English
Scroll top

ZPD nis hetimet për parashkrimin e lëndëve penale

Zyra e Prokurorit Disiplinor bazuar në raportin e Organizatës ÇOHU! për parashkrimin e ndjekjeve dhe ekzekutimeve penale i ka filluar hetimet në dy raste. Preportr, ka gjetur në ueb-faqen e kësaj Zyre se prej vitit 2008 deri në shkurt të këtij viti, kjo zyre ka marrë vetëm tri vendime në lidhje me lëndët e parashkruara edhe pse në nivel të gjykatave komunale që prej vitit 2001 janë parashkruar 8237 lëndë

Prishtinë, 10 Korrik 2013

Pesë muaj pas publikimit të raportit të organizatës ÇOHU! për parashkrimin e ndjekjeve dhe ekzekutimeve penale, Zyra e Prokurorit Disiplinor i ka filluar hetimet në dy raste.

Zef Prendrecaj drejtor  i Zyrës së Prokurorit Disiplinor me datën 21.06.2013, ka njoftuar organizatën ÇOHU!, se duke u bazuar në raportin e kësaj organizate për parashkrimin e lëndëve Zyra e Prokurorit Disiplinor ka hapur hetim ndaj dy gjykatësve.

Në njoftim nuk janë dhënë më shumë detaje se çfarë ka ndodhur më rastet tjera. Organizata ÇOHU! në raportin e saj për parashkrimin e ndjekjeve dhe ekzekutimeve penale në mesin e mijërave lëndëve që janë parashkruar ka gjetur se janë parashkruar edhe 31 lëndë kundër korrupsionit.

8237 lëndë janë parashkruar/vjetërsuar në 17 gjykata komunale në vitet 2001-2012

Raport i Organizatës Çohu!

Sipas raportit të organizatës ÇOHU! numri total i lëndëve të parashkruara/vjetërsuara në 17 gjykata komunale në vitet 2001‐2012, është 8237.

Me gjithë numrin e madh të lëndëve që janë parashkruar, sipas të dhënave të publikuara në ueb-faqen e Komisionit Disiplinor Gjyqësor, nga viti 2008 e deri në shkurt të vitit 2013, ky komision ka marrë vetëm tri vendime në lidhje me lëndët e parashkruara. Në dy raste ka marrë vendime për masën disiplinore qortim, kurse për një rast e ka liruar nga përgjegjësia gjyqtaren.

Edhe Zef Prendrecaj drejtor  i Zyrës së Prokurorit Disiplinor konfirmon për Preportr se kjo Zyrë deri më tani ka filluar hetimet disiplinore ndaj tre gjyqtarëve. Në dy lëndë hetimi disiplinor është hapur ndaj gjyqtareve në lidhje me vjetërsimin (parashkrimin) e rasteve të korrupsionit. Ai thotë se njëri nga gjyqtaret është nga Gjykata Komunale në Lipjan  dhe tjetri në Gjykatën Komunale në Vushtrri (tani Gjykata Themelore).

"Për rastet tjera të korrupsionit nga të gjetura në raportin monitorues të Organizatës “Çohu” në gjykatat tjera, ZPD ka siguruara dosjet gjyqësore dhe është në proces të shqyrtimit për të vendos së shpejti. Për gjyqtaret e lartcekur hetimet disiplinore janë hapur me pretendimet se, të njëjtit kanë neglizhuar ushtrimin e funksionit gjyqësor sepse kanë lejuar parashkrimin e 7 (shtatë) lëndëve penale lidhur me veprat penale: Shpërdorimi i detyrës zyrtare, vjedhje grabitqare, blerje dhe shpërndarja të narkotikeve dhe marrëdhënie seksuale me dhunë", thotë Prendrecaj.

Ai thotë se nga viti 2001 deri më tani, ZPD ka hapur hetim disiplinor ndaj disa gjyqtarëve dhe prokurorëve për rastet e korrupsionit dhe i ka trajtuar me prioritet. Rastet janë hapur me kërkesën e palëve apo sipas detyrës zyrtare të iniciuara nga ZPD-ja.

Prendrecaj thotë se gjatë grumbullimit të dosjeve gjyqësore dhe informacioneve tjera të nevojshme për të vendosur lidhur me hapje apo mos hapjen e hetimit disiplinor mbi bazën e pretendimit për sjellje të pahijshme gjyqësore apo prokuroriale, ZPD është përballur me disa pengesa. Ndër këto pengesa ai përmend numrin e madh të lëndëve të kërkuara dhe siguruara (kopja e dosjeve gjyqësore) në disa gjykata të Kosovës, ka bërë që të vonohet sigurimi i kopjeve fizike të lëndëve. Sipas tij, pengesë tjetër ka qenë sigurimi i provës për të gjetur se, kush nga gjyqtarët ka qenë i ngarkuar me lëndën/et dhe kush nga gjyqtarët ka lejuar vjetërsimin (parashkrimin) të ndodh.

"Kjo për arsyeje se, disa gjykata nuk kanë mbajtur evidencën dhe disa jo lidhur me ngarkesën e gjyqtareve me lëndë. Në disa raste gjyqtaret të cilët kanë lejuar parashkrimin nuk janë tani gjyqtarë (nuk janë riemëruar si gjyqtar) dhe për disa raste (lëndë) gjyqtari ka ndërruar jetë (ka vdekur) apo ka ndërruar vendin e punës. Pengesë tjetër është fakti se, gjyqtarët dhe gjykatat janë të ngarkuara me punë dhe nuk kanë mundësi që dosjet gjyqësore në shumë raste voluminoze të kopjohen shpejt për t’i përcjellë pastaj në ZPD, etj.", theksoi Prendrecaj.

Qortim për gjyqtarët që i kanë lënë lëndët të parashkruhen

Zyrës së Prokurorit Disiplinor gjatë hetimeve për lëndët që janë parashkruar nëpër gjykatat e Kosovës i ka dalë problem me gjyqtarët që nuk janë në detyrë. Kjo Zyrë nuk e ka më mandat që t’i hetojë rastet kur gjyqtarët dhe prokurorët nuk janë në detyrë. Edhe në rastet që janë zhvilluar hetime dhe janë marrë vendime nuk është që ato kanë qenë të natyrës së rëndë. Nga të dhënat që Preportr, i ka nxjerr nga ueb- faqja e Zyrës, del se në tri raste ka marrë vendim për masën disiplinore qortim dhe në një rast tjetër e ka liruar gjyqtaren nga përgjegjësia.

Prokuroritë dhe gjykatat e Kosovës edhe pas themelimit të një sërë mekanizmash për luftimin e korrupsionit, nuk kanë bërë shumë në luftimin e kësaj dukurie. Përfaqësues të organizatave joqeveritare që e ndjekin nga afër punën e gjykatave, duke u bazuar edhe në raportin e ÇOHU!, që ka evidentuar që në mesin e shumë lëndëve të parashkruara  ka edhe lëndë kundër korrupsionit, thonë se ky fakt tregon mjaft, për mungesën e luftimit të kësaj dukurie.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se fakti që një numër enormë i lëndëve janë parashkruar nëpër gjykata ngritë dyshimet e bazuara se ka ekzistuar një pajtueshmëri për zhvillimin e një veprimtarie të planifikuar kriminale për të falur kriminel dhe krime të ndryshme dhe kjo s’ka sesi të interpretohet ndryshe

Ai këtë e mbështet në faktin se gjyqtarët që i kanë lënë lëndët të parashkruhen nuk janë ndëshkuar. Sipas Musliut, ka pasur vetëm një lloj “ndëshkimi’, ndaj personave që nuk e kanë kryer detyrën e tyre si duhet.

“Procesi i riemërimit dhe emërimit të gjykatësve dhe prokurorëve është përcjell me probleme serioze për shkak të konceptimit të gabueshëm të tij. E para ka filluar dhe përfunduar pa u miratuar katër ligjet bazike të sistemit të drejtësisë (Ligjit për Gjykata, Ligjin për Prokurorinë e Shtetit, Ligjin për KGJK dhe Ligjin për KPK) dhe nuk është menduar se çfarëdo të bëhet me personat të cilët bien në integritet, janë gjetur me sjellje të pahijshme apo shkelje të ndryshme disiplinore. Pra, të gjithë ata që nuk kanë kaluar në riemërim, ndëshkimin më të madh e kanë pasur mosriemërimin, por nuk janë ndjekur as në rrugën disiplinore e as penale”, thotë ai.

Musliu konsideron që Zyra e Prokurorit Disiplinor kurrë nuk ka pasur kapacitete të mjaftueshme për të hetuar gjykatësit që i kanë lënë lëndët të parashkruhen.

ZPD asnjëherë nuk ka pasur kapacitete të duhura për të hetuar numrin e gjykatësve të përfshirë në parashkrimin e lëndëve dhe kjo është shqetësuese, sesi kjo zyre nuk përkrahet që ndërtojë kapacitete të duhura për të ndjekur shkeljet e gjykatësve dhe prokurorëve

Betim Musliu, IKD

“ZPD asnjëherë nuk ka pasur kapacitete të duhura për të hetuar numrin e gjykatësve të përfshirë në parashkrimin e lëndëve dhe kjo është shqetësuese, sesi kjo zyre nuk përkrahet që ndërtojë kapacitete të duhura për të ndjekur shkeljet e gjykatësve dhe prokurorëve, si një ndër mënyrat më efikase për të ngritur llogaridhënien e sistemit të drejtësisë”, shton Musliu.

Pa hetime të mirëfillta

Shqetësime mbi numrin e madh të lëndëve që janë parashkruar e sidomos atyre kundër korrupsionit, janë paraqitur në një tryezë diskutimi që para disa muajsh e ka organizuar Organizata ÇOHU!.

Kadri Begolli, inspektor në ZDP, ka kujtuar se kjo Zyrë veç që nuk i ka kapacitetet e mjaftueshme për hetimin e rasteve të lëndëve që janë parashkruar, ka shtuar se edhe masat që u shqiptohen atyre që hetohen nuk kanë ndonjë ndikim të veçantë. Madje Begolli, pati kujtuar se mungon një bashkëpunim i mirëfilltë mes kësaj Zyre dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Duke e shprehur si shqetësues numrin e madh të lëndëve që janë parashkruar Begolli, ka thënë se është e pamundur të merren me të gjitha rastet e parashkrimit “por ne duhet të merremi vetëm me rastet e mëdha”.

Zëdhënësja e Këshillit Gjyqësor i Kosovës, Aishe Qorraj-Berisha, duke mos i komentuar të dhënat e organizatës ÇOHU!, ka njoftuar se Këshilli  Gjyqësor i Kosovës me vendim të veçantë ka obliguar gjykatat më me prioritet t’i procedojnë çështjet e veprave penale të korrupsionit.

“Nëpër gjykatat e Kosovës kemi raste të tilla, por jo të nivelit të lartë nga se lëndë të tilla janë në kompetencë të gjykatësve të EULEX-it. Akoma nuk ka përfunduar Raporti Vjetor i KGJK-së, dhe se varësisht nga rezultatet e statistikave do të shikojmë se ku ka ngecje dhe atëherë do të vendosim për masat e ndërmarra”, ka thënë ajo.

Tanimë sipas zëdhënëses Qorraj-Berisha janë krijuar kushtet dhe gjyqësori ka mundësi të merret edhe me lëndë kundër korrupsionit.

“Gjykatat deri më tani janë përballë me numër të pamjaftueshëm të gjykatësve dhe numrit të madh të lëndëve të mbetura. Tani gjyqësori është më i kompletuar me gjykatës dhe ka mundësi të përballet edhe me vepra të kësaj natyre”, thotë ajo.

Me këtë nuk pajtohet, Betim Musliu nga IDK. Ai ka thënë se mekanizmat e drejtësisë kanë dështuar vazhdimisht që të ndjekin si duhet shkelësit e ligjit dhe veprimet kriminale në sistemin e drejtësisë dhe kjo ka rezultuar me një mungesë të madhe të llogaridhënies në sistemin gjyqësor dhe prokurorial.

“Nuk ka pasur asnjëherë hetime të mirëfillta në drejtim të zbardhjes së këtyre rasteve për të vërtetuar sesi parashkruhen lëndët e korrupsionit, në kohën kur luftimi i korrupsionit shpallet si top prioritet i të gjitha institucioneve të vendit. Kjo s’do mend se është bërë qëllimisht nga këto institucione në mënyrë që të përligjet falja e krimeve të kryera dhe pikërisht për këto veprime pa llogaridhënie, IKD do të kërkojë që të ngritët llogaridhënia në sistemin e drejtësisë për këto raste dhe në përgjithësi që ky sistem të jetë llogaridhënës”, ka shtuar ai.