English
Scroll top

Banorët e kënaqur me asfaltimin e rrugëve lokale në fshatrat e Vushtrrisë

Komuna e Vushtrrisë është duke vazhduar punën në asfaltimin e rrugëve lokale në 17 fshatra të kësaj komune. Projekti i nisur në vitin 2018 pritet të përfundoj në fund të këtij muaji. Megjithatë komuna ka ngecur në shtrimin e njërit segment të rrugës në fshatin Bruznik. Pronari që kishte privatizuar këtë pjesë po kundërshton punimet....

Prishtinë, 06 Qershor 2019

Në gusht të vitit 2018 Komuna e Vushtrrisë ka nënshkruar kontratë për asfaltimin e rrugëve lokale në 17 fshatra të komunës së Vushtrrisë.

Sipas kontratës së nënshkruar të siguruar nga ekipi i Preportr, punimet duhen kryer brenda 200 ditëve të punës dhe jo më larg se fundi i nëntorit të vitit 2019.

Kontrata është e ndarë në  tri lote dhe punët do të përfundohen nga dy kompani. Kompanitë përfituese të tenderit janë “Bageri” (2 lote) dhe “Kosova Asfalt” (1 lot), ku vlera e përgjithshme e kontratës është 442,349.34‬ euro.

Në pjesën e parë të kontratës janë paraparë të shtrohen rrugët në fshatrat Studime e Epërme, Studime e Poshtme, Sfaraqak dhe Samadrexhë. Në pjesën e dytë ato të fshatrave Beqiq, Bivolak, Bruznik, Dubovc, Galicë, Mihaliq, Shallc, Akrashticë dhe Ashlan ndërsa në lotin e tretë parashihen të shtrohen rrugët lokale në fshatrat Banjskë, Pasomë, Sllatinë-Tarllabuq dhe Smrekonicë.

Preportr ka kërkuar intervistë me drejtorin e Urbanizmit në këtë komunë, Berat Sadiku, por intervistën kemi arritur ta realizojmë vetëm me menaxherin e kësaj kontrate Nexhat Merovci.

Sipas Merovcit, shumica e rrugëve që parashihen në këtë kontratë janë të përfunduara ose në përfundim e sipër. Preportr ka kërkuar nga komuna e Vushtrrisë që të na informojë se cilat rruga kanë përfunduar dhe cilat ende janë në punime apo pritet te fillohen punimet, por ende nuk ka pranuar përgjigje.

“Në bazë të planifikimit që është paraparë për vitin 2017 ka qenë i planifikuar edhe projekti për asfaltimin e rrugëve në 17 fshatra të komunës së Vushtrrisë, në të njëjtën kohë me procedurë prokurimi është ndarë në tri lote të cilat kanë filluar të realizohen në të njëjtën kohë”, ka thënë Merovci.

Ai thotë se menjëherë dy ditë pas nënshkrimit të kontratës ka filluar puna dhe nuk kanë pasur ndonjë ngecje gjatë implementimit.

“Operatori ka qenë i gatshëm çdo herë me na përkrahë, unë konisderoj që ky projekt më së largu në fund të muajit do të përfundoj. Nuk kemi pasur nevojë për shpronësim deri më tani”, ka shtuar Merovci.

Me qëllim të hulumtimit të tenderit dhe matjes së transparencës së komunës për këtë projekt, Preportr ka kërkuar përmes qasjes në dokumente zyrtare të gjitha dokumentet e komunës lidhur me tenderin në fjalë duke filluar nga kontrata, procesverbalet për dëgjime publike dhe buxhetore, planin e prokurimit për vitet 2018-2019 dhe emrat e rrugëve të cilat do të asfaltohen me këtë projekt.

Në kërkesën tonë për qasje në kontratë dhe në planin e prokurimit komuna është përgjigjur pozitivisht dhe brenda afatit kohor të paraparë me ligjin për qasje në dokumente publike. Në anën tjetër në kërkesën tonë të datës 12 prill  e cila kishte përfshirë kërkesën për qasje në procesverbalin nga dëgjimet publike, procesverbalin nga dëgjimet buxhetore dhe procesverbalin për informimin e banoreve për fillimin dhe mbarimin e punëve ne fshatrat përkatëse, komuna ka kthyer përgjigje pas një muaji, vetëm pas insistimit të Preportr.

Pas shqyrtimit të këtyre dokumenteve, Preportr ka vërejtur se disa nga procesverbalet janë nga takimet me banorët e disa fshatrave të cilët nuk janë fare pjesë e kësaj kontrate. Në të gjitha procesverbalet e këtyre takimeve kërkesa për asfaltim të rrugëve lokale ka qenë ndër kërkesat kryesore të banorëve.

Gjithashtu rrugët që do të asfaltohen me këtë kontratë kanë qenë pjesë e planit të prokurimit për vitin 2018. Sipas komunës mjetet financiare për realizimin e kësaj kontrate janë të zotuara.

Informimi i qytetarëve

Sipas zyrtarëve komunal të gjitha rrugët që do të asfaltohen kanë qenë kërkesë e banorëve të cilët shfrytëzojnë këto rrugë. Sipas tyre komuna pranon gjatë vitit shumë kërkesa për asfaltim të rrugëve por ka mundësi financiare që të realizoj vetëm një pjesë të tyre.

Për të gjitha rrugët e përfshira në kontratë në komunë pohojnë që janë mbajtur diskutime publike me banorët, dhe për këto komuna mban procesverbale.

“Planifikimi i këtij projekti është bërë në vitin kalendarik 2017 në bazë të dëgjimeve publike që i kemi bërë me njësitë e fshatrave. Në bazë të kërkesave të komunitetit dhe prioriteteve të para të cilat i kanë paraparë edhe ata vet në koordinim me zyrën e urbanizmit janë futur këto 17 fshatra si projekte. Pas dëgjimeve nëpër fshatra janë vizituar  nga personat përgjegjës të drejtorisë së urbanizmit të cilët kanë dashtë edhe vet me u ballafaqu me gjendjen faktike në terren të këtyre segmenteve të rrugëve. Pas përfundimit të kësaj është hartuar një projekt ideor dhe pastaj është prezantuar në zyre të kuvendit”, ka shpjeguar menaxheri i kontratës.

Situatë me e keqe në informimin e qytetarëve qëndron në rastet kur ata duhet të informohen për fillimin e punëve dhe ecurinë e tyre. Sipas menaxherit të kontratës, para fillimit të punimeve njoftohen vetëm  kryesuesit e njësive (ish-bashkësitë lokale) dhe për këtë nuk kanë ndonjë procedurë të veçantë. Njoftimi i kryesuesve të njësive në të shumtën e rasteve bëhet përmes telefonit.

Në anën tjetër banorët të cilët jetojnë në pjesët ku janë asfaltuar rrugët thonë se kanë qenë në dijeni se do të ketë punime por nuk kanë qenë të informuar për kohën e saktë e të fillimit dhe mbarimit të punëve.

Halil Basholli, banor në rrugën Rexhep Basha në fshtain Samadrexhë ka thënë për Preportr se kjo rrugë është shtruar në vjeshtë të vitit të kaluar.

“Na kanë treguar vitin e kaluar se një pjesë e rrugës do të shtrohet tani dhe pjesa tjetër vitin e ardhshëm, pra  pjesa që është shtruar tani”, ka thënë Basholli.

Ndërsa një banor i fshatit Brusnik ka thënë se rruga tek shtëpia e tij është shtruar shpejt dhe nuk kanë pasur ndonjë problem. “Komuna na ka njoftuar se rruga do të shtrohet po se kur do të fillohen punimet jo, ndoshta ka qenë i njoftuar kryetari i katunit”, ka sqaruar ai.

Sipas menaxherit të kontratës, Nexhat Merovci, ka pasur një bashkëpunim në mes të komunës dhe qytetarëve në realizimin e këtij projekti.

“Ka pasur individë që kanë menduar që nuk janë ekzekutuar punimet sipas asaj kontrate, kemi pasur vizita edhe prej përfaqësuesve të fshatrave që kanë ardhur bashkërisht në zyre dhe kontratat kanë qenë transparente edhe për ta dhe e kemi analizuar bashkë përshkrimin e punimeve edhe ekzekutimin që është bërë. Nëse është paraqitur ndonjë defekt gjatë punimeve qytetarët na kanë përcjellë përmes fotografive dhe ne jemi marrë më të”, ka thënë ai.

Probleme kontestimore me pronën ne fshatin Bruznik

Edhe pse komuna thotë se nuk kanë pasur nevojë për shpronësim, gjatë realizimit të punimeve në njërin nga segmentet ne fshatin Bruznik, komuna e Vushtrrisë ditëve të fundit ka hasur probleme pronësore nga një prej pronarëve të tokave.

Në vendin e quajtur “te pishat” pronari që ka privatizuar këtë pjesë pretendon që nuk ka rrugë.

Sipas zyrtarëve të komunës ajo pjesë ku është filluar të shtrohet rruga figuron pronë publike dhe komuna ka fletë poseduese dhe kopje të planit. Sipas komunës pas fillimit të punimeve prokurori ka dhënë urdhër për ndërprerje të punimeve për kohë të pacaktuar.

Pas vendimit të prokurorit komuna ka marrë vendim që mjetet e parapara për këtë rrugë të dislokohen për asfaltimin e një rruge tjetër po në këtë fshat.

Sipas komunës nëse rasti zgjidhjet ne favor të tyre, komuna duhet të bëjë planifikim të ri buxhetor për të vazhduar këtë rrugë, sepse mjetet e parapara janë shfrytëzuar tashmë për një rrugë tjetër.