English
Scroll top

AMM – Absolut Mustafa Monopol

Ofrimi i disa ofertave për një tender nuk duket ta shqetësojë pronarin e kompanisë “AMM” që ka monopol në hapësirat reklamuese për Prishtinë. Ai thotë se futja e disa kompanive nga një grup interesi ka qenë strategji për ta fituar tenderin. Kjo kompani, përveç se ka lidhje me të gjitha kompanitë e kualifikuara për këtë tender, ka për pronarë edhe ortak të kreut të komunës së Prishtinës, Isa Mustafa. Kjo kompani është edhe financuese e LDK-së

Prishtinë, 13 Qershor 2012

Biznesmenët Gëzim Salihu e Ahmed Kurtolli duket se janë krejt rastësisht pronarë të reklamave në kryeqytetin kosovar, që tradicionalisht udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Një hulumtim i ”Preportr” nxjerrë se pasi kanë hyrë në këtë biznes me një kontratë ende të mbajtur sekrete, ata vazhdojnë monopolin me një tender ku të gjitha kompanitë e mbetura në fund të garës ishin të ndërlidhura  nëpërmjet ortakëve me këta dy biznesmenë. Ata poashtu janë ortakë në biznese tjera me ish-zyrtarin e lartë ët LDK-së, Isa Mustafa, tash në krye të Prishtinës e të LDK-së. Nuk u kursye as shkelja e Ligjit të Prokurimit (LPP).

Këta donatorë zyrtarë të kësaj partie, sipas hulumtimit të QKGH-së,  me kompaninë e tyre “AMM”, që kur vendi udhëhiqej nga Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse (IPVQ) dhe UNMIK-u kanë vendosur monopol në marketing në hapësirat publike të Prishtinës. Kontrata e papublikuar ndonjëherë iu vazhdua atyre për 7 vjet  me një tender që ishte nisur për të instaluar kioske në kryeqytet.

Një raport hetimi  i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), i bërë pas inicimit të rastit nga ”Preportr”, tregon se në këtë tender, që zyrtarisht ishte emëruar “Furnizim me kioske në Komunën e Prishtinës”,  ishte shkelur vetëm një rregull e prokurimit.

Syze për Komisionin e Prokurimit

KRPP-ja gjeti se Komuna e Prishtinës për këtë tender kishte gabuar vetëm kur nuk i njoftoi kompanitë që ishin të përgjegjshme se janë eliminuar nga gara, por çuditërisht këto kompani humbëse në këtë tender nuk ishin ankuar.

Hulumtimi i ”Preportr”, zbulon arsyen se pse këto kompani nuk u ankuan. Konzorciumet që kishin mbetur në fund në garën për tenderin  “për Furnizim me kioske në Komunën e Prishtinës” ishin të biznesmenëve Ahmed Kurtolli e Gëzim Salihu, pronarë të kompanisë fituese të tenderit në fjalë, kompanisë “AMM”

Hulumtimi i ”Preportr”, zbulon arsyen se pse këto kompani nuk u ankuan. Konzorciumet që kishin mbetur në fund në garën për tenderin  “për Furnizim me kioske në Komunën e Prishtinës” ishin të biznesmenëve Ahmed Kurtolli e Gëzim Salihu, pronarë të kompanisë fituese të tenderit në fjalë, kompanisë “AMM” , ose të personave që kanë lidhje me ta.

Sipas raportit të KRPP-së, në fund të garës si të përgjegjshme për këtë tender mbetën  kompania “AMM” dhe konzorciumet “Auto Avangarde”& ”Al Desing”,  dhe konzorciumi “Proreklam Europlakat” & “Profitech”.

Në Regjistrin e Bizneseve del se Gëzim Salihu është bashkëpronar në kompaninë “Auto Avangarde”, së bashku me Raif Salihun dhe Agron Tofani. Kjo kompani për këtë tender kishte ofertën 286 mijë euro, u eliminua pa u njoftuar, por nuk u ankua kundër komunës së Prishtinës. As konzorciumi i dytë në garë “Proreklam Europlakat & Profitech” nuk u ankua. Pronare e saj është kompania AMM, e bashkëpronar i AMM-së është Gëzim Salihu.

Pasi që këto dy kompani nuk u ankuan, tenderin e fitoi kompania e tretë, kompania “AMM”, e cila është në  pronësi të Gëzim Salihut e Ahmed Kurtollit, me çka asaj iu vazhdua monopoli i reklamave në hapësirat publike në kryeqytetin kosovar.

Ortaku i Isa Mustafës fiton gjithë

Derisa KRPP-ja nuk vërejti më shumë se sa veç shkeljen se “nuk janë njoftuar kompanitë  eliminuara” për tenderin për “Furnizim me kioske në Komunën e Prishtinës”, “Preportr” ka gjetur se biznesmenët e implikuar në këtë tender kanë lidhje biznesore edhe me kreun aktual e komunës së Prishtinës, Kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.

Në kohën kur po zhvilloheshin procedurat për tenderin Furnizim me kioska në Komunën e Prishtinës ku në garë ishin kompani fort të ndërlidhura mes tyre, Ahmed Kurtoilli ishte ortak në një biznes tjetër me Isa Mustafën, atëherë vetëm zyrtar i LDK-së dhe profesor në Universitetin e Prishtinës. Në të kaluarën, Mustafa kishte qenë edhe Ministër i Financave në Qeverinë e Kosovës në Ekzil, që udhëhiqej nga zëvendëskryeministri aktuali  i Kosovës, Bujar Bukoshi. Kurtolli e Mustafa  ishin ortak në Klubin Futbollistik “Prishtina”.

Por për njërin nga pronarët e kompanisë “AMM”, Gëzim Salihun, kjo nuk paraqet asnjë lidhje me dhënien e këtij tenderi. Ai nuk sheh gjë të keqe edhe në faktin se krejt kompanitë që mbetën në fund në garë ishin të ndërlidhura në mes tyre.

Madje Salihu thotë se kjo ka qenë një strategji e tij për ta fituar këtë tender dhe se kjo mënyrë e tenderimit, me Ligjin e Prokurimit të zbatuar në vitin 2006 nuk ka qenë e ndaluar, derisa mohon që vazhdimi i këtij tenderi është bërë përmes lidhjeve politike, ani pse “AMM” është donatore zyrtare e LDK-së.

“Kjo nuk ka paraqitur shkelje ligjore dhe ajo kontratë është lidhur në baza të plota ligjore. Me dijeninë time partneri im nuk është në asnjë biznes me Isa Mustafën. Nëse ju e llogarisni Klubin Futbollistik Prishtina, ai nuk është biznes, por mënyrë si me e financuar sportin.  Nuk kemi pasur monopol në kryeqytet, por diçka tjetër është se kemi pasur mundësi me u zhvillu më shumë se të tjerët pasi që jemi pjesë e tri kompanive që janë shumë fuqishme”, thotë Salihu.

”Preportr” ka pritur për më shumë se një muaj përgjigje nga Komuna e Prishtinës, që aktualisht udhëhiqet nga Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, por askush nga kjo komunë nuk ka pranuar që të flas për këtë çështje.

Pse fshehët kontrata?

Vazhdimi i kontratës me shkelje  për “AMM”, e cila zyrtarisht është donator i LDK-së, duket të jetë arsyeja që kjo komunë, që tradicionalisht është udhëhequr nga kjo parti, nuk ka pranuar që të prononcohej rreth këtij tenderi.

“Preportr” për më shumë se gjashtë muaj është duke u përpjekur që të ketë qasje në këtë kontratë dhe përkundër kërkesave zyrtare që ka protokolluar në komunë, nuk i është lejuar qasje.  Po ashtu qasje nuk i ishte lejuar në këtë dokument as opozitës në kuvendin komunal. Përveç që nuk dihet për të hyrat nga kjo kontratë dhe detaje tjera, komuna i ka mbajtur fshehtë edhe kompanitë konkurruese, e në të tri këto kompani është bashkëpronar Gëzim Salihu.

Dhënia e kontratës në këtë mënyrë ka krijuar edhe monopol në vendosjen e reklamave në Komunën e Prishtinës. Ligji për Konkurrencën në pjesën IV, konkretisht neni 14.1 ndalon monopolin dhe shpërdorimin e pozitës dominuese.

“Ndalohet shpërdorimi i pozitës dominuese nga një ose më shumë ndërmarrje”. Ndërsa neni 14.2 i këtij ligji thotë se “një ndërmarrje konsiderohet të ketë pozitë dominuese nëse ka pjesëmarrje më të madhe se 40% në treg”.

Megjithëse “Preportr”  ka provuar që të marrë një interpretim ligjor për këtë çështje nga Komisioni i Konkurrencës, ky komision nuk ka pranuar që të prononcohej, pasi që  tash e mbi tre muaj vazhdon të jetë pa mandat. Përzgjedhjen dhe intervistimin e kandidatëve për këtë komision dhe dërgimin e tyre në Kuvendin e Kosovës për miratim e ka obligim Qeveria e Kosovës, por në Zyrën e  Kryeministrit nuk kanë përgjigje se pse Komisioni i Konkurrencës vazhdon të jetë pa mandat.