English
Scroll top

Autostrada e sekreteve

Përafërsisht një miliardë euro pritet të kushtoj ndërtimi i Rrugës së Kombit, “Ibrahim Rugova”, i cili është investimi publik më i shtrenjtë. Kontrata, e cila asnjëherë nuk është bërë publike, iu ka dhuruar konzorciumit Amerikano-Turk, Bechtel-Enka

Prishtinë, 02 Maj 2013

“Mendoj që ka qenë transaksioni më transparnt që keni parë deri më tani në Kosovë”, kështu e pati komentuar Christopher Dell kontratën në mes të qeverisë dhe kompanisë amerikano-turke, “Bechtel & Enka”, për ndërtimin e autostradës “Ibrahim Rugova”. “Bechtel & Enka”, kishte ndërtuar  autostradën  edhe në Shqipëri, e cila së bashku me autostradën “Ibrahim Rugova”, pritet që ta finalizojë projektin e përbashkët të të dyja shteteve të quajtur “Rruga e Kombit”.

Gjëja e vetme e bërë publike nga Qeveria e Kosovës rreth  këtij investimi,  më i madhi investim  publik në Kosovë, është njoftimi për dhënie të kontratës konzorciumit amerikano-turk. Ky njoftim i publikuar në ueb-faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), bënë me dije vetëm se kontrata mes Qeverisë kosovare dhe “Bechtel & Enka-së”, do të jetë  në vlerë prej 659,813,400.38 €.

Ky dokument i bërë publik nga qeveria ‘Thaçi I’ do të demantohej nga po vetë kjo qeveri. Një dokument zyrtar që Ministria e Financave e udhëhequr nga Ahmet Shala,  ja ka dërguar Komisionit Evropian thotë se projekti në tërësi do të kushtojë mbi 1 miliard euro.

Kontrata u nënshkrua dhe vazhdon të mbetet sekrete, ani pse kompania “Eversheds”, që ishte angazhuar nga Qeveria e Kosovës për të ofruar këshilla mbi kontratën, kishte rekomanduar që kjo kontratë të mos nënshkruhej me arsyen se  ishte shumë e pa favorshme për vendin.

Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave në Kuvendin e Kosovës, ish-ministri i Financave Ali Sadriu thotë se këtë kontratë e ka marr për ta hetuar Misioni EULEX.

Tentativat për ta bërë këtë kontratë publike, bazuar në ligjin për qasje në dokumente zyrtare, kishin dështuar. Qeveria nuk e publikoi atë as pas shumë ftesave publike nga shoqëria civile dhe opozita që ta bënte një gjë të tillë.

Lëvizaj Fol, kishte bërë një kërkesë të tillë, por Ministria e Transportit që atë kohë udhëhiqej nga Fatmir Limaj, e refuzoi kërkesën. Lëvizja Fol, ngriti një padi lidhur me këtë dhe lënda tash ka arritur deri në Gjykatën Supreme.

Një lëvizje tjetër do ta bënte atë që nuk arriti ta bënte pjesa tjetër e shoqërisë. Lëvizja Vetëvendosje, e futi në dorë kontratën që po mbahej nga Qeveria e koalicionit PDK-AKR si “top-sekret”. Vetëvendosje nxori në publik një kopje të kontratës me nënshkrimet e zyrtarëve të “Bechtel & Enkas” dhe nënshkrimin e shefit të prokurimit të MTPT-së, Nexhat Krasniqi.

“Bechtel & Enka-n” e mbikqyrin ish-punëtorët  e saj

Përkundër faktit që kontrata  mbeti sekrete, mediat dhe shoqëria civile nxirrnin fakte që alarmonin  se realizimi i projekti  po  mbetej pa një mbikëqyrje profesionale që garanton cilësi.

Autostrada vazhdoi së ndërtuari për afro një vit pa mbikëqyrje nga ndonjë kompani e jashtme, derisa MTPT-ja në gjysmën qershorit të viti 2011 zgjodhi kompaninë  “Hill International “ – Luxembourg.  Profili i kësaj kompanie e nxjerr atë të lidhur ngushtë me konzorciumin amerikano-turk, punët e të cilëve do t’i mbikqyrin, pasi që kjo kompani, “Hill International”, ka të punësuar së paku 2 drejtues , ish punëtorë të kompanisë amerikane “Bechtel”.

Ish-punëtorët e “Bechtel”, të cilët punuan në këtë kompani për disa dekada, tani janë punëtorë të Hill Internacional dhe janë promovuar të dy zëvendës-presidentë në vitin 2010.  Robert L. Brunett, në qershor të vitit 2010 është promovuar si zv. president  për zyrën e Dubait, kurse Mohamed A. El Zahabi, po ashtu është promovuar në pozitën e zv. presidentit.

Lidhja e familjes Thaçi me “Bechtel&Enkan”

Me këtë kontratë është e ndërlidhur edhe familja e kryeministrit Hashim Thaçi, nëpërmjet kompanisë “Geo Mineral” e cila ishte angazhuar si nënkontraktor  nga “Bechtel&Enka”.

Gazeta Jeta në Kosovë, ka shkruar këtë vit se vëllai i tij, Idriz Thaçi, është person kontaktues për një kontratë për furnizim me naftë të kompanisë “Geo Mineral”, e cila ka përfituar licencë publike për eksploatim të pasurive minerale dhe gurthyesi i saj gjendet në Ostrazup të Malishevës, një komunë po ashtu e udhëhequr nga PDK-ja.

Në regjistrin e bizneseve të Ministrisë së Tregtisë kompania e lartëpërmendur për pronar ka  Hajati Banjicën, djali i të cilit, Visar Banjica, është pronar i “OVE Group”, një kompani që merret me tregtinë e metaleve. Të dy kompanitë, përveç që ndajnë bashkë zyrën, kanë tani ose kanë pasur lidhje me vëllezër dhe njerëz të afërt të kryeministrit, Hashim Thaçi.

Kjo Kompani, për të cilën u gjet se person kontaktues, në një kontratë të saj me kompaninë e biznesmenit Bedri Selmanaj,” Kosova Petrol”, ishte vëllai i kryeministrit Thaçi, Idrizi, është edhe kontraktore  e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në tender publik që kapin shifrën prej afro 1.6 milionë eurosh. Deri në fund të viti 2011, me tenderët e kësaj korporate kishte udhëhequr Nijazi Thaqi, kushëri i kryeministrit, Hashim Thaçi, i cili tash mban pozitën e drejtorit të prodhimit në KEK, e që është e barazvlefshme me pozitën e zëvendësdrejtorit në këtë korporatë.