English
Scroll top

Transaksioni që zhveshi një popull

Kompania më fitimprurëse në vend, Posta dhe Telekomi i Kosovës i është shitur një konzorciumi që nuk ka përvojë në fushën e telekomunikacionit. Të dhënat e publikuara deri më sot, tregojnë që lideri i konzorciumit fitues, “ACP Axos Capital Partners”, drejtohet nga ish punonjës të lartë të Deutsche Telecom, por edhe se “Axos” ka prani në njërin nga ishuj e ‘parajsës fiskale’, në Ishujt Cayman. Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka refuzuar t’i bëjë...

Prishtinë, 02 Maj 2013

Kanë mbetur edhe pak muaj përderisa kompania më fitimprurëse në Kosovë të kaloj tek pronari i saj i ri. Posta dhe Telekomi i Kosovës - PTK-ja, kompania që në vit gjeneron rreth 40-50 milion euro fitim neto, me gjithë keqpërdorimet e shumta, do të bie në duar të dy fondeve investues, ACP Axos Capital Partners, nga Gjermania, si dhe Najafi Companies, nga Amerika.

Privatizimi i PTK-së, tashmë pothuajse është një fakt. Por, ajo që ende nuk dihet, dhe që Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) po reziston ta tregoj, është se kush realisht qëndron mbrapa liderit të konzorciumit fitues, ACP Axos Capital Partners.

Disa të dhëna të publikuara këtyre ditëve nga Preport tregojnë se mbrapa “Axos”, zyrtarisht qëndrojnë ish punonjës të lartë të Deutsche Telekom - DT. Por po ashtu, hulumtime tjera nxjerrin në shesh se “Axos”, një fond investues, ka prani në njërin nga ishujt “off shore”, konkretisht në Ishujt Cayman, njëri nga ishujt britanik të parajsës financiare.

Një kërkese për qasje në dokumente publike të paraqitur nga Organizata ÇOHU! dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese, Ministria e Zhvillimit Ekonomik - MZHE-ja, iu ka përgjigjur vetëm pjesërisht dhe atë duke dërguar vetëm dokumentin - Udhëzimet për Parakualifikim. Sipas përgjigjes së MZHE-së : “projekti i  privatizimit të PTK-së është ende në procedurë dhe autoriteti kontraktues ka kufizime ligjore dhe nuk mundet tani të zbuloj dokumentet e kërkuara”. MZHE-ja ka konsideruar se deri në përfundimin e procesit të tenderimit ka kufizime të konfidencialitetit, por është zotuar se kontratat dhe dokumentet  tjera do të jenë të qasshme për publikun vetëm pas nënshkrimit të kontratës me fituesin e PTK-së.

Por, përveç se opinioni ende nuk di se kush realisht qëndron mbrapa “Axos-it”, dhe prej nga vjen kapitali i tij  investues, procesi i privatizimit të PTK-së është përcjell edhe me paqartësi të thella rreth ligjshmërisë së vendimeve mbi privatizimin e PTK-së.

Dy raundet e privatizimit të PTK-së, shprehin qartë se gara për ta futur në dorë asetin më fitimprurës në Kosovë, nuk ka kaluar nëpër një konkurrencë të hapur dhe të barabartë, por është shoqëruar me presion, paracaktime të blerësve si dhe thyerje të ligjeve dhe rregullave në fuqi.

Kush është “Axos”?!

Të dhëna të dala nga hulumtimi i Preportr, tregojnë se njerëzit kryesorë, në fakt themelues dhe drejtues të “Axos-it”, janë në fakt ish zyrtarë të lartë të gjigantit të telekomunikacionit botëror Deutsche Telekom (DT). Ky hulumtim po ashtu sjellë në dritë edhe aspekte tjera, ato kur drejtues të “Axos-it”, kanë lobuar në emër të DT-së për të blerë kompani të ndryshme të telekomunikacionit nëpër vende tjera të rajonit.

Jan Georg Budden, njëri ndër themeluesit dhe drejtor i tashëm ekzekutiv i Axos-it, ka qenë zëvendës drejtor në DT, por po ashtu, Stephan Schroeder, njëri ndër themeluesit dhe partner menaxhues (Managing Partner), ka qenë zëvendësdrejtor në DT.

Hulumtimi i Preportr patë treguar se edhe zyrtari ligjor dhe njeriu i cili ka përfaqësuar “Axos-in” në procesin e tenderimit të PTK-së, Georgi Dimitrov, një maqedonas, del që me kompaninë e tij ligjore të ketë pasur po ashtu klient DT-në në procese tjera.

Hulumtimi po ashtu ka nxjerr të dhëna edhe të përfshirjes së “Axos-it” në procesin e privatizimit të Telekomit të Bosnjës, si dhe në atë të Albtelekomit në Shqipëri. Në rastin e tentim privatizimit të Telekomit të Bosnjës, njeriu i cili ka lobuar në emër të DT-së, Volket Rühe, në fakt më 2008 ka qenë presidenti i Bordit të Axos-it, si dhe ish ministri i mbrojtjes i Gjermanisë. Po ashtu, edhe në rastin e tentim privatizimit të Albtelekomit, emri i ish- ministrit të mbrojtjes së Gjermanisë, Volket Rühe del të ketë qenë i përfshirë në cilësinë e anëtarit të bordit të Axos-it, si lobues për ta privatizuar kompaninë e cila iu shit Calik Enerji nga Turqia.

Një hulumtim tjetër i Gazeta JNK, ka nxjerr në pah se “ACP Axos”, ka prani në njërin nga ishujt e parajsës financiare. Sipas prononcimeve të drejtorit ekzekutiv Jan Budden, fondi investues “Axos” kontrollon një entitet të quajtur Axos Cayman në Ishujt  Cayman, ku sipas tij, financime në të janë bërë nga DCM, një firmë për kapital investues, dhe Columbia Capital, njëra nga kompanitë në garë për ta blerë PTK, bashkë me ACP Axos, por e cila ishte tërhequr pas fazës së parakualifikimit.

Hulumtimi i Gazeta JNK ka treguar se regjistri i biznesit në Ishujt Cayman nuk ka listuar kompani me emrin “Axos Camyan”, por ka një kompani me emrin “Axos Limited”. Për këtë të fundit, drejtori ekzekutiv i ACP Axos ka refuzuar të përgjigjet duke u arsyetuar me ndjeshmërinë e rastit.

Historia e një shtyrje

Vendimi për nisjen e privatizimit të PTK-së, për herë të parë është marrë në vitin 2008 nga Qeveria e Kosovës, dhe atë disa muaj pas shpalljes së pavarësisë.  Deri në vendimin final, më 2013, procesi i privatizimit të PTK-së ka kaluar nëpër dy faza të tenderimit dhe është përshkruar me një seri të shtyrjeve të afatit të parakualifikimit si dhe të dorëzimit të ofertave.

Faza e parë e privatizimit të PTK-së pati dështuar në nëntor të viti 2011 pasi që Hrvatski Telekom (HT) qe tërhequr nga gara, duke quar kështu në dështimin e këtij procesi. Komisioni Qeveritar për Privatizim, gjatë fazës së parë të privatizimit të PTK-së, patë shtyrë afatin e parakualifikimit, sipas tyre, ‘me synim të rritjes së nivelit të konkurrencës’. Megjithëkëtë, procesi patë dështuar  pasi që Hrvatski Telekom, në të cilin 51% të aksioneve i posedon DT-ja, zyrtarisht qe tërhequr nga gara kinse për shkak të akuzave për korrupsioni mbi PTK-në. Megjithëkëtë, burime të ÇOHU! patën treguar se arsyeja e vërtetë e tërheqjes së HT-së ka qenë tendenca e Qeverisë për t’ia shitur PTK-në, Telekom Austria AG.

Faza e dytë e privatizimit të 75% të aseteve të PTK-së, është përcjellë me tri shtyrje të afatit të dorëzimit të ofertave për blerjen e aksioneve të PTK-së. Për më shumë, gjatë kësaj kohe, kemi parë edhe tërheqjen e disa prej konzorciumeve nga gara, por edhe një anatemim të vazhdueshëm të kompanisë M1 International, për lidhje të saja me Hezbollah-un.

Por, koha se kur është lejuar ndryshimi i konzorciumit tashmë titullar të PTK-së, gjatë fazës së dytë të privatizimit, jep të kuptohet se tenderi ka qenë i atillë, që në fund, fituese të dal konzorciumi ACP Axos Capital Partners dhe Najafi Companies.

Komiteti Qeveritar për Privatizim, gjatë fazës së dytë të privatizimit  lejoi ndryshimin e konzorciumit fitues të PTK-së, pas kalimit të fazës së parakualifikimit. KQP-ja, në gusht të 2012, pati aprovuar listën e kompanive të para-kualifikuara të PTK-së, ku në mesin e tyre ishte edhe konzorciumi, Columbia Capitals nga SHBA, me Axos Capital. Vetëm disa muaj më vonë, dhe atë pas një rundi të shtyrjes së afatit për ofrimin e ofertave, në  mars të 2013, KQP-ja prapë merr vendim për ta shtyrë afatin e dorëzimit të ofertave, por në të njëjtën kohë aprovon ndryshimin e konzorciumit Columbia Capitals nga SHBA, me Axos Capital, duke e vendosur  ACP Axos Capital Partner, si lidere të konzorciumit së bashku me Najafi Companies.

Ky kontekst i zhvillimit të gjërave në kuadër të procesit të privatizimit të PTK-së, lë të kuptohet se ka pasur një trajtim të tillë të krejt procesit me të vetmin qëllim që fitues të dal konzorciumi  ACP Axos Capital Partners dhe Najafi Companies.

Thyerja e ligjeve dhe kritereve të para-kualifikimit:

Rundi i dytë i privatizimit të PTK-së, përveç që është  përcjellë me një mungesë të theksuar të transparencës, ka qenë i përfshirë edhe me shkelje të ligjeve dhe kushteve të privatizimit. Hulumtimi i ÇOHU! dhe QKGH-së, ka treguar se ekzistojnë tri aspekte ligjore të cilat dëshmojnë se privatizimi i PTK-së, ka probleme serioze me respektimin e kuadrit ligjor mbi të cilin tërë procesi ka funksionuar.

KQP-ja ka aprovuar një sërë kushtesh të para-kualifikimit, për të cilat asnjëherë nuk ka dhënë dëshmi se janë përmbushur nga lideri i konzorciumit fitues të PTK-së, ACP Axos Capital Partners. Bazuar në të dhënat e nxjerra nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, mbi qarkullimin vjetor por edhe të aseteve në menaxhim, tregohet se lideri i konzorciumit fitues të PTK-së, nuk ka plotësuar as edhe kriterin më të ulët, të paraparë me pikën, 4.1.2, b, të kushteve të para-kualifikimit.

Po ashtu, edhe çështja e ndryshimit të konzorciumit fitues, nga Columbia Capitals, nga SHBA, me Axos Capital në ACP Axos Capital Partners dhe Najafi Companies, pas fazës së para-kualifikimit, mund të përbëjë lehtësisht shkelje të ligjeve në fuqi dhe të rregullave tenderuese.

Por, ajo që e bënë këtë proces tenderues shumë të dyshimtë, për nga respektimi i kërkesave ligjore është mungesa e një qartësie dhe koherence të vendimeve të Qeverisë dhe KQP-së, si dhe e deklarimeve kontradiktore të zyrtarëve të lartë qeveritarë, mbi shpjegimin e faktit se cili është vendimi i Kuvendit për privatizimin e PTK-së.

Kjo paqartësi e tërë procesit tenderues, si dhe tendenca për ta kamufluar çështjen se cili është konkretisht vendimi i Kuvendit të Kosovës për ta privatizuar PTK-në, ashtu siç kërkohet me nenin 9.1, të Ligjit për Ndërmarrje Publike, tregon qartësisht se ky proces ka shkuar pa një konsensus të gjerë politik dhe shoqëror, por edhe me shkelje të ligjeve në fuqi dhe kushteve të tenderit.

Organizata ÇOHU! ka identifikuar aspekte ligjore dhe kushte të tenderit që  janë thyer ose nuk janë marrë parasysh:

1. Mungesa e qartë e vendimit të Kuvendit të Kosovës për privatizimin e PTK-së.

2. Lejimi i ndryshimit të konzorciumit pas fazëz së parakualifikimit.

3. Mungesa e qartë e dëshmive se “ACP Axos” i ka përmbushur kriteret e parakualifikimit.