English
Scroll top

Abuzimi me çmime në tenderin për furnizim me bukë

Më 30 nëntor të vitit që lamë pas, komuna e Gjakovës ka nënshkruar kontratë me Operatorët Ekonomik (OE) “Mabes” “Landi Star 1” për furnizim me bukë dhe produkte të saj. Për produktet e domosdoshme OE kanë ofruar me çmime të përafërta me ato të tregut, e deri sa për produkte siç është byreku ka ofruar çmim gati 4 herë më të ulët sa është çmimi i tij realisht në treg. Por, në bazë të dokumenteve...

Prishtinë, 27 Qershor 2019

 

Një proces i prokurimit për furnizim me bukë dhe produkte të saj, i realizuar nga komuna e Gjakovës në fund të vitit që lamë pas, po dyshohet të jetë jenë përdorur çmime abuzuese, pasi që Operatoret Ekonomik (OE) me të cilin tashmë komuna ka nënshtruar kontratë për disa produkt kanë ofruar çmim shumë më të ulët se sa është çmimi i tregut.

Për produktet që janë të domosdoshme siç është buka, kompanitë që tashmë kanë të nënshkruar kontratën me komunën kanë ofruar çmim të përafërt me atë të tregut. Deri sa për produkte siç është byreku Operatorët Ekonomik (OE) “Mabes” & “Landi Star 1” kanë ofruar me çmim gati katër herë më të ulët se sa është çmimi i tij realisht në treg.

Sipas dokumenteve të siguruara shihet se kontrata mes Autoriteti Kontraktues në këtë rast komunës së Gjakovës dhe Operatoreve Ekonomik është nënshkruar më 30.11.2018 dhe ka filluar të zbatohet menjëherë. Duke u bazuar në ligjin për qasje në dokumente zyrtare gazeta “Zëri” nga zyra e kryetarit të komunës së Gjakovës Ardian Gjini ka siguruar komplet dokumentacionin për këtë proces të prokurimit, e ku dyshimet për abuzim me çmim i “vulos” edhe raporti i fundit i menaxherit të kësaj kontrate Ednor Emra.

Në bazë të këtij raporti shihet se Autoriteti Kontraktues për produktin që ka çmim më të lartë prej 0,40 euro siç është “Bukë me rriska të bardhë 500 gram” nga koha e nënshkrimit të kontratës e deri më 31 mars të këtij viti ka porositur sasi më të madhe, deri sa për byrek që ka çmim sipas kontratës prej 0,20 euro nuk e ka kërkuar asnjë. Po ashtu edhe produkte tjera që kanë çmim prej 0,10 euro janë kërkuar fare pakë nga Autoriteti Kontraktues. Por, pavarësisht çmimeve të dukshme manipulative, një gjë të tillë po e mohojnë zyrtarë të kësaj komune. “Ju sqarojmë se çmimet mund të jenë më të larta-ulëta se çmimi i tregut, por nuk ka mundësi manipulimi, sepse  kontraktuesi ka ofertuar me ato çmime dhe sipas  kontratës kontraktuesi duhet që minimum të realizoj 70% të secilit pozicion-artikulli (është detyrë e menaxherit të kujdeset që kjo të përmbushet), prandaj mendojmë se nuk mund të thuhet se ka pasur manipulim me çmime në këtë proces prokurimi “thuhet në përgjigjen e komunës së Gjakovës. Gazeta ka provuar që të kontaktoj me kompaninë kontraktues por, kontakti me të ka qenë i pamundur.

Por, në këtë formë komuna e Gjakovës kishte përdorur edhe në procese tjera siç është ai për servizim të automjeteve, e ku Operatori i kontraktuar nga komuna po ashtu kishte përdorur çmime abuzive.

Asnjë byrekë për 4 muaj

Duke u bazuar në ligjin për qasje ne dokumente zyrtare, gazeta “Zëri” ka siguruar nga kabineti i kryetarit të komunës së Gjakovës Ardian Gjini komplet dokumentacionin për këtë proces të prokurimit. Në raportin e menaxherit të kontratës Ednor Emra shihet se gjatë kësaj periudhe kohore Autoriteti Kontraktues nuk ka marrë asnjë byrekë nga Operatoret Ekonomik me të cilët ka nënshkruar kontratë. “Sasia e produkteve të harxhuara për bukë dhe produktet e saj prej datës së nënshkrimit të kontratës 30.11.2018 e gjere më 31.03.2019 është si vijon: Institucioni parashkollor ‘Ganimete Tërbeshi’ ka harxhuar 3140 copë bukë të bardhë, 2020 kifle më gjizë, kifle me krem 740 copë, deri sa byrekë më gjizë nuk e ka harxhuar asnjë. Deri sa konvikti i studenteve ‘Sadik Stavileci’ ka shpenzuar 7665 bukë me rriska, kifle të gjata 1,380 copë, deri sa byrekë nuk e ka harxhuar asnjë “thuhet në raportin e menaxherit të kësaj kontrate Ednor Emra.

Në garë dy Operator Ekonomik, njeri i papërgjegjshëm

Gjithnjë duke u bazuar në dokumentet e siguruar nga gazeta “Zëri” shihet se për këtë proces prokurimi dokumentacionin e tenderimit e kishin tërhequr disa kompani, por në garë kanë marrë pjesë vetëm dy. Në bazë të procesverbalit të hapjes se dosjes se tenderit shihet se kompania N.P.Z “ Vullneti” kishte ofertuar më 15,789 euro, deri sa Grupi i Operatoreve N.P.T “Mabes” & N.T.SH “Landi-Star 1” me të cilin komuna tashme e ka të nënshkruar kontratën ka ofertuar më 17,211 euro. Por, komisioni vlerësues Besim Haxhija kryesues, Fatmir Naka anëtar, si dhe Din Mahmutaj anëtar ofertën e kompanisë N.P.Z “ Vullneti” e kanë vlerësuar si të papërgjegjshme pasi që sipas tyre pjesa C te formulari i dosjes se tenderit nuk është plotësuar si duhet e cila sipas tyre është në kundërshtim me pikën 18.3 të Rregullat dhe Udhëzuesi Operativ për Prokurimin Publik

“ Pas ekzaminimit juve si Operator Ekonomik iu mungon: Lista e furnizimeve të realizuara në tri vitet e fundit, libreza e automjetit transportues adekuat për transport të bukës (i regjistruar). Edhe nëse nuk kemi qenë në gjendje t’i përdorim shërbimet tuaja kësaj herë, besojmë se do të vazhdoni të shfaqeni interesi për nismat tona të ardhshme të prokurimit “thuhet në letrën standarde të eliminimit e cila iu është dorëzuar kompanisë në fjalë nga zyrtari i prokurimit në këtë komunë Alban Bakalli.

Nuk ka hetime nga Prokuroria

Gazeta “Zëri” për këtë çështje iu ka dërguar pyetje edhe Prokurorisë Themelore të Gjakovës nëse kanë zhvilluar ndonjë hetim për këtë proces Prokurimi. Por, zëdhënësja e këtij Institucioni Yllka Juniku-Shehu thotë se deri më tash Prokuroria nuk ka iniciuar ndonjë hetim për këtë proces të Prokurimit.

Krasniqi: Loja e manipulimit të ofertave është një praktikë mjaft e përhapur

Por, në anën tjerër monitorues të proceseve të prokurimit në vend thonë manipulimi me çmime është bërë “rregull” nëpër procese të ndryshme të prokurimit. Diana Metushui- Krasniqi nga KDI thotë se fatkeqësisht, loja e manipulimit të ofertave është një praktikë mjaft e përhapur në institucionet e Kosovës. Sipas saj, jo rrallë, është dëshmuar se kërkesat për furnizime apo shërbime përmbajnë produkte apo kërkesa për të cilat institucionet janë në dijeni që nuk kanë nevojë. “Kjo është një metodë e favorizimit të operatorëve të caktuar, sepse ata të cilët e kanë këtë informatë, ofertojnë më çmime jo normalisht të ulëta për produktet e pa nevojshme për të ulur vlerën totale të ofertës. Të njëjtit, ofertojnë me çmime më të larta në produktet për të cilat janë në dijeni se janë të nevojshme, duke rritur fitimin e tyre” ka thënë ajo për gazetën “Zëri”. Sipas saj, përderisa nuk ndryshohen dispozitat ligjore lidhur me planifikimet e blerjeve, duke u bazuar në nevojat dhe blerjet nga kontratat paraprake, me ç’ rast në lista do të përfshiheshin vetëm produktet e nevojshme, si dhe vlerësimi i ofertave të bëhet për linjë/çmimi për produkt, atëherë do të vazhdojmë të ballafaqohemi me këso situate, të cilat dëmtojnë buxhetin e komunës apo institucioneve në përgjithësi për përfitime të individëve të caktuar. /Enis Veliu - Zeri/

Produktet, sasia dhe çmimi i parapare për blerje me kontratë

Produkti Sasia Çmimi Çmimi total

Bukë me rriska të bardhë 500 gram 27,000 0,40 € 10,800 €

Bukë e bardhë 500 gram 11,500 0,35 € 4,025 €

Byrekë më gjizë gram 4,200 0,20 € 840 €

Kifle të gjata 150 gram 6,000 0,10 € 600 €

Kifle më gjizë 150 gram 7,9600 0,10 € 796 €

Kifle me krem 150 gram 1,500 0,10 € 150 €

Total 17,211

 

Sasia e harxhuar deri më 31.03.2019

Institucioni parashkollor “Ganimete Terbeshi”

Bukë e bardhë 3,140 27,3 %

Kifle më gjizë 2,020 25,3 %

Kifle me krem 740 49,3 %

Byrekë më gjizë 0 0%

Konvikti i studenteve “Sadik Stavileci”

Bukë me rriska e bardhë 7,665 28,3 %

Kifle të gjata 1,380 23,0 %

Byrekë më gjizë 0 0%