English
Scroll top

Thesi i shkyem

Investimet e qindra miliona eurove në fushën e bujqësisë në Kosovë nuk po e japin rezultatin e duhur. Këto investime nuk kanë ndikuar në uljen e importit apo rritjen e eksportit, ndërsa disbilanci mes tyre vazhdon të jetë shumë i madh. Ky trend vazhdon edhe tek produktet e gjërave më elementare e në të cilat investohet më së shumti. Njohësit e fushës së bujqësisë thonë se mungesa e rezultateve po ndodh për shkak të menaxhimit jo të mirë të skemave të subvencioneve dhe granteve, keqpërdorimit të tyre si dhe mungesën e...

Prishtinë, 16 Dhjetor 2016

Vitet e fundit në fushën e bujqësisë  u investuan miliona euro. Shumë nga kulturat bujqësore të përkrahura nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), ndër më elementaret në konsum, nuk mund të sigurohen nga prodhimi. Të gjitha këto investime nuk e kanë ndalur trendin e importit, përkundrazi ka rritje të vazhdueshme. Në rritjen e importit nuk ka ndikuar konsumi pasi që nuk ka rritje të theksuar të tij për produktet në fjalë. Gjithashtu nga ky investim nuk mund të thuhet se pati rritje të theksuar të eksportit. Hendeku ndërmjet eksportit dhe importit për këto produkte vazhdon të jetë shumë i lartë.

Preportr pas realizimit të hulumtimit të parë në lidhje me ndarjen e granteve, favorizimet dhe padrejtësitë që janë bërë në ndarjen e tyre, ka vazhduar për të parë aspektet ekonomike të investimit në bujqësi, konkretisht për të parë ndikimin e këtyre investimeve në raport me prodhimin, importin, eksportin, konsumin dhe ndikimin e bujqësisë në zhvillimin ekonomik.

Për të parë këtë ndikim, janë marrë për bazë produktet në të cilat është investuar më së shumti, si qumështi, mishi i gjedheve, gruri si dhe perimet. Pra janë analizuar investimet në serra, investimet për perime në fushë të hapur, në ferma për lopë qumështore, subvencionet për qumësht dhe për lopë qumështore, stallat për trashjen e viçave dhe subvencionet për grurë. Këto janë fushat ku është investuar direkt dhe me të cilat është marrë Preportr, pasi që ka edhe investime tjera milionëshe që lidhen me këto fusha, e që kanë ndikim indirekt në sektorët e lartpërmendur, siç është investimi në mekanizëm bujqësor, apo në makineri përpunuese.

Shiko Gazetën #19

Rreth 220 milionë euro janë investuar në bujqësi në tri vitet e fundit, por këto milionë nuk kanë ndikuar që të ketë rritje të theksuar në pjesëmarrjen e Bujqësisë në Bruto Produktin Vendor (BPV). Edhe përkundër investimeve të mëdha në këtë fushë në tri vitet e fundit pjesëmarrja e Bujqësisë në BPV nuk ka ndryshuar, por ka një luhatje të përqindjes së pjesëmarrjes ndër vite. Këtë e tregojnë të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK). Sipas këtyre të dhënave, në vitin 2013 pjesëmarrja e bujqësisë në BPV ishte 11.9 %, në vitin 2014 ishte 11.8 %, ndërsa në vitin 2015 ishte 11.0%.

Njohësit e fushës së bujqësisë thonë se mosndikimi i investimeve bujqësore në ekonomi po ndodh për shkak të mungesës së një analize paraprake se ku dhe në çfarë kulturash bujqësore të investohet. Pjesa tjetër e këtij dështimi sipas tyre lidhet me menaxhimin jo të mirë të skemave të subvencioneve dhe granteve. Një monitorim profesional në terren do të shfaqte mangësitë në rrjedhën e investimeve dhe nxjerrjen e rezultateve.

Raportet e publikuara nga mekanizmat që funksionojnë në MBPZHR, tregojnë se nuk ka një harmonizim të të dhënave në lidhje me investimet që janë bërë në bujqësi, gjë që e vështirëson analizimin e gjendjes reale dhe planifikimit në bazë të progresit real. Ministria e Bujqësisë po ashtu nuk ka të dhëna në lidhje me mjetet totale të investuara në fushën e bujqësisë në nivel vendi e cila poashtu shpërfaqë mungesën e  koordinimit ndërinstitucional.

Investimet në perime nuk e ulën trendin e importit

Për MBPZHR-në, bazuar në investimet e bëra, vërehet se ndërtimi i serrave dhe kultivimi i perimeve në fushë të hapur ka qenë një nga prioritetet.  Bazuar në raportet e publikuara nga mekanizmat që funksionojnë në MBPZHR, në periudhën 2013-2015 për serra janë investuar në formë grantesh 9 milionë e 436 mijë e 909 euro, prej tyre  6 milionë e 176 mijë e 93 euro nga Ministria e Bujqësisë, ndërsa participimi i fermerëve ka qenë 3 milionë e 260 mijë e 817 euro. Te perimet në fushë të hapur në periudhën 2013-2015 janë investuar në total  508 mijë e 283 euro, prej tyre 327 mijë e 928 euro nga Ministria e Bujqësisë dhe 180 mijë e 355 euro ka qenë participimi i donatorëve. Në periudhën 2013-2015 përveç investimeve në formë grantesh Ministria e Bujqësisë ka dhënë edhe subvencione (pagesa direkte) për perime në fushë të hapur. Në këtë periudhë kohore janë investuar në formë të subvencioneve 2 milionë e 496 mijë e 222 euro.

Pavarësisht një investimi jo të vogël që është bërë për serra dhe perime në fushë të hapur, rezultatet nuk janë të kënaqshme, pasi që këto investime nuk e kanë ulur importin, por përkundrazi ka pasur rritje të importit në periudhën 2013-2015 për produktet si domatet, trangujt, specat etj.

Domatet

Në vitin 2013 janë importuar rreth 13.7 milionë kg domate në vlerë rreth 3.3 milionë euro. Në vitin pasardhës importi është rritur për 3 milionë kg në vlerë 5.2 milionë euro.

Në vitin 2015 për dallim nga viti 2014 ka rënie të importit për 1.7 milionë kg, por edhe vlera në euro e importit është rritur për 200 mijë euro.

Gjatë kësaj periudhe (2013-2015) importi i domateve në sasi është rritur për 10%, ndërsa  vlera në euro e importit është rritur për 6 %.

Eksporti i domateve në këtë periudhë kohore ka qenë dukshëm më i vogël se sa importi.

Në vitin 2013 janë eksportuar afër 32 mijë kg domate, në vlerë rreth 5 mijë euro. Në vitin 2014 është dyfishuar sasia e eksportuar ndërsa vlera në euro është rritur në 20 mijë euro.

Në vitin 2015 ka rënie të lehtë të eksportit edhe për nga sasia edhe për nga vlera në euro.

Gjatë kësaj periudhe (2013-2015) eksporti i domateve është dyfishuar edhe në raport me sasinë edhe në raport me vlerën në euro.

Edhe pse ka pasur dyfishim të eksportit përsëri mbetet dallim i madh në raport me importin.

Gjatë këtyre viteve Kosova ka importuar 45 milionë kg domate në vlerë 13.9 milionë euro, ndërsa janë eksportuar vetëm 158 mijë kg në vlerë afër 40 mijë euro.

Ajo që bie në sy në statistika është rritja e eksportit por njëkohësisht edhe e importit për periudhë të njëjtë edhe pse shifrat nuk flasin për ndonjë rritje të konsumit por edhe fakti që përkundër investimeve në këto kultura importi vazhdon ta mbulojë pjesën më të madhe të tregut vendor Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se pavarësisht investimeve që janë bërë në tri vitet e fundit për sera dhe perime në fushë të hapur, nuk ka pasur ndonjë ndikim në rritje të prodhimit të domateve. Sipas të dhënave të ASK-së, në vitin 2013 Kosova ka prodhuar 17, 291 ton domate, ndërsa në vitin 2014 prodhimi ishte pothuajse i ngjashëm me 17,386 ton.

Specat

Pothuajse e njëjta skemë import - eksport paraqitet edhe tek specat. Bazuar në të dhënat e Doganës së Kosovë në vitin 2013 janë importuar 9 milionë kg speca, vlera e të cilave ka qenë  3.4 milionë  euro.

Në vitin 2014 ka rritje për 14.63% në sasi ndërsa vlera në euro e importit është rritur për 27%. Në vitin 2015 janë importuar 367 mijë kg më pak se në vitin 2014, por sa i përket vlerës në euro ka pasur rritje, pasi që këtë vit vlera e importit ka qenë më e madhe për rreth 296 mijë euro.

Për kundër investimeve, importi në këtë kohë është rritur për afër 10% në sasi dhe rreth 35% në raport me vlerën në euro.

Eksporti i specave ka pasur trend të rënies në periudhën 2013-2015. Në vitin 2013 janë eksportuar 1 milion  kg speca, me vlerë 373 mijë euro. Në vitin 2014 ka pasur rënie të eksportit për 9%  dhe në vitin 2015 ka pasur rënie edhe për 39. 5% të tjera krahasuar me vitin 2014.

Edhe tek specat dallimi ndërmjet importit dhe eksportit në këtë periudhë është i madh. Në këtë periudhë tri-vjeçare, Kosova ka importuar 29.7 milionë  kg speca që kanë vlerën e 12.5 milionë  euro, ndërsa ka eksportuar vetëm 2.7 milionë kg, vlera e të cilave është 977 mijë euro.

Investimet e Ministrisë së Bujqësisë nuk kanë lënë shenjë as te prodhimtaria e specave. Sipas të dhënave të ASK-së, në vitet e fundit ka pasur rënie të prodhimit të specave. Në vitin 2013 Kosova ka prodhuar 72, 928 ton speca,  në vitin 2014 ka pasur rënie, ku janë prodhuar 15 mijë kg më pak.

Trangujt

Gjithashtu edhe importi i trangujve nuk ka ndryshuar shumë, trendi është pothuajse i njëjtë, por ka rritje të vlerës në euro të importit. Në vitin 2013 janë importuar 5.4 milionë  kg tranguj, vlera e të cilëve ka qenë 1 milion euro. Në vitin 2014 Kosova ka importuar rreth 30 mijë kilogramë më pak,  por vlera në euro e importit ka qenë më e lartë për 491 mijë euro. Në vitin 2015 janë importuar  321 mijë  kg më pak, por edhe në këtë vit ka pasur rritje të vlerës së importit prej  300 mijë euro.

Eksporti i trangujve ka qenë tejet i vogël. Në vitin 2013 janë eksportuar 6 mijë  kilogramë tranguj me vlerë prej 645 euro. Viti 2014 pothuajse mbetet i njëjtë, ndërsa në vitin 2015 eksporti është rritur dukshëm, pasi që janë eksportuar mbi 109 mijë kg me vlerë prej 42 mijë euro.

Nëse bëjmë krahasimin ndërmjet eksportit dhe importit, rezulton se në periudhën 2013-2015 janë importuar 15.8 milionë kg tranguj, vlera e të cilave ka qenë 4.4 milionë  euro, ndërsa janë eksportuar vetëm 122 mijë e 532 kg në vlerë rreth 44 mijë euro.

Pra siç shihet edhe përkundër investimit të miliona eurove për perime, ka pasur rritje të vazhdueshme të importit, ndërsa në anën tjetër, sipas Raportit të Gjelbër të Ministrisë së Bujqësisë, nuk ka pasur rritje të theksuar të konsumit. Nëse marrim shembull vetëm specat dhe domatet shohim se në vitin 2013 konsumi ka qenë 77, 974 ton speca, ndërsa në vitin 2014 ka pasur një rënie të konsumit, pra janë konsumuar 65, 099 ton speca. Tek domatet ka pasur një rritje të vogël të konsumit në vitin 2014, ku janë konsumuar 33, 440 ton, ndërsa në vitin 2013 konsumi ishte  30, 324 ton domate.

Investimi i miliona eurove për trashjen e viçave nuk ndali trendin e importit të mishit

Ministria e Bujqësisë ka investuar në projekte për trashjen e viçave, por edhe pse ka pasur investime të miliona eurove, nuk është ulur aspak importi në tri vitet e fundit. Në vitin 2013 janë investuar 596 mijë e 526 euro për trashjen e viçave. Në vitet 2014 dhe 2015 për trashjen e viçave dhe përpunimin e mishit janë investuar 6.5 milionë  euro.

Përkundër këtyre investimeve, në periudhën 2013-2015 ka pasur një trend të rritjes së importit për mishin e gjedheve. Në vitin 2013 janë importuar 6.4 milionë  kg mish të gjedheve, vlera e të cilave ishte 16 milionë  euro, ndërsa në vitin 2014 importi ishte 9 milionë kg,  në vlerë 21.4 milionë  euro. Krahasuar me vitin 2013 i bie që ka pasur rritje të importit për 2.8 milionë  kg, ndërsa vlera e importit është rritur për 5.3 milionë euro. . Në vitin 2015 importi i mishit të gjedheve ishte 8.1 milionë kg, që ka pasur koston  21.5 milionë  euro. Pra ka pasur një rënie të importit për 1.1 milionë kg, por jo edhe të vlerës në para, pasi që këtë vit krahasuar me vitin 2014 vlera e importit ka qenë më e madhe për 142 mijë e 654 euro.

Nga viti 2013 deri në vitin 2015 sasia e importuar është rritur për 26%, ndërsa vlera në euro e importit është rritur për 34.5%

Se investimet për plotësimin e nevojave me mish të gjedheve nuk kanë pasur efekt tregojnë edhe shifrat e eksportit. Kosova në vitin 2013 dhe 2014 nuk ka eksportuar asnjë kilogram mish të gjedheve, ndërsa në vitin 2015 ka eksportuar vetëm 1000 kilogramë, vlera e të cilave ka qenë  5 mijë e 500 euro.

Pra Kosova nuk arrin as për së afërmi që t’i përmbushë nevojat e qytetarëve me mish të gjedheve. Viteve të fundit falë investimeve, në vend se të rritet prodhimi, është rritur importi dhe  kjo rritje e importit nuk ka ndodhur për shkak të rritjes së konsumit, pasi që të dhënat nga raportet e MBPZHR-së tregojnë se konsumi i mishit është pothuajse i njëjtë ndër vite. Në vitin 2011 konsumi ishte 22.7 kg për kokë banori brenda një viti, në vitin 2012 konsumi ishte 20.4, viti 2013 ishte pothuajse i njëjtë me 21.0 kg, ndërsa në vitin 2014 konsumi ishte 18.4 kg për kokë banori brenda një viti.

Nëse e bëjmë një krahasim ndërmjet importit dhe eksportit për mishin e gjedhit në periudhën 2013-2015 rezulton se në këtë periudhë janë importuar 23.8 milionë  kg mish të gjedheve, vlera e të cilave ka qenë 58.9 milionë  euro. Eksporti në këtë periudhë kohore ka qenë shumë i vogël, pasi që për tri vite janë eksportuar vetëm 1 mijë kilogramë mish.

Dhjetëra miliona euro për grurë nuk sigurojnë as për së afërmi nevojat e qytetarëve

Tek gruri për tri vjet prej 2013 deri me 2015 u investuan në formë të subvencioneve mbi 17 milionë euro. Më 2013 u investuan në këtë kulturë 5.8 milionë  euro, në 2014 5.5 milionë  euro dhe më 2015 investimi është më i madh për gati 1 milion euro, saktësisht 6 milionë e 412 mijë e 884 euro.

Sa i përket eksportit në vitin 2013 nuk ka pasur fare eksport të grurit. Në vitet vijuese, 2014 dhe 2015 ai ishte shumë i vogël përkundër rritjes në vitin 2015.  Më 2015 eksporti është rritur në 203 mijë kilogramë me vlerë prej  57 mijë e 855 euro.

Te importi gjendja qëndron ndryshe, në vitin 2013 u importuan 53.5 milionë  kg në vlerë prej  11.8 milionë euro. Më 2014, pati një rënie  për 13.8% . Më 2015 importi është rritur në  61.6 milionë kg, në vlerë prej 12.7 milionë euro.

Nga viti 2013 deri në vitin 2015 sasia e grurit të importuar është rritur për 15%, ndërsa gjatë kësaj kohe shpenzimet për import të grurit janë rritur për 7.6%

Dallimi në mes importit dhe eksportit të këtij produkti për tri vite është mjaft i lartë. U eksportuan 252 mijë kg  grurë në vlerë 67 mijë euro. Ndërsa importi ishte 161.3 milionë  kg grurë në vlerë prej 34.8 milionë  euro.

Sipas të dhënave të ASK-së, nuk ka rritje as të prodhimit të grurit. Në vitin 2013 janë prodhuar 391,727 ton grurë, ndërsa në vitin 2014 ka pasur një rënie të vogël të prodhimit pasi  janë prodhuar 331, 296 ton grurë.

Mielli

Përveç grurit, në Kosovë për t’i mbuluar nevojat e qytetarëve u importua një sasi e madhe e miellit i cili nga viti në vit vetëm se shënoi rritje. Më 2013 u importuan 45 milionë  kg  në vlerë prej 11.6 milionë euro. Më 2014 importi i këtij produkti u rrit për 8.8 milionë  kg. Në vitin 2015 importi u rrit edhe për 1.6 milionë  kg të tjerë.

Eksporti i miellit si edhe në produktet e tjera është mjaft i ulët. Mielli në vitin 2013 u eksportua në sasi prej 1.7 milionë  kg, në vlerë prej 474 mijë euro. Më 2014, eksporti ishte 966 mijë kg miell, në vlerë prej 247 mijë  euro. Në vitin 2015, eksporti ishte rreth 1 milion kg, në vlerë prej afër 270 mijë  euro.

Qumështi

Edhe tek qumështi është investuar shumë. Pavarësisht kësaj, importi i qumështit ka shënuar rritje prej vitit në vit. Sipas të dhënave që i kemi siguruar nga listat e përfituesve të publikuara nga MBPZHR për vitet 2013, 2014 dhe 2015, në formë të granteve dhe subvencioneve janë investuar për qumështin 15 milionë e 970 mijë e 926 euro. Përmes granteve në vitin 2013 janë investuar pak më shumë se 1 milion euro për ferma për lopë qumështore. Në vitin 2014 janë dhënë 1.6 milionë  euro, kurse me 2015 janë dhënë 5 milionë  euro në formë të granteve.

Edhe te subvencionet nuk dihet me saktësi se sa mjete janë dhënë për lopë qumështore, pasi ministria i ka futur në këtë kategori lopët dhe buallicat qumështore. Në 2015 për lopë dhe buallica qumështore janë dhënë 3 milionë  euro. Në vitin 2014 janë dhënë 2 milionë euro. Pagesa direkte për qumështin janë bërë edhe sipas kategorive të cilësisë. Në dy vite 2014 dhe 2015 janë dhënë 3 milionë euro. 1.5 milionë për 2014 dhe 1.5 milionë për 2015.

Investimi i madh përgjatë këtyre tri viteve ka pasur ndikim jo shumë të theksuar në eksportin e qumështit. Në vitin 2013 janë eksportuar 200 mijë e 236 litra qumësht në vlerë prej afër 98 mijë  euro. Më 2014 eksporti është rritur paksa në 263 mijë e 614 litra në vlerë prej 127 mijë euro. Ndërsa 383 mijë e 880 litra u eksportuan në vitin 2015 në vlerë prej 187 mijë  euro.

Importi i qumështit nuk ka shënuar rënie, madje ai është rritur për gati 3 milionë euro prej vitit 2013 në vitin 2014. Në vitin 2013 u importuan 19 milionë  litra qumësht në vlerë prej  11.7 milionë  euro.

Më 2014 vlera e importit të qumështit u rrit në 14.2 milionë  euro me 22.8 milionë litra të importuara . Më 2015 u importuan 25.9 milionë litra qumësht në vlerë prej  15.7 milionë  euro.

Dallimi në mes eksportit dhe importit në tri vitet e fundit është shumë i madh. Në këtë periudhë Kosova ka importuar 67.8 milionë  litra qumësht në vlerë prej 41.6 milionë euro. Eksporti është shumë i vogël. Në këtë periudhë kohore u eksportuan vetëm 847 mijë e 730 litra në vlerë prej 412 mijë e 368 euro.

Duke marrë parasysh trendin e importit të qumështit, është interesante të theksohet që konsumi nga viti 2013 në vitin 2014 ka rënë dukshëm. Në vitin 2013 janë konsumuar 341, 075 ton qumësht, kurse më 2014 janë konsumuar 273, 146 ton.

Ministria e Bujqësisë nuk ka të dhëna se është investuar në gjithë Kosovën ndër vite

Përveç investimeve që janë bërë nga Qeveria e Kosovës, në fushën e bujqësisë kanë investuar edhe komunat. Preportr ka kontaktuar të gjitha komunat e Kosovës për të marrë të dhënat se sa kanë investuar në vitet e fundit në fushën e bujqësisë, por fatkeqësisht shumica e tyre nuk kanë të dhëna për vitet paraprake. Gjithashtu shumica prej komunave nuk kanë të dhëna se sa është shuma që ato kanë përfituar nga donacionet e huaja. Nga ato të dhëna që na kanë dërguar, rezulton se komunat e Kosovës në periudhën 2013-2015 kanë investuar së paku 15 milionë euro në fushën e bujqësisë. Kjo shumë mund të jetë edhe më e madhe, por jo të gjitha komunat kanë pasur të dhëna për investimet në këtë periudhë kohore, pasi që sipas tyre pushtetet e kaluara komunale nuk i kanë arkivuar këto të dhëna.

Ndër komunat që kanë investuar më së shumti në fushën e bujqësisë në këtë periudhë kohore janë Prishtina, (2,696,970.00 euro) e pasuar nga Peja (1,590,404.60 euro), Rahoveci (1,289,510.00 euro), Prizreni (1,222,139.00 euro), Fushë Kosova (1,126,019.00) dhe me radhë. Ndërsa komunat që kanë investuar më së paku janë  Dragashi (5,000.00 euro), Deçani (16,980.00 euro ), Hani i Elezit (21,759.00 euro ), Lipjani (52,400.00) etj.

Gjithashtu as Ministria e Bujqësisë nuk e ka një databazë të integruar të të dhënave për mjetet financiare që janë dhënë për fushën e bujqësisë. Nuk ka të dhëna se sa kanë investuar komunat, e nuk ka të dhëna se sa kanë investuar donatorët e ndryshëm në këtë fushë. Mungesa e një databaze të tillë paraqet pengesë për analizimin e ndikimit të investimeve në fushën e bujqësisë dhe në kultura të ndryshme bujqësore. Në Kosovë nuk dihet se sa mjete financiare janë investuar ndër vite. Ndërsa komunat nuk kanë të dhëna se cilët fermerë nga komuna e tyre kanë përfituar grante nga ministria. Pra ka një moskoordinim të komunave dhe Ministrisë së  Bujqësisë në këtë aspekt.

Sa i përket mungesës së informacioneve dhe databazave nga Ministria e Bujqësisë, Ibrahim Rexhepi, drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, thotë se nëse kjo ministri nuk ka të dhëna bazë rreth potencialit dhe gjendjes ekzistuese në bujqësi, atëherë më tepër kemi të bëjmë me një mburrje me shumën e mjeteve që po investohen, e jo me efektin që ato po japin në bujqësi.

“Duke marrë parasysh që Ministria e Bujqësisë nuk ka të dhëna sa mjete financiare kanë investuar komunat, në cilat kultura bujqësore si dhe të dhëna mbi investimet e donatorëve nëpër projekte të ndryshme, atëherë shtrohet pyetja çka duhet ajo ministri?! Unë e kuptoj pavarësinë financiare edhe të komunave dhe të donatorëve, por megjithatë duhet të ketë një koordinator ose së paku të ketë informacione se çka po investohet, sepse ministria është përgjegjëse për krijimin e politikave për ndërtimin e konceptit dhe të strategjisë, e jo donatorët dhe komunat veç e veç. Jo ta diktojë këtë, por përmes informacioneve që do të ketë të krijojë kanale se ku të shkojnë mjetet në mënyre që efekti të jetë më i madh”, u shpreh Rexhepi.

Përveç mungesës së një databaze gjithëpërfshirëse për investimet që janë bërë në fushën e bujqësisë në Kosovë, Ministria e Bujqësisë ka publikuar edhe raporte në lidhje me investimet që janë bërë, por të njëjtat projekte raportohet me shifra të ndryshme edhe pse publikuesit e tyre janë mekanizma që funksionojnë në kuadër të kësaj ministrie.

Nga tabela vërejmë se rezultatet e planifikuara janë arritur dhe tejkaluar në sektorin e frutave, mirëpo raportimi është i paqartë dhe vë në dyshim kualitetin e të dhënave, sepse AZHB-ja në raportin vjetor paraqet numrin e projekteve të miratuara dhe nuk është i qartë numri i projekteve të realizuara, Divizioni i Monitorimit ka raportuar projektet e miratuara në vend se të raportojë numrin e projekteve të realizuara. Raporti i Gjelbër në kuadër të ministrisë ka raportuar për rezultatet në nivel vendi. Por Departamenti i Statistikave në Ministri nuk e ka bërë të qartë se cili është rezultati i përkrahjes përmes granteve (buxhetit të Kosovës) dhe cilat janë burimet tjera të financimit që kanë ndikim në zhvillimin e sektorit të bujqësisë ne vend.

Raporti i auditorit konstaton se kjo formë e raportimit në kuadër të Ministrisë nuk reflekton drejtë rezultatet e arritura dhe sjellë paqartësi mbi gjendjen reale. Kjo vështirëson matjen e progresit, identifikimin e mangësive dhe nxjerrjen e mësimeve për të ardhmen lidhur me grantet.

“Brenda Programit ishin paraqitur dy shifra lidhur me numrin e fermave të përkrahura, në fillim ishin 20 ferma të përkrahura në sektorin e qumështit e pastaj në tabelën individuale figuronte numri 30. Një diferencë tjetër është vërejtur në Udhëzimin Administrativ që hartohet për zbatim të Programit, aty janë parashikuar të përkrahen 38 ferma në këtë sektor. Diferencat rreth vendosjes se treguesve për numrin e fermave mund të sjellin paqartësi dhe vështirësi në matjen e rezultateve/efekteve të Programit vjetor. Pasi nuk është e qartë cili ka qenë pikësynimi për t’u arritur”, thuhet në raportin e auditimit të granteve, i publikuar në vitin 2015.

Dështimi me menaxhimin e granteve dhe subvencioneve

Alban Hashani profesor i ekonomisë, ka thënë për Preportr se problemi parësor është mënyra se si menaxhohet skema e subvencionimeve dhe granteve. Ai thotë se nuk është e qartë se si kemi ardhur deri të kjo formulë, nuk dihet pse janë vendosur ato kuota për t’u subvencionuar kultura të ndryshme, do të thotë me çfarë metodologjie është arritur deri të këto kuota dhe si ka mundësi të mbesin në vijimësi pa u ndryshuar.

“Kur kemi parasysh që krejt qëllimi i investimit në bujqësi është hapja e vendeve të punës pasi që papunësia është identifikuar si problemi parësor ekonomik, pra në qoftë se ky rezultat nuk arrihet përmes bujqësisë, atëherë s’po japim subvencione, por ta zëmë të japim subvencione në IT, sepse ndoshta aty e kemi bukën. Pra nëse e kemi pasur si qëllim parësor këtë, atëherë duhet të analizojmë se a po i mbërrijmë efektet apo jo”, thotë Hashani.

Ai thotë se duhet të kthehemi tek pyetjet bazike që të lidhen rezultatet me subvencionimin dhe grantet, jo vetëm të investohet paraprakisht dhe mandej pa monitorim të duhur të shkojë puna si ka shkuar deri më tani. Ai mendon se duhet të sigurohemi se në momentin kur fermeri merr një pjesë të subvencionimit, pjesën tjetër ta marrë kur plasohet produkti dhe të lidhet me rezultatin e punës, kjo sipas tij do ta kishte maksimizuar rezultatin që mundet subvencionimi ta jap.

Kur kemi parasysh që krejt qëllimi i investimit në bujqësi është hapja e vendeve të punës pasi që papunësia është identifikuar si problemi parësor ekonomik, pra në qoftë se ky rezultat nuk arrihet përmes bujqësisë, atëherë s’po japim subvencione, por ta zëmë të japim subvencione në IT, sepse ndoshta aty e kemi bukën

Alban Hashani, profesor i ekonomisë

Duke marrë parasysh se disa projekte kanë dështuar, janë mbyllur stalla dhe serra të shumta, Hashani mendon se duhet rritur numri i kapaciteteve monitoruese të ministrisë pasi që ata aktual monitorojnë shumë projekte dhe gjasat që ata të korruptohen janë më të mëdha.

Sipas tij, në qoftë se do të ishte rritur numri i këtyre inspektorëve dhe atyre do t’u përcaktohej në mënyrë rastësore se cilin projekt me mbikëqyr, atëherë inspektorët nuk e kishin ditur se ku do të shkojnë, kish qenë më e lehtë të bëhet një monitorim më i mirë dhe do të ishte rritur konkurrenca ndërmjet inspektorëve.

Hashani thotë se gjithashtu duhet të punohet për sigurimin e tregut të brendshëm dhe të mos lejohen monopolizime pasi që në raste të tilla dëmtohen rëndë fermerët dhe kjo mund t’i qojë edhe drejt falimentimit, ndërsa shton se është i domosdoshëm funksionimi i Komisionit të Konkurrencës për të rregulluar këto gjëra në treg.

“Kemi për shembull rritje të hektarëve të mbjella me mjedra, por ka grumbullues që kanë fuqi të madhe dhe të cilët në mungesë të funksionimit të Komisionit të Konkurrencës mund ta keqpërdorin pozitën e vet në treg dhe duke e bërë këtë ia marrin krejt tepricën e prodhuesit prej fermerit”, theksoi Hashani.

Ibrahim Rexhepi drejtor i STRAS thotë se problemi esencial qëndron të mungesa e një koncepti afatgjatë të qeverisë rreth zhvillimit të bujqësisë. Sipas tij të gjitha investimet publike që janë bërë më shumë janë të karakterit “Ad hoc” se sa të një koncepti se pse po investohet, ku po investohet dhe cili duhet të jetë efekti përfundimtar i këtyre investimeve.

Arsyet pse nuk është arritur kjo janë të ndërlidhura me një vizion që jo vetëm kjo qeveri, por të gjitha qeveritë e kanë pasur, e që është financimi i buxhetit të shtetit me import dhe përderisa ekziston kjo qasje atëherë është e kotë që të flitet për zhvillimin e brendshëm

Ibrahim Rexhepi, drejtor i STRAS

“Arsyet pse nuk është arritur kjo janë të ndërlidhura me një vizion që jo vetëm kjo qeveri, por të gjitha qeveritë e kanë pasur, e që është financimi i buxhetit të shtetit me import dhe përderisa ekziston kjo qasje atëherë është e kotë që të flitet për zhvillimin e brendshëm. Që me një rritje për 2-3 % mund të ketë rritje të qëndrueshme dhe që bujqësia të marrë rol shumë të rëndësishëm në mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve”, thotë Rexhepi.

Ai thotë se në fushatën parazgjedhore kudo që ka shkuar ish-kryeministri Hashim Thaçi, ka premtuar subvencionim, 100 deri në 1000 euro për çdo lloj produkti. Rexhepi mendon se për shkak të fuqisë politike të Thaçit të gjitha këto premtime u parapanë në buxhetin e shtetit, jo pse ai ka pasur mbrapa një analizë, një vlerësim se me të vërtetë e meritojnë të financohen ato produkte, por thjesht që të kënaq kërkesat e elektoratit.

“Nuk ka një analizë se si kanë reflektuar këto investime. Pse nuk sollën zvogëlim të importit të paktën. Pra ka munguar monitorimi për shkak të keqpërdorimeve, për shkak të korrupsionit dhe keq-menaxhimit me paranë publike. Mungon përgjegjësia dhe llogaridhënia, nëse ka raporte korruptive ndërmjet këtyre palëve, nuk ka monitorim të duhur dhe nuk ka identifikim të problemeve dhe më e keqja është se të gjitha hallkat e shtetit janë të lidhura”, theksoi Rexhepi.

Ministria e Bujqësisë nuk do t’i ndryshojë fushat e investimit

Shqipe Dema drejtoreshë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural, ka thënë për Preportr se vlerësimi i ndikimit të investimeve të Programi për Bujqësi dhe Zhvillim Rural matet me indikatorët e monitorimit dhe vlerësimit  dhe se shkëmbimi tregtar (importi-eksporti) nuk mund të jetë indikator i suksesit ose mossuksesit të investimeve në sektorin e bujqësisë.

“Të dhënat e doganës mund të tregojnë rritje të importit, por si numër i vetëm nuk tregon informacion për rritjen e prodhimtarisë vendore. D.m.th, duhet të bëhen matje të BPV (GDP), dhe të krahasohen mandej me të dhëna të tjera të cilat tregojnë se kujt dhe për çfarë i atribuohet kjo rritje e importit. Mandej duhet të bëhet analizë edhe importit dhe eksportit të produkteve të përpunuara, konsumit etj., për të ardhur në një konkluzion të tillë. Megjithatë në vitet e fundit ka rritje të eksportit të prodhimeve bujqësore: 12% në vitin 2014 në krahasim me vitin 2013 dhe 5.7 në vitin 2015  krahasim me vitin 2014”, thotë Dema.

Por sipas të dhënave të ASK-së, ndikimi i sektorit të bujqësisë në GDP nuk ka rritje, përkundrazi ka rënie të lehtë në tri vitet e fundit. Në vitin 2013 pjesëmarrja e bujqësisë në BPV ishte 11.9 %, në vitin 2014 ishte 11.8 %, ndërsa në vitin 2015 ishte 11.0%. Pra edhe ky parametër tregon se investimet në sektorin e bujqësisë nuk kanë dhënë rezultatet e duhura deri tani.

Shqipe Dema thotë se shumë nga investimet në sektorin e bujqësisë kanë ndikim se paku tri vite e me shumë pas investimit. Ajo thotë se investimet në siguri dhe standarde të ushqimit nuk ndikojnë drejtpërdrejt në rritje të prodhimtarisë bujqësorë, kurse investimet në pemëtari kanë ndikim diku pas 3 viteve.

E pyetur se mbi bazën e çfarë metodologjie, studimeve apo analizave janë përcaktuar apo zgjedhur masat që përkrahë MBPZHR, Dema thotë se Programi për Bujqësi dhe Zhvillim Rural është përgatitur sipas rregullave dhe procedurave të programit IPARD (IPA Rural Development) që ka për qëllim të mbështes vendet kandidatë dhe para kandidatë për anëtarësim në BE që të ristrukturojnë dhe zhvillojnë sektorin e agro-rural –industrisë ushqimore që të jetë konkurrentë me vendet e BE. Ajo thotë se përzgjedhja e masave bëhet sipas analizës SËOT (pikat e forta, dobësitë, mundësitë, rreziqet) dhe rekomandimeve të analizës sektoriale.

Pavarësisht rezultateve të deritanishme ajo thotë se këto masa nuk do të ndryshohen dhe se për të ndryshuar politikat duhet ekspertizë dhe analiza profesionale (analiza  të ex-post dhe analizës sektoriale)  të cilat duhet të na orientojnë dhe të na rekomandojnë në ketë drejtim.

“Përkundrazi këto dy raporte rekomandojnë të rritën  investimet në këto masa”, thotë Dema.

Ajo thotë se në tri vitet e fundit si rezultat i investimit në bujqësi përmes granteve, është rritur edhe numri i të punësuarve në këtë sektor. Në vitin 2013 janë krijuar 997 vende të punës, në vitin 2014 1 mijë e 156 dhe në vitin 2015 janë krijuar 1 mijë e 502 vende të reja të punës.

Ndërkaq, të dhënat e Anketës së Fuqisë Punëtore që na ka dërguar Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë për një trend të theksuar të rënies së numrit të të punësuarve në sektorin e bujqësisë në tri vitet e fundit.

Sipas këtyre të dhënave, në vitin 2013 janë anketuar 82 mijë e 898 qytetarë dhe ka rezultuar se në fushën e bujqësisë kanë qenë të punësuar 18 mijë e 577 persona, ose 5.4 për qind. Në vitin 2014 janë anketuar 87 mijë e 617 persona, nga të cilët në fushën e bujqësisë ka rezultuar se punojnë 7 mijë e 372, ose 2.3 për qind. Ndërsa në vitin 2015 janë anketuar 84 mijë 217 persona dhe nga kjo mostër ka rezultuar se në fushën e bujqësisë kanë punuar 5 mijë e 451 persona, ose 1.8 për qind.

Sipas rekomandimeve të Eurostatit, të punësuar janë ata persona që punojnë në bujqësi dhe produkti final i tyre del në shitje si dhe ata persona që punojnë në bujqësi dhe ky prodhim përbën kontribut të rëndësishëm në konsumin total të ekonomisë familjare.

Dy komunat e favorizuara

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, as shpërndarja e granteve nuk është bërë në mënyrë të drejtë për të gjitha komunat. Nga komunat e vogla, Skenderaj (98 grante) dhe Drenasi (56 grante) kanë përfituar më së shumti, krahasuar me komunat tjera më të vogla, ku ka potencial më të madh për zhvillimin e bujqësisë. Madje këto dy komuna kanë përfituar më shumë se komunat e mëdha si ajo e Mitrovicës (57 grante), Pejës (45), Gjakovës (42), Gjilanit (35) etj.

Nëse e llogarisim në aspektin e vlerës financiare, sërish Skenderaj dhe Drenasi dalin komuna të favorizuara në ndarjen e granteve. Në periudhën 2013-2015 Ministria e Bujqësisë ka ndarë grante në vlerë prej 5 milionë e 336 mijë e 842 euro për Skenderajn, që e bën këtë komunën e tretë për nga përkrahja, pasi që e para është Prishtina me 7 milionë e 978 mijë e 739 euro dhe e dyta Prizreni me 6 milionë e 163 mijë e 371 euro. Në Drenas vlera e përkrahjes financiare në këtë periudhë kohore është 3 milionë e 289 mijë e 985 euro, pra kjo komunë ka përfituar më shumë se sa Podujeva, Gjilani, Peja, Mitrovica etj.

Ministria e Bujqësisë nuk ka “harruar” financuesit e partive politike

Financuesit e partive politike përveç që marrin tenderë publik me vlerë dhjetëra miliona euro, disa prej tyre kanë fituar edhe grante nga Ministria e Bujqësisë, vlera e të cilave është e lartë, ndërsa ka nga ata që kanë fituar edhe dy grante brenda dy viteve.

Në listat e përfituesve të granteve për periudhën 2013-2015 ka edhe financues të PDK-së dhe VV-së. Preportr ka gjetur 13 përfitues të granteve që kanë dhënë donacione për këto dy subjekte politike, e para që është në pushtet në nivel qendror, ndërsa e dyta në opozitë.

Rrustem Rrukolli nga Skenderaj, pronar i kompanisë  N.N."R&Rukolli" sh.p.k si person fizik në vitin 2009 i ka dhënë 5000 për PDK-në (pesë herë nga 1000 euro, në data të ndryshme). Në vitin 2014 dhe 2015 i ka marrë dy grante nga Ministria e Bujqësisë për përpunimin e qumështit me vlerë 800 mijë euro. Pronari i kësaj kompanie njihet për lidhje të fortë me PDK-në dhe përfitues i shumë tenderëve. Vetëm në periudhën gusht 2007- maj 2014 kjo kompani ka fituar 12 tenderë nga institucionet shtetërore me vlerë 21 milionë e 843 mijë e 595 euro.

Xhelal Selimi nga Gjilani, pronar i kompanisë “Calabria” sh.p.k, si person fizik në vitin 2012 i ka dhënë PDK-së 12 donacione dhe një donacion në vitin 2011, vlera totale e të cilave është 3 mijë e 490 euro. I njëjti në vitin 2015 ka fituar një grant për përpunimin e mishit me vlerë 395 mijë euro. Ai është pronar edhe i dy bizneseve “Euro Plast” dhe “Grande Calabria”.

Kompania “Ben Af” nga Suhareka në periudhën 2010-2012 i ka dhënë  4 mijë e 400 euro për PDK-në dhe 240 euro për VV-në. Në vitin 2013 ka marrë një grant me vlerë 257 mijë e 327 euro. Kjo kompani në periudhën gusht 2007- maj 2014 ka fituar 8 tenderë me vlerë 548 mijë e 829 euro.

Kompania N.T.P. "Malësia" me pronar Demush Spahija nga Gjilan,i në vitin 2010 ka dhënë 500 euro donacion për PDK-në. Në vitin 2014 ka fituar  një  grant për përpunimin e qumështit me vlerë 328 mijë e 91 euro.  Aktualisht ky biznes është shuar, ndërsa pronari i saj ka edhe një kompani tjetër me emrin "Malësia" sh.p.k. dhe është bashkëpronar në një biznes tjetër po me këtë emër.

Kompania N.N.P “Mati – Com” me pronar Brahim Kryeziu nga Malisheva në vitin 2010 i ka dhënë për PDK-në 1000 euro, ndërsa në vitin 2013 ka fituar një grant në masën që ka të bëjë me  përpunimin dhe marketingun  e prodhimeve  bujqësore me vlerë prej 240 mijë e 552 euro. Ndërsa në periudhën gusht 2007- maj 2014 ka fituar një tender me vlerë 284 mijë e 253 euro.

Ismet Neziraj nga Deçani në vitin 2010 i ka dhënë donacion 500 euro PDK-së si person fizik. Ai është person i autorizuar në kompaninë N.P.SH. ''Bleta'', ku pronare është Gjylsime Neziraj. Kjo e fundit në vitin 2013 e ka fituar një grant për bletari në vlerë 15 mijë euro. Biznesi N.P.SH. ''Bleta'' është shuar në vitin 2014. Ndërkaq, Ismet Neziraj është drejtor në Kompaninë e Ujitjes Radoniqi-Dugagjini dhe ka qene kandidat i PDK-se për asamblist Komunën e Deçanit në zgjedhjet komunale të vitit 2007.

Tahir Thaçi nga Komuna e Rahovecit  në vitin 2012 ka dhënë 120 euro donacion për PDK-në si person fizik. I njëjti në vitin 2013 ka fituar një grant me astete fizike për drithëra me vlerë 56 mijë e 462 euro. Ai është pronar i kompanisë  “Elita” dhe bashkëpronar në biznesin N.T.SH. "Cani 3".

Sh.p.k “Rugove” ka marrë tri grante për përpunimin e qumështit, një në vitin 2013, një në vitin 2014 dhe një në vitin 2015. Vlera totale e granteve është  839 mijë e 131 euro. Pronarë të kësaj kompanie janë Visar Kelmendi dhe Vllaznim Xhiha. Të njëjtit janë pronarë të kompanisë "Ujë Rugove" në emër të së cilës në vitin 2011 është dhënë donacion me vlerë prej 300 euro për VV.

ABI Sh.p.k  - Alejdin Fusha në vitin 2013 dhe 2015 ka fituar dy grante me vlerë 651mijë e 770 euro. Alejdin Fusha është person i autorizuar në kompaninë Neëco Komuna Prizren Gamma L.L.C, pronar i së cilës është P.T.T. “Abi”. Ndërsa në emër të “Abi Center” në vitin 2012 janë dhënë 50 euro donacion për VV. Donacioni është dhënë në emër të Abi Center, ndërsa numri fiskal i deklaruar në listën e donacioneve është numri fiskal 600620521  i cili në ATK është i lidhur me  “Abi” SH.P.K e regjistrua në Prizren.

Muhamet Fazliu nga Rahoveci, në vitin 2010 i ka dhënë 1000 euro donacion për PDK-në. I njëjti në vitin 2013 ka fituar një grant për perime në fushë të hapur me vlerë 525 euro.

N.P.N. "Mega" Sh.p.k me pronarë Florina Zymberi dhe Mejdi Zymberi nga Gjilani në vitin 2013 kanë marrë një grant për ujitjen e tokave bujqësore me vlerë 16 mijë euro. Florina Zymberi në vitin 2012 ka dhënë 10 euro për PDK-në.

Moea Sh.p.k ka fituar dy grante në vitin 2013 dhe 2014 në vlerë prej 280 mijë e 58 euro. Njërin grant për ujitjen e tokave bujqësore dhe tjetrin për asete fizike në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore. Në vitin 2011 kjo kompani ka dhënë 300 euro për VV.

I.Seferi sh.p.k me pronar Haxhi Seferaj nga Suhareka në vitin 2011 dhe 2012 ka dhënë gjithsej 150 euro për VV. Në vitin 2015 ka fituar një grant për përpunimin e pemëve dhe perimeve me vlerë 400 mijë euro. Kjo kompani në periudhën gusht 2007- maj 2014 ka fituar tre tenderë nga institucionet shtetërore me vlerë 4 milionë e 862 mijë e 610 euro.