English
Scroll top

100 Milionë

Mbi 100 milionë euro janë përfitimet e kompanive që kanë financuar dy fushatat elektorale të PDK-së

Prishtinë, 25 Prill 2012

Ky hulumtim i “Preportr” mbi prokurimet publike nxjerrë thjesht dhe pa ndonjë koment të dhëna mbi 100 milionët e shpërndarë nga partia e kryeministrit, për kompanitë që atij ia zgjatën dorën gjatë fushatave zgjedhore. Nga dokumentet zyrtare ky hulumtim ka gjetur se 43 subjekte të ndryshme, kryesisht kompani ndërtimore që si biznese dhe persona fizik  financuan Partinë  Demokratike të Kosovës (PDK), në dy fushatat e fundit elektorale kanë përfituar mbi 100 milionë euro nga tenderët publik. Sipas raportit të auditimit të financave të partive për fushatën e vitit 2009 dhe atij për fushatën e vitit 2010, shuma e donacioneve që këto 43 subjekte dhanë për PDK-në është pak më shumë se 280 mijë euro. Për 11 nga to u shkel edhe ligji dhe u dëmtua buxheti për t’i shpërblyer. Kjo i bie që kompanitë kanë rritur të ardhurat e tyre nga pushteti për mbi 350 herë në krahasim me atë që i dhanë donacion partisë në pushtet. Pasi “Preportr” ka gjetur këto të dhëna,  ka pritur për më shumë se dy javë për një koment nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe nga Zyra e kryeministrit Hashim Thaçi, por as njëra dhe as tjetra nuk janë prononcuar në lidhje me shpërblimin prej 100 milionë eurosh të financuesve të kësaj partie me anë të tenderëve publik.

Por, kjo marrëdhënie në një pjesë të konsiderueshme zhvillohet larg mundësisë së monitorimit me dokumentacione, sepse thjesht një pjesë e konsiderueshme e financave të partive nuk është e mundur të identifikohen. Këtu flitet vetëm për kompanitë për të cilat ka mbështetje me dokumente zyrtare se janë të përfshira në financimin e partisë në pushtet, por duhet pasur parasysh se një numër i madh i tenderëve publik iu jepet kompanive që janë të afërta me PDK-në, por se nuk kanë ndonjë bashkëpronësi formale, apo nuk dalin as si financues të partive politike. “Al-Trade”, pronë e Bajram Gashanit është një kompani shumë e pranishme në tenderët publik, pronari i se cilës është me origjinë nga qendër-peshimi i PDK-së, Drenasi. Kjo kompani, vetëm në Ministrinë e Arsimit ka marrë shtatë tenderë me vlerë prej afro 9 milionë euro. Kjo kompani në konzorcium me kompaninë “Ada Consalting Group”, pronë e zyrtarit të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), Avni Kastrati, ka marrë një tender prej 600 mijë eurosh nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Megjithëse, sipas Auditorit Gjeneral ishin shkelur kërkesat e donatorit, Ambasadës Britaneze për procedura të veçanta të prokurimit, Ministria e Kthimit ia ka vazhduar kontratën kësaj kompanie për projektin për ndërtimin e banesave për minoritete.

PDK-ja ka shpërblyer edhe të afërmit e gazetarëve që mbajtën anën e kësaj partie. Kompania “Albes” nga Istogu, pronë e Hajredin Mavrajt ka marrë nga 5.7 milionë euro vetëm nga MASHT, kur atë e udhëhiqte ish-Ministri Enver Hoxhaj, tash Kryediplomat i Kosovës. Familjari i pronarit të kësaj kompanie, Muhamet Mavraj, boton gazetën “Epoka e Re”, që është e afërm me PDK-në.

Kjo kompani, pos tenderëve në MASHT, ka marrë tender milionësh edhe nga institucionet e tjera që udhëhiqen nga njërëzit e PDK-së, madje  edhe duke  ofertuar me çmime 1200 % më të shtrenjta se ato në treg. Në tenderin e Ministrisë së Administratës Publike (MAP) “Ndërtimi i ndërtesës se Prokurorisë së Qarkut në Pejë”,  përfaqësuesi i kompanisë “Albes”, në seancën e mbajtur në OSHP në lidhje me problemet që dolën me këtë tender e pranon publikisht se qëllimisht ka përdorur çmime 1200 % më të shtrenjta se në treg. Në po këtë seancë, përfaqësuesi i kësaj kompanie thotë se të njëjtën, sipas tij strategji, e ka aplikuar edhe në mbi 100 projekte tjera por megjithatë është shpërblyer me kontratë.

“Preportr” ka bërë kërkesë zyrtare në Komisioni Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) për të interpretuar ligjshmërinë e shpërblimit të “Albesit” me këtë “strategji”, por ky institucion nuk ka pranuar ta interpretojë këtë çështje.

Afërsia me pushtet ka mundësuar edhe shfrytëzimin e institucioneve publike, siç është RTK-ja, për të shpërblyer njerëzit e vet. Shaip Muja, ish-këshilltar i Kryeministrit Hashim Thaçi, që për PDK-në ka dhënë donacion 1 mijë euro ka 50% të aksioneve në “Ana Derm”, kurse 50% të tjera i takojnë gruas së tij, Anita Muja. Ajo është edhe pronare në kompaninë tjetër private “Ana-Z”, me anë të së cilës ka përfituar një kontratë nga fondet publike të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), por që këta të fundit nuk pranojnë të bëjnë publike vlerën e saj.

Edhe vëllai i deputetit Muja, Fatmir Muja, nuk është lënë anash. Kompania “CI-KOS”, pronë e Fatmir Mujës, e cila sipas të dhënave të Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve merret me riciklimin e mbeturinave dhe hedhurinave metalike kishte fituar tenderin për shitjen e mbetjeve të metalit nga kjo korporatë, derisa me prokurimin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) po udhëhiqte Njazi Thaçi, tash zëvendësdrejtor i kësaj korporate dhe njëherazi edhe kushëri i Kryeministrit Thaçi. Kjo kompani tash është në pronësi të Fatmir Mujës, vëllai i deputet Shaip Muja dhe numri kontaktues i kësaj kompanie është i njëjtë me kontaktin e kompanisë “Kosova Green Energy”, biznes i deputetit Shaip Muja, i cili nuk është deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsioni.

Tenderë me çdo kusht për donatorët e partisë

Financuesit e partisë së Kryeministrit Thaçi, tradicionalisht janë edhe kontraktorë të komunave që drejton kjo parti, por si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal, për t’u dhënë kontratat publike atyre institucionet nuk ishin “kursyer” në shkeljen e ligjit.

“Preportr” gjeti se nga 43 financues të PDK-së, duke përfshirë këtu edhe ata që donacionet për partinë në pushtet i dhanë si biznese, por edhe ata që i dhanë si persona fizik, por me kompanitë e tyre përfituan kontrata publike, për 11 prej tyre, pa përfshirë këtu kontratën mes Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK dhe “Devolli Group”,  u shkel ligji për t’i shpërblyer ato. Shkeljet në këto raste janë konstatuar nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) dhe nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP).

Shiko Gazetën #5

“Devolli Group”, pronë e vëllezërve Blerim e Shkëlqim Devolli edhe pse zyrtarisht për PDK-në ka dhënë vetëm 1 mijë euro, dhe atë vetëm për degën e saj në Pejë, kjo korporatë u shpërblye me tenderin për operatorin virtual në kuadër të telefonisë mobile publike, Vala 900, të njohur në treg si “Z-Mobile”. Kjo kontratë, nga e cila kompania “Devolli”, realizon miliona euro qarkullim është nënshkruar, pos nga ish-Kryeshefi  Ekzekutiv i PTK-së, Shyqeri Haxha edhe nga Kryetari i Bordit të kësaj koorporate, Rexhë Gjonbalaj, ish-kryetar i degës së PDK-së në Pejë. Po për këtë kontratë, Prokuroria e EULEX-it, ka ngritur një aktakuzë për pesë vepra penale ku përfshihet krim i organizuar, mashtrimi e falsifikimi me dokumente, e cila është konfirmuar nga gjyqtarë të këtij misioni dhe në bankën e të akuzuarve për këtë rast tash janë: Shyqeri Haxha, Rexhë Gjonbalaj, Blerim e Shkëlqim Devolli si dhe Ismet Bojku.

Duke qenë në procedura penale, përkundër rregullave të privatizimit, “Devolli Group” privatizoi dy ndërmarrje:“Amortizatorët” dhe  “Emin Duraku”

Shkelje të rënda të ligjit janë gjetur nga ZAP  për korporatën “Compact Group”, nga Gjilani, pronë e Mustafë Shalës. Kjo kompani, pronari i së cilës është edhe ortak biznesi me kryetarin e Gjilanit, Qemajl Mustafa,  në kompaninë për pjekjen e bananeve  “Viva Fruta”, është kontraktor i Komunës së Gjilanit në vazhdimësi. Përpos miliona eurosh para publike, që ka marrë nga Komuna e Gjilanit, kjo Komunë në vitin 2011 miraton edhe shkëmbimin e pronës në mes të Hotel “Kristalit” të Mustafë Shalës dhe Komunës së Gjilanit. Shala do t’i jap  Komunës një pronë prej 479 metra katrorë, që sipas opozitës së kësaj Komune shumë më pak e vlefshme se sa një parcelë prej 433 metra katrorë para këtij hoteli dhe buzë rrugës kryesore të qytetit, të cilën korporata “Compact Group”  përfitoi në ndërrim me Komunën.

Por, ligji për “Compact Group” u shkel në tenderët milionësh që përfitoi në “Termokos”,  në kohën kur kjo kompani drejtohej nga Fëllanza Pula. Për dy sezone, 2009-2010, 2011-2012 “Compact Group” ishte kontraktuar nga “Termokos” për furnizim me mazut, shpenzimet e të cilit për një sezon sillen nga 5-7 milionë euro. Po për këtë kompani, “Termokos” kishte shkelur ligjin duke  nënshkruar kontratë me të  në kohën kur ajo nuk kishte licencë për furnizim me mazut dhe derivate të naftës si dhe duke paguar shumëfish më shtrenjtë se në kontratë mazutin. Për më shumë, në vitin 2010 kur “Compact Group” mori edhe një herë tenderin e mazutit procedura për zgjedhjen e kompanisë ishte anuluar dy herë.

Kur është fjala për financuesit, as komunat e PDK-së nuk e “kursyen” ligjin. Komuna e Ferizajt, që udhëhiqej nga Bajrush Xhemajli i PDK-së, për kompaninë “Bageri”, që për pronar ka Bujar Shabanin nga Ferizaj, e që në vitin 2009 kishte dhënë 1 mijë euro donacion për PDK-në, sipas ZAP-it po në vitin 2009 bëri shkelje të ligjit mbi financat publike. Në projektin për asfaltimin  e rrugës në fshatin Komogllavë, që i kushtoi komunës mbi 125 mijë euro,  komuna e Ferizajt kishte paguar këste në vlerë më të madhe se sa që parashihte kontrata me “Bagerin”, në favor të  kompanisë dhe ZAP këtë gjetje e kishte futur tek shkeljet që i klasifikoi si “rrezik i lartë”.

Kjo kompani, sipas profilit të saj në internet, si pjesë të saj ka edhe bazën e prodhimit të asfaltit në komunën e Lipjanit, emri i së cilës është “Kosova Asfalt”. Kjo e fundit, në një publikim të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor është futur në listën e kompanive të cilat me veprimtarinë e tyre e dëmtojnë ambientin. Në këtë publikim, “Kosova Asfalt” e kompanisë “Bageri” thuhet se ndotë ujërat nëntokësore, por nuk përmendet se çfarë masash janë marrë ndaj saj.

Për kompaninë “Bajraktari”, pronë e Mustafë Bajraktarit, që për PDK-në në vitin 2009 dha 500 euro që t’i jep tender me çdo kusht edhe duke shkelur ligjin, u “kujdes” kompania “Trepça”. Në një kontratë  në vitin 2010, për furnizim me derivate, “Trepça” kishte shkelur Ligjin e Prokurimit Publik (LPP) disa herë. ZAP në kontratën , në vlerë prej 124,088€, ka gjetur se “Trepça” e nënshkroi kontratën duke shkelur afatet ligjore ani pse kompania  kishte mungesë të dokumenteve  dhe se mjetet që iu zotuan kësaj kontrate ishin bartur jashtë-ligjshëm për këtë punë nga linja e mallrave dhe shërbimeve. ZAP kishte konstatuar se për “Bajraktarin’, “Trepça” shkeli edhe marrëveshjen për Monitorim dhe Kontroll. Me gjithë shkeljet e  ligjit që u bënë për t’ia dhënë tenderin “Bajraktarit”, kjo kompani e humbi këtë kontratë pasi që dështoi të furnizonte “Trepçën” dhe kontrata pastaj iu dha “HIB Petrolit” në vlerë prej 254,760€, apo dyfish më e lartë.

Donatori i PDK-së ndihmohet nga USAID-i

Kompania “Bejta Comerc”, në pronësi të Basri e Adem Kçikut, e që në dy fushatat zgjedhore më 2009 e 2010 dha për PDK-në 1499 euro është e rrethuar me shkelje e konflikte të interesit. Kjo kompani, që është mbështetur edhe nga programi i USAID-it në Kosovë me një kredi prej 900 mijë eurosh, kishte marrë një tender për asfaltimin e disa rrugëve të fshatrave në Komunën e Kamenicës, ani pse OSHP-ja kishte konstatuar se Kamenica shkeli ligjin kur ia dha këtë tender.

Po për këtë kompani shkeljet e ligjit vazhduan. Në korrik të vitit 2011 Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE),  që udhëhiqet nga ministri i PDK-së, Besim Beqaj, kishte ngritur dyshimin se kryetari i bordit të ndërmarrjes rajonale të Ujësjellësit “Hidromorava” në Gjilan, Abdyl Hasani, ka konflikt të interesit. Ky konflikt ishte pikërisht për shkak të faktit që Hasani  punonte edhe te “Bejta Comerc” si menaxher për Kualitete. Vetë Abdyl Hasani, që është i angazhuar nga komuna e Gjilanit edhe në Këshillin e Ekspertëve të kësaj komune, në një letër që ia kthen MZHE-së konstaton për vete se nuk ka konflikt të interesit, ani pse “Hidromorava” ka të kontraktuar për furnizim me fraksione të zhallit kompaninë “Bejta Comerce”.

Për shkeljet që ishin bërë për ta shpërblyer kompaninë “Beni Com”, pronë e Ismet Konushevcit e që është financues “kronik” i PDK-së, “Preportr” kishte publikuar edhe më herët hulumtime. Në hulumtimin me titull “Biznesi i partisë në pushtet”, me të cilën “Preportr” u shpërblye me çmimin teksti më i mirë në media online për vitin 2011, bëhet me dije se kjo kompani ishte shpallur jashtë-ligjshëm fituese e tenderit mbi 3 milionësh të Ministrisë së Infrastrukturës për ndërtimin e rrugës Kuqishtë – Bogë, por që u anulua nga OSHP-ja.

Por ky vit, nuk i ka nisur mbarë “Beni Com-it”. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) e kishte shpërblyer këtë kompani, në konzorcium me kompaninë “Ndërtimtari” në tenderin për shërbimet e largimit të djerrinës, vlera e të cilit ishte 165 mijë euro. KEK, sipas OSHP-së, kishte  bërë disa shkelje të LPP-së dhe tenderi shkoi në ri-vlerësim.

Për kompaninë N.N.P. " Engineering” me pronar Reshat Kamberi, e që për PDK-në në vitin 2009 dha 1 mijë euro, ligjin e kishte shkelur komuna e Ferizajt, që udhëhiqej deri tani nga njeriu i PDK-së, Bajrush Xhemajli. Ajo kishte derdhur në xhirollogarinë e kompanisë më shumë para sesa që lejonte marrëveshja e kësteve në projektin për renovimin e Teatrit të Qytetit, projekt ky që komunës i kushtoi afro 80 mijë euro. Në po këtë projekt, punët nuk janë pranuar nga gjysma e ekipit mbikëqyrës të punimeve. ZAP këto shkelje i ka klasifikuar te shkeljet me rrezikshmëri të lartë.

Disa institucione shkelin ligjin për një financues

Edhe komunat e vogla kishin shkelur ligjin për t’i shpërblyer financuesit e PDK-së. Për “Getoarin”, në tenderin për ndertimin e rrugës së Xërxës, në vitin 2010, komuna e Dragashit pati bërë një sërë shkeljesh, por OSHP-ja e anuloi vendimin e kësaj komune që ta shpërblejë “Getoarin”, kompani kjo pronë e Naim Besimit, i cili kishte dhënë për PDK-në në të dy fushatat 2300 euro, donacion që iu shpërblye nga MTPT-ja me tre tenderë dhe nga MASHT me një të tillë, e që vlera  përbashkët e tyre arrin në mbi 4.1 milionë euro.

Po ashtu dy komuna me territor jo të madh, Komuna e Kamenicës dhe ajo e Novobërdës, dhe Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK) kishin shkelur ligjin në favor të kompanisë N.T.P “Metali", pronar Elbasan Alidema nga Pozhorani i Vitisë e që për PDK-në në të dy fushatat e fundit ka dhënë 2 mijë euro donacion.

ZAP-i gjeti se Kamenica kishte ndarë një projekt në disa shpenzime më të vogla se 10 mijë euro dhe ka bërë kontrata të veçanta dhe pagesa kompanisë “Metali” gjatë vitit 2008 duke ekzekutuar katër pagesa të veçanta me një total prej 18,286 eurosh, të cilat nuk i kishte botuar në gazetë si tenderë, siç kërkohej me Ligjin për Prokurimin Publik në fuqi atëherë. Sipas ZAP këtu është bërë favorizimi i kësaj kompanie. Një vit më vonë, në vitin 2009, sipas ZAP komuna e Novobërdës kishte shkelur dy herë LPP-në për “Metalin” në tenderin me furnizimin me material ngrohës: dru dhe thëngjill.

Në vitin 2010, KMDK kishte bërë shkelje të vazhdueshme në tenderin për furnizim me makineri të rëndë, ku shpallej fitues “Metali”, por ankohej financuesi tjetër i PDK-së, “Getoari” nga Prizreni. Për këtë tender, vlera e të cilit ishte afro 400 mijë euro, ishin zhvilluar disa seanca në OSHP dhe ishte raportuar edhe në media.

Kompania " Shkoza FO7 ", biznes në pronësi të Fidaie Bytyçit, që në vitin 2009 për PDK-në dha 1 mijë euro e nga MTPT-ja ka marrë 2 tenderë në vlerë prej mbi 800 mijë eurosh, nga pasardhësja e MTPT- së,  Ministria e Infrastrukturës. Në vitin 2011 në konzorcium me kompaninë “Ndërtimi “, të dyja financuese të PDK-së, ishin shpallur fitues të tenderit “Sanimi i rrugës Regjionale R105, segmenti: Klinë-Brojë, L=4.0km”.  Për këtë tender, “Preportr” por edhe media tjera kishin raportuar disa herë që është shoqëruar me shkelje, por ky vendim, për shpalljen fitues të “Shkoza F07 & Ndërtimi “,  u anulua nga OSHP-ja.

Në vitin 2011 për “Shkoza FO7" u kujdes komuna e Vushtrrisë, që udhëhiqet nga Bajram Maloku i PDK-së, e cila e angazhoi këtë kompani për mirëmbajtjen e rrugëve në dimër. Kjo informatë është dhënë nga Shtabi për Gatishmëri Emergjente i Vushtrrisë, por nuk është publikuar vlera e kontratës mes komunës dhe kompanisë.

Buja, biznes me financuesin dhe kontraktorin

Kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, njëherit edhe kryetar i degës së PDK-së në Lipjan, nuk është mjaftuar vetëm me dhënien e tenderëve për kompaninë “Stublla”, pronë e Avni Stubllës, nga fshati Topliçan i  kësaj komune, e që në vitin 2010 për PDK-në dha 9700 euro e mori nga MASHT e komuna e Lipjanit afro 4 milionë euro. Buja pos që “Stubllën” e shpalli fitues në tenderin për të ndërtuar me koncesion objektin për familjet e dëshmorëve, veteranëve të luftës, familjet e martirëve dhe fëmijët bonjakë, kishte bërë edhe biznes privat me të. Sipas deklarimit të pasurisë së Bujës, ky i fundit kishte deponuar grurin në mullirin e këtij kontraktori të Qeverisë e Komunës që ai udhëheq derisa Hasan Preteni, Drejtor i AKK-së kishte thënë për “Zërin” se do të merret me këtë rast.

Ligjin mbi financat publike e kishte shkelur edhe komuna e Vitisë për kompaninë “Hajrushi", pronari i së cilës, Hajrush Misini, për PDK-në dha 1 mijë euro donacion. Në tenderin prej 58 mijë eurosh nga komuna e Vitisë  për ndërtimin e kanalit të hapur dhe rrugëve në rrugën ‘Kongresi i Manastirit’, sipas ZAP komuna derdhi në xhirollogarinë e ‘Hajrushi’ para më shumë se sa që lejoheshin sipas ratave që qenë përcaktuar në kontratë. “Ekziston rreziku që mjetet e Komunës janë keqpërdorur gjatë këtij procesi”, thuhet në raportin  e ZAP për Vitinë në vitin 2010, që  këtë gjetje e kualifikojnë si rrezik i lartë.

Financuesit e PDK-së nuk ju ndanë as tenderëve një burimor, të kritikuar si tenderë me rrezikshmëri për favorizim nga ana e Komisionit Evropian. Bejtush Zhugolli, që për degën e PDK-së në Pejë në vitin 2009 dha 900 euro, ka në pronësi kompaninë “Pejton”. Vëllezërit e tij, me firmat e tyre kanë qenë pjesë e tenderëve publikë në këto tri vitet e fundit, 2008-2009-2010 vlera e të cilëve shkon në mbi 70 milionë euro. Korporata Energjetike dhe Operatori i Sistemit e Transmisionit të Energjisë Elektrike KOSTT kanë shpallur fitues kompaninë “Eco Trade”, pronë e Mehdi Zhugollit dhe atë “ACDC-KOS” të Ilmi Zhugollit në rreth dhjetë tenderë publikë, të cilët kanë pasur të bënin me ndërrime të stabilimenteve, furnizime me pajisje e tenderë për riparim të shiritave transportues. Këto kontrata kapin shumën rreth 70 milionë euro dhe pjesa më e madhe e këtyre tenderëve kanë qenë tenderë një burimor.