English
Scroll top

Ura që ‘lidh’ zyrtarin e Gjilanit me dyshimet për keqpërdorimin e 34 mijë eurove

Prokuroria Themelore e Gjilanit ka marrë aktvendim për nisjen e hetimeve ndaj një zyrtari komunal dhe një përfaqësuesi të biznesit privat për ndërtimin ilegal të një ure dhe pa projekt specifik, e cila ka kushtuar mbi 34 mijë euro. Për këtë tender muaj më parë ka raportuar gazeta “Zëri”

30 Maj 2019

Ndërtimi i një ure me një kosto prej mbi 34 mijë euro dhe në mënyrë ilegale në Komunën e Gjilanit, për të cilën më 27 dhjetor të vitit 2018 ka raportuar gazeta ‘Zëri’, ka bërë që Prokuroria Themelore, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda në këtë Komunë, të marr aktvendim për nisjen e hetimeve ndaj një zyrtari komunal dhe menaxheri të një kompanie private.

Gazeta ‘Zëri’ në fund të dhjetorit të vitit të kaluar pati botuar një hulumtim, ku bëhej e ditur se drejtuesit e Gjilanit në periudhën e zgjedhjeve të fundit lokale (para rreth një viti i gjysmë) kanë ndërtuar një urë afër tregut të gjelbër që ka kushtuar mbi 30 mijë euro pa iu nënshtruar kurrfarë procesi të prokurimit.

Madje, në atë kohë opozitarët e Gjilanit, përkatësisht asamblistët e PDK-së, dyshonin se për ta mbuluar keqpërdorimin me ndërtimin e urës së qytetit pa tender, drejtuesit e Komunës, e cila udhëhiqet nga Lufti Haziri, në shtator të vitit 2018 e kanë shpallur një proces prokurimi në vlerë prej mbi 360 mijë euro për ndërtimin e disa rrugëve afër tregut, përderisa te paramasa për ndërtimin e rrugës: ‘BL=6.00+2X2/242.00M’ është përfshirë edhe ura e ndërtuar më herët.

Ura pa projekt specifik dhe pa leje ndërtimore

Më pak se një muaj pas botimit të këtij hulumtimi, përkatësisht më 21 janar 2019, Prokuroria Themelore e Gjilanit ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj N.K, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Gjilanit dhe M.H, menaxher i ndërtimit në kompaninë private “Fitorja”.

Sipas këtij aktvendimi që e posedon gazeta “Zëri” i pandehuri N.K, në cilësinë e drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Gjilanit, duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër dhe t’i shkaktoj dëm Komunës së Gjilanit, me dashje nuk ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me Ligj, në atë mënyrë që më datë 11 prill 2018 ka kërkuar që të filloj tenderimi me numër prokurimi 651 18 25 18 111, me titullin “Ndërtimi i rrugëve në fshatrat dhe qytetin e Gjilanit”, duke kërkuar që tenderi të ndahet në 3 lote, ku në lotin 3, në paramanë ishte paraparë që të ndërtohet një urë, e cila ishte ndërtuar në dhjetor 2017.

Edhe përkundër asaj që e kishte ditur se ishte ndërtuar ura në mënyrë ilegale nga kompania “Fitorja”, i njëjti me qëllim nuk e ka tërhequr nga tenderi pozicionin LOT 3, të cilin tender e kishte fituar kompania “Zuka Commerc” nga Gjilani në vlerë prej 34.110 euro. “I pandehuri N.K ishte njoftuar nga Organi Mbikëqyrës se ura ishte ndërtuar, i njëjti përkundër detyrave të tij zyrtare nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim derisa me datë 12 nëntor 2018 kur në Zyrën e Prokurimit nga Policia e Kosovës në Gjilan kanë dorëzuar kërkesë për të marrë dokumentacionin e tenderit, për këtë kishte kuptuar zyra e Prokurimit, zyrtarët e së cilës kishin kërkuar nga Organi Mbikqyrës informatë zyrtare dhe pas gjithë kësaj të njejtës urë i vendosën anësoret dhe Komuna i paguan të njejta”, thuhet mes tjerash në aktvendimin e prokurorisë për fillimin e hetimeve, duke shtuar se me këtë rast ishte kryer vepra penale: keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar. Sipas prokurorisë, gjatë dhjetorit 2017 në vendin e quajtur “Livadhet e Arapit” në Gjilan, kompania “Fitorja” nga Ferizaj kishte ndërtuar urë pa projekt specifik dhe pa leje, e cila nuk i ka përmbushur as nivelet e sigurisë.

“I pandehuri përkundër që ka pasur njohuri që kjo urë është e ndërtuar dhe paraqet rrezik për jetën dhe pasurinë e qytetarëve, e në kuadër të autorizimeve të tij si drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Gjilanit nuk ka ndërmarrë veprime për ta penguar ose evituar rrezikun dhe në këtë mënyrë ka rrezikuar seriozisht jetën dhe pasurinë e qytetarëve”, potencohet në këtë aktvendim për nisjen e hetimeve. Ndërsa për të pandehurin tjetër, M.H, sipas dokumentit të prokurorisë që e posedon “Zëri”, potencohet se ka menaxhuar dhe ndërtuar pa leje ndërtimore, pa projekt specifik, në pronën e Komunës së Gjilanit, urë për kalim për këmbësor dhe automjete, për interesa të kompanisë që e përfaqëson, duke vepruar në kundërshtim me Ligjet apo standardet profesionale, seriozisht ka rrezikuar jetën dhe pasurinë e qytetarëve. “Me këtë kishte kryer veprën penale: Punimet ndërtimore të kundërligjshme”, thuhet mes tjerash në dokument.

Akuzat e forta të opozitës

Gishtin akuzues për keqpërdorime financiare dhe për qëllime elektorale me rastin e ndërtimit të urës i pari e ka ngritur Riza Abdyli, udhëheqës i grupit të këshilltareve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Kuvendin Komunal të Gjilanit, i cili ka shfaqur dyshime të bazuara se gjatë fushatës parazgjedhore në zgjedhjet e fundit lokale ura e qytetit te tregu i gjelbër është ndërtuar pa tender. ’Kjo urë është ndërtuar pa kurrfarë tenderi. Unë kam një kompani time private të prodhimit të betonit dhe dikush më ka kontaktuar më ka thënë mos e ke dërguar t’i betonin për ndërtim të asaj

ure, ndonëse nuk kam qenë i përfshirë”, pati thënë Abdyli për gazetën “Zëri”. Sipas tij, në komunën e Gjilanit që drejtohet nga Lutfi Hazari, nuk është vetëm ky problem, por ka edhe shumë tjera që lidhen direkt me procesin e prokurimit.

Komuna e Gjilanit mohonte ndërtimin e urës

Gazeta “Zëri” për këtë çështje i kishte dërguar pyetje edhe kryetarit të komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, por ky i fundit nuk ishte përgjigjur fare, deri sa në anën tjetër zyra e Prokurimit e komunës pati mohuar se gjatë dy viteve të fundit të jetë zhvilluar ndonjë projekt prokurimi për ndërtim të urës në fjalë. “Ju informoj se Zyra e Prokurimit nuk ka zhvilluar asnjë aktivitet të prokurimit në Rrugën e Gjinollëve në vitet e fundit për ndërtim të ndonjë ure. Dy vite më parë është ndërtuar një kanalizim atmosferik në rrugën përkatëse. Ju kërkojmë falje për vonesën në përgjigjen në pyetjet tua, por krejt kjo ka ndodhur për shkak se na është dashur ta hulumtojmë komplet dokumentacionin në zyrën tonë”,ka thënë për ‘Zërin’ Izet Kurteshi, ushtrues i detyrës së shefit të Zyrës së Prokurimit në Komunën e Gjilanit. Po ashtu, gazeta i ka dërguar pyetje komunës pas procesit të fillimit të hetimeve, por nuk ka arritur të marrë përgjigje

Ish-nënkryetari: Ura është ndërtuar

Ndërsa ish-nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, i cili aktualisht është zëvendësministër i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, ka konfirmuar se është në dijeni që ura është ndërtuar, por nuk ka më shumë informata në këtë drejtim, pasi që, siç thotë ai, në kohën kur janë shpallur zgjedhjet e fundit lokale ka ndërprerë mardhëniet e punës me Komunën për të garuar në zgjedhje. “E di se ajo urë është ndërtuar, por qysh e tek nuk kam informacione, sepse në momentin e shpalljes së zgjedhjeve lokale unë kam ndërpre marrëdhënien e punës në Komunë për shkak zgjedhjeve”, ka thënë Kadriu. Ai ka bërë të ditur se ndërtimi i rrugës, ku përfshihet edhe ura, ka qenë në planifikimet e Komunës, sepse siç thotë ish-nënkryetari, e njëjta është në përputhje me planin rregullues të Komunës.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, për këtë rast, ende është duke zhvilluar hetime, ndaj të dyshuarve N.K. dhe M.H. I dyshuari N.K. dyshohet për veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, ndërsa i dyshuari M.H., për veprat penale ‘Punimet ndërtimore të kundërligjshme’ dhe ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, për rastin në fjalë, është angazhuar edhe një ekspert i ndërtimtarisë”ka thënë për gazetën “Zëri” Liridona Xheladini, zyrtare për informim dhe monitorin të mediave në Prokurorinë Themelore të Gjilanit. / Enis Veliu – Zëri/