English
Scroll top

Ura u ndërtua pa tender në Gjilan, Prokuroria nis hetimet

Drejtuesit e Gjilanit po akuzohen nga opozitarët e kësaj Komune, përkatësisht nga asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), se para zgjedhjeve të fundit lokale (para më shumë se një viti) kanë ndërtuar një urë afër tregut të gjelbër që ka kushtuar rreth 30 mijë euro pa iu nënshtruar kurrfarë procesi të prokurimit

16 Janar 2019

Madje opozitarët e Gjilanit dyshojnë se për ta mbuluar keqpërdorimin me ndërtimin e urës së qytetit pa tender, drejtuesit e Komunës, e cila udhëhiqet nga Lufti Haziri, në shtator të këtij viti e kanë shpallur një proces prokurimi në vlerë prej mbi 360 mijë euro për ndërtimin e disa rrugëve afër tregut,  përderisa te paramasa për ndërtimin e rrugës: ‘BL=6.00+2X2/242.00M’ është përfshirë edhe ura e ndërtuar më herët. 
Riza Abdyli, udhëheqës i grupit të këshilltareve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Kuvendin Komunal të Gjilanit, ka dyshime të bazuara se gjatë fushatës parazgjedhore në zgjedhjet e fundit lokale ura e qytetit te tregu i gjelbër është ndërtuar pa tender.

’Kjo urë është ndërtuar pa kurrfarë tenderi. Unë kam një kompani time private të prodhimit të betonit dhe dikush më ka kontaktuar më ka thënë mos e ke dërguar t’i betonin për ndërtim të asaj ure, ndonëse nuk kam qenë i përfshirë” ka thënë Abdyli për gazetën “Zëri”.
Sipas tij, në komunën e Gjilanit që drejtohet nga Lutfi Hazri, nuk është vetëm ky problem, por ka edhe shumë tjera që lidhen direkt me procesin e prokurimit.

‘Ura u ndërtua në fushatë’

Burime të besueshme brenda komunës së Gjilanit bëjnë të ditur për gazetën ‘Zëri’ se ura në fjalë është ndërtuar gjatë fushatës parazgjedhore nga kompania ‘Zuka Comerce’ nga Gjilani.

E njejta kompani, e cila vitin e kaluar kishte ndërtuar urën pa tender, sipas këtyre burimeve, më 17 shtator të këtij viti është shpërblyer nga Komuna e Gjilanit me një tender në vlerë prej 363, 917 euro, tender ky që ka disa lote dhe që besohet se në njërin nga këto lote është futur edhe ura e ndërtuar vitin e kaluar pa iu nënshtruar procedurave të prokurimit.

‘Saktësisht në pikën 4 të dosjen e tenderit:Paramasa për ndërtimin e rrugës B/L=6.00+2x2/242.00m shihet qartë se është paraparë materiali për këtë urë,  është paraparë gërmimi i një sasie të konsiderueshme të dheut prej 164 metër kub. Po ashtu në dosje të tenderit janë paraparë edhe më shumë se 150 metër kub beton të kategorisë C, si dhe 21,840 kilogram hekur. Po ashtu aty në dosje janë paraparë edhe punë tjera që lidhen direkt me pjesën e urës’, bëjnë të ditur burimet e ‘Zërit’.

Më tutje këto burime brenda komunës së Gjilanit bëjnë të ditur se kostoja e urës së ndërtuar pa procedura të prokurimit nuk është e vogël.“Kostoja e ndërtimit të kësaj ure është mbi 30 mijë euro. Projekti është 100 % elektoral, pasi që është ndërtuar gjatë fushatës parazgjedhore pa proces të prokurimit për të fituar sa më shumë vota”, bëjnë të ditur burime të besueshme të ‘Zërit’ brenda Komunës së Gjilanit.

Gazeta ‘Zëri’ për çështjen e urës afër tregut të gjelbër në Gjilan i ka dërguar pyetje edhe kompanisë ‘Zuka Comerce’, e cila dyshohet se ka kryer punime pa kurrfarë procedurash të prokurimit, por kjo e fundit nuk është përgjigjur në pyetjet tona përgjatë një periudhe dyjavore.

Komuna e Gjilanit mohon ndërtimin e urës.

Gazeta “Zëri” për këtë çështje i ka dërguar pyetje edhe kryetarit të komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, por ky i fundit nuk është përgjigjur fare, deri sa në anën tjetër zyra e Prokurimit e komunës e mohon se gjatë dy viteve të fundit të jetë zhvilluar ndonjë projekt prokurimi për ndërtim të urës në fjalë.

“Ju informoj se Zyra e Prokurimit nuk ka zhvilluar asnjë aktivitet të prokurimit në Rrugën e Gjinollëve në vitet e fundit për ndërtim të ndonjë ure. Dy vite më parë është ndërtuar një kanalizim atmosferik në rrugën përkatëse. Ju kërkojmë falje për vonesën në përgjigjen në pyetjet tua, por krejt kjo ka ndodhur për shkak se na është dashur ta hulumtojmë komplet dokumentacionin në zyrën tonë”,ka thënë  për ‘Zërin’ Izet Kurteshi, ushtrues i detyrës  së shefit të  Zyrës së Prokurimit në Komunën e Gjilanitë.

Ish-nënkryetari: Ura është ndërtuar

Ndërsa ish-nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, i cili aktualisht është zëvendësministër i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, thotë se është në dijeni që ura është ndërtuar, por nuk ka më shumë informata në këtë drejtim, pasi që, siç thotë ai, në kohën kur janë shpallur zgjedhjet e fundit lokale ka ndërprerë mardhëniet e punës me Komunën për të garuar në zgjedhje. “E di se ajo urë është ndërtuar, por qysh e tek nuk kam informacione, sepse në momentin e shpalljes së zgjedhjeve lokale unë kam ndërpre marrëdhënien e punës në Komunë për shkak zgjedhjeve”, ka thënë Kadriu. 

Ai ka bërë të ditur se ndërtimi i rrugës, ku përfshihet edhe ura, ka qenë në planifikimet e Komunës, sepse siç thotë ish-nënkryetari, e njëjta është në përputhje me planin rregullues të Komunës.

Prokuroria nis hetimet

Për shkak të dyshimeve të ngritura se para më shumë se një viti, përkatësisht para zgjedhjeve të fundit lokale në Gjilan, është ndërtuar një urë në vlerë prej mbi 30 mijë euro pa kurrfarë tenderi, Prokuroria Themelore e Gjilanit ka nisur hetimet.
Liridona Xheladini, zyrtare për informim dhe monitorim të medieve në Prokurorinë Themelore të Gjilanit, ka konfirmuar për ‘Zërin’ se Prokuroria ka nisur hetimet për këtë çështje. 

“Në bazë të kërkesës suaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, pas pranimit të një informate është njoftuar për këtë rast dhe menjëherë ka ndërmarrë veprime hetimore, duke e autorizuar Sektorin e Njësisë Hetimore Rajonale të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, që të grumbullojë prova apo informata tjera dhe të njëjtat dëshmi t’i sjellin në prokurori, me qëllim të ndriçimit të këtij rasti”,thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Gjilanit.



Për më tepër, burime brenda komunës së Gjilanit bëjnë të ditur se tashmë për këtë çështje Prokuroria Themelore në Gjilan ka intervistuar personat të cilët dyshohet të jenë të involvuar në këtë çështje.

Fakt 1:

Gazeta ‘Zëri’ për çështjen e urës afër Tregut të Gjelbër në Gjilan i ka dërguar pyetje edhe kompanisë ‘Zuka Comerce’, e cila dyshohet se ka kryer punime pa kurrfarë procedurash të prokurimit, por kjo e fundit nuk është përgjigjur në pyetjet tona përgjatë një periudhe dyjavore.

Fakt 2:

Çfarë punimesh janë paraparë me pikën 4 “Paramasa për ndërtimin e rrugës B/L=6.00+2x2/242.00m” në tenderin e shpallur më 17 shtator 2018?

Gërmimi i dheut të kategorisë III-të dhe të IV-të për hapjen e themeleve si dhe transporti në distancë deri në 5 kilometër – 164 metër kub.
Furnizimi, transporti, planifikimi dhe kompaktimi i shtresës së nënstrukturës së urës me material guror te granuluar 50-150 mm.  Ngjeshja me mjete mekanike deri në arritjen e modulit të ngjeshjes Mv=40MPa.

Kontrolli i modulit te ngjeshjes sipas provës me pllake rrethore me diametër 30 cm. Testimi behet ne materialet me lagështi optimale. Standardi i aplikueshëm, DIN 18134 – 30 metër kub
Furnizimi ,transporti , planifikimi dhe kompaktimi i shtresës rrafshuese  me material te granuluar 0-60 mm. (Ne ketë pozicion është përfshire edhe ngritja e trotuareve përgjatë lumit sipas detajeve te dhëna ne projekt) – 342 metër katror
Furnizimi, transporti, planifikimi dhe kompaktimi i shtresës se tamponit  me material te granuluar 0-30 mm -  135 metër kub
Kallupimi dhe betonimi i themeleve me beton të klasit C-30 – 60 metër kub
Kallupimi dhe betonimi i shtyllave (muri masiv) me beton të klasit C-30 – 27 metër kub
Kallupimi dhe betonimi i soletës me beton të klasit C-30 – 45 metër kub
Kallupimi dhe betonimi i soletës kapërcyese me beton të klasit C-30 - 9.60 metër  kub
Kallupimi dhe betonimi i krihëve me beton të klasit C-30 – 9 metër kub.
Kallupimi dhe betonimi i elementeve dekorues  sipas projektit me beton të klasit C-40- 60 copë
Punimi i armaturës dhe vendosja në vepër sipas projektit – 21,840 kilogram
Blerja dhe montimi i gypave për instalime  120mm -160 metër
Blerja dhe montimi i pahive elastike – 25 metër
Blerja dhe montimi i parmakëve nga profile metalike  sipas projektit – 25 metër/Enis Veliu - Zëri/