English
Scroll top

Brenda shtëpisë së pleqërisë

Në shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë nuk ka shumë banorë. Numri i vogël lidhet edhe me kriteret e vendosura nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Sipas Udhëzimit Administrativ të kësaj ministrie në këtë shtëpi nuk mund të vendosen të moshuarit që kanë djem derisa mund të vendosen ata që kanë vajza të martuara

12 Nëntor 2018

Vitet kanë lënë gjurmë në trupat dhe fytyrat e tyre. Shprehin dashuri posa e takojnë një të huaj. Dëshirojnë fotografi me ta. Një shtrëngim dore a një përqafim i fortë ta japin posa t’i takosh. Dëshirojnë të tregojnë në çdo moment se po ndihen mirë dhe se kanë përkujdesje. Janë këta të vendosurit në shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë, të cilët ekipi i Preportr i ka vizituar për të parë për së afërmi kushtet në të cilat ata jetojnë.

Kjo shtëpi, e vetmja e tillë në Prishtinë, ka kapacitet për më shumë se 100 persona. Ajo është shtëpia e vetme në Kosovë që menaxhohet nga niveli qendror, kurse tri të tjera që janë me kapacitet shumë më të vogël – jo më shumë se 20 persona – janë nën menaxhimin e komunave Skenderaj, Istog dhe Graçanicë.

Ata Uka, një grua rreth të shtatëdhjetave, po shikon fotografi të ish-banorëve të shtëpisë së të moshuarve në Prishtinë. Personeli që përkujdeset për ta thonë se personat në fotografi kanë vdekur. Këtë nuk ua tregojnë banorëve të shtëpisë. Disa prej tyre janë banorë të ri që kanë nevojë për këshillat e psikologes. Ajo kujdeset që ata të ndihen më mirë në ambientet e reja ku janë vendosur. E pranon se për shumicën prej tyre ambientimi është i vështirë, por së bashku ia dalin t’i bindin të qëndrojnë.

Qe dy vjet jam këtu. I kemi të gjitha të mirat. Na kanë ndërru të gjithë shtretërit.

Ata Uka, banore e shtëpisë

Rasti më i freskët ka qenë ai i Atës.

“Qe dy vjet jam këtu. I kemi të gjitha të mirat. Na kanë ndërru të gjithë shtretërit”, thotë Uka. Një gjë të tillë e pranojnë edhe banorët e tjerë. Disa prej tyre luajnë shah. Pala humbëse e këtyre ndeshjeve ndahet e pakënaqur.

Në shtëpinë e të moshuarve secili prej të vendosurve e ka dhomën e vet. Është kuzhina ku ata ushqehen ndërsa nuk mungon as biblioteka. Aty ka libra të ndryshëm por që nuk lexohen shumë. Aktivitetet primare të të vendosurve janë – shahu për burra dhe punëdore për gra.

Ndonjë aktivitet ndonjëherë, sidomos verës, e zhvillojnë edhe jashtë shtëpisë, duke dalë për shëtitje në mënyrë të organizuar.

play

Në shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë nuk ka shumë banorë. Numri i vogël lidhet edhe me kriteret e vendosura nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Sipas Udhëzimit Administrativ të kësaj ministrie në këtë shtëpi nuk mund të vendosen të moshuarit që kanë djem derisa mund të vendosen ata që kanë vajza të martuara

Një çift i sapoardhur nga Serbia, burri shqiptar i Kosovës e gruaja serbe, e kanë zbukuruar derën e dhomës së tyre me flamuj të Kosovës dhe të Shqipërisë. Gruaja me delikatesë tregon se sa bukur e kanë rregulluar dhomën, kurse burri Idriz Idrizi thotë se kanë vajza por nuk kanë djem. Vajzat janë martuar në Serbi me të cilat kishte jetuar çifti para se të vendosej në shtëpinë e të moshuarve.

Kriteret diskriminuese të vendosura nga ministria

Ky banor i ardhur nga Serbia thotë se nuk kanë pse të mos jenë të lumtur me kushtet kur gjithë ditën me banorët e tjerë zhvillojnë biseda, luajnë shah...

Sipas kritereve që i ka përcaktuar Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Idrizi bashkë me bashkëshorten e tij e ka fituar të drejtën të vendoset në këtë shtëpi ani pse ka fëmijë biologjikë. Në një udhëzim që e ka nxjerrë kjo ministri janë përcaktuar kriteret se kush mund të jetë e kush jo banor i kësaj shtëpie.

Udhëzimi i është përshtatur mentalitetit në Kosovë. Djemtë në të gjitha rrethanat e kanë obligim të kujdesen për prindërit, ndërsa për vajzat nënkuptohet se do të kujdesen për familjarët e burrit.

Neni 5 i këtij udhëzimi përcakton kriteret për pranimin e të moshuarve në shtëpitë e të moshuarve. Njëri prej kritereve është që personat të cilët pranohen në shtëpi të të moshuarve të mos kenë fëmijë biologjikë. Kjo pasohet nga një kriter tjetër ku thuhet: “Vendosja (strehimi) nuk pengohet, nëse klienti në gjendje të nevojës ka vajzë e cila është e martuar”.

Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila është hartuese e këtij udhëzimi, thonë se e kanë një përgjigje për këtë. Qazim Gashi që e udhëheq Divizionin për Aftësinë e Kufizuar dhe Personat e Moshuar, thotë se udhëzimi e ka bazën në Ligjin për Shërbime Sociale dhe Familjare.

Edhe këto rastet kur prindërit kanë vajza në familjen e tyre të ngushtë pasi vendosen në shtëpinë e të moshuarve e kanë të drejtën e plotë të kujdesen për prindërit e tyre po kryesisht barra ka mbetë te djali.

Qazim Gashi, udhëheqës, MPMS

Ai thotë se kriteri mund të duket diskriminues por askund në të nuk përmendet që vajza nuk mund të përkujdesët për prindërit e saj.

“Edhe këto rastet kur prindërit kanë vajza në familjen e tyre të ngushtë pasi vendosen në shtëpinë e të moshuarve e kanë të drejtën e plotë të kujdesen për prindërit e tyre po kryesisht barra ka mbetë te djali. Prindërit zakonisht jetojnë bashkë me të ose nuk jetojnë bashkë por djalit i ka mbetë barra që të kujdeset për prindërit e tij në mënyra të ndryshme ose të caktojë kujdestarin për ta kudo ku ata jetojnë”, thotë ai.

Sipas tij, edhe vajza mund të caktojë kujdestar për prindërit por nuk e kanë caktuar si kriter që mos e pengojnë strehimin e të moshuarve.

“Kjo është bërë duke pasur parasysh se vajza mbi moshën 18-vjeçare martohet, krijon familje, ndërsa çështja e djalit është krejt diçka tjetër”, thotë Gashi.

Vendosja e një kriteri të tillë nga ministria për profesoreshën e Fakultetit Filozofik, Vjollca Krasniqin, është e papranueshme dhe sforcon rolet tradicionale, gjinore dhe familjare në Kosovë.

“Udhëzimi ofron një formulë të ripërtrirjes së autoritetit patriarkal në kujdesin brenda familjes dhe në institucione të mirëqenies. Kështu pra, patriarkati brenda relacioneve familjare bartet në institucione të mirëqenies sociale si e mirëqenë”, thotë ajo.

Edhe Florina Duli nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet thotë se kriteret e vendosura në këtë udhëzim tregojnë mentalitetin shumë të prapambetur të zyrtarëve të ministrisë.

Udhëzimi ofron një formulë të ripërtrirjes së autoritetit patriarkal në kujdesin brenda familjes dhe në institucione të mirëqenies.

Vjollca Krasniqi, profesoreshë në Fakultetin Filozofik

“Asnjë i moshuar i cili ka djalë nuk pranohet në këto shtëpi, sepse shteti jonë e konsideron që nëse ka vajzë, vajza nuk e ka obligim ta mbajë prindin por vetëm djali. Kjo nuk shkruan decidivisht në udhëzim por interpretohet kështu”, thotë ajo.

Shërbime 24 orë për banorët

Ata Uka na tregon se si e ka marrë vendimin të vendoset në shtëpinë e të moshuarve.

“Kam jetuar në fshat por pas luftës plaku vdiq e shkova te nipi”, thotë ajo. Ata, si gjithë banorët e tjerë nuk janë ndier mirë që t’i bëhen barrë familjes me të largët.

Thotë se nuk e ka pasur lehtë ta marrë vendimin për t’u vendosur në shtëpinë e të moshuarve. Sot këtë shtëpi, e cila është shtëpia e saj e dytë, nuk do ta ndërronte për asgjë. Mirënjohëse për këtë i shprehet psikologes e cila i qëndron afër.

“Po të mos ishte kjo, nuk e di se si do ta përballoja”, thotë ajo.

Drejtoresha e shtëpisë së të moshuarve, Raze Aliçkaj, thotë se psikologia merret me banorët deri në adaptimin dhe socializimin e tyre. Ajo tregon se si në këtë shtëpi ofrohen shërbime 24 orë. Aty është edhe ekipi mjekësor kujdestar. Nëse ka nevojë për shërbime specialistike, Aliçkaj thotë se me udhëzim të mjekut banorët i dërgojnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Ekipi mjekësor që është në gjendje gatishmërie thotë se të moshuarit në këtë qendër përballen me sëmundje siç janë diabeti, hipertensioni etj.

“Për momentin, me personat që janë të vendosur në këtë shtëpi punojnë 56 punëtorë, prej administratës e deri te shërbimi social”, thotë Aliçkaj.

Sa i përket menysë së ushqimit, Aliçkaj thotë se mendon se ajo është e përshtatshme për nevoja të klientëve kur dihet se disa prej tyre kanë sëmundje të ndryshme.

1/9
  • Shtëpia e pleqve

    Banorët në shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë e kalojnë kohën duke zhvilluar aktivitete të ndryshme gjatë ditës. Ata shprehen se po trajtohen mirë nga personeli brenda mundësive dhe kushteve që i kanë.

  • Shtëpia e pleqve

    Banorët në shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë e kalojnë kohën duke zhvilluar aktivitete të ndryshme gjatë ditës. Ata shprehen se po trajtohen mirë nga personeli brenda mundësive dhe kushteve që i kanë.

  • Shtëpia e pleqve

    Banorët në shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë e kalojnë kohën duke zhvilluar aktivitete të ndryshme gjatë ditës. Ata shprehen se po trajtohen mirë nga personeli brenda mundësive dhe kushteve që i kanë.

  • Shtëpia e pleqve

    Banorët në shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë e kalojnë kohën duke zhvilluar aktivitete të ndryshme gjatë ditës. Ata shprehen se po trajtohen mirë nga personeli brenda mundësive dhe kushteve që i kanë.

  • Shtëpia e pleqve

    Banorët në shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë e kalojnë kohën duke zhvilluar aktivitete të ndryshme gjatë ditës. Ata shprehen se po trajtohen mirë nga personeli brenda mundësive dhe kushteve që i kanë.

  • Shtëpia e pleqve

    Banorët në shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë e kalojnë kohën duke zhvilluar aktivitete të ndryshme gjatë ditës. Ata shprehen se po trajtohen mirë nga personeli brenda mundësive dhe kushteve që i kanë.

  • Shtëpia e pleqve

    Banorët në shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë e kalojnë kohën duke zhvilluar aktivitete të ndryshme gjatë ditës. Ata shprehen se po trajtohen mirë nga personeli brenda mundësive dhe kushteve që i kanë.

  • Shtëpia e pleqve

    Banorët në shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë e kalojnë kohën duke zhvilluar aktivitete të ndryshme gjatë ditës. Ata shprehen se po trajtohen mirë nga personeli brenda mundësive dhe kushteve që i kanë.

  • Banorët në shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë e kalojnë kohën duke zhvilluar aktivitete të ndryshme gjatë ditës. Ata shprehen se po trajtohen mirë nga personeli brenda mundësive dhe kushteve që i kanë.

Në këtë qendër janë të vendosur edhe disa persona me nevoja të veçanta. Zyrtari i ministrisë thotë se kjo ka ndodhur shumë kohë më parë kur pas luftës njerëz me halle janë dërguar në shtëpinë e të moshuarve dhe kanë mbetur aty. Sipas tij, prej vitit 2004 më nuk ka raste të tilla pasi kriteret dhe procedurat për pranim tani janë të tjera. Edhe në këto raste ka një ekip të specializuar që merret me ta. Në shtëpi ka psikologë dhe ç’është më e rëndësishmja ministria e blen shërbimin e psikiatrit për rastet më të rënda.

Në shtëpi janë vendosur edhe të moshuar që janë të palëvizshëm apo gjysmë të lëvizshëm. Drejtoresha Aliçkaj thotë se ka vështirësi me këta persona por stafi është mësuar që ta menaxhojë situatën pasi në vazhdimësi ka punuar dhe punon me ta.

Nuk janë ndërtuar shtëpi të reja

Shtëpia e të moshuarve në Prishtinë është ndërtuar në vitet e ‘60-a. Prej asaj kohe nuk është ndërtuar asnjë shtëpi e re. Kjo është shtëpia më e madhe në Kosovë. Të tjerat janë të një kapaciteti shumë të vogël. Komunat e mëdha si Peja, Gjakova, Gjilani, Ferizaji, Prizreni nuk kanë fare shtëpi të të moshuarve, ndërkaq në Mitrovicë ajo është ndërtuar por nuk është bërë funksionale.

Objektit në Prishtinë i është bërë renovimi para dy vitesh, dhe ka pasur disa investime falë vullnetit të donatorëve.

“Janë bërë disa renovime edhe vitin e kaluar. Janë në avancim e sipër kushtet në shtëpinë tonë. pasi jemi të interesuar të krijojmë kushte më të mira për klientët tanë”, thotë drejtoresha Aliçkaj.

Sa u përket ndërtimeve të reja si në Prishtinë ashtu edhe në komunat e tjera, secila komunë në Kosovë e ka të drejtën e plotë të sigurojë buxhet dhe të ndërtojë së paku një shtëpi të vogël me 20 shtretër. Këto janë standardet që i ka përcaktuar Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Për fat të mirë kemi lëvizje nga komunat në këtë drejtim, disa komuna janë të interesuara të ndërtojnë këso shtëpi dhe do të gjejnë forma për funksionalizimin e tyre”, thotë Gashi.

Sa i përket rasteve kur fëmijët i kanë kushtet dhe dëshirojnë që prindërit e tyre t’i dërgojnë në qendra ku kujdesi ndaj tyre do të ishte më adekuat se sa në shtëpi, Gashi thotë se janë duke punuar në këtë drejtim duke e krijuar infrastrukturën ligjore.

“Është ligji, është udhëzimi administrativ dhe jemi në përfundim e sipër edhe të kostos për shërbim dhe posa të bëhet kjo, hapet rruga që edhe kjo formë e përkujdesjes me kompensim përmes shtëpive private të rregullohet. Ka mundësi që këto shërbime të bëhen edhe nga organizatat joqeveritare”, thotë ai.

 

Ky publikim u financua nga Civil Rights Defeenders (CRD). Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Donatorit.