Blerja e territorit politik me paranë publike

Investimet publike i përshtaten interesit të partisë në pushtet jo planeve dhe ligjeve

Prishtinë, 07 Maj 2011

Partitë politike fitojnë zgjedhjet nëpërmjet përkrahjes së bizneseve të afërta me to dhe pastaj përdorin pushtetin për të shpërblyer financuesit e tyre. Me të marrë pushtetin në nivel nacional, partia fituese përveç që shpërblen bizneset dhe grupet e interesit që i kanë siguruar ardhjen në pushtet, ajo fillon planifikimin e shpenzimeve publike në varësi të tërësishme nga objektivat e saja për të fituar dhe mbajtur komunat e caktuara. Kështu, komunat që ndajnë gati në dysh votën mes dy partive kryesore janë njëkohësisht edhe përfitueset më të mëdha,meqë pushteti tashmë i fituar në qendër përdoret për të siguruar vota në një komunë të tillë. Rasti më i mirë është komuna e Prizrenit, ku PDK-ja, sipas disa hulumtimeve të “Preportr”, ka investuar në mënyrë disproporcionale më shumë sesa në komunat tjera.

Pra, shpërndarja e të ardhurave nga investimet publike, gjatë viteve 2008-2010,në një masë të madhe ka përcjellë interesat e partisë në pushtet e jo ndonjë kriter apo plan të zhvillimit rajonal. Shpenzimet janë orientuar nga interesi i partisë në pushtet, në shpërfillje të plotë të kërkesës elementare për menaxhimin e parasë publike në bazë të ndonjë plani paraprak që del nga një program zhvillimor.

Shiko Gazetën #3

Kështu, shumat milionëshe nga investimet publike kanë shkuar në komuna si dhe u janë dhënë kompanive të caktuara, ku kritere vendimtar kanë qenë ose rajonet prej nga vijnë ministrat ose aty ku interesi elektoral i partisë ka qenë më i madh.Po ashtu, investimet publike të bëra gjatë këtyre dy viteve kanë qenë joproporcionale në raport me madhësinë e vendbanimeve dhe numrin e banorëve nëpër komunave të ndryshme, sepse para së gjithash janë të orientuara politikisht. Një hulumtim i “Preportr”, i cili është bazuar në mbi 98 % të kontratave që janë nënshkruara nga Ministria e Transportit dhe ajo e Arsimit përgjatë viteve 2008- 2010, nxjerrë në pah që një shumë prej mbi 416 milion euro u është shpërndarë 199 kompanive të ndryshme përmes 385 tenderëve publik.

Kompanitë që vijnë nga rajonet e ministrave dhe nga bastionet e PDK-së

Hulumtimi i “Preportr” tregon që disa qytete kanë qenë më të rëndësishme për PDK-në. Ministria e Transportit si dhe ajo e Arsimit janë kujdesur që të dërgojnë miliona euro tek ato kompani ku ose kanë prejardhjen ministrat e sektorëve gjegjës ose tek ato kompani ku interesi elektoral i PDK-së ka qenë dominant, duke i pasur gjasat më të mëdha që të fitojnë në zgjedhjet lokale dhe nacionale. Nga ky hulumtim, del se kompanitë që vijnë nga Malisheva dhe Theranda, komunat prej nga vijnë ish Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, respektivisht ish Ministri i Transportit, Fatmir Limaj, kanë marrë miliona euro para të buxhetit të Kosovës duke kaluar komuna shumë më të mëdha siç janë Peja, Mitrovica apo edhe Gjakova. Në total, 23 kompanitë nga Theranda dhe Malisheva kanë marrë 59 tenderë duke përfituar mbi 62 milion euro. Në të njëjtën periudhë, “Preportr” ka vërtetuar se nga këto dy ministri, vetëm 15 kompani nga Peja, Mitrovica dhe Gjakova, kanë përfituar tenderë në vlerë prej mbi

12.5 milion eurosh. Nga këto të fundit, vetëm 3 kompani janë nga qyteti i Mitrovicës që kanë përfituar tenderë nga MASHT-i dhe MTPT-ja.

Pak a shumë, trend i njëjtë i dhënies së parave të buxhetit të Kosovës, kompanive prej nga interesi elektoral i PDK-së ka qenë dominues, vërehet edhe me komunat tjera të vendit. Beteja fillestare për tu bërë partia e parë që prej vitit 2007 ka qenë sidomos Prizreni. Në fakt kompanitë nga Prizreni, qyteti që gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të vitit2009 ishte cilësuar Jerusalemi i PDK-së,kanë përfituar shumë më tepër në krahasim me kompanitë e qyteteve të tjera gjatë punës dy vjeçare. Totali që nxirret nga ky hulumtim tregon një disbalancë të madhe në mes të kompanive të Prizrenit, përfituese të tenderëve nga MASHT-i dhe MTPT-ja dhe kompanive të kryeqytetit. Përderisa 61 kompani të Prishtinës kanë përfituar mbi 121 milion euro nga 123 tenderë, vetëm 16 kompani të Prizrenit kanë marrë mbi 71 milion euro përmes 42 tenderëve.

Po ashtu, kompanitë që vijnë nga komunat që konsiderohen bastione të forta të PDK-së, kanë përfituar shuma milionëshe nga buxheti i Kosovës në krahasim me kompanitë, komunat e të cilave u përkasin kundërshtarëve politikë si ato të LDK-së apo të AAK-së. Kompani nga Shtimja, Skënderaji, Drenasi si dhe Ferizaj kanë marrë një shumë prej mbi 30 milion euro më shumë se sa kompanitë nga komuna e Podujevës, Deçanit, Istogut dhe Junikut. Në anën tjetër, edhe kur janë ndarë tenderë në komunat “fqinje”, zakonisht një shumë e konsiderueshme e parave kanë shkuar në llogari të kompanive të afërta me njerëzit e partisë në pushtet.

Nga ky grafikon shihet se komuna e Deçanit si dhe ajo e Istogut u kanë ikur trendit të përfitimit të komunave në interes të PDK-së, për sa i përket kompanive që kanë përfituar tenderë. Arsyeja e vërtet pse disa kompani nga Deçani si dhe nga Istogu kanë përfituar është se këto kompani, siç do ta shihet më poshtë, janë në pronë të njerëzve të afërt me PDK-së.

Kompanitë e afërta me PDK-në

Paraqitja e shpërndarjes së parave publike vetëm në aspektin se nga cilat komuna vijnë kompanitë, të cilat kanë fituar tender, nuk jep një pasqyrë të plotë se kush realisht janë përfituesit e vërtetë të milionave eurove të taksapaguesve të vendit. “Preportr” ka vërejtur se ekziston një lidhje në mes të relacionit se prej nga vijnë pronarët e kompanive si dhe komunës se ku janë regjistruar këto kompani që kanë përfituar tender. Po ashtu, “Preportr” ka gjetur se kompani që vijnë nga komuna të cilat tradicionalisht nuk kanë qenë nën qeverisjen e PDK-së, kanë fituar tenderë sepse kanë qenë në konsorcium me kompani që vijnë nga rajone të cilat cilësohen si komuna të kësaj partie.

Veç kësaj, “Preportr” ka vërejtur se ka edhe raste që kompani të caktuara, që vijnë nga komuna që kanë qenë jashtë qeverisjes së PDK-së, kanë fituar tenderë milionësh, pasi që pronarët këtyre kompanive kanë lidhje familjare me zyrtarë të PDK-së.

Në rastin e komunës së Prishtinës, është vërejtur se ka kompani përfituese të tenderëve prej disa dhjetëra milionësh, që kanë qenë në konsorcium me kompani që vijnë nga komuna e Malishevës si dhe komuna e Ferizajt. Kompania “Euro-kos” nga Prishtina, ka marrë tenderë publik prej dhjetëra miliona eurosh nga MTPT-ja, ku në shumicën e rasteve ka qenë në konsorcium me kompani nga rajoni i Drenicës po edhe me kompani që vjen nga komuna të PDK-së, siç është Ferizaj.

Po ashtu, kompania “Kastrioti”, nga Prishtina ka marrë tenderë në vlerë prej mbi 5 milionë euro, pronari i së cilës është nga rajoni i Drenicës.

Veç këtyre, kompania “Damastion Projekt” ka marrë tenderë në vlerë afër 3 milionë eurosh, në konsorcium me kompanitë nga Drenasi dhe nga Ferizaj. Kompania “Ada Consulting Group” poashtu nga Prishtina, që për pronarë ka Avni Kastratin nga Buroja, ka fituar tenderë në vlerë afër 2 milion euro. Kompania “Ada Consulting Group”, ka për këshilltarë Fadil Demakun, deputet i PDK-së në Parlamentin e Kosovës, dhe i cili është vëllai i kryetarit aktual të Drenasit, Nexhat Demaku.

Komuna e Istogut edhe pse në vazhdimësi ka qenë nën udhëheqjen e LDK-së, kompani të caktuara kanë fituar miliona euro nga investimet publike pasi që janë të afërta me struktura të PDK-së. Kompania “Albes” nga Istogu, që ka pronar Hajredin Mavraj, shihet si e afërt me struktura të PDK-së, pasi që pronari në fjalë është familjar i botuesit të gazetës “Epoka e Re”,

Muhamet Mavraj, gazetë e cila tradicionalisht ka qenë e afërt me PDK-në. Në anën tjetër, Komuna e Deçanit po ashtu ka përfituar shuma milionëshe nga tenderët publik, edhe pse kjo komunë asnjëherë nuk ka qenë nën qeverisjen e PDK-së. Sidoqoftë, arsyeja pse kompani nga komuna e Deçanit kanë përfituar nga tenderët publik, ka të bëjë pjesërisht edhe me lidhjet familjare të pronarëve të kompanisë së caktuar me deputet të PDK-së. Kompania, “Arfa” nga Deçani, me pronar Fadil Hadërgjonaj, ka përfituar afër 2 milion euro nga MTPT-ja. Fadil Hadërgjonaj është familjarë i deputetes së PDK-së, në Parlamentin e Kosopvës, Safete Hadërgjonaj.

Raportimet e mediave për kompani të afërta me PDK-në

Në vazhdimësi, media në Kosovë ka raportuar se si kompani të afërta me njerëz të PDK-së kanë fituar tenderë nga institucione publike. Në këtë numër, “Preportr”, ka gjetur që një shumë afër 40 milionë euro u është dhënë kompanive të ndryshme nga Ministria e Transportit si dhe ajo e Arsimit, kompani që direkt kanë financuar fushatën elektorale të PDK-së së vitit 2009. Po ashtu, gazeta “KOHA Ditore”, muaj më parë kishte raportuar se si kompani të caktuara kanë përfituar miliona euro, kompani të cilat figurojnë në raportet zyrtare të KQZ-së si financuese të fushatës elektorale së PDK-së të vitit

2009. Kurse, gazeta “Prishtina Insight”, në njërin prej numrave të sajë, kishte raportuar se si kompani të afërta me ministrin e Transportit, Fatmir Limaj, kanë fituar dhjetëra miliona euro nga kontratat për shtrimin e rrugëve. Në vetëm këto tri mediume të shkruara, mund të nxirret që një shumë afër 63 milion euro, nga MTPT-ja dhe MASHT-i, u është dhënë kompanive të cilat në një mënyrë janë të lidhura me PDK-në, si financuese të fushatës elektorale ose si të afërta me njerëz brenda strukturave të partisë.

Investimet në rajonet e ministrave dhe në bastionet e PDK-së

Sa i përket përfitimit të rajoneve të veçanta,Drenica del të jetë rajoni me më së shumti investime nga MTPT-ja. Madje qyteza e Skenderajt ka pasur më shumë investime se sa kryeqyteti i Kosovës. Në periudhën dy vjeçare, nga MTPT-ja, në rajonin e Prishtinës janë investuar mbi 18.7 milion euro derisa në Skenderaj janë investuar hiç më pak se mbi 19 milion euro nga buxheti i shtetit. Ndërkaq, në qytezën e Drenasit, gjatë periudhës Janar 2008 – Dhjetor 2010 është investuar pothuajse shuma e njëjtë e parave sa në Prizren. Në qytete tjera të mëdha si Peja e Mitrovica është investuar disa herë më pak se sa në disa komuna dukshëm më të vogla të Kosovës.

Për sa i përket investimeve në rajone të ndryshme të vendit nga ana e MASHTit, ka një shpërndarje më proporcionale të investimeve nëpër komunat e Kosovës. Megjithëkëtë, komuna e Therandës, prej nga edhe vjen ish ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, ka përfituar miliona euro më shumë se sa komunat më të mëdha si Peja, Mitrovica apo edhe Gjakova.

“Preportr” ka shikuar edhe shpërndarjen e përgjithshme të investimeve publike të bëra nga këto dy ministri në komunat e Kosovës.Nga totali i investimeve të bëra nga MTPT-ja dhe MASHT-i, del se komunat që tradicionalisht kanë qenë bastione të PDK-së, por edhe në ato komuna ku interesi elektoral i PDK ka qenë i madh, kanë përfituar më shumë në krahasim me komunat tjera që për nga numri i banorëve janë shumë herë më të mëdha.

Megjithëse Skënderaj për nga investimet del mbi vendbanime shumë herë më të mëdha si Prizreni, Mitrovica,Peja,Gjakova, prapë ky grafikon duket normal kur merret parasysh se nuk ka ndonjë ndryshim të madh në investime në mes komunave të ndryshme. Mirëpo, nëse marrim parasysh se një pjesë e madhe e tenderëve u është dhënë kompanive të afërta me PDK-në, ose u është dhënë konsorciumeve që kanë brenda të paktën një kompani nga rajonet tradicionale të PDK-së, del se qartësisht ndarja e këtyre tenderëve është bërë në mënyrë politike.

Prandaj, këto investime nuk kanë efektin e proklamuar për këto vendbanime duke qenë se kompanitë përfituese prapë janë ato të afërta me pushtetin duke bërë kështu që edhe paratë nga investimet në komunat, që nuk i takojnë tradicionalisht PDKsë, të kthehen në komunat që kanë votuar gjithmonë këtë parti.

Grafikoni, poashtu tregon se komuna të vogla si Theranda,Skënderaj, apo Drenasi, ose barazohen ose i kalojnë komunat shumë më të mëdha si Mitrovica, Gjakova e Peja. Pra kemi të bëjmë me përfitime në projekte investuese,por edhe me përfitime të kompanive me prejardhje të caktuar të këtyre projekteve në varësi nga interesi politik i partisë në pushtet.

Ministritë nuk pranojnë që të takohen me “Preportr”

“Preportr” ka kërkuar nga ministria e Transportit dhe e Arsimit që të ketë qasje në dosjet e tenderëve, në mënyrë që të krijoj një pasqyrë më të plotë dhe më të qartë rreth procedurave të dhënies së tenderëve, që këto dy institucione publike i kanë kontraktuar gjatë viteve 2008-2010. Qëllimi ishte që të verifikohej se sa këta tenderë, janë dhënë në përputhje me kushtet e përcaktuara me Ligjin për prokurim publik.Po ashtu, qëllimi i “Preportr” ishte të shoh nëse këto dy ministri kanë pasur paraprakisht ndonjë plan të investimeve kapitale para se t’i marrin vendimet për të investuar në rajone të ndryshme të vendit. Përkundër kërkesës zyrtare për takim dhe pritjes për më shumë se tri javë për përgjigje nga ana e departamenteve të prokurimit brenda këtyre ministrive, “Preportr” nuk mori përgjigje.

Fusha e prokurimit publik më e prekura nga korrupsioni

Sipas Agjencisë Kosovare kundër Korrupsionit, fusha e prokurimit publik në Kosovë është më e prekura për sa i përket shpërdorimit të parasë publike nga zyrtarë qeveritarë. AKK-ja, në vazhdimësi në raportet e saja ka cekur se prokurimi publik në Kosovë në shumë raste bëhet duke e thyer ligjin më qëllim të përfitimeve të individëve apo kompanive të caktuara. “Veprimet apo mos veprimet e përmendura i referohen, në rastet më të shpeshta, shkeljes së procedurave të prokurimit ku në mënyrë të hapur dhe në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, janë dhënë kontrata publike operatorëve ekonomik duke favorizuar të njëjtit, ndërsa që janë eliminuar operatorët ekonomik të cilët i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara me dosjen e tenderit”, thuhet në Raportin e AKK-së për vitin 2010.

Zyrtari i lartë për hetim në AKK, Blerim Kelmendi,tregon për “Preportr” se format më të shprehura të akteve të korrupsionit, për sa i përket fushës së prokurimit publik kanë të bëjnë me aspektin e shpërdorimit të detyrës zyrtarëve, favorizim të kompanive të caktuara në dëm të të tjerave, falsifikim masiv të dokumenteve, shpërdorim të detyrës zyrtare nga komisionet e prokurimit, falsifikim i diplomave të stafit teknik, falsifikim i autorizimit të përfaqësimit të ndërmarrjeve ndërkombëtare ose falsifikim i licencave të këtyre ndërmarrjeve si dhe marrje të ryshfetit. Edhe raporti i AKK-së, për vitin 2010, e mbështet pohimin e këtij zyrtari.

Raporti thotë që: “Gjatë hetimeve janë gjetur prova të cilat tregojnë për falsifikim masiv të dokumenteve zyrtare me qëllim të dhënies së kontratave publike operatorëve ekonomik përkatës, duke përdorur madje edhe emra fiktiv të personelit profesional si dhe duke falsifikuar kontrata të punës me individë të cilët nuk kanë qenë asnjëherë të punësuar në kuadër të operatorëve përkatës, falsifikimi i raporteve për kryerjen e punëve të cilat në fakt nuk janë kryer ndërsa që është bërë pagesa nga autoritetet kontraktuese. Po ashtu problematike paraqitet edhe çështja e vërtetimeve për kryerjen e obligimeve ndaj shtetit ku janë gjetur se dokumentet e tilla janë falsifikuar në mënyrë të vazhdueshme.Marrja e ryshfetit, kryesisht ndodhë në raste kur kërkohet ryshfet ne këmbim të dhënies së ndonjë favori apo përfitimi tjetër”.

Raportet e AKK-së, përgjatë gjithë kohës prej se është themeluar ky institucion për luftimin e korrupsionit, kanë vënë në pah se fusha e prokurimeve publike është më e prekura për sa i përket shpërdorimit të parasë publike. Raporti për vitin 2009 pak a shumë konstaton gjendje të njëjtë me atë të vitit 2010. Aty thuhet që: “në rastet më të shpeshta, shkeljes së procedurave të prokurimit ku në mënyrë të hapur dhe në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, janë dhënë kontrata publike operatorëve ekonomik duke favorizuar të njëjtit, ndërsa që janë eliminuar operatorët ekonomik të cilët i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara me dosjen e tenderit”.

Po ashtu, raporti për vitin 2008 i AKK-së,vlerëson që gjendja në prokurim është majft e rëndë dhe kryesisht përcillet me shkelje të ligjit në fuqi. “Zhvillimi i procedurave të prokurimit, nga ana e departamenteve është në kundërshtim me ligjin për prokurim publik, shpesh herë nuk zbatohet fare ligji i prokurimit, falsifikimi i dokumentacioneve zyrtare (raporteve në lidhje me procedurat e prokurimit), pagesat e bëra pa përfunduar punimet ose akoma pa filluar po ashtu ajo që është me skandalozja ka të bëjë me miratimin e këtyre dokumenteve nga ana e menaxhereve të institucioneve” thuhet në raportin e AKK-së.

Kontestohen rezultatet pozitive të investimeve

Njohës të zhvillimeve në vend, për sa i përket shpenzimeve qeveritare, shprehen se investimet kapitale të bëra nga këto dy ministri, faktikisht nuk kanë dhënë rezultatin e pritur. Ata shprehen skeptik me mënyrën se si janë bërë këto investime dhe ku janë investuar paratë. Për këta njohës të zhvillimeve në vend, qeveritë e deri tashme, e sidomos kjo e fundit, nuk kanë pasur ndonjë plan konkret të zhvillimit ekonomik si dhe plan studimi i cili u tregon se kur dhe pse duhet të investohet. Lumir Abdixhiku, drejtor i Institutit RIINVEST, kundërshton mënyrën se si janë shpenzuar miliona euro në investime kapitale.

Abdixhiku konsideron që arsyetimet e qeveritarëve se paraja publike ka shkuar aty ku nuk ka pasur investime me vite, janë justifikime të paarsyshme pasi që paraja e shtetit duhet të investohet aty ku edhe mund të rigjenerohet. “Argumenti i qeverisë thotë që vendet ku është investuar, vatrat prej të cilave kanë ardhur, kanë qenë vendet më të pazhvilluara historikisht. Mirëpo, investimi kapital bëhet aty ku ka aftësi për t’i rigjeneruar ato pare”, thotë Abdixhiku.

Edhe për kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliun, investimet publike janë bërë pa ndonjë plan konkret dhe si të tilla kanë shkuar në xhepa dhe në rajone të afërta me politikën. “Kosovës i mungon një plan zhvillimor, dhe po të kishim një plan zhvillimor investimet kishin me gjenreruar zhvillim ekonomik, kishin me e ulë papunsisë”, thotë Gërxhaliu.