit, ka konfirmuar për Preportr, se për këtë rast është ngritur aktakuzë në shtator të këtij viti dhe tash po presin ftesë nga gjykata që të fillojë seanca.

Behxhet Osmani, drejtor në Klinikën e Onkologjisë thotë se kjo ka ndodhur para se ai të vijë në postin e drejtorit. Ndërsa nuk jep asnjë detaj tjetër, pasi që me këtë çështje është duke u marrë prokuroria.

“Ka qenë çështja për një bari kundër vjelljes, kur unë nuk kam qenë drejtor. Kur e kam marrë postin e  drejtorit, kanë ardhur hetuesia për këtë çështje. Unë nuk e kam porositur, por tjetërkush e ka futur në listë. Ai bari është i mirë dhe ne kemi biseduar që me e pas 10-20 të tillë (Polesitetron), por dikush i ka hequr të gjitha të lirat dhe e ka lënë vetëm këtë të shtrenjtën”, thotë Osmani.